Mësuesi Mulla Gafurri


Nga Ismen Brika

Mulla Gafurr Brika lindi në fshatin Ploshtan të nën/ Prefekturës së Bice më 15.04.1875 nga prindër Rrahman Brika Emine Brika (Hafuzi).
Rrjedh nga një familje atdhetare klerikane prandaj ai gëzonte veti si njeri me karakter të fortë e me shumë dhunti, kishte vetitë e një udhëheqësi shpirtëror, kishte kulturë fetare me dije të thella të filozofisë Islame. Ishte një organizator i zoti në punët e fshatit e të xhamisë e më gjerë të zonës, ishte besimtar i përkushtuar ndaj fesë, zotit, atdheut, burrë trim e besnik i dashur me nxënësit, por dhe me xhematin. Ai zotëronte shumë mirë gjuhën shqipe, osmanishte dhe arabisht.
Mësimet fetare i mori në familje pasi ishte me origjinë prej tre brezave si hoxhallarë. Në mejtepin e fshatit Ploshtan tek Xhamia pati mësues gjyshin e tij Ismailin, Mulla Sadik Danin e Mulla Sefllahin (Sefa) nga Careni.
Në Ploshtan kishte bërë dhe 4 klasë në shkollën turke Ruzhdije me rezultate shumë të mira. Duke parë aftësitë e tij si nxënës i dalluar administrata e komunës Turke në Ploshtan e dergoje per studime ne Shkupe në shkollën “Durualumin” me profil mësues feje, shkollë të cilën e mbaroi shumë mirë. Vitet në Shkup e burrëruan, ju rritë ndjenja për atdhetari nën parimin një fetar i mirë një atdhetar i mirë”.
Në këtë shkolle u njoh edhe me figura atdhetare e fetare që shërbenin në Shkup por dhe në Prizren. Aty u njoh me Sulejman Lacin, Bedri Pejanin, Sali Xhukën që ishin pedagogë në Medrese.
Njohja me këto figura të fesë në Shkup dhe me të tjerë në Lumë si Sheh Rremin e Kalisë, hoxhë Mehmetin e Shtiqnit e Mulla Jenuzin e Bice të cilët kishin shërbyer si Mifteri në nën/prefekturën e Bice por edhe përgatitja shumë e mirë në shkollë influencuan në ecjen e tij në rrugën e fesë si mësues, por edhe si hoxhë në disa fshatra të Lumës.
Duke parë përgatitjen e tij të mirë Mifteria e Bice e dërgoi në shkollën Normale të Shkupit ku bëri një kurs të veçantë mësimdhënie në gjuhën shqipe. Në vitin 1897 caktohet mësues në shkollën Ruzhdije të Ploshtanit. Pas një periudhe njëvjeçare dërgohet për studime në Stamboll ku u kualifikua me titullin mësues feje në “Universitetin Fatih” shkollë me famë në botën Islame.
Njohuritë në këtë shkollë nuk fokusoheshin vetëm në rritjen e aftësive e njohurive në fenë islame, por kandidati që mbaronte këtë shkollë i nënshtrohej një komisioni i cili në bazë të aftësive i pajiste me një dokument që kish mbaruar këtë Universitet. Ky student fitonte të drejtën që të ishte anëtar i “Ulemas” të vëndit nga ku kishte ardhë. Ai në kë universitet mori njohuri për teologji, pedagogji, psikologji, histori e letërsi.
Në vitin 1902 caktohet drejtues i shkollës Rruzhdije ne Ploshtan ku bashkë me Mulla Tafikin e Mulla Sadik Poten jepnin mësim në këtë shkollë.
Kjo shkollë qëndroi hapur deri ne vitin 1912, vit kur u largua Turqia. Por sipas Qamil Hoxhës kjo shkollë është mbajtur hapur nga Mulla Gafurri deri në vitin 1920 me mundësit ekonomike që kishte.
Mulla Gafurri gëzonte zgjuarsi oratorike. Kishte respektin e dashurinë e nxënësve e kolegëve por dhe të bashkëfshatarëve.
Kishte kulturë në komunikimi, urtësi e sjellje shembullore, ishte njeri me vullnet e me dëshirë për profesionin e mësuesit, kishte autoritet dhe ishte i nderuar mes kolegëve, ishte komentator i kuranit në gjuhën shqipe.
