DIBRA PAS PAVARËSISË KOMBËTARE (1912-1918)


Nga Akademik Kristo Frashëri

(Marrë nga libri “HISTORIA E DIBRËS” )

Populli dibran e priti me entuziazëm shpalljen e pavarësisë kombëtare, për të cilën kishte luftuar shekuj me radhë. Por gëzimi nga vendimi historik i Vlorës u përzie me një ndjenjë të thellë zemërate kundër okupatorëve të rinj të atdheut. Për më tepër, atë e pushtoi një shqetësim i madh për fatin e mëtejshëm të trevës dibrane, të cilën e lakmonin dy nga shtetet fitimtare të luftës ballkanike – Serbia dhe Bullgaria.
Në të vërtetë, rreziku më i madh vinte nga Serbia, sepse kjo me anën e carit të Rusisë e kishte eliminuar Bullgarinë nga pretendimet kundrejt Dibrës. Veç kësaj, me përjashtim të Austro-Hungarisë, lakmitë serbe i përkrahnin edhe fuqitë e tjera të mëdha, të cilat do të caktonin në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, hartën e re politike të Ballkanit.
Serbia pretendonte se Dibra, ndonëse në shumicën dërrmuese me banorë shqiptarë, ishte një tokë “sllave” dhe se i takonte asaj si një e “drejtë” e fituar me luftë. Megjithatë, qeveria e Beogradit e kuptonte se pretendimet e saj shoviniste mund të përmbyseshin në rast se popullsia liridashëse dibrane do të rrëmbente armët kundër pushtimit serb. Prandaj ajo mori një varg masash për ta konsoliduar politikisht dhe ushtarakisht regjimin e okupacionit ushtarak në këtë trevë.
Pasi siguroi ushtarakisht pozitat e saj në Shehër, Serbia e shtriu administratën e saj në Topallti dhe në javën e parë të dhjetorit shtiu në dorë Peshkopinë. Që këtej ushtritë serbe u nisën drejt veriut për të nënshtruar malësorët e Reçit e të Dardhës që e kishin turpëruar në betejën e Kolesjanit. Si hap të parë menduan të arrestonin udhëheqësin e tyre Elez Isufin, i cili banonte në fshatin Sllovë. Elezi nuk u dorëzua, por së bashku me djemtë e tij, u arratis. Për hakmarrje, serbët arrestuan tërë familjen e tij shumëfrymëshe dhe e internuan në Lumë. Elezi, i tronditur nga arrestimi i grave dhe i fëmijëve, pranoi të dorëzohej dhe premtoi se do të rrinte i mënjanuar me kusht që të lihej i lirë dhe të mos i merreshin armët e trupit. Serbët pranuan me shpresë se, po të mos e bënin dot për vete, do ta kishin më lehtë ta zhduknin fizikisht me tradhti.
Pushtimi serb i çoroditi patriotët dibranë si politikisht, ashtu dhe organizativisht. Duke mos e duruar dot zgjedhën e re, shumë prej tyre ikën në drejtim të Vlorës, para dhe pas ardhjes së ushtrive serbe. Kontaktet telegrafike me qeverinë e Ismail Qemalit u prenë, kurse mesazhet e rralla që sillnin nga Vlora korrierët trima, vinin me shumë vonesë. Nga izolimi i plotë prej botës së jashtme, filluan të qarkullonin një mori lajmesh të pakontrolluara, disa nga të cilat i fabrikonte qëllimisht vetë administrata serbe. Synimi i propagandës së Beogradit ishte të krijonte bindjen në popullsinë dibrane se çdo rezistencë ishte e kotë, mbasi fati i trevës së tyre ishte caktuar përfundimisht nga Fuqitë e Mëdha në favor të Serbisë. Popullsia nuk u trondit nga propaganda serbe, por disa krerë filluan të lëkundeshin dhe menduan t’i rregullonin, para se të ishte vonë, marrëdhëniet e tyre me pushtuesin e ri. Duke shpresuar në ndihmën e tyre, komanda serbe kërkoi ta shtrinte autoritetin e vet në Malet e Dibrës. Aty nga mesi i janarit 1913, reparte ushtarake serbe tentuan të depërtonin në Grykën e Vogël. Përgjigjja nuk vonoi. Malësorët rrëmbyen armët dhe u dolën para reparteve të huaja. Komandanti serb i Dibrës i pezulloi menjëherë luftimet dhe thirri me të shpejtë nga Sllova Elez Isufin, të cilit i kërkoi të ndërhynte pranë kryengritësve për t’i bindur që të hiqnin dorë nga rezistenca. I zënë ngushtë, Plaku i Sllovës pranoi të takohej me kryengritësit, por, kur shkoi tek ata, i inkurajoi që ta vazhdonin rezistencën. Prej andej ai u kthye në fshatin e vet. Nga frika se mos përhapej gjithandej zjarri i kryengritjes, ushtritë serbe u tërhoqën nga Gryka e Vogël. Disa ditë më vonë, një repart serb arriti në befasi në Sllovë dhe rrethoi kullën e Elez Isufit. Së bashku me trimat dhe familjarët e vet – gjithsej shtatëdhjetë vetë – Elezi e çau rrethimin dhe doli në mal. Kulla u dogj, por tashmë Elez Isufi u bë flamurtari më i dëgjuar i rezistencës antiserbe në Dibër.
Serbët nuk i trazuan përkohësisht dibranët, për të mos shkaktuar ndërlikime sa kohë nuk ishin caktuar akoma kufijtë midis Shqipërisë dhe Serbisë. Madje, gjatë muajve të parë të vitit 1913, u duk sikur në Konferencën e Ambasadorëve po triumfonte projekti i Vjenës, sipas të cilit treva dibrane së bashku me Shehrin i liheshin Shqipërisë. Por në mars gjendja ndryshoi. Në vazhdim të pazarllëqeve imperialiste, fitoi këmbëngulja e Rusisë për t’ia dhënë Shehrin Serbisë. Fitorja që korrën u dha kurajë serbëve të kërkonin me këmbëngulje të ashtuquajturin “kufi strategjik” me Shqipërinë, në bazë të të cilit Serbia duhej të merrte krejt trevën e Dibrës. Në përputhje me këto pretendime, Beogradi, ndërsa i tërhoqi ushtritë e veta nga viset e ndryshme të Shqipërisë, vazhdoi t’i mbante të okupuara viset dibrane edhe pas vendimit që morën Fuqitë e Mëdha më 29 korrik 1913.
Shkëputja e Shehrit nga trungu i Shqipërisë dhe pretendimet e mëtejshme të qeverisë së Beogradit shkaktuan te dibranët një pezmatim të përgjithshëm. Pakënaqësinë e tyre e acaroi në kulm shantazhi ekonomik dhe presioni terrorist që tani filluan të ushtronin shovinistët serbë për t’i detyruar dibranët që të pranonin bashkimin me Serbinë. Ashtu si dikur turqit, ata arritën derisa t’i ndalonin malësorët dhe fusharakët që të frekuentonin tregun e Dibrës. Dibranët që shiheshin me armë në krahë arrestoheshin ose vriteshin në vend, po ashtu edhe ata që udhëtonin për në Shehër për të blerë sendet më të nevojshme (drithë, kripë, vajguri, etj.). Rritja e vazhdueshme e emërimit kundër pushtuesve serbë dhe përpjekjet që bënte qeveria e Vlorës për të plotësuar çlirimin e atdheut, e çuan popullsinë dibrane, në kryengritjen e armatosur, e cila shpërtheu në shtatorin e vitit 1913.
Shkëndijën e vet kryengritja e mori nga urdhri i rreptë që dha komanda serbe për të ndaluar malësorët të kullosnin bagëtitë e tyre në fushën përtej Drinit. Të revoltuar nga kjo masë arbitrare që çonte në keqësimin e mëtejshëm të gjendjes së tyre ekonomike, malësorët e Luznisë vendosën ta mbronin bashkërisht me armë, kullotjen e bagëtive të tyre në fushë. Më 19 shtator 1913, pas ndërhyrjes brutale të ushtarëve serbë, filloi krisma e armëve. Serbët lanë nja dhjetë vetë të vrarë – luznakët vetëm dy (Mehmet Ademin dhe Xhaferr Iljazin). Mbarë malësorët dhe fusharakët dibranë u ngritën në këmbë për të protestuar. Komanda serbe u përgjigj duke djegur Peshkopinë, Pleçën, Dohoshishtin, Deshatin, Maqellarën, Allajbegin dhe duke arrestuar brenda në Shehër dyzet e tetë vetë, pesë nga të cilët u ekzekutuan menjëherë. Si zakonisht Dibra lëshoi kushtrimin. Me mijëra malësorë të Dibrës së Poshtme rrëmbyen armë dhe u grumbulluan në Peshkopi. Të nesërmen, më 22 shtator 1913, u ngrit Topalltia. Po atë ditë, malësorët së bashku me fusharakët sulmuan në mënyrë të rrufeshme Shehrin, cili mbrohej nga katër batalione serbe. Sulmi qe kaq i rreptë sa ushtria e armikut u shpartallua brenda disa orëve. Për më tepër, ajo la në duar të shqiptarëve rreth 400 robër, të cilët u trajtuan në mënyrë njerëzore. Me hyrjen e kryengritësve në Shehër, të gjithë dibranët e burgosur u liruan. Në qytetin e çliruar të Dibrës u ngrit flamuri kombëtar shqiptar.
Ditën e nesërme, më 23 shtator, me materialin luftarak që u zu në Shehër, kryengritësit shqiptarë të ndarë në dy pjesë, ndoqën ushtritë serbe, njëra palë nëpër grykën e Drinit, në drejtim të Ohrit, pala tjetër, nëpër grykën e Radikës, në drejtim të Gostivarit. Në të dy drejtimet marshimi i dibranëve shërbeu si sinjal për përhapjen e kryengritjes në mbarë popullsinë shqiptare të viseve të aneksuara nga Serbia. Në pellgun e Ohrit, me shqiptarët u bashkuan edhe fshatarët maqedonë, të cilët ishin gjithashtu të pakënaqur nga aneksimi serb.
