Nazmi Përkola, “babai” i minierës së Bulqizës


I vdekuri kujtohet,
për ç’ka punuar – nderohet
Urtësia

Të shkruash për njerëz që kanë bërë epokë ne jetën dhe veprën e tyre është e vështirë. Themi kështu, sepse sado qe të mundohesh ti, kurrë nuk mund ta përshkruash tërë veprimtaritë apo bëmat e tyre. Një i tillë është edhe Nazmi Përkola që me plot gojën mund ta quash Babai”i minierës së Bulqizës. Nazmiu ka një biografi jete të dhimbshme nga lindja e deri në moshën e adoleshencës. U lind më 22 gusht të vitit 1932, në fshatin Fushë- Bulqizë, të rrethit Dibër. Rrjedh nga një familje e varfër, por me atdhetari e patriotizëm të thekur. Mësimet e para i mori ne shkollën fillore, në vendlindje. Këtu ai shkëlqeu si nxënës dhe premtonte shumë për një të ardhme të shkëlqyer. Ky ishte edhe mendimi i mësuesve të tij, të cilët në fakt nuk u zhgënjyen. Nuk u rreshtua drejt për drejt në radhët e partizanëve, për arsye moshe, por u shërbeu atyre më së miri duke kryer detyrën e korrierit, bashkë me kushëririn e tij, dëshmorin Latif Përkola. Detyrën e kreu me korrektësi, sinqeritet dhe me trimëri, duke ruajtur në maksimum sekretin e saj. Të çudit fakti se gjatë kohës së pushtimit ai mësoi nga një oficer, kolonel Italian, i quajtur Mario, në mënyrë përfekte gjuhën italiane.
Pas çlirimit, nisur nga nevojat ekonomike të familjes, në moshën 12 vjeçare, filloi punën në minierën e Bulqizës, e cila ishte hapur nga një shoqëri italiane. Për këtë i erdhi në ndihmë kushëriri i tij, më i madh, i nderuari Rrahman Përkola, të cilit ia miratuan kërkesën pronarët e minierës, për ta marrë në punë. Me punën që bënte, tërhoqi vëmendjen e drejtuesve të minierës, të cilët duke parë aftësitë e tij organizuese dhe drejtuese, në vitin 1952 e emëruan përgjegjës transporti në minierë. Këtu ai arriti rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Në fund të vitit 1952, zgjidhet kryetar i Bashkimeve Profesionale të Bulqizës. Këtë detyrë ai e kreu me vullnet dhe përgjegjësi të plotë. Dhe po në këtë vit emërohet zv-drejtor i ndërmarrjes tregtare të Bulqizës, deri në vitin 1966. Gjatë kësaj kohe mbaroi arsimin e mesëm profesional, në degën”gjeologji”, pa shkëputje nga puna, me rezultate të shkëlqyera.
Në gusht të vitit 1966 emërohet drejtor i ndërmarrjes tregtare deri në vitin 1970. Nazmiu ishte shumë i etur për dije, ndaj në vitin 1968-1972 kreu studimet e larta me rezultate shumë të mira. Kështu shkallë-shkallë u ngjit në majat më të larta të dijes, me një formim të kompletuar intelektual. Më 1970-1976 u emërua zv-drejtor i minierës të Kromit Bulqizë. Në nëntor të vitit 1976, emërohet drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit të minierës. Në gusht 1988 deri në janar 1991 emërohet drejtor i traverbankut Klos, ku aty doli në pension.

Nderimet:
Për punën e shkëlqyer të kryer me korrektësi e sinqeritet të plotë Nazmiu është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, (i asaj kohe) me urdhrat e klasit të I, II, III, si dhe nga Ministria e Industrisë dhe e Minierave, ku anëtarë i kolegjit të kësaj ministrie për 17 vjet rresht ishte vetë ai, u dekorua me disa medalje dhe certifikata.
Për merita të çmuara me vendim nr 36 dt 12.10.2012 prefekti i qarkut Dibër i dha titullin”Qytetar Nderi i Bulqizës”, pas vdekjes me motivacion: “Me punë e përkushtim, plot pasion e angazhim, në postet drejtuese të minierës, gjithnjë pranë halleve e shqetësimeve të banorëve të trevës së Bulqizës e më gjerë, duke mbetur komunikues i aftë, i thjeshtë e i sinqertë me ta.”
Nazmiu ishte njeri human. Jetonte me hallet a problemet e punëtorëve të minierës dhe të gjithë komunitetit. I vinte keq për më të pamundurit nga ana ekonomike, ndaj i ndihmonte ata duke i punësuar në minierë, pa asnjë interes. Shumë e shumë njerëz kanë mbresa e kujtime të bukura dhe mallëngjyese për Nazmi Përkolën. Sot fëmijët e tij ndihen krenarë e të lumtur që kanë pasur një baba si ai. Atyre u duhet të përballen me“ Stuhitë” e falënderimeve dhe të përgëzimeve;të shokëve miqve, gjakut të tij dhe e të gjithë atyre që e kanë njohur.
Por fatkeqësisht erdhi një ditë që ligjet ‘kryeneçe’ të natyrës e bënë të vetën, ia morën jetën. Kjo ndodhi në gusht të vitit 2006. Iu bëftë shpirti dritë!
Nazmiu vdiq, por la prapa një familje të mrekullueshme. La gjashtë fëmijë të mrekullueshëm dhe të shkolluar me arsim të mesëm e të lartë; dy nga këta, Luani inxhinier dhe Fredi ekonomist, punojnë në minierë, po ecim në gjurmët e babait të tyre. Dhe të gjithë së bashku do të vazhdojnë më tej punën dhe veprën e tij. Jeta keshtu na qenka; një borxh që i lë brezi-brezit.