Çeta partizane e Dibrës


Zabit Lleshi
Xhevat Jella*

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia me 7 prill ishte një akt agresiv ndaj një vendi të vogël, të lirë dhe paqedashës. Ky pushtim ishte përgatitur dalëngadalë gjatë regjimit të Zogut, me anë të marrëveshjeve politike dhe ekonomike, që e kishin kthyer vendin në një gjysmë koloni. Si gjithë shqiptarët, dibranët duhet të përballonin jo vetëm prapambetjen që kish ardhur nga luftërat e gjata me pushtuesit osmanë, serbë (1912-1921), bullgarë, austriakë në vitet 1916-1918, por edhe nga masat represive të qeverisë Zogut që shpejtuan pushtimin e skllavërimin e Shqipërisë.
Me gjithë politikën për shtypjen e çdo lëvizje antiqeveritare, prapë te popullsia e thjeshtë dibrane, ndjenjat e sajë patriotike ishin gjithnjë të zgjuara. Nuk mund të harrohej gjaku i derdhur për liri e pavarësi, prandaj u orientua drejt në situatat, që kalonte vendi ynë në këtë periudhë të historisë.
Dy patriotë dibranë, Ramiz Varvarica e Urfi Agolli dhanë jetën për mbrojtjen e Republikës së Spanjës. Antifashistët dibranë që morën pjesë në kryengritjen e Fierit, kundër qeverisë së Zogut ishin Hysen Ramadan Sula nga Godvia, Ismail Teta nga Gjurasi dhe Sinan Beqir Mera nga Luznia. Ata u arrestuan dhe u pushkatuan nga Zogu si shumë patriotë të tjerë që morën pjesë në lëvizjen demokratike të marsit 1922.
Me 7 prill 1939 në Durrës Isak Metalia dhe Dan Velia dhanë jetën për mbrojtjen e Durrësit. Dibranë të tjerë u nisën drejt Durrësit me e pa organizim. Vullnetarë nga Greva, Peladhia etj., shkuan në Burrel për të marrë armë, por nuk ju dhanë. Ata u kthyen nga shkalla e Tujanit mbasi morën vesh që Italia kish hyrë në Tiranë, ndërsa Zogu ish arratisur në Greqi bashkë me oborrin mbretëror.
Zemërimi popullor sa vinte e shtohej. Filluan manifestimet në Dibër të Madhe e Peshkopi kundër fashizmit. Punëtorët dibranë që hapnin rrugën Zerqan-Klos-Burrel në vitin 1940-1941 përplaseshin çdo ditë me sipërmarrësit italianë dhe bënin thirrje që të mos paguanin taksat etj.
Operacioni fashist për çarmatosjen e popullsisë u shndërrua në një konflikt të hapur sidomos në Dardhë (Kodër-Kace). Populli u ngrit pa armë me mjete rrethanore, vegla pune, sopata, kmesa e drunj i përzunë fashistët me Xhafer Balin komandantin e tyre.
Me 7, 8, 9 prill 1939 shumë studentë nga gjimnazet e Tiranës, Shkollës Teknike Shkodër, Intelektualë nga e gjithë Shqipëria për të organizuar më mirë qëndresën kundër fashizmit erdhën në kufi për të kaluar në Jugosllavi. Forcat kufitare Jugosllave e mbyllën kufirin. Haxhi Lleshi me shumë përpjekje mundi të zhbllokojë situatën. Grumbullimi i emigrantëve u bë në Gostivar, një pjesë në Strugë e Ohër. Ishin ajka e luftëtarëve antifashistë si: Hamit Shijaku, Abedin Çiçi, Nazmi Shehu, Jashar Bunguri, Vasil Shanto, Gaqo Mosko, Sadri Drini, Mustafa Gjinishi, Stavri Bojaxhiu, Kadri Vasili, Stefo Grabocka, Halil Vasjari, Fuat Bino, Veip Demi, Islam Spahiu, Mehdi Bushi, Mehmet Stringa, Myslim Shehi, Gani Shehi etj.1
Gjatë atyre ditëve kaluan kufirin Abas Kupi me familjen, Murat Basha, Sali Llani, Xhemal Herri, major Dine Salceni dhe oficerë të tjerë zogistë, pjesëtarë të parisë Dibrës; Shaqir Dema, Murat Kaloshi, Dan e Miftar Kaloshi. Si bashkëpunëtorë të Zogut ato u lanë të lirë nga autoritetet jugosllave të dalin nëpër qytete, disa u financuan prej vetë administratës së Zogut në mërgim sidomos ata që dëshironin të largoheshin për Turqi apo gjetkë.