Sapo mori njoftim mbi shtrirjen e kryengritjes jashtë Dibrës, komanda serbe në Ohër, Strugë dhe Starovë arrestoi me dhjetëra shqiptarë, nga të cilët tetë veta në Ohër u varën me tel telegrafi ose u therën me bajonetë. Të tjerët qëndruan në burg derisa pas dy ditësh kryengritësit shqiptarë çliruan gjithë pellgun e liqenit të Ohrit. Ushtritë serbe nuk qenë në gjendje ta ndalnin marshimin e kryengritësve as nga ana e Radikës. Gjatë tërheqjes së tyre nga Kërçova ata dogjën tetë fshatra shqiptare me rreth 1850 shtëpi, vranë të gjitha gratë dhe fëmijët që gjetën në këto fshatra, kurse 250 burra që hasën në fshatin Zajar, i morën me vete. Shtrirja e kryengritjes në këto vise, i detyroi serbët të tërhiqeshin edhe nga Fusha e Pollogut. Gjatë javës së fundit të shtatorit shqiptarët çliruan Mavrovën, Gostivarin dhe Tetovën.
Suksesi i shpejtë që korrën kryengritësit dibranë dhe shtrirja e zjarrit të kryengritjes shqiptare si në Maqedoninë perëndimore, ashtu dhe në viset e Kosovës, qe një grusht i rëndë për qeverinë e Beogradit. Flamuri kombëtar i Skënderbeut, i cili valoi në të gjitha viset e çliruara, e diskreditoi thellë politikën serbomadhe të Pashiçit. Viset e çliruara u pastruan kudo nga administrata serbe. Në çdo qytet u ngrit administrata shqiptare e drejtuar nga një këshill, e cila u zgjodh me të shpejtë nga radhët e parisë vendase. Në Dibër, kryetar i Këshillit Administrativ u zgjodh Sherif Langu. Me sytë e drejtuar nga Vlora, patriotët dibranë shpejtuan t’i jepnin pushtetit të ri, një karakter krejtësisht kombëtar dhe demokrat. Me kujdes të veçantë, ata u përpoqën të konsolidonin fitoren e arritur në pritje të vendimeve që do të merrte qeveria e Ismail Qemalit.
Por fitorja nuk vazhdoi gjatë. Qeveria serbe, e tronditur në kulm nga shpërthimi dhe shtrirja e rrufeshme e kryengritjes, dërgoi përforcime të reja ushtarake të pajisura me armatime të rënda dhe me urdhrin kategorik që ta shtypnin atë me terror të shfrenuar. Ofensiva serbe filloi më 1 tetor 1913 nga Tetova në drejtim të Dibrës dhe nga Resnja në drejtim të Ohrit. Terrori që shpërthyen shovinistët e Beogradit – djegiet në masë të fshatrave shqiptare, vrasja e mijëra fshatarëve të pafajshëm, mënyra barbare e ekzekutimeve në vend, përdhunimi i grave apo vajzave të pambrojtura dhe masakrat e përbindshme që kryen mbi gratë, fëmijët dhe pleqtë e shumtë – qenë aq të pashembullta, sa revoltuan edhe mjaft oficerë apo ushtarë serbë. Përballë epërsisë ushtarake të armikut, kryengritësit shqiptarë, pa armatimet e nevojshme dhe pa organizmin e duhur, u detyruan të tërhiqeshin. Nga njëra anë Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Mavrova, nga ana tjetër, Resnja, Ohri, Struga dhe Pogradeci, ranë në duart e ushtrive serbe.
Për t’i shpëtuar terrorit serb, me mijëra shqiptarë të këtyre viseve, braktisën shtëpitë e tyre dhe vrapuan drejt perëndimit, disa nga të cilët prunë në Dibër edhe lajmet rrëqethëse të masakrave të armikut. Përshtypje të thellë la sidomos terrori që kryen ushtritë serbe në Reçan pranë Gostivarit, ku pasi pushkatuan 75 burra, dogjën të gjallë me tepër se 200 gra dhe fëmijë të mbyllur prej tyre në dy shtëpi të fshatit. Përshtypje la po ashtu barbarizma që ato kryen në fshatin Simnicë, ku gratë, para se të pushkatoheshin, u përdhunuan në mënyrë çnjerëzore prej ushtarëve serbë. Së bashku me lajmet mbi mizoritë serbe, në trevën dibrane u përhap edhe paniku. Sidomos nga frika e çnderimit të grave dhe e masakrimit të fëmijëve, me mijëra familje dibrane, duke parë afrimin e ushtrive serbe, lanë fshatrat e tyre dhe pa vënë re as laçkë, morën rrugën nëpër Çermenikë drejt Elbasanit ose në për Mat drejt Tiranës. Mungesa e organizimit dhe përhapja e panikut e dobësuan rezistencën shqiptare, gjë që e shpejtoi përparimin e ushtrive serbe. Më 5 tetor 1913 Shehri ra. Pasi dogjën dy lagje të jashtme të qytetit (lagjet Hame dhe Krifon), ushtritë serbe u vunë zjarrin fshatrave të afërta – Vojnik (44 shtëpi), Koniarë (20 shtëpi), Sollokiq (10 shtëpi), Spas (32 shtëpi), Bllatë (66 shtëpi), Majtarë (28 shtëpi), Reshan (10 shtëpi), Allajbegi (82 shtëpi), Maqellarë (40 shtëpi), Glloboçisht (38 shtëpi), Kolloçisht (32 shtëpi), Çernen (28 shtëpi). Kolona të tjera serbe iu turrën nga të dy anët Gollobordës, ku dogjën Trebishtin (650 shtëpi), Borovën (90 shtëpi), Sebishtin (121 shtëpi), Ostrenin e Madh (152 shtëpi), Ostrenin e Vogël (95 shtëpi), Radovishtën (40 shtëpi), Vladimericën (60 shtëpi), Tushepin (45 shtëpi), Ostyishanin (51 shtëpi), Xhepishtin (0 shtëpi), Okshtunin (120 shtëpi), Klenjën (120 shtëpi), Steblevën (177 shtëpi), Zabzunin (150 shtëpi) dhe Leserin (25 shtëpi). Pastaj forcat e armikut depërtuan nëpër Grykën e Madhe dhe më tej nëpër fushën e Bulqizës derisa dolën në Qafën e Buallit, në kufi me Matin.
Me gjithë pushtimin e Dibrës së Epërme, malësorët e Dibrës së Poshtme nuk u demoralizuan, përkundrazi u përgatitën për rezistencë. Elez Isufi, i cili ato javë ndodhej në zonën e Shkodrës për të luftuar kundër ushtrive serbe e malazeze që mbanin të okupuara viset veriore, u thir menjëherënga malësorët e vet për të luftuar së bashku me ta. Por Elezi nuk arriti në kohë, sepse ngjarjet rrodhën me shpejtësi. Në fillim të nëntorit 1913, ndërsa ushtritë serbe filluan marshimin e tyre nga Shehri drejt Peshkopisë, të tjera reparte serbe, duke ardhur nga veriu përmes Lumës, i sulmuan befasisht malësorët prapa krahëve. Edhe këtu pa armatime dhe pa organizim, malësorët, të ndodhur midis dy zjarreve, u thyen. Megjithatë në Dibrën e Poshtme, nën kontrollin serb, hyri vetëm pjesa e saj lindore.
Një bilanc jo të plotë të mizorive që kryen serbët në trevën dibrane gjatë fushatës që ata ndërmorën në vjeshtën e vitit 1913 është renditur në një raport hartuar nga një ambasador i huaj, të cilit nuk i thuhet emri. Themi jo të plotë, mbasi në raport nuk përmenden mizoritë e kryera në krahinën e Gollobordës. Ky ambasador, thuhet në raportin e tij, e vizitoi vetë trevën e Dibrës pasi u shtyp kryengritja e shtatorit 1913 dhe fill pasi qeveria e Beogradit shpalli gjoja amnistinë për pjesëmarrësit e kryengritjes në tetor 1913. Këtë dokument ambasadori ia përcolli më 19 dhjetor 1913 qeverisë së njërës prej fuqive të mëdha. Dy ditë më vonë, më 21 dhjetor 1913, raporti i këtij ambasadori u botua në përkthimin italisht në gazetën italiane “Corriere delle Puglie”. Në këtë raport janë regjistruar si emrat e fshatrave të djegura, ashtu edhe ato të banorëve dibranë të masakruar barbarisht nga ushtritë serbe. Përmenden vetëm krimet e kryera në fshatrat e trevës dibrane që ata shkelën gjatë operacionit ndëshkimor në shtator 1913. Të dhënat që përmban raporti i përmendur deri sot nuk janë vënë në dyshim. Si rrjedhim, ato konsiderohen të vërteta. Madje, dyshohet se numri i dibranëve të vrarë gjatë këtij operacioni mund të ketë qenë më i madh. Sidoqoftë, edhe kjo listë mjafton për t’u bindur mbi mizoritë e kryera nga ushtritë serbe.
Lista e krimeve fillon me fshatin Klos të Matit, pikërisht në hyrjen e trevës dibrane. Pastaj vazhdon në Dibrën e Epërme: Valikardhë, Pilat, Krajkë, Sergjen, Sopot, Shehër, Gjoricë, Homesh, Shupenzë, Hokshatin, Topojan, Kovaçishtë, Gjoricë, Golevishtë, Kërçishtë, Bllacë, Zogaj, Maqellarë, Pocest, Kërçishtë e Poshtme, Çernen, Bllatë, Spas, Glloboçishtë, Poçistë, Obok, Pesjak, Erebarë, Vojnik, Allajbegi, Dovalan, Çakë, Kovaçisht, Majtar, Bllatë e Epërme, Bllatë e Poshtme, Leshan.
Në Dibrën e Poshtme: Bardicë, Zimur, Staravec, Bahutaj, Tomin, Dohoshisht, Zagrad, Bellovë, Grazhdan, Muhurr, Luzni, Cetush, Brezhdan, Ushtelenzë, Deshat, Sohodoll, Borovjan, Rashnopojë, Cerjan, Pilaf, Pilaf Mëhallë, Pollozhan, Gliçë, Limjan, Peshkopi, Trepçë, Çidhën, Sinë, Venishtë, Trojak, Dupjak, Sllatinë, Velesh, Kallë, Sllovë, Dardhë, Reç, Shumbat, Palaman.
