“Po Dibrës – Jo Skavicës” bashkon zërat e dibranëve në New Jork 


Pamje nga protesta para selise se OKB ne New York. Foto: Olsi Beci

Më 4 nëntor 2021, dhjetra qytetarë shqiptaro -amerikanë u mblodhën pranë ndërtesës së OKB-së, në Manhattan dhe protestuan për mbrojten Luginës së Drinit të Zi dhe Dibrës nga përmbytja që i shkakton ndërtimi i digës së Skavicës mbi Lumin më të gjatë në Shqipëri, Drini i Zi.

Protesta ishte e organizuar nga aktivistët e komunitetit dibran  në zonën e Tri-Shteshit, (New York, New Jersey, Connecticut), me mbështetje nga organizata “Albanian Roots-Rrënjët Shqiptare”. 

Kjo protestë, që është e para e organizuar nga komuniteti dibran në SHBA, u mbajt në sheshin e njohur të protestave në Dag Hammarskjold Plazza (333 E 47th Street), Manhattan, për ti dhënë zë të drejtës së dhunuar të dibranëve pranë institucioneve amerikane.

Protesta ishte paqësore dhe plotësisht konform rregullave të qytetit. 

“Po Dibrës, Jo Skavicës” – ishte motivi i kësaj proteste, e cila nisi pikërisht pranë OKB-së në Nju Jork, si një valë kundërshtimi dhe proteste kundër zbatimit të projektit të digës së liqenit të Skavicës.

Diga e Skavicës, bazuar nga studimet e eksperteve, zhduk nga harta disa fshatra të Dibrës, duke përmbytur bashkë me ta histori, tokë bujqësore dhe mjaft pasuri të tjera. 

Skavica është kundërshtuar sistematikisht nga zëra dinjitozë të historisë, studime arkeologjike, gazetarë e analistë, aktivistë, përfshirë studiuesin dhe arkeologun Adem Bunguri, gazetarin e njohur dibran në Athinë, zotin Aburrahim Ashiku, i cili i ka kushtuar një libër kësaj çështje me titull “Po Dibrës, Jo Skavicës”.

Protesta e Nju Jorkut ishte nismë e një grup të rinjsh dibranë në SHBA, Forca Korabi me drejtues aktivistin Agron Damzi dhe Blendi Bekteshi, me një mbështetetje të madhe edhe nga “Albanian Roots” dhe presidenti i saj Marko Kepi.

Protesta “Po Dibrës – Jo Skavicës” ka gjetur përkrahjen e dhjetëra qytetarëve dibranë në zonën e Tri-Shtetshit dhe jo vetëm, të cilët me banderola e flamuj shqiptaro-amerikanë i thanë njëzëri “Jo Skavicës dhe Po Dibrës”.

Një grup djem dhe vajzash dibrane, pjesëmarrës në protestë, ishin të veshur në bluza të bardha, që me vullnet e dëshirë, nëpërmjet thirrjes së shkruar në gjoks të bluzave “Yes Dibrës! – No Skavicës!” kërkonin ta ndalin këtë projekt, që sipas tyre përmbyt përgjithmonë këtë troje dhe një histori të tërë. 

Protestën e drejtoi gazetari atdhetar, Beqir Sina, i cili në fjalën e tij tha se hidrocentrali mund të mbulojë me ujë gjurmët historike të prejardhjes së heroit dhe simbolit tonë kombëtar të të gjitha kohërave, Gjergj Kastrioti.

“Ky mohim i dyfishtë i Dibrës, një herë nga diktatura, e cila e internoi familjen time, dhe tani nën pushtetin e mafies qeveritare që përmbyt vendlindjen dhe 30 fshatra përreth, është një rrezik serioz i mohimit të identitetit tonë kombëtar” – theksoi Beqir Sina në fjalën e tij.

Fjalimi kryesor u mbaj në gjuhën angleze nga Ferzileta Gjika Vladi – profesore e fizikës,  e cila përmes një analize shkencore, shpjegoi përpara protestuesve, pse ky projekt ështe i dëmshëm dhe jo i duhur për ekoklimën e shekullit të 21.