Jeta në Gostivar dhe në qytete të tjera u gjallërua prej të rinjve dhe emigrantëve, duke zhvilluar një propagandë mjaft efikase kundër fashizmit e pushtimit të Shqipërisë, Ahmet Zogut si dezertor duke e lënë popullin pa armë e mundësi për të luftuar. Kudo bëhej thirrje për rezistencë kundër pushtuesve dhe veglave të tyre.
Haxhi Lleshi ishte ndër antizogistët e antifashistët më aktiv në Dibër të Madhe. Rridhte nga një familje me të kaluar patriotike prej disa brezash e njohur për ndjenjat atdhedashëse . Në moshë të re përcolli vrasjen e babait prej Ahmet Zogut me një urrejtje që la mbresa në ndërgjegjen e këtij luftëtari të ardhshëm.
Haxhi Lleshi përqafon idetë përparimtare të kohës dhe i futet rrugës revolucionare për të ndryshuar realitetin dhe për ta fut vendin në rrugën e progresit.2
Shtëpia e Lleshajve u bë një strehë e emigrantëve, patriotëve që largoheshin nga Shqipëria për shkak të ndjekjeve e persekutimeve që u bëheshin si kundërshtarë të Zogut. Midis tyre ishin Myslym Peza, Kajo Karafili etj. Babë Myslymi bashkë me Lam Lekën vranë Osman Balin(njëri prej feudalëve dhe armiqve të popullit) dhe u arratis në Jugosllavi më 1930. Qëndroi atje për 9 vjet. Erdhën me Kajon pas pushtimit të Italisë, filluan organizimin e qëndresës me luftë ndaj Italisë fashiste, pa i ndërprerë kontaktet me Haxhi Lleshin në Dibër të Madhe dhe emigrantët në Gostivar. Gjallërimi i propagandës kundër fashizmit për demaskimin “ e të mirave” që bënte Italia, bashkë me veprimet bamirëse, gjoja në dobi të popullit shqiptar. Ky demaskim filloi të bëhej me anë të trakteve i shqetësoi autoritetet fashiste.
Abedin Çiçi me një grup shokësh, shtypën traktet e para që u shpërndanë në qytetet dhe fshatrat e Maqedonisë. Aktivistët besnikë; Nuz Majtara, Shefki R. Lleshi, Kadri Demiri, Sul Muça sipas porosive të Haxhi Lleshit i çonin ato në Tiranë, Elbasan, Durrës,
Kavajë, Lushnje, Fier e deri në Gjirokastër nëpërmjet miqve.3
Nëpërmjet trakteve u bëhej thirrje të rinjve shqiptarë të mos shkonin ushtarë, mos visheshin milicë. Ata që ishin mobilizuar ushtarë e milicë u bëhej thirje që të dezertonin, të mos paguanin taksat etj. Në fund të vitit 1939 qeveria e Beogradit i shpërndau emigrantët politik të Gostivarit në: Vershac disa në Bella Cerka, Valevo e Sarajevë në kushte të vështira e të papërshtatshme për jetesë. Haxhi Lleshin e internuan në Stari Beçaj afër kufirit me Hungarinë për shkak të lidhjeve që mbante me emigrantët, me Shqipërinë, bashkë me ndihmat, që kish dërguar për luftëtarët që luftonin me armë kundër Italisë. Pas shumë kërkesave për t’u afruar , qeveria Jugosllave e transferoi në Vranjë e prej aty në Shkup. Internuan familjen e tij si shumë familje të tjera të Dibrës së Madhe, Grykës së Vogël etj. Në mars 1941 merr një leje nga autoritetet e Shkupit, gjoja se kish nënën të sëmurë dhe nuk kthehet në vendin e internimit, në Shkup sepse zhurmë e madhe bëhej për përgatitjet e Italisë për të sulmuar Jugosllavinë. Në mënyrë ilegale filloi të organizojë takime e tu bëjë thirrje njerëzve të ngriheshin në luftë kundër agresionit. Gjeti mbështetjen e mjaft njerëzve për të marrë armët. Autoritetet civile dhe ushtarake nuk ju dhanë armë, por pas shumë presioneve u dhanë disa armë trofe italiane. Me një thirrje popullit brenda një kohe të shkurtër erdhën vullnetarë nga fshatrat: Bafmal, Kojnarë, Spas, Hame, Banisht, Reshan etj.