Raporti i ambasadorit të huaj përfundon me këtë sintezë: “Kështu vazhdon historia e masakrave të tmerrshme me një listë rrëqethëse që krijon martirologu i popullit të ri shqiptar dhe nga njoftimet e plota të masakrave të kryera në vende të tjera të Shqipërisë Veriore. Bëhet fjalë për skena kusarie të egra, për akte hajdutërie mizore, për vepra të vazhdueshme shfarosjeje dhe vdekjeje. Shumë u dogjën, të tjerë u therën, të gjithë u desh të shkonin drejt vdekjes më të tmerrshme.
“Nga pasojat e kërdisë kuptohet se populli shqiptar, i etur për liri, me dëshirën për t’u ndriçuar nga një diell i ri i shndritshëm qytetërimi, për një periudhë të shkurtër kohe u përgjysmua në një nga krahinat e tij më të banuara dhe më të pasura. Fshat që natyra e shpërbleu me një pjellori të lakmueshme, u shkretua plotësisht dhe kështu tani përpara syve të vizitorit shtrihen zona të tëra plotësisht të zhveshura, të shkrumbuara nga zjarri shkretues, të shkatërruara nga vepra e pamëshirshme e armikut”.
Raporti shton:
“Sipas shumë shqiptarëve, qëllimi i serbëve ishte që të shkatërronin me anë të sundimit të terrorit tyre gjithë popullin shqiptar që banonte në territorin që Serbia donte ta bënte të vetin, për t’u treguar përfaqësive të Fuqive të Mëdha të drejtën e aspiratave të saj dhe mosqenien e çdo të drejte, privilegji nga ana e Shqipërisë. Kështu, Serbia donte të tregonte se në territorin e Shqipërisë Veriore nuk kishte banorë shqiptarë ose se ata ishin të pakët”.
Nga frika e një kryengritjeje të re shqiptare, autoritetet serbe shpallën një gjoja amnisti për pjesëmarrësit e kryengritjes, në të njëjtën kohë nevoja që kishin për një situatë të qetë në këto anë, i nxiti qeveritarët e Beogradit që ta detyronin me anën e terrorit popullsinë dibrane të shpërngulej nga vatrat e saj. Nga frika e shpërthimit prej Beogradit të një vale të re gjenocidi me mijëra familje të tjera u larguan nga treva e Dibrës dhe si muhaxhirë morën rrugën drejt Shqipërisë qendrore.
Sipas vlerësimit që jepnin qarqet shqiptare të kohës, numri i muhaxhirëve shqiptarë të shpërngulur nga viset e pushtuara prej serbëve arriti në fund të vitit 1913, në afërsisht 35 mijë vetë, nga të cilët rreth 20 mijë ishin dibranë. Shumica e tyre u vendos në Elbasan dhe në Tiranë, ndërsa të tjerët u shpërndanë në Çermenikë dhe në Mat. Muhaxhirët dibranë u pritën kudo me ngrohtësi nga popullsia vendase, e cila me gjithë varfërinë e saj të thellë, e ndau me ta bukën e gojës. Por vendi nuk kishte rezerva ushqimore, madje parashikohej që në Çermenikë dhe në Mat, tragjedia e shpërnguljes të kthehej në një kalamitet ekonomik, të pllakoste zia e bukës.
Qeveria e Vlorës dërgoi me të shpejtë, aq sa dispononte, disa ndihma financiare në favor të muhaxhirëve, por këto qenë të pamjaftueshme. Të dëshpëruar në kulm nga braktisja e vendlindjes dhe nga hyrja e dimrit, shumë familje muhaxhirësh vendosën të ktheheshin në vatrat e tyre.
Aty nga fundi i vitit 1913, disa qindra gollobordas të grumbulluar në Elbasan, morën rrugën e kthimit. Por pararoja e tyre, nja 30 vetë, u kap nga serbët te Qafa e Klenjës. Të gjithë pjesëtarët e pararojës u pushkatuan barbarisht në vend, me përjashtim të njërit që shpëtoi mes plumbash dhe së bashku me vargun që vinte pas pararojës, u kthyen përsëri në Elbasan. Dimri, të cilin muhaxhirët e kaluan me vështirësi të jashtëzakonshme, u rrëmbeu atyre qindra viktima të tjera të shkaktuar nga uria dhe nga sëmundjet.
Në marsin e vitit 1914, kur princi Vid erdhi në Durrës, Fuqitë e Mëdha ia përsëritën Serbisë kërkesën për të larguar ushtritë e saj nga viset që Konferenca e Ambasadorëve ia kishte lënë Shqipërisë. Beogradi ushtritë e veta i largoi vetëm nga Dibra e Poshtme, kurse tërheqjen e tyre nga viset që nuk i takonin në Dibrën e Epërme, e zvarriti me pretekstin se këtu komisioni ndërkombëtar ende nuk i kishte caktuar piramidat e kufirit shqiptaro-serb. Madje, për t’i krijuar shtetit shqiptar vështirësi në këto anë, qeveritarët serbë vunë në qarkullim aventurierin e njohur xhonturk, Arif Hiqmetin, i cili me të hollat e financuara prej Beogradit, u orvat të kurdiste në Dibrën e Epërme një lëvizje “myslimane” në paraqitje antividiste, në thelb antishqiptare. Veprimtaria antikombëtare që zhvilloi Arif Hiqmeti nga fshati Reshan, afër Shehrit, ku ai e vendosi selinë e vet, shkaktoi një reagim të fortë te patriotët dibranë, të cilët u ngritën kundër agjentit serb, duke u bashkuar me qeverinë e Vidit.
Me riorganizimin administrativ që bëri qeveria e Vidit, Dibra mbeti përsëri prefekturë (sanxhak), me ndryshim se qendra e saj tani ishte në Peshkopi. Në krahasim me sanxhakun e mëparshëm të Dibrës, territoret e prefekturës shqiptare të Peshkopisë qenë më të pakta. Tani ajo nuk përfshinte më Dibrën e Madhe (qytetin e Shehrit), Fushën e Rehonikut, nahijen e Koxhaxhikut, një pjesë të Gollobordës dhe kazanë e Rekës me gjithsej 97 fshatra, të cilat mbetën jashtë Shqipërisë. Tani prefektura shqiptare e Dibrës ndahej jo në katër, por në tri nënprefektura (kaza) – nënprefekturat e Peshkopisë, Zerqanit dhe Matit me 144 fshatra, në të cilët, para shpërnguljes së shtatorit 1913, banonte afërsisht gjysma e popullsisë që kishte sanxhaku i mëparshëm i Dibrës me 241 fshatra. Me vendosjen e administratës shqiptare, muhaxhirët e viseve që i mbetën Shqipërisë filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre, kurse muhaxhirët e zonave të aneksuara nga Serbia, në pjesën dërrmuese qëndruan në Shqipëri.
Qeveria shqiptare e Durrësit emëroi prefekt në Peshkopi Isuf bej Dohoshishtin nga Dibra e Poshtme. Detyrat e tij urgjente ishin: mëkëmbja e administratës shqiptare në viset e çliruara dhe shtrirja e saj në trojet e pushtuara nga serbët që i takonin Shqipërisë. Detyra e dytë ishte mjaft delikate, sepse ushtritë serbe nxirrnin pretekste të ndryshme për ta vonuar largimin e tyre dhe vazhdimisht provokonin duke shkaktuar incidente kufitare. Me propozimin e patriotëve dibranë, që tani u grumbulluan në Peshkopi, barra e ruajtjes së qetësisë brenda trevës dhe e mbrojtjes së saj nga provokacionet serbe, iu ngarkua Elez Isufit, i cili për këtë qëllim formoi me të rinj vullnetarë një milici lokale shqiptare në emrin “Batalioni i Drinit”. Milicia vullnetare dibrane qëndroi edhe pasi në fillim të shtatorit 1914, princi Vid me qeverinë e Durrësit u larguan nga Shqipëria.
Ndërkohë, situata politike ndërkombëtare u ndërlikua në kulm. Që në fund të qershorit Austro-Hungaria i kishte shpallur luftë Serbisë, kurse në fillim të gushtit kishte shpërthyer Lufta e Parë Botërore. E preokupuar me frontin luftarak në veri, tani qeveria e Beogradit nuk donte të kishte telashe në jug. Arif Hiqmeti, i cili ishte diskredituar si agjent serb dhe si i tillë kishte dështuar përfundimisht, nuk i vlente më Beogradit, aq më tepër kur tani që Turqia dukej se po rreshtohej në anën e Vjenës, parulla e tij për një princ “mysliman” në Shqipëri, i shërbente kryesisht Stambollit. Siç dihet, interesat që kishte qeveria serbe për të pasur një Shqipëri “Aleate”, i shfrytëzoi Esad pashë Toptani, kundërshtar i politikës austriake dhe simpatizant i fuqive të Antantës, aleatët e mëdhenj të Serbisë. Për këtë qëllim, sapo mori vesh largimin e Vidit, ai u nis nga Franca dhe nëpërmjet Greqisë arriti në Nish, ku e siguroi kryeministrin Pashiç se me ndihmën financiare serbe ai do të formonte një qeveri shqiptare “mike” të Serbisë. Pashiçi i dha Esatit jo vetëm disa barrë me flori, por edhe mundësinë që të rekrutonte forca të armatosura në Dibrën e aneksuar, me të cilat ai do të vendoste pushtetin e vet në Shqipëri.
Esat pashë Toptani erdhi në Dibër më 24 shtator 1914. Sapo erdhi, ai i ftoi dibranët ta zbonin nga treva e tyre Arif Hiqmetin, i cili tashmë njihej si agjent serb dhe u deklaroi atyre për demagogji se qëllimi i tij ishte të rimëkëmbte Shqipërinë e pavarur, pa princ të huaj, as evropian, as turk, por me një prijës shqiptar në krye të shtetit. Nga Shehri pashai toptanas shkoi në Peshkopi, ku më 26 shtator 1914, në një takim që pati me parinë e maleve, trajtoi të njëjtën platformë. Patriotët demokratë dibranë, të cilët e njihnin fytyrën e vërtetë të Esat pashës, u përpoqën ta pengonin veprimtarinë e tij. Madje, ditën që ai ndodhej në Peshkopi, ata organizuan kundër tij një atentat, i cili dështoi për shkak të lëvizjeve shumë dinake që bënte pashai. Në përgjithësi qytetarët e Shehrit së bashku me shumicën e malësorëve nuk u pajtuan me Esatin. Por në disa vise malësorët e njihnin ndryshe pashanë toptanas. E njihnin si komandant të divizionit, nën urdhrat e të cilit disa prej tyre kishin luftuar më 1913 në Shkodër kundër ushtrive serbo-malazeze. Po ashtu e njihnin si kundërshtar të hapur të princ Vidit, të cilin ata asnjëherë nuk e kishin simpatizuar. Kjo rrethanë i dha tij mundësi të rekrutonte nja dymijë vetë, të cilët duke kujtuar se i shërbenin atdheut dhe duke pasur nevojë për rrogën që ai u premtoi, e ndihmuan Esat pashën të vinte në Durrës dhe të shpallte më 2 tetor 1914, formimin e qeverisë shqiptare nën kryesinë e vet. Megjithatë, shumica e dibranëve mbetën kundërshtarë të tij. Për këtë arsye, ai nuk e shtriu dot autoritetin e vet në trevën e Dibrës. Madje, sapo filluan të dilnin në shesh lidhjet e Esatit me qeverinë serbe, shumica e malësorëve të rekrutuar prej tij, e braktisën njëri pas tjetrit.