Ajo foli edhe si ish-banore e territoreve qē rrezikohen nga përmbytja, duke ndarë me pjesëmarrësit jo vetëm emocionet, por edhe refleksionet objektive mbi padrejtësinë që po u bëhet dibranëve.

Drejtuesi i organizatës “Albanian Roots”, zoti Marko Kepi, ish kandidati për Këshilltar në Nju Jork, i bëri thirrje politikës dhe institucioneve përgjegjëse që ta bllokojnë zbatimin e këtij projekti, i cili bie në kundërshtim me interesat lokale e kombëtare, duke dhunuar pronën dhe demokracinë.

Mjaft mirë u prit edhe fjala e instrumentistit Ilmi Kacani, i cili theksoi se “humbjet kulturore që pëson Dibra nga përmbytja e kësaj zone prekin vlera kombëtare të kulturës tone, ku u përkundën artistë epikë dhe lirikë me zë e emër, që prodhuan bilbilat e asaj zone, por edhe Shqipërisë si Lirie Rasha, Caje Poleshi, Qerim Sula, Sherif Dervishi, Vera Laçi , Skënder Cala etj.

Aktivistë Arif Mata dhe Jurgen Vladi u rreshtuan në krah të argumentave që studiuesit kanë artikuluar në botime e publikime se përmbytja e Dibrës nuk i sjell dritë Dibrës dhe Shqipërisë, përkundrazi na zhduk nga faqja e dheut edhe atë indentitetin tonë kombëtar e historik të Dibrës.

Emocionues dhe me tone të forta ishte fjala e zotit Ilir Spata, një tjetër ish-banor i zonës që rrezikon të mbytet nga Skavica. Ai, përmes një interpretimi të bukur, solli vargje madhështore kushtuar asaj treve epike në realitet dhe në histori.

Nuk mund t’i mungonte kësaj proteste mbështetja e komunitetit të dibranëve të Dibrës tjetër dhe konkretisht kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra, zotit Dash Myftari, i cili foli si dibran, por edhe si një qytetar me origjinë nga Dibra shqiptare, pasi origjina e tij është Kllobiçishti i Shqipërisë.

Zoti Miftari tha se “ky është rasti për ti kthyer nderin me nder Dibrës në prag të kësaj padrejtësie, ndaj duhet ti themi “Jo Skavicës” si dikur në mbrojtje të Radikës, të bashkuar.

Cezar Ndreu, stërnipi i legjendës së historisë dibrane Elez Isufit, foli edhe në emër të familjes së madhe Ndreu, e ku nëpërmjet fjalëve të tij i emocionoi sërish pjesmarrësit me evokimet e tij historike, si thirrje për ti dalë zot të tashmes.

Peticioni në gjuhën angleze, i hartuar nga profesoresha e universiteti të Nju Jorkut, Ferzileta Gjika Vladi, do ti drejtohet Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen e lumnjve dhe Mjedisit.

Ky peticion do të përcillet edhe në nivelet e tjera, nëpër të cilat do të kalojë kjo protestē në Shqipëri si dhe në insitucionet Europiane. 

Në fund tubimi u përshëndet nga organizatori, zoti Agron Damzi, i cili falenderoi pjesëmarrësit  në këtë tubim dhe dhe paralajmëroi etapa të tjera nëpër të cilat do të kalojë zëri i dibranëve, si zë i të drejtës që po dhunohet nga pushtetarët e sotēm vendimmarrës.

Tubimi u mbyll me këngën “Jam krenar që jam Dibran” të këngëtarit të njohur Haxhi Maqellara dhe thirrjet e njëzëshme tē pjesëmarrësve: “Po Dibrës, Jo Skavicës”.

Protesta e 4 nëntorit 2021 në New Jork, ishte pikënisja e një kthese të rëndësishme historike për Dibrën, që burim force e frymëzimi ka dinjitetin dhe krenarinë.