Sa herë që fatet e atdheut ishin në rrezik, Mulla Gafurri frymëzohej nga porosia e profetit Muhamet (a.s) Dashuria për atdheun është pjesë e besimit.
Ka qenë anëtar i Klubit Bashkimi të krijuar me 1908 në Ploshtan pas Kongresit të Manastirit.
-Mulla Gafurri ka marrë pjesë në luftën kundër serbit në qafë të Kolesjanit nga 14-17 nëntor. Ky qe dhe shkaku që u mor peng nga serbët në Prizren bashkë me Mulla Tafik Gjorllakun, Hasan Hidrin, Vehap Brikën. Këto u mbajtën 6 muaj në Prizren dhe më pas i lëshuan. Mbasi u kthye në Prizreni është emëruar vajzë shëtitës në fshatrat e rrafshës së Lumës.
-Më 30 nëntor 1915 deri më 16.03.1916 në Lumë qëndruan Bullgarët.
Ata si pushtues që ishin mbyllën ato pak shkolla fetare Turke, filluan çarmatosjen e popullatës, ndaluan çdo aktivitet që kishte mbi 30 persona, luftonin cdo gjë që kishte të bënte me nacionalizmin.
Kjo qe dhe shkaku që arrestuan Mulla Gafurrin. Me 6 dhjetor Mulla Gafurri duke kënduar një mevlud (të dyzetët) në Hanin e Qazim Bakallit (kafe) në fshatin Nangë arrestohet për veprimtari kundra regjimit Bullgar bashkë me disa pjesëmarrës në këtë event.
Pasi marrin në pyetje në zyrat e Bice, disa pjesëmarrës i lëshojnë dhe mbajnë të zotin e shtëpisë dhe Mulla Gafurrin që këndonte mevludin.
Ata dërgohen në Prizren dhe me gjyq të shpejtë dënohet me 6 muaj burg të cilin do ta kryej në Shkup.
-Lirohet me 6 qershor të vitit 1917 kur vendi ishte pushtuar nga austro-hungarezët. Mulla Gafurri emërohet imam në Shulla, Bejshe, Dode nga kryemifteria i Prizrenit për një vit dhe pastaj emërohet imam në Shtiqën në vend të Hoxhë Mehmetit.
– Në luftimet e shtatorit të vitit 1920 në Carakol kanë marrë pjesë Mulla Gafurri bashkë me Mulla Tafikin, Hisen Brikën, Hasan Hidrin, Malik Shabanin, Rexhep Cala, Garip Mislimi, Imer Sula, Mulla Halili, Mustaf Ademi, Hetem Heredini, Mehdi Lusha. Në këto luftime ngeli i vrarë Hisen Meta, u plagos Hasan Hidri dhe u tërhoqën në drejtim të Gramës e më vonë në malet e Shtaravicës duke mos shkuar Muhaxhirë.
Me 8 dhjetor 1921, Alush Aga hapi shkollën fetare “Mejtep” në shtëpinë e Shaban Sadikut me mësues Mulla Gafurrin.
Qamil Hoxha shkruan se shkolla u hap në shtëpinë e Shaban Sadikut, pasi xhamia e Alush Agës ishte bërë depo për forcat mercenare sërbe. Pagesën për mësimdhënien në këtë mejtep e bënte Alush Aga.
-Në vitet 1920-1922 Mulla Gafurri ishte caktuar antar i komisionit të Vakufeve në Bice ku kryetar ishte Neib efendiu nga Shtiqeni.
-Në tetor të vitit 1922 në Ploshtan vjen deputeti i Prefekturës së Kosovës Hasan Prishtina. Ai qëndroi dy netë tek Kryetari i Komunës Osman Lita, një natë ndejti tek Sheh Hajra në Caren dhe një natë tek Rufat Maliki. Ploshtan. Qëllimi i ardhjes në Ploshtan ishte hapja e shkollës Shqipe në zbatim të vendimeve të Kongresit Kombëtar të Arsimit që kishte vendos: a) Arsimi fillor i detyrueshëm
b) Në cdo komunë të hapen shkolla fillore
c) Të krijohet edukimi parashkollor
d) T’i jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe e të tjerë.