Në të njëjtën kohë, xhonturqit e Shqipërisë së Mesme ushtruan një presion të vazhdueshëm ndaj dibranëve për t’i bindur që të luftonin bashkërisht kundër Esat pashës. Por dibranët, të shqetësuar nga parullat turkomane të xhonturqve refuzuan gjithashtu përveç disa fshatarëve të Gollobordës, që bashkëpunuan me ta. Dibranët qëndruan kështu “asnjanës” përballë të dyja palëve duke qeverisur vetveten në bazë të kanuneve vendase. Në përputhje me këtë qëndrim, në qershor të vitit 1915, dibranët nuk i lejuan ushtritë serbe të marshonin përmes territorit të tyre, për të shtypur kryengritjen e Shqipërisë së Mesme dhe për të ndihmuar Esat pashën e bllokuar në Durrës. Në fakt, serbët marshuan nga ana e Qafë-Thanës. Sapo shtypën kryengritjen, iu turrën në befasi Dibrës së Epërme dhe e thyen pa ndonjë vështirësi rezistencën spontane lokale.
Ushtritë serbe u larguan nga viset e Dibrës në janar të vitit 1916, kur të thyer nga ofensiva austro-hungare, u detyruan të braktisnin atdheun e tyre dhe të tërhiqeshin përmes Shqipërisë për të kaluar në Korfuz dhe gjetkë. Në Dibër arritën menjëherë ushtritë bullgare, por këto nuk qëndruan shumë, sepse në mars 1916, nën presionin e Vjenës u tërhoqën. Vendin e tyre e zunë ushtritë austro-hungare, të cilat qëndruan këtu deri në tetor të vitit 1918.
Austriakët u paraqitën tek dibranët si përkrahësit e Shqipërisë në luftën e tyre kundër serbëve. Me këtë parullë ata u përpoqën të formonin me malësorë reparte “vullnetarësh”, të cilat t’i hidhnin në luftë kundër “aleatëve” të serbëve – ushtrive italiane që ndodheshin në Shqipërinë e Jugut. Në shërbim të këtij synimi, autoritetet austriake u dhanë krerëve shpërblime dhe u premtuan subvencione në përpjesëtim me forcat që do të rekrutonin. Kujdes të veçantë treguan për Elez Isufin, të cilin e dekoruan si “luftëtar të shquar kundër serbëve” dhe e ftuan të merrte pjesë si përfaqësues i Dibrës në delegacionin shqiptar që do të vinte në Vjenë, në shkurt të vitit 1917, për të përshëndetur perandorin austriak me rastin e ditëlindjes. Krerët e Dibrës nuk i refuzuan shpërblimet. Elez Isufi shkoi si pjesëtar i delegacionit në Vjenë. Por Vjena, nuk rekrutoi dot forca malësore për interesat e Perandorisë Austro-Hungareze.
Në fund të Luftës së Parë Botërore, në Dibër erdhën përsëri ushtritë serbe (tetor 1918). Erdhën si pjesëtarë të Antantës, bllokut që kishte fituar luftën. Me vete kishin Traktatin e Londrës, i cili ishte nënshkruar në mënyrë të fshehtë më 26 prill 1915 midis Anglisë, Francës, Rusisë dhe Italisë. Në bazë të traktatit, në rast se luftën do ta fitonte Antanta, Jugosllavia dhe Greqia do të shpërbleheshin me aneksimin, e para të viseve veriore, e dyta të viseve jugore të Shqipërisë. Italia do të aneksonte Vlorën me hinterlandin e saj, së bashku me ishullin e Sazanit, kurse viset e Shqipërisë Qendrore do të formonin një shtet mysliman nën protektoratin e Italisë. Në nenin 7 të traktatit thuhej se pjesët veriore dhe jugore të Shqipërisë, do të pjesëtoheshin midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë në atë masë sa do ta shihnin të arsyeshme fuqitë e Antantës. Pra, në bazë të Traktatit të Londrës, Jugosllavia përfitonte më tepër nga ç’kishte pretenduar me anën e “vijës strategjike” – pra, siguronte aneksimin e pjesës veriore të Shqipërisë. Së bashku me serbët erdhën në Dibër nga Selaniku edhe forcat e armatosura të Esat pashë Toptanit (disa qindra mercenarë), të cilat gjatë luftës botërore kishin luftuar për llogari të Antantës. Duke përfituar nga përçarja e thellë që kishte plasur në radhët e parisë, në fund të tetorit ushtritë serbe shtinë në dorë Peshkopinë. Me ndihmën e Taf Kaziut dhe të disa krerëve të tjerë, gjatë nëntorit kaluan Drinin në pjesën e Dibrës së Epërme, duke u shtrirë deri në Qafën e Buallit dhe në Qafën e Murrës. Masa dërrmuese e banorëve dhe shumica e parisë dibrane nuk pranuan të afroheshin as me pushtuesit serbë, as me forcat esadiste, të cilat për më tepër filluan të pakësoheshin nga largimi i mercenarëve jo vendës për në viset e tyre.

KUNDËR NDËRHYRJES JUGOSLLAVE

Megjithëse pati mjaft përfitime territoriale nga Konferenca e Paqes, qeveria jugosllave ishte e pakënaqur nga Traktati i Londrës. Ajo nuk kishte ndonjë kundërshtim në lidhje me premtimet që Traktati i Londrës i jepte Greqisë në Shqipërinë e Jugut. Shqetësimet e saj rridhnin nga përfitimet që siguroi Italia në Shqipëri. Me përfitimet që pati Roma në Shqipëri – aneksimin e krahinës së Vlorës kujdestarinë që fitoi mbi shtetin autonom shqiptar – Jugosllavisë i mbyllej rruga për të realizuar ëndrrën e madhe serbe – shtrirjen deri në lumin Shkumbin dhe daljen e saj në Durrës. Veç kësaj, me praninë e Italisë në Shqipëri, Roma i dilte Jugosllavisë në kufijtë jugorë, në një kohë kur po bëhej fqinje edhe në kufijtë veriorë, gjë që ishte e rrezikshme për Beogradin në një rast lufte me të. Si rrjedhim, duke përjashtuar praninë e Italisë në Shqipëri, qeveria jugosllave jo vetëm krijonte një lloj qetësie në kufijtë e jugut, por në të njëjtën kohë, pastronte rrugën për ta nënshtruar vetë Shqipërinë.
Duhet theksuar me këtë rast se në lidhje me Shqipërinë qarqet qeveritare të Beogradit vëmendjen e tyre e përqendruan te dëbimi i ushtrive italiane nga viset shqiptare, kurse rezistencën shqiptare ndaj Jugosllavisë nuk e morën sa duhej në konsideratë. Në lidhje me Shqipërinë, shpresat e veta kryeministri serb Nikolla Pashiçi i vari te Esat pashë Toptani, i cili me marrëveshjen e fshehtë që kishte lidhur me të në Nish në qershor të vitit 1915, kishte premtuar të bëhej vasal i Jugosllavisë në shtetin që ai do të kryesonte në Shqipërinë e Mesme. Kryeministri serb mendonte se Esat pashë Toptani, i cili edhe pse ishte një figurë e urryer nga shqiptarët dhe se qëndronte në emigracion, mbasi nuk guxonte të kthehej në atdhe, i kishte të gjitha aftësitë politike për ta marrë në dorë pushtetin dhe për t’ia dorëzuar Shqipërinë pa luftë Jugosllavisë.
Megjithatë, qeveria jugosllave nuk i zbuloi menjëherë haptas kartat e saj. Sapo në Paris filluan punimet e Konferencës së Paqes, në janar të vitit 1919, qeveria jugosllave doli me një tezë, me të cilën dukej sikur mbronte interesat e Shqipërisë. Ajo e kundërshtoi Traktatin e Londrës dhe kërkoi që Shqipërisë t’i njihej pavarësia e plotë me kufijtë e caktuara më 1913, duke përdorur si argument se shqiptarët ishin të aftë të qeverisnin vetveten, prandaj nuk kishin nevojë për asnjë kujdestari apo mandat të huaj. Por në rast se kjo zgjidhje që shtronte qeveria e Beogradit nuk do të pranohej nga Fuqitë e Mëdha – atëherë Jugosllavia kërkonte që t’i jepeshin asaj viset e ashtuquajtura “serbe” të Shqipërisë Veriore duke u zotuar se do t’u jepte shqiptarëve të zonës së Shkodrës një autonomi administrative si atë që gëzonte minoriteti sllav i Rutenisë në Austri. Vetëkuptohet se për qeveritarët e Beogradit, krejt treva dibrane, e cila përfshihej në planet e tyre aneksioniste, ishte një territor plotësisht sllav.
Pretendimet e Jugosllavisë ranë kështu në kundërshtim me pretendimet e Italisë, e cila kërkonte që Traktati i Londrës të zbatohej tërësisht në dobi të saj. Për këtë qëllim, Roma kërkonte të aneksonte rrethin e Vlorës së bashku me ishullin e Sazanit dhe të merrte kujdestarinë mbi shtetin autonom shqiptar, i cili sipas saj, duhej të formohej jo në Shqipërinë e Mesme, por brenda kufijve të vitit 1913. Në këtë mënyrë ajo donte të përjashtonte si Jugosllavinë, ashtu edhe Greqinë nga çdo përfitim tokësor në kurriz të Shqipërisë. Pretendimet e Italisë dhe të Jugosllavisë ranë nga ana tjetër në kundërshtim me ato të Greqisë, e cila nguli këmbë për zbatimin pikë për pikë të Traktatit të Londrës, duke kërkuar aneksimin me çdo kusht të Shqipërisë së Jugut në favor të saj. Për të evituar kundërshtimin grek, Roma i bëri lëshime Athinës. Në verën e vitit 1919, Italia pranoi që me Akordin Tittoni – Venizellos, Greqia të merrte të ashtuquajturat vise greke në Shqipërinë e Jugut, kurse Greqia nga ana e saj pranoi që Italia të aneksonte Vlorën me hinterlandin e saj.