Trupat Italiane ishin vendosur përballë kufirit në dy skalione. Skaloni parë: Maqellarë-Shupenzë-Miresh-Klenjë, Librazhd, divizioni “Firence”. Skalioni dytë: Smollik-Strikçan-Zerqan-Bulqizë-Bllacë- Katër Grykë, divizioni “Brenero”.
Në mbrëmjen e 4 prillit 1941 Haxhi Lleshi me Ymer Lleshin me afër 200 vullnetarë dolën në krahun e majtë të rrjedhjes së Drinit, Ura e Spiles-Miresh-Sepetovë-Tërbaç-Çerenec.
Aqif Lleshi me Hamdi Lleshin zunë vijën Bllatë-Reshan-Majtarë-Maqellarë.
Duke zbardhur 6 prilli, Haxhi Lleshi sulmoi dhe mori postat kufitare të Ostrenit Vogël, Mireshit e Viçishtit dhe dolën në kodrat e Gjoricës. Vullnetarët e krahut tjetër morën; postën e Bllatës, luftimet u përqendruan në fushën e Shehrit dhe Maqellarës. U vranë shumë italianë të cilët lanë në fushën e betejës shumë armë trofe. Ushtria Jugosllave kur mori vesh se trupat gjermane kishin avancuar drejt Gostivarit dhe po i afroheshin Dibrës Madhe, hodhën armët për të mos u gjendur mes dy zjarreve. Trupat italiane u gozhduan për disa ditë, vetëm kur gjermanët pushtuan Dibrën erdhën dhe i morën në Maqellarë.
Kundër Dibrës ishte përgatitur një mësymje e gjermanëve meqë ajo ishte pushtuar nga partizanët e LNÇ nën komandën e Haxhi Lleshit. 4
Dëshmorët e parë ishin: Abdurahim Lleshi, Vehbi Jashari në Bllatë, Fasli Cami në Çerenec, Musa Cami, Mexhit Lezi, Ejup Cami në Viçisht. Brenda pak ditëve kapitulloi Jugosllavia. Italia solli përforcime të mëdha për tu hakmarrë ndaj luftëtarëve dibranë. Filluan reprezaljet, largimet, internimet, arrestimet.
Haxhi Lleshi i shpërndau luftëtarët pranë familjeve të tyre, nëpër baza të sigurta, për të qenë të gatshëm për beteja të tjera.
Italianët arrestuan: Murrat Bashën, Sali Llanin, Jashar Zelën, Ahmet Camin me Dilaver Camin, Sul Camin, Izet Camin e disa të tjerë nga fisi i Camëve i dërguan në Tiranë e në burgun famëkeq të Burrelit. Pëllumb e Lutfi Lleshin, Shaqir Skukën, Nuz Majtarën e të tjerë i internuan në Peqin, Kavajë e deri në Itali.
Çeta nuk qëndroi në një vend. Ajo filloi lëvizjen në disa fshatra të Strugës si: Misllobezhë, Novoselë, Dollogozhdë, në lagjen Toskë etj.