-Hasan Prishtina thirri në takim kryetarin e Komunës, Sekretarin e Komunës dhe punonjësit e administratës njëkohësisht dhe Imamin e fshatit Ploshtan Tafik Gjorllaku, kryeplakun dhe pleqësinë e fshatit Ploshtan Mehdi Brika, Mulla Gafurr Brika me të cilin kishte pasur takime e njohje më parë në Bice. Në takim morën pjesë Mulla Hasan Përzhilla, Mulla Halil Skeja, Malik Shabani, Hasan Hidri, GAni Hoxhë Careni, e Sheh Hajra. Hasan Prishtina gjeti mbështetjen e pjesëmarrësve duke i përgëzuar e falenderuar. Ai u premtoi se:
a) shkolla do të financohej nga shteti
b) mësuesin do ta emërojë shteti dhe do të jetë Besim Dalliu nga Tirana, me arsim në Normalen e Elbasanit.
c) do të ketë mësues besimi, që do të jetë Mulla Gafur Brika
d) do të ndërtohet shkolla e re me shpenzimet e shtetit
e) shkolla do të hapet tek shtëpia e Daut Calës.
Shkolla u hap me 15 nëntor në shtëpitë e Daut Calës me 35 nxënës nga Ploshtani, Careni, Bushtrica e Çaj – Matranxhi. Në muajin prill 1923, mësimi është zhvilluar në “Mejtepin” e fshatit pasi kishte kandidatë më të mirë. Shkolla kishte në program: Gjuhë shqipe, këndim histori, Gjeografi, matematikë, dhe rëndësi të veçantë kishte bukurshkrimi. Në pranverë 1923 filloi ndërtimi i shkollës në Tokat e fisit Zholi dhe në shtator filloi mësimi në shkollë të re. Pajisjet e shkollës si: stola, banka, tavolina, dërrasë të zezë, lapsa, fletore, libra u siguruan nga Bicet të punuara nga mjeshtri dhe mësuesi Ndrek Cukala nga Shkodra.
Një ndihmë të madhe në mbarëvajtjen e mësimit në shkollë ka dhënë dhe përgjegjësi i arsimit në Bice Kel Vila. Nxënësit që mbaruan shkollën fillore nga Ploshtani qenë: Riza Ferati, Isak Perzhilla, Nuhi Brika, Xhelal Skeja, Muharrem Gjorllaku, Mislim Gjorllaku, Qerim Skeja, Hajredin Gjorllaku, Sheqir Lamallari, Xhafer Shira, Hasan Gjorllaku, Imer Ferati.
Pas Besim Dalliut që qëndroj dy vjet kanë ardhur mësues Gjon Kabashi, Riza Riza, Ibrahim Riza, Zeqir Zeka, Mahmut Josufi, Tef Kuqani, Ali Sadik Ndreu, Ali Neza dhe Riza Rama.
Që nga nëntori i vitit 1922 deri në maj të vitit 1939 në shkollën e Ploshtanit ka qenë mësues besimi Mulla Gafurr Brika, ku sipas listë pagesave që ndodhen në arkiva paguhej me pagë mujore 128 franga e pas vitit 1933 me lekë shqiptare. Mulla Gafurri jepte Teologji, gjeografi, këndim.
Mulla Gafurri kryente krahas detyrës së mësuesit dhe aktivitete të tjera si:
Anëtar i komisionit të zgjedhjeve për deputet në vitin 1923, ku deputet doli Avni Rustemi, ku kryetar për gjithë zonën e Kalasë Dodës ka qënë Dragodin Radiqi, e sekretar Qamil Hoxha.
Ka qenë anëtar i Kuvendit të Bashkësisë Islame me qendër në Prizren.
Ka qenë përfaqësuesi i Anës Epër në Mifterinë e Bice për vakufet e për ruajtjen e mirëmbajtjen e objekteve të kultit dhe të investimeve nga viti 1922 deri në vitin 1940.
Mulla Gafurri nga maji i vitit 1939 deri në vitin 1950 kë dhënë mësim në Mejtepin e Ploshtanit e të Carenit dhe në kohën e Ramazanit falte travin në lagjen Dode.
Mulla Gafurri është një ndër themeluesit e shkollës së parë shqipe në Ploshtan, ai do të kujtohet si njeri arsimdashës e kontribues në zhvillimin e arsimit si njeri trim, patriot e atdhetar, si njeri me edukatë e kulturë, si njeri i besës, si predikues, zbatues i riteve fetare në Ploshtan e në gjithë zonën e Kalasë së Dodës.
Tiranë 2022