Zërin e dibranëve në favor të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë, e çoi në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 Fuat Dibra, i cili kryesoi delegacionin e kolonisë shqiptare të Stambollit dhe e shpenzoi pasurinë e tij të konsiderueshme për të shpëtuar atdheun, njëkohësisht Dibrën, nga rreziku i copëtimit dhe i nënshtrimit. Madje, për hir të kontributit që ai dha, Fuat Dibra u ngarkua më 5 prill 1920 nga qeveria e Tiranës që të mbronin së bashku me Pandeli Evangjelin, delegatë zyrtarë të Shqipërisë, çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes. Zëri i dibranëve në favor të pavarësisë së plotë të atdheut dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë buçiti jo vetëm në Konferencën e Paqes në Paris, por edhe në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, i cili u mblodh në fund të janarit 1920.
Në Kongresin e Lushnjës, Dibra u përfaqësua nga tre vetë: Ramiz Daci, Dine Maqellara dhe Dine Dema, të cilët përfaqësonin i pari popullsinë e Shehrit, i dyti Topalltinë, i treti Malësinë. Zgjedhja e delegatëve qe rezultat i një kompromisi që u arrit midis krerëve dibranë. Prej tyre vetëm Ramiz Daci përfaqësonte qarqet përparimtare demokratike dibrane. Dy të tjerët vinin nga paria çifligare e Topalltisë (Dine Maqellara) dhe ajo konservatore e Maleve (Dine Dema). Të tre delegatët e miratuan vendimin historik të Kongresit për të kundërshtuar çdo cënim tokësor të atdheut dhe çdo mandat të huaj mbi Shqipërinë. Por në lidhje me problemin e ndërtimit të shtetit shqiptar tek ata u dukën hapat e para të përçarjes së faktorëve të brendshëm. Një rol në këtë përçarje në trevën dibrane luajti Ahmet Zogu.
Ahmet Zogu ishte një figurë e njohur për dibranët. Ai njihej si biri i Xhemal pashë Zogut (biri i Xhelal pashë Zogut), pasardhësi i derebejve të Matit, të cilët tashmë qenë kthyer në pronarë çifligjesh. Në fillim të shekullit XX i ati i tij Xhemal pashë Zogu ishte për disa vite mytesarif i Dibrës. Si rrjedhim, edhe vetë Ahmet Zogu jetoi për disa kohë në Shehër. Si biri i mytesarifit, ai kishte zënë miqësi me bijtë e disa krerëve të Dibrës, moshatarë të tij, siç ishin Fiqiri Dine, Hysni Dema, Taf Kaziu, etj. Ai vajti në Kongresin e Lushnjës si delegat i Matit, rreth i prefekturës së Dibrës, duke e quajtur veten dibran. Për t’i forcuar lidhjet me parinë konservatore, Ahmet Zogu pak më vonë u dha fëmijëve të tyre – Fiqiri Dines (birit të Dine Maqellarës), Hysni Demës (birit të Dine Demës), Taf Kaziut, Muharrem Bajraktarit etj., bursa shtetërore për t’u shkolluar si oficerë të xhandarmërisë shqiptare. Qeveria shqiptare e Kongresit të Lushnjës, e cila së bashku me organet e larta shtetërore u vendos më 11 shkurt 1920 në Tiranë, korri me ndihmën që pati nga organizatat patriotike mjaft suksese në zbatimin e programit të saj. Krahinat e vendit filluan të bashkoheshin njëra pas tjetrës me qeverinë e Tiranës. Me kërkesën e saj, autoritetet frënge i larguan ushtritë e tyre nga Shkodra më 11 mars dhe nga Korça më 26 maj 1920. Edhe autoritetet italiane i tërhoqën ushtritë e tyre nga shumica e viseve të pushtuara. Por nga ana tjetër, në vend që t’i transportonin në Itali, i përqendruan në rrethin e Vlorës dhe të Tepelenës. Përkundrazi, autoritetet jugosllave bënë veshin e shurdhër. Nuk i lëvizën asnjë hap ushtritë serbe nga lugina e Drinit. Krahina e Dibrës mbeti kështu si dhe ajo e Vlorës përsëri nën okupacionin ushtarak të huaj.
Shqipëria, e rrënuar nga okupacionet e huaja ushtarake dhe me institucione shtetërore shqiptare të sapoformuara, nuk ishte në gjendje të përballonte në të njëjtën kohë një luftë të armatosur kundër tre shteteve fqinje. Për më tepër, qeveria shqiptare ishte ende në fazën e organizimit të forcave të xhandarmërisë. Për mungesë mjetesh financiare ajo nuk kishte filluar akoma nga krijimi i ushtrisë kombëtare. Veç kësaj, ajo u detyrua t’i angazhonte forcat e saj të pakta për ndjekjen e bandave esatiste, të cilat, të nxitura nga qeveritarët serbë dhe tërthorazi nga agjentët italianë filluan ta kërcënonin Tiranën. Në këto rrethana, për forcat shqiptare u bë e qartë se çelësi që do ta zgjidhte lëmshin e ndërlikuar në të cilën ndodhej çështja shqiptare në arenën ndërkombëtare ishte shpërthimi i luftës çlirimtare kundër ushtrive italiane. Kjo për arsye se, sipas qarqeve politike të Tiranës, po të dëboheshin ushtritë italiane nga Vlora, shfuqizohej në pikën më nevralgjike Traktati i Fshehtë i Londrës. Si rrjedhim, Beogradi dhe Athina nuk do të kishin të drejtë të kërkonin përfitimet që atyre u jepte Traktati. Megjithatë, qeveria shqiptare nuk donte të angazhohej ajo vetë në një luftë kundër Italisë, për shkak të pasojave diplomatike negative që ajo mund të kishte për çështjen shqiptare, qoftë nga dobësia ushtarake, qoftë nga reagimi ndërkombëtar. Me shumë të drejtë forcat patriotike shqiptare e gjykuan se në ato rrethana efektin më pozitiv në dobi të çështjes së atdheut do ta bënte lufta e organizuar nën formën e kryengritjes çlirimtare të vetë popullsisë së krahinës së pushtuar të Vlorës, kundër ushtrive pushtuese italiane. Barrën për të organizuar dhe drejtuar këtë kryengritje të popullsisë së pushtuar në rrethin e Vlorës kundër ushtrive italiane e mori përsipër Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, i cili do të vepronte i shkëputur nga autoriteti i qeverisë së Tiranës. Madje, udhëheqësit politikë shqiptarë shpresuan gjithashtu se lufta çlirimtare e Vlorës, duke synuar dëbimin e ushtrive italiane nga Shqipëria, do të shihej me sy të mirë nga Beogradi dhe Athina, si rrjedhim, gjatë zhvillimit të saj, qeveritë jugosllave dhe greke nuk do ta godisnin mbrapa shpine Shqipërinë.
Në fakt, qeveria jugosllave në përputhje me deklaratat që kishte bërë në Konferencën e Paqes i dha të kuptonte qeverisë së Tiranës se nuk do ta bezdiste Shqipërinë në rast se ajo fillonte veprimet luftarake për dëbimin e ushtrive italiane nga Shqipëria. Por nga ana tjetër, ajo nuk mori asnjë zotim për të tërhequr ushtritë e saj nga e ashtuquajtura zonë strategjike, me të cilën ajo cilësonte krahinën e Dibrës. Kryeministri jugosllav Pashiçi mendoi se me luftën antiitaliane të shqiptarëve dhe me lëvizjen esatiste që ajo organizoi në Shqipëri punët po shkonin në favor të politikës së Beogradit. Por llogaritë e tij dolën të gabuara.
Në sajë të heroizmit popullor që treguan shqiptarët në luftën e Vlorës, e cila shpërtheu më 5 qershor 1920, u arritën fitore të mëdha, që as diplomacia e kancelarive të mëdha, as ajo e qeveritarëve të Beogradit nuk kishin mundur t’i parashikonin. Siç dihet, ushtritë italiane nuk u bënë dot ballë sulmeve të fshatarëve shqiptarë dhe u grumbulluan brenda pak ditëve në qytetin e Vlorës. Diskreditimi i qeverisë italiane qe kaq i madh, sa kryetari i qeverisë së Romës, Nitti, flamurtari i flaktë i aneksimit të Vlorës dhe i mandatit italian mbi Shqipërinë, dha dorëheqjen. Kryeministri i ri Xholiti (Giolitti) shpejtoi të deklaronte në parlament se kërkesa për vendosjen e mandatit italian mbi Shqipërinë ishte një gabim politik dhe se ky gabim mund të rregullohej vetëm duke përkrahur prirjet e shqiptarëve për një shtet të pavarur kombëtar. Veç kësaj, sapo në rrethin e Vlorës Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” shpërtheu kryengritjen e armatosur kundër ushtrive italiane – në rrethinat e Shijakut filloi nën komandën e Bajram Currit operacioni ushtarak kundër bandave esatiste, i cili përfundoi me likuidimin e tyre. Për më tepër, ndërsa bandat esatiste po likuidoheshin përfundimisht në zonën e Shijakut, në Paris Avni Rustemi likuidoi me atentat më 13 qershor 1920 aleatin e ngushtë të Serbisë, Esat pashë Toptanin. Më në fund, më 2 gusht 1920 Roma kërkoi me ngutësi të ndërpritej kryengritja shqiptare, mbasi kishte vendosur të nënshkruante marrëveshjen për tërheqjen e ushtrive të saj nga Vlora. Pas këtyre veprimeve, dibranët prisnin me padurim sinjalin nga Tirana për të rrëmbyer armët kundër ushtrive serbe, të cilat, në kundërshtim me premtimin, e kishin shtuar regjimin e terrorit në trevën e tyre.
