Peshkopi, përkujtohet 100 vjetori i betejës së Lanë-Lurës


“Këtu, më 26-28 tetor 1921, u zhvillua beteja heroike midis vullnetarëve dibranë të lirisë dhe ushtrisë pushtuese të Jugosllavisë së parë, e njohur në histori si Beteja e Lanë-Lurës ose e Qafë-Gelqeres, që çoi në përmbylljen me fitore të një lufte të ashpër 9-vjeçare. Lavdi qëndresës së Dibrës!” – shkruhet në pllakën përkujtimore.

Më 28 tetor 2021, në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi u zhvillua konferenca me temë “100- vjetori i luftës së Dibrës kundër pushtuesve serbë”. Kujtesa e kësaj lufte të lavdishme në historinë e Dibrës do të kulmojë më 10 dhjetor 2021 në Akademinë e Shkencave, me një sesion shkencor organizuar prej saj.

Beteja e LANË-LURËS, ose e quajtur ndryshe beteja e Qafë-Gëlqeres është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike e të lavdishme për popullin dibran.
Në kuadër të 100-vjetorit të kësaj beteje (26-28.10.1921), e cila i dha fund luftës së ashpër 9-vjeçare të dibranëve me pushtuesit serbë, nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Dibër, në hyrje të fushës së Lanë-Lurës, u përurua më datë 27 tetor 2021 një pllakë përkujtimore në nderim të kësaj beteje heroike.
“Këtu, më 26-28 tetor 1921, u zhvillua beteja heroike midis vullnetarëve dibranë të lirisë dhe ushtrisë pushtuese të Jugosllavisë së parë, e njohur në histori si Beteja e Lanë-Lurës ose e Qafë-Gelqeres, që çoi në përmbylljen me fitore të një lufte të ashpër 9-vjeçare. Lavdi qëndresës së Dibrës!” – shkruhej në pllakën përkujtimore.
Kjo pllakë përkujtimore iu dhurua bashkisë së Dibrës nga shoqata “Çidhna dhe Kastriotët” dhe për të kontribuan Mustafa Tola, Hajredin Toca dhe Nazmi Bushi.
Mes shumë lurasve të mbledhur anë e mbanë, historianë e personalitete, morën pjesë në këtë ceremoni përkujtimore Kryetari i Bashkisë Dibër z. Shkëlqim Murrja, i shoqëruar nga artisti dhe njëkohësisht Drejtori i Qendrës Kulturore “Haki Stërmilli” z.Arif Vladi, Prefekti i Qarkut z.Nexhbedin Shehu, si dhe Kryetarja e Këshillit të Qarkut Znj.Valentina Haliti, Kryetari i Keshillit Bashkiak z. Sokol Sava etj.
Një ditë më pas, më 28 tetor 2021, në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi u zhvillua konferenca me temë “100- vjetori i luftës së Dibrës kundër pushtuesve serbë”..
Kjo veprimtari u hap me ‘Himnin e Flamurit’, si dhe ‘Himnin e Djelmnisë Dibrane’ kënduar nga dy mjeshtrat e mëdhenj të muzikës shqiptare, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi.
Në këtë veprimtari u lexua nga Haki Përnezha kumtesat e akademik Shaban Sinanit “Lufta e Dibrës në kujtimet e Ismail Strazimirit”. Më pas, profesor Adem Bunguri mbajti referimin “Barbarizmat serbe në Dibër në vitet 1913-1921”, prof.Bajram Xhafa mbajti temën me titull “Pse zgjati 9 vjet Lufta e Dibrës?”; prof.ass.dr. Moisi Kamberi paraqiti referimin me temë “Kuvendi i Arrasit dhe Beteja e Lan Lurës”, lexuar nga Miranda Çiku.
Dr. Dritan Murrja referoi temën “Krijimi i Prefekturës së Drinit për shtrirjen e administratës dhe mbajtjen e zgjedhjeve”; Zabit Lleshi referoi temën “Gryka e Vogël në luftën kundër serbëve në vitet 1912-1921”.
Shkrimtari Xhafer Martini nuk mundi të ishte në këtë sesion shkencor, por tema e tij e përgatitur me këtë rast “Personaliteti i Elez Isufit”, u referua nga Dr. Hysen Uka.
Historiani Haki Përnezha e mbylli ciklin e referimeve me temën “Kontributi i çidhnakëve në vitet 1912-1921”.
Kujtesa e kësaj lufte të lavdishme në historinë e Dibrës do të kulmojë më 10 dhjetor në Akademinë e Shkencave, me një sesion shkencor organizuar prej saj.