Albchrome ikën nga Bulqiza
shfrytëzimi, padrejtësitë dhe vdekjet e minatorëve që la pas


Minatorë dhe anëtarë të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës duke protestuar para hyrjes së minierës së kromit në Bulqizë që administrohet nga kompania Albchrome. Foto: Sami Curri/BIRN.

Albchrome është larguar zyrtarisht nga miniera më e madhe në Bulqizë. Aksionet e saj janë shitur te kompania turke Yildirim International Mining Investments B.V. Albchrome po ikën, por mbeten shfrytëzimi, padrejtësitë dhe vdekjet e minatorëve gjatë administrimit të saj.
Në Bulqizë kompania Albchrome do të mbahet mend më së shumti për katër gjëra:

1. Favorizimin flagrant nga shteti
Albchrome erdhi në Bulqizë 9 vite më parë, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, duke blerë nga kompania Albanian Chrome të gjitha aksionet e koncesionit 30-vjeçar të minierës. Opozita e kohës, e drejtuar nga Edi Rama, pati kritika të shumta duke e quajtur si favorizim për pronarin e Albchrome, oligarkun Samir Mane. Por me ardhjen në pushtet Edi Rama e zgjati edhe me 10 vjet të tjera koncesionin, edhe pse nuk ishin përmbushur investimet e parashikuara në kontratë.
Shteti financoi Samir Manen për hapjen e Tranverbankut të Klosit, me justifikimin e rivënies në punë të Fabrikës së Pasurimit në Klos. Por kjo e fundit nuk u vu kurrë në punë. Paratë e dhëna nga shteti u përdorën për të ulur kostot e pronarit për nxjerrjen e ujit nga miniera dhe ndërtimin e ndonjë HEC-i me këtë ujë. Financime nga shteti janë marrë edhe për fabrikat e Ferrokromit në Burrel dhe Elbasan.
Vit pas viti Albchrome ka pasur favorizime sa i përket uljes apo heqjes së taksave dhe rentës minerare. Sidomos viteve të fundit, edhe me justifikimin të pandemisë, renta minerare është hequr fare. Kjo nuk është shoqëruar aspak me përmirësim të pagave apo kushteve të minatorëve, përkundrazi ka ndodhur në një kohë kur Albchrome ka shtypur barbarisht organizime sindikale nga vetë punëtorët.

2. Vdekjet dhe aksidentet në punë
Gjatë nëntë viteve të shfrytëzimit të minierës nga Albchrome, kanë vdekur nëntë minatorë, rasti i fundit ishte në muajin maj të këtij viti. Familjarëve të disave prej këtyre punëtorëve nuk iu është dhënë as dëmshpërblimi i jetës, ose janë sorollatur dyerve të gjykatave. Madje kompania paturpërsisht ende e mohon vdekjen e këtyre punëtorëve, edhe pse janë raste publike.
Aksidentet kanë qenë të panumërta, por Albchrome-i ka përdorur çdo mjet që të mos bëhen publike. Në shumicën e rasteve punëtorëve nuk iu është dhënë as dëmshpërblimi për aksidentin e ndodhur, duke ua lënë si përgjegjësi vetë punëtorëve. Tre-katër vitet e fundit Albchrome-i refuzonte edhe pranimin e raporteve shëndetësore.
Prej të paktën dy vitesh, sipas raporteve të Inspektoratit të Punës, Albchrome-i është kompania me numrin më të madh të aksidenteve në punë. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së normave të punës dhe shfrytëzimit pa kriter të minierës.

3. Shfrytëzimi barbar i rezervave të kromit
Me hapjen e pusit të thellësisë nisi dhe shfrytëzimi barbar i rezervave të kromit në minierën e Bulqizës. Makineri të shfrytëzimit masiv u futën në të gjitha nivelet aktive të minierës, duke rritur ndjeshëm nxjerrjen e kromit dhe shkurtuar jetëgjatësinë e minierës.
Rritja e shfrytëzimit të rezervave të kromit u shoqërua me intensifikimin e shfrytëzimit të minatorëve, të cilëve iu rriten vazhdimisht normat, por jo pagesa. Pagat që marrin minatorët në kompaninë Albchrome nuk kanë ndonjë dallim të madh prej pagave të marra në vitin 2013. Pa përmendur këtu faktin që nuk paguhet vjetërsia në punë, vështirësia etj., në një kohë që rreziqet për jetën janë të jashtëzakonshme, veçanërisht nga prania e gazit metan në minierë.
4. Lufta e ashpër ndaj sindikalizmit
Megjithë këtë situatë, organizimi dhe ngritja e zërit prej minatorëve nuk ka munguar në këta vite. Por përgjigjet prej kompanisë Albchrome dhe shtetit në krah të saj kanë qenë të ashpra dhe të paligjshme.
Në vitin 2017 punëtorët u organizuan spontanisht për të kërkuar të drejta duke zhvilluar një protestë para kompanisë. Për këtë u pushuan nga puna minatorët Ferat Kurti dhe Bajram Duka, ndërsa dhjetëra të tjerë u paralajmëruan me pushim nga puna. Sindikata kukull e Kol Nikollës dhe Taf Kolecit ishte përkrah kompanisë, kundër punëtorëve.
Në vitin 2019, pas një organizimi spontan që kërkonte më shumë të drejta, u themelua nga vetë minatorët Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Vetëm pesë ditë pas shpalljes në qendër të Bulqizës, Albchrome-i pushoi nga puna kryetarin Elton Debreshi. Më vonë edhe tre anëtarë të Këshillit Sindikal: Beqir Buriçin, Behar Gjimin dhe Ali Gjetën.
Grevës disaditore të minatorëve iu kundërvu kompania, institucionet shtetërore në shërbim të saj, sindikatat e korruptuara të Kol Nikollës dhe Gëzim Kalasë. Vijoi një proces i gjatë falsifikimesh dokumentacioni prej aktorëve të lartpërmendur, kërcënime e presione të paskrupullta ndaj punëtorëve, vetëm e vetëm për të mos lejuar organizimin e tyre të pavarur. Mediat heshtën turpshëm prej parave të oligarkut Samir Mane.
Sot, pas nëntë vitesh, pronari i Albchrome-it Samir Mane është disafish më i pasur, ndërkohë që lë pas minatorë të keqpaguar, të gjymtuar dhe të kërcënuar, burime minerare të keqshfrytëzuara dhe një gërmadhë sociale në Bulqizë. Fitimet e tij marramendëse nga kromi i Bulqizës investohen jashtë Shqipërisë. Ndërkohë pronarët e rinj turq duket se do të vazhdojnë të njëjtën rrugë me pararendësin e tyre, duke bërë pakt me kolegun e servilëve e të korruptuarve Kol Nikolla e Taf Koleci, famëkeqin Gëzim Kalaja dhe pseudosindikatën e tij.
SMBB u bën thirrje të gjithë minatorëve që të bashkohen dhe të kërkojnë të drejtat që na janë mohuar prej kohësh. Së bashku mund të fitojmë edhe një kontratë kolektive dinjitoze.
www.bulqizaime.al