Por, pas kthesës që ndodhi në politikën italiane ndaj Shqipërisë dhe pas likuidimit në të njëjtën kohë të lëvizjes esatiste së bashku me udhëheqësin e saj, qeveria jugosllave në vend që të mbante premtimin për tërheqjen e ushtrive të saj nga treva e Dibrës, shpejtoi të zbatonte sa më parë programin e vet ndaj Shqipërisë. Për këtë qëllim, që në korrik ushtritë jugosllave kishin ndërmarrë një sërë provokacionesh kufitare në zonën e Shkodrës dhe të Dibrës me shpresat se këto do ta detyronin qeverinë e Tiranës që të gjunjëzohej ndaj diktatit të Beogradit. Në zonën e Shkodrës, ku ndërhyrjet jugosllave qenë më të theksuara, shpërtheu patriotizmi popullor, i cili solli si rezultat shpartallimin e forcave intervencioniste jugosllave në Koplik dhe dëbimin e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Disfata që pësuan në Koplik i detyroi qeveritarët e Beogradit që të ndërprisnin menjëherë provokacionet e tyre në zonën e Dibrës, duke u përqendruar përsëri gjatë lumit Drin, në të ashtuquajturin kufi strategjik. Megjithatë, në valën e patriotizmit që tashmë kishte pushtuar mbarë Shqipërinë, popullsia dibrane nuk mund ta toleronte më qëndrimin e ushtrisë serbe në të ashtuquajturën vijë strategjike. Pas nënshkrimit të Protokollit të Tiranës më 2 gusht 1920, me të cilin Italia u detyrua t’i largonte ushtritë e veta nga Vlora dhe ta njihte Shqipërinë si shtet të pavarur me kufijtë e vitit 1913, qëndrimi i mëtejshëm i ushtrisë serbe në ultësirën dibrane u bë i pajustifikuar. Në këto rrethana, qeveria shqiptare jo vetëm nuk e ndali, por e pa të dobishëm aksionin e armatosur të dibranëve për çlirimin e trevës së tyre brenda kufijve të vitit 1913.
Si në rastin e Vlorës, edhe këtu meqenëse qeveria e Tiranës nuk donte ta merrte mbi vete përgjegjësinë e këtij aksioni të armatosur kundër ushtrive jugosllave – vendosi në heshtje që aksionin ta drejtonte një komision i posaçëm dibran. Për këtë qëllim, u mblodh në fshatin Arras të Çidhnës një kuvend i vogël i dibranëve. Kuvendi, i cili u mblodh më 13 gusht 1920, zgjodhi në analogji me Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” të Vlorës një komitet lufte – “Komiteti Kombëtar” – të përbërë nga Elez Isufi, Ramiz Daci, Ramiz Dibra, Jashar Erebara, Dine Maqellara, Ismail Strazimiri, Selam Zhuka, Dervish Lusha dhe disa të tjerë. Për hir të kompetencave që mori përsipër për të ushtruar përkohësisht pushtetin politik dhe ushtarak në trevën dibrane, komiteti u quajt për antonomazi nga popullsia lokale “Qeveria e Arrasit”.
Momenti politik ndërkombëtar për shpërthimin e kryengritjes çlirimtare ishte plotësisht i përshtatshëm. Në protokollin italo-shqiptar që u nënshkrua në Tiranë më 2 gusht 1920, Roma pranonte “pavarësinë e plotë të Shqipërisë”, ashtu siç qe përcaktuar më 1913 dhe zotohej se nuk do të lejonte që askush tjetër të cënonte sovranitetin dhe tërësinë e saj tokësore. Si rrjedhim, në këtë protokoll, Roma hidhte poshtë si Traktatin e fshehtë të Londrës, ashtu edhe praktikat e zhvilluara brenda dhe jashtë Konferencës së Paqes. Duke shfrytëzuar këtë moment politik, Komiteti Kombëtar i Dibrës nën kryesinë e Elez Isufit vendosi më 13 gusht 1920 të shpërthente menjëherë kryengritjen e përgjithshme çlirimtare kundër ushtrive jugosllave.
Ashtu si në rastin e Vlorës, edhe në Dibër para se të fillonin veprimet e armatosura komiteti i Arrasit i drejtoi një ultimatum komandës serbe në Peshkopi, me të cilën i kërkonte zbrazjen brenda 24 orëve të tokave që i takonin Shqipërisë. Siç parashihej, jugosllavët nuk u përgjigjën. Krisma e parë e kryengritjes filloi në Dibrën e Poshtme. Me thirrjen tradicionale “A bes a besë!” me mijëra malësorë, të udhëhequr nga Isuf Xhelili, nipi i Elez Isufit, në agimin e 16 gushtit 1920 sulmuan kodrat e Shumbatit, ku ndodhej reparti më i rëndësishëm i serbëve. Pas një ore luftimesh të ashpra, jugosllavët u shpartalluan, duke lënë rreth 100 të vrarë dhe gati 600 robër së bashku me armatimet dhe municionet e tyre. Pothuajse në të njëjtën kohë, malësorë të tjerë sulmuan me heroizëm repartet jugosllave të përqendruara në afërsi të Peshkopisë – në Pollozhan, në kodrat e Kabës, në Lisat e Trenës, ku u zunë të tjerë robër, të cilët gjithsej rreth 800 vetë (numri ndoshta i tepruar), u nisën në drejtim të Tiranës dhe më vonë, nëpërmjet Durrësit, u kthyen me anije në Jugosllavi. Të tmerruar nga furia e kryengritjes së malësorëve dhe nga përhapja e saj me shpejtësi në mbarë Dibrën e Epërme, ushtritë jugosllave e braktisën të gjithë “vijën strategjike”. Në mbrëmjen e po asaj dite, kryengritësit arritën në vijën e kufirit.
Këtu malësorët dhe fusharakët dibranë, me gjithë porosinë kategorike të qeverisë së Tiranës dhe urdhrin e prerë të “qeverisë” së Arrasit nuk deshën të ndaleshin në kufirin e caktuar, ndonëse padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha. Disa kilometra tej kufirit dukej Dibra e Madhe, shkëputjen e së cilës nga trungu i Atdheut, dibranët nuk e përtypnin dot. Një tjetër “A bes a besë!” dhe kryengritësit hynë brenda në qytet. Me një rrëmujë të papërshkruar ushtritë jugosllave braktisën qytetin dhe zunë Grykën e Radikës. Kjo qe një fitore e shkëlqyer, e cila nuk përfundoi me protokoll.
Pala shqiptare shpejtoi t’i evitonte ndërlikimet. Që të nesërmen, më 17 gusht 1920, me presionin e “qeverisë” së Arrasit, kryengritësit u tërhoqën nga Shehri. Elez Isufi, me një deklaratë me shkrim që u lëshoi autoriteteve jugosllave, i ftoi të ktheheshin në Dibrën e Madhe, duke i garantuar se nga ana e shqiptarëve do të respektoheshin kufijtë e vitit 1913. Por qeveria e Beogradit, e tërbuar nga se po i fluturonte në erë platforma e “vijës strategjike”, pruri përforcime të konsiderueshme për të ripushtuar me anën e një ofensive frontale tokat e humbura.
Për t’i bërë ballë ofensivës së armikut, Komiteti Luftarak i Arrasit vendosi në pikat kyçe të kufirit forcat e veta të komanduara nga Dan Cami në Viçisht, Destan Puca në Çerenec, Dine Dema në Homesh, Dine Hoxha në Bllatë, Dine Maqellara në Maqellarë, Myftar Kaloshi në Skërtec, Isuf Xhelili në Sorokoll (Kala të Dodës), ky i fundit për të mbrojtur shpinën nga ndonjë sulm eventual i armikut nga ana e Lumës. Ofensiva jugosllave filloi pas dy javësh, më 2 shtator 1920, në sektorin e Bllatës dhe Maqellarës. Forcat dibrane i bënë një rezistencë të fortë sulmit të armikut, por nga mungesa e armatimeve dhe nga pamundësia e Dine Hoxhës dhe Dine Demës u tërhoqën nga Kodrat e Qenokut. Gjatë marshimit të tyre ushtritë jugosllave i përsëritën në një masë më të kufizuar barbarizmat e vitit 1913. Masakruan me qindra vetë dhe dogjën një varg fshatrash të zonës së Maqellarës. Edhe këtë radhë shovinistët serbë nuk kursyen asgjë. Mizoritë e shfrenuara të armikut dhe rënia e Qenokut po atë ditë shkaktuan panik në disa nga krerët e lëkundur të Dibrës. Për të shpëtuar popullsinë nga shfarosja prej armikut, Elez Isufi, në krye të mijëra malësorëve rezistoi me armë, derisa të nesërmen banorët e fushës (Topalltisë) kaluan Drinin dhe ishin në rrugë për në Lurën malore, nga ku pastaj vazhduan për në Mat, Qafë Shtamë, Krujë, Tiranë. Të nesërmen, më 3 shtator 1920, në mbrëmje ushtritë jugosllave hynë në Peshkopi, ku për hakmarrje masakruan banorët e pakët që gjetën aty, midis të cilëve Xhem Dacin, vëllanë tjetër të Shaqir Dacit.
Ushtritë jugosllave nuk u ndalën në “vijën strategjike”, por e vazhduan marshimin në thellësi të Shqipërisë për ta detyruar qeverinë e Tiranës të kapitullonte përpara kërkesave të Beogradit ose t’ia linte vendin një qeverie tjetër kapitulluese. Për ta rritur më tepër presionin e vet, qeveria jugosllave vuri në veprim mbeturinat e forcave esadiste të strehuara në Jugosllavi, të cilat, të organizuara në banda të parregullta, nën komandën e Taf Kaziut dhe të Osman Memës, marshuan në të njëjtën kohë, në drejtim të Martaneshit dhe Çermenikës për të dalë në Tiranë dhe në Elbasan. Thirrjes që lëshoi qeveria shqiptare për të kundërshtuar me armë intervencionin jugosllav, malësorët dibranë iu përgjigjën duke zënë shtigjet e rrugëve, të cilat vendosën t’i mbronin me çdo kusht. Përpjekja më e përgjakshme u bë në Grykën e Setës (Çidhën), ku ishte strehuar shumica e popullsisë së zonës. Ushtritë jugosllave u gozhduan në vend dhe, pasi pësuan humbje të mëdha, u detyruan të tërhiqeshin në brigjet lindore të Drinit. Me shpartallimin e bandave esadiste në Martanesh nga forcat e tjera shqiptare, qeveritarët e Beogradit i tërhoqën ushtritë e tyre nga tërë fronti dhe i përqendruan brenda “vijës strategjike”. Ndërhyrja serbe dështoi, por treva dibrane mbeti përsëri pjesërisht e pushtuar.
Pas dështimit të ndërhyrjes jugosllave qeveria e Tiranës i vazhdoi përpjekjet diplomatike për ta detyruar Beogradin t’i tërhiqte ushtritë e veta nga tokat e pushtuara. Për t’i hequr çdo argument politik apo juridik qëndrimit të forcave jugosllave brenda kufirit shqiptar, qeveria e Tiranës paraqiti më 12 tetor 1920 kërkesën për t’u bërë anëtare në Lidhjen e Kombeve. Më 1920 kur Lidhja e Kombeve sapo ishte formuar, hyrja e Shqipërisë në gjirin e saj ishte një akt formal me rëndësi të veçantë, mbasi nëpërmjet saj ajo sanksiononte statusin e vetë juridik, pavarësinë e saj kombëtare me kufijtë e caktuar më 1913. Si rrjedhim, me pranimin e saj si anëtare e Lidhjes së Kombeve, Jugosllavisë i pritej rruga për të kërkuar ndryshimin e kufijve të Shqipërisë. Për më tepër, ajo detyrohej të tërhiqte menjëherë ushtritë e saj nga territori shqiptar. Përndryshe ajo do të cilësohej si shtet agresor dhe si i tillë, në bazë të nenit 10 të statusit të Lidhjes së Kombeve, ajo do të dënohej me sanksione, të cilat arrinin deri në përjashtimin nga gjiri i saj.
Për të evituar pozitën e vështirë në të cilën do të ndodhej Jugosllavia nga pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, qeveria e Beogradit në bashkëpunim me qeverinë e Athinës u orvatën ta bojkotonin kërkesën e qeverisë së Tiranës. Në fakt, në fillim patën sukses. Komisioni i pestë i Lidhjes së Kombeve, duke shqyrtuar dokumentacionin që paraqiti qeveria shqiptare, u kap pas një elementi shumë të diskutueshëm – pas faktit se gjoja shteti shqiptar i krijuar më 1913 nuk ishte njohur de jure dhe de facto nga fuqitë e tjera. Si rrjedhim, sipas tyre, vendimi i krijimit të shtetit shqiptar më 1913 konsiderohej i shfuqizuar. Kështu që, pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve u shty derisa kjo të pajisej me një akt tjetër ndërkombëtar, që të zinte vendin e akteve të shfuqizuara të viteve 1913 dhe 1914.
Me këtë rast rreth argumenteve juridike të pranimit ose jo të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve u bënë mjaft debate. Si Jugosllavia, ashtu edhe Greqia dërguan në Gjenevë specialistët e tyre më të kualifikuar, të cilët rreshtuan një varg argumentesh teorike për të provuar se aktet ndërkombëtare vetvetiu shfuqizohen në rast se nënshkruesit e tyre hyjnë në luftë me njëri-tjetrin. Si rrjedhim, aktet e krijimit të shtetit shqiptar të viteve 1913 dhe 1914 të nënshkruara nga gjashtë Fuqitë e Mëdha, gjoja kishin humbur fuqinë e tyre për dy arsye: sepse nënshkruesit e tyre kishin hyrë gjatë Luftës së Parë Botërore në luftë kundër tjetrit dhe se akti i 31 korrikut ishte zhvleftësuar nga Traktati i Londrës, i cili e trajtonte Shqipërinë si objekt copëtimi dhe jo si shtet sovran.
Për të mbrojtur çështjen shqiptare qeveria e Tiranës dërgoi në Gjenevë Fan Nolin, i cili e trajtoi problemin në mënyrë të shkëlqyer nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Fan Noli parashtroi tezën se luftërat shfuqizojnë vetëm aktet të cilat trajtojnë çështje që u takojnë fuqive që i kanë nënshkruar ato akte dhe gjatë kohës kur ato fuqi ndodhen në luftë me njëra-tjetrën. Gjithashtu, luftërat shfuqizojnë, sipas tij, ato akte që trajtojnë çështje të kushtëzuara me afate të shkurtëra. Aktet që kanë të bëjnë me krijimin e shteteve – parashtroi Fan Noli – nuk mund të zhvleftësohen, sepse shtetet nuk krijohen me afat të shkurtër dhe nuk duhet të ndjekin fatin e fuqive që kanë nënshkruar krijimin e tyre. Fan Noli hodhi, gjithashtu, poshtë edhe tezën e zhvleftësimit të akteve të krijimit të shtetit shqiptar nga Traktati i Londrës. Lidhur me këtë çështje ai solli tri argumente: se Traktati i Londrës nuk u shpall botërisht, se ai nuk u vu në zbatim dhe se ai u suprimua me akordin e Tiranës të nënshkruar me 2 gusht 1920 nga Italia, e cila hiqte dorë nga përfitimet që i sillte ai traktat. Shtojmë ne edhe një argument të katërt: vetë Traktati i Londrës nuk përmbante vendime, por vetëm premtime të papërcaktuara, të cilat për më tepër mbetën në letër.
Fjala e Fan Nolit la përshtypje të thellë në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Krahas saj një përshtypje po aq të thellë la edhe jehona që kishte shkaktuar lufta çlirimtare e Dibrës. Lajmet që vinin nga Beogradi tregonin shqetësimin e madh që kishin pushtuar qarqet qeveritare jugosllave nga ngjarjet e Dibrës dhe mobilizimin e prej tyre të forcave të konsiderueshme ushtarake për të sulmuar truallin e Shqipërisë. Nga ana tjetër, lajmet që vinin nga Tirana paralajmëronin se me patriotizmin që kishte pushtuar popullsinë dibrane ato ishin gati të fillonin përsëri kryengritje çlirimtare në qoftë se forcat ushtarake jugosllave nuk do të tërhiqeshin në kufirin e vitit 1913. Qarqet politike evropiane konsideronin përgjegjëse për këto veprime qeverinë e Beogradit, e cila, duke u kapur pas argumenteve artificiale rreth vlerës së akteve ndërkombëtare të vitit 1913 dhe 1914, ishte gati të hapte një vatër lufte. Për këtë arsye, për habi të qeverisë jugosllave edhe dy përkrahëset më të mëdha të saj, Anglia dhe Franca, hoqën dorë nga rezoluta që ato vetë kishin mbështetur në Komisionin e pestë dhe pranuan më 17 dhjetor 1920 së bashku me anëtarët e tjerë të Asamblesë, hyrjen e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjes së Kombeve, duke e shtyrë për më tutje caktimin në terren të kufijve me fqinjët e saj. Duke shfrytëzuar shtyrjen e takimit të kufijve, qeveria jugosllave nuk pranoi t’i hiqte ushtritë e veta nga zona e Dibrës. Për më tepër ajo i vazhdoi provokimet e saj duke shpërthyer terror kundër popullsive të nënshtruara dhe duke organizuar inkursione jashtë vijës strategjike.
Në të vërtetë, kufijtë shqiptaro-jugosllavë ishin caktuar që më 1913. Kishin mbetur pezull vetëm disa çështje të parëndësishme nga shkaku i fillimit të Luftës së Parë Botërore. Duke parë se qeveria jugosllave po e shfrytëzonte këtë rrethanë për të mbajtur në tension krejt vendin, qeveria e Tiranës i kërkoi Këshillit të Lidhjes së Kombeve më 29 prill 1921 që kjo të ndërhynte për largimin e trupave të saj nga territori shqiptar. Në diskutimin e kërkesës shqiptare në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, Shqipërinë e përfaqësoi përsëri Fan Noli, i cili e paditi qeverinë jugosllave si agresore duke kërkuar dërgimin në Shqipëri të një Komisioni Ndërkombëtar, i cili të vëzhgonte zbatimin e vendimit që do të merrte Këshilli në lidhje me largimin e ushtrive jugosllave.
Përfaqësuesi jugosllav Jovanoviç u përpoq të mbrohej nga akuza shqiptare, duke e cilësuar praninë e ushtrive serbe në ultësirën dibrane jo si zonë të pushtuar, por si zonë demarkacioni. Veç kësaj, ai kërkoi që çështja e ngritur nga Fan Noli të trajtohej jo nga Asambleja e Lidhjes së Kombeve, e cila, sipas tij, ishte e prirur të mbante anën e Shqipërisë, por nga Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, mbasi vetëm asaj, sipas tij, i takonte e drejta të merrej me një çështje të trajtuar edhe më parë nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës.
Këshilli i Lidhjes së Kombeve pranoi kërkesën jugosllave, kurse Fan Noli në shenjë proteste e ngriti çështjen përpara Asamblesë së Lidhjes së Kombeve. Kështu, çështja e kufijve të Shqipërisë u mor në shqyrtim nga dy instanca ndërkombëtare njëkohësisht – nga Asambleja Plenare e Lidhjes së Kombeve dhe nga Konferenca e Ambasadorëve të katër fuqive të mëdha. Për të larguar vëmendjen e Lidhjes së Kombeve nga problemi i kufijve, qeveria e Beogradit deklaroi se tensioni në Shqipëri nuk rridhte nga provokacionet ushtarake jugosllave, por nga luftërat e brendshme që gjoja zhvillonin fiset e ndryshme lokale dhe grupet fetare shqiptare. Për këtë qëllim, ajo e nxiti politikisht dhe e ndihmoi financiarisht kapedanin konservator të Mirditës, Marka Gjonin, të organizonte një kryengritje të armatosur kundër shtetit shqiptar. Rebelimi i tij filloi në fund të qershorit të vitit 1921, por shumica dërrmuese e mirditorëve, me gjithë pakënaqësinë që kishin ndaj qeverisë së Tiranës, nuk e pasuan kapedanin, i cili pas dy javësh u detyrua të arratisej në Jugosllavi. Disfatën më të rëndë ai e pësoi në Shkallën e Gjonit nga Batalioni i Drinit, i formuar me rezervistë dhe vullnetarë dibranë nën komandën e Ali Rizaj. Me pretendimet për ndihmë ushtarake që i dhanë shovinistët serbë, Marka Gjoni, pasi shpalli më 17 korrik 1921 në Prizren “republikën autonome të Mirditës”, u kthye përsëri në Shqipëri. Por edhe këtë radhë nuk pati sukses. Në ndihmë të kapedanit mirditor u nisën me të shpejtë nga territori jugosllav në dy drejtime – nga Dibra dhe nga Prizreni – forca mercenare të armatosura. Repartet mercenare që erdhën nga krahu i Dibrës e vendosën shtabin e tyre në Arras, duke i detyruar anëtarët e Komitetit Kombëtar të tërhiqeshin në thellësi. Duke parë epërsinë e forcave armike, Elez Isufi mobilizoi një mijë vullnetarë të tjerë me malësorë nga Reçi, Dardha, Çidhna e Lura, të cilët së bashku me disa qindra ushtarë të Batalionit “Drini”, i thyen më 1 gusht 1921 mercenarët te “Gropa e Gëlqeres” dhe i detyruan të ktheheshin në Arras, pasi lanë rreth njëqind vetë të vrarë. Pas ndeshjes së dytë që u zhvillua më 10 gusht, forcat mercenare u detyruan të tërhiqeshin në viset përtej Drinit.
Malësorët nuk i ndoqën më tej, sepse iu drejtuan Mirditës, për të asgjësuar së bashku me repartet qeveritare mbeturinat e bandave të Marka Gjonit. Pas disa ditë ndjekjesh kapedani tradhtar u gjend pisk dhe kërkoi të dorëzohej në “besë” te Elez Isufi. Ndërsa Elezi priste në Lurë dorëzimin e tij, forca të ushtrisë së rregullt jugosllave, të shoqëruara nga bandat renegato-shqiptare dhe nga reparte mercenare bjellogardiste (rusë) u përqendruan gjatë Drinit të Zi. Më 17 shtator komanda jugosllave u dërgoi forcave shqiptare në Dibër një ultimatum me afat 24 orë, me të cilin kërkonte largimin e tyre nga viset malore të Çidhnës, Dardhës dhe Lurës, pra nga rruga që do t’i çonte ato në Mirditë. Komanda shqiptare refuzoi dhe dibranët lëshuan kushtrimin. Të nesërmen, më 18 shtator, ushtritë jugosllave filluan bombardimin. Forcat ushtarake dhe vullnetare shqiptare u tërhoqën në vende strategjike, në malin e Sinës dhe të Xharxhishtit. Më 19 shtator, duke kujtuar se rruga ishte hapur, ushtritë armike marshuan nga ana e Dardhës, por në Soricë u thyen dhe u tërhoqën pasi lanë 15 veta të vrarë. Më 20 shtator provuan të marshonin nga krahu tjetër, nga ana e Sinës, por edhe këtej u detyruan të tërhiqeshin, pasi lanë rreth 30 vetë të vrarë, në pritat që kishin zënë malësorët te Guri i Sukës dhe te Kodra e Pëllumbit. Më 21 shtator sulmi u përsërit nga ana e Sinës. Këtë radhë, kundërsulmi i shqiptarëve qe më i rreptë dhe armiku, i cili u tërhoq përsëri, pati 230 vetë të vrarë.
Pas këtyre disfatave qeveria e Beogradit i ndërpreu sulmet, me shpresë se kriza politike, që ato javë pushtoi Tiranën, do ta detyronte qeverinë shqiptare të pranonte pretendimet jugosllave. Por kur më 19 tetor 1921, në Tiranë erdhi në fuqi qeveria e “Grupit të Shenjtë”, e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim territorial, Beogradi përgatiti me të shpejtë një ofensivë të rrufeshme për të arritur sa më parë në Mirditë. Këtë radhë komanda jugosllave përqendroi në një front të ngushtë rreth 5400 ushtarë e mercenarë të pajisur me 31 topa dhe me qindra mitraloza të rëndë e të lehtë. Nga pala shqiptare qëndronte Batalioni i Drinit me 400 ushtarë, 700 vullnetarë, 2 topa dhe 4 mitraloza, nën komandën dyfishe të Ali Rizajt dhe Elez Isufit, si dhe një batalion tjetër prej 300 vetash, nën komandën e Nazif Voshtinës, që dërgoi qeveria e Tiranës, i përbërë kryesisht nga bedelë, të cilëve, si të tillë, u mungonte shpirti luftarak. Kur erdhi lajmi i rifillimit të ofensivës armike, gati 2000 malësorë të tjerë rrëmbyen armët dhe u vunë në dispozicion të komandës ushtarake shqiptare.
Ofensiva ushtarake jugosllave filloi në mëngjesin e 26 tetorit 1921, me një bombardim të gjatë kundër pozitave shqiptare, i cili u pasua nga sulmi i gjithanshëm i reparteve të rregullta dhe mercenare. Shqiptarët rezistuan me heroizëm, por krahu i Muhurrit, nga sulmonte tradhtari Taf Kaziu, u detyrua të tërhiqej. Këtë çarje e shfrytëzuan forcat jugosllave, të cilat depërtuan në thellësi të Malësisë, derisa dolën në Dejën e Macukullit, në shpinë të forcave shqiptare. Në sektorët e tjerë, ushtarët dhe vullnetarët dibranë rezistuan gati 40 orë, pastaj u tërhoqën në Lurë. Ditën e tretë, më 28 tetor 1921, në Lanën e Lurës u zhvillua beteja vendimtare. Me një vetëmohim të jashtëzakonshëm, malësorët dibranë, ushtarë dhe civilë, u përleshën me ushtritë jugosllave dhe, në përfundim të një beteje të përgjakshme, e detyruan armikun të tërhiqej në breg të Drinit.
Fitorja e Lanës së Lurës pati pasoja të rëndësishme. Me të u dogj karta e fundit e qeverisë së Beogradit. Fuqitë e Mëdha u bindën përfundimisht për saktësinë e akuzave që qeveria e Tiranës kishte ngritur herë pas here kundër qeverisë së Beogradit. Veprimet aventureske të Jugosllavisë vunë në shqetësim edhe miqtë e saj. Britania e Madhe, e informuar me saktësi mbi çfarë po ndodhte në Dibër, u shqetësua jo aq për fatin e Shqipërisë sesa për atë të Jugosllavisë. Kjo për arsye se Jugosllavia po e çonte vendin e saj në një konflikt me shqiptarët e egërsuar, nga i cili ajo mund të kishte pasoja të rënda. Për të evituar këto pasoja të rënda, të cilat qeveritarët nacionalistë të Beogradit nuk donin t’i merrnin parasysh, kryeministri britanik, Llojd Xhorxh, i drejtoi Lidhjes së Kombeve, më 7 nëntor 1921, një telegram me një ton tepër idhnak e tepër të prerë:
“Përparimi i vazhdueshëm i trupave jugosllave në Shqipëri, – thuhej në telegram – duke qenë nga ato veprime që turbullojnë paqen ndërkombëtare, po e shtyn qeverinë britanike që të tërheqë vëmendjen e Këshillit të Lidhjes së Kombeve mbi këtë ngjarje dhe ju lutet që të merrni menjëherë masa për të thirrur mbledhjen e Këshillit me qëllim që të studiojë situatën dhe të bjerë në ujdi mbi masat që duhen marrë në bazë të artikullit 16 në rast se qeveria jugosllave do të refuzojë ose do ta vonojë zbatimin e detyrimeve që i ngarkon statuti i Lidhjes së Kombeve. Konferenca e Ambasadorëve, – thuhej më tej, – i ka caktuar kufijtë e Shqipërisë. Vendimi i saj do t’u njoftohet shumë shpejt palëve të interesuara. – Llojd Xhorxhi”.
Në bazë të nenit 16, Jugosllavia akuzohej kështu si një shtet agresor kundrejt Shqipërisë dhe paralajmërohej se, po të mos i tërhiqte trupat e veta nga treva dibrane, do të përjashtohej nga Lidhja e Kombeve. Në të njëjtën kohë u shpall se po nisej për në Shqipëri një komision ndërkombëtar për të vërtetuar në terren zbatimin e vendimit që mori Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 9 nëntor 1921, për largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugosllave nga Shqipëria. Megjithatë, qeveria e Beogradit i vazhdoi provokacionet për të shkaktuar trazira në Shqipëri, përpara se të vinte në kufi komisioni ndërkombëtar i caktuar për të vëzhguar zbatimin e vendimit të Lidhjes së Kombeve.
Në fakt, këtë radhë, qeveria e Beogradit nuk pati më mundësi t’u bënte bisht akteve ndërkombëtare. Ajo mori menjëherë masa për të tërhequr ushtritë nga trualli shqiptar para se të arrinin në Dibër anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar. Kështu, kur komisioni i përbërë nga një finlandez (J.J. Sederholm), një norvegjez (J. Meinich) dhe një luksenburgaz (Ch. Schaefer), pasi kaloi përmes Lurës arriti në Arras më 11 dhjetor 1921, ushtritë jugosllave ishin larguar përtej kufirit 24 orë më parë. Disa ditë më vonë, ata i raportonin Këshillit të Lidhjes së Kombeve, ndër të tjera:
“Të gjitha fshatrat që ndodhen në fushën e Drinit, kanë vuajtur barbarisht nga serbët; në pjesën më të madhe të këtyre fshatrave, shumica e shtëpive janë rrënuar. Megjithatë, duket se këto rrënime u takojnë okupacioneve serbe të viteve 1913 dhe 1920, por ka mundësi që ndonjëra prej tyre të jetë rrënuar këtë vit”.
Vendimi që mori Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 9 nëntor 1921 për largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugosllave nga Shqipëria ishte një fitore e madhe që korri Shqipëria në arenën ndërkombëtare, të cilën popullsia patriote e Dibrës e pagoi duke i dhënë atdheut me qindra dëshmorë. Se ç’vlerë pati kjo fitore shqiptare për palën jugosllave, do t’ia lëmë të na e thotë një studiues serb, Dragutin Nikoliqi, doktor i shkencave në fushën e së drejtës ndërkombëtare, i cili ka shkruar ndër të tjera: “Kudo u formua bindja se Jugosllavia kishte synime agresive ndaj Shqipërisë. Ja përse qeveria jugosllave doli nga kjo grindje jo vetëm e poshtëruar, por njëkohësisht e mundur, sepse kjo qeveri, në këto rrethana nuk mundi të bënte asgjë tjetër veçse të nënshtrohej përpara vendimit të 9 nëntorit 1921, kundër të cilit do të ngrihet gjithë opinioni publik i vendit”.