Këto zona i kishim shkelur që para lufte me Myslym Pezën e Kajo Karafilin dhe emigrantë të tjerë politikë. Fashistët italianë na ndiqnin, por populli na mbronte. Njerëzit na prisnin me dashuri e respekt dhe na premtonin se do bashkoheshin me ne vullnetarë në luftën antifashiste.5
Haxhi Lleshi me grupin e luftëtarëve që e shoqëronin, lanë fshatrat e Strugës dhe erdhën në Zhupë e Sfetigrad, në fund të muajit prill dolën në: Banisht-Allajbegi-Dovolan. Kudo ku kalonin njerëzit shprehnin dëshirën për tu bashkuar me partizanët illegal por që i ruante dhe i mbronte vetë populli. Nga Dovolani në Çerenec me Sadik Koçin tek Sibe Gjurra, në Grykën e Madhe tek Cen Destan Puca familje patrioti brez pas brezi. Këtu erdhën Lym Zeneli i Sopotit, Elmaz Tonçi, Hysen Çakalli, Dull Gjini, Hajdar Shehu i Bulqizës. Prej Bulqize në Zogje, Bllacë, Katër Grykët. Për një kohë të shkurtër kaloi gjithë fshatrat e Dibrës Epërme. Mbështetje e përkrahje, gadishmëri e solidarizim për të luftuar kundër fashizmit. Për dy muaj këta vullnetarë antifashistë zhvilluan një propagandë e veprimtari të gjërë në favor e dobi të luftës. Në Mat, çeta u ndal në Patin tek Seit Çela, mik i familjes Lleshi, në Lis, në Burgajet, në Shlli e deri në Macukullin malor në familjen e Vatdodajve. Pas themelimit të PKSH në Dibër erdhën Nazmi Rushiti, Irfan Hajrullai, Demir Gashi, Xhavit Hatibi, Ahmet Jegeni, etj. Në takimin me Haxhi Lleshin ata vendosën bashkëpunimin, përcaktuan detyrat e luftës, tërheqjen e parisë së Dibrës në luftën për çlirim, lidhjet me Shqiptarët në Dibrër të Madhe, Tetovë, Kërçovë e Kosovë. U përcaktuan njerëzit që do të shoqëronin Haxhi Lleshin për në Pezë në shkurt të vitit 1942. Takimet në Pezë zgjatën disa ditë, ku u shkëmbyen eksperiencat e luftimeve me Myslym Pezën, u morën udhëzime në takimet me Enver Hoxhën e Qemal Stafën. Premtuan organizimin e luftës nacionalçlirimtare në Dibër.
Me kthimin e Haxhi Lleshit nga Peza, në Dibër erdhën kuadro të rinj si: Qazim Prishtina nga Kosova, Zoi Themeli nga Korça, u ofruan dibranët fisnikë: Musa Lala, Ali Pepa, Rahman Dervishi, Bajram Buci, Sul Muça etj. Gjatë rrugës Haxhiu bëri një takim në teqen e Martaneshit me Baba Fajën.
Haxhi Lleshi ishte pinjoll i një familje të madhe me miqësi të vjetra e të reja në Dibrën e Epërme, të Poshtme, Mat, Lumë, Tropojë, Kosovë, Shkup, Ohër, Elbasan etj. Në shtëpinë e tyre hynin e dilnin me dhjetëra mysafirë në ditë, miq, njerëz të thjeshtë, patriotë, luftëtarë, emigrantë. Ai kishte autoritet dhe një komunikim të thjeshtë me njerëzit, luftëtarët, simpatizantët e lëvizjes, veti dhe dhunti që i vuri në shërbim të luftës për liri e përparim shoqëror. Ishin pjekur kushtet për pagëzimin e çetës sepse në të vërtetë kishte kohë që njësiti qysh me 6 prill kishte vepruar si i tillë. Lufta kishte fituar simpati e popullaritet. Kudo në qytet e fshat rritej gjithnjë e më shumë ndërgjegje e besimi ndaj lëvizjes nacionalçlirimtare, prandaj kërkohej të organizoheshin njësitë partizane luftarake.
Me 20 qershor 1942 në Zogje me orientim të PKSH u krijua celula e Partisë Komuniste për Dibrën. I deleguar i KQ të PKSH ishte Ramadan Çitaku. Celula vendosi të krijohej Çeta partizane e Dibrës. Komandant u zgjodh Haxhi Lleshi, ndërsa komisar Qazim Prishtina. 20 partizanë ishin në mbledhjen themeluese. Pa u tharë boja e firmave për krijimin e çetës, u vendos menjëherë të hidheshin në aksione luftarake. Shumë shpejt çeta do të kthehej në një tmerr për armiqtë e fashistët italianë.
Aksioni i parë ishte ai i pritës së postës ushtarake me datë 26 qershor 1942 te “Gurët e Skënderbeut”, kamionit të postës ushtarake që vinte nga Tirana për në Dibër të Madhe.
Në këtë përpjekje u vranë 3 ushtarë dhe u plagosën disa të tjerë. Ky aksion bëri bujë të madhe. Dengu i gazetës fashiste “Tomori” u shpua nga plumbat, ndaj u detyruan që ta asgjësojnë. Autoritetet fashiste tentuan të ndërrojnë destinacionin e postës; Lis-Qafë Murrë-Peshkopi, por edhe në këtë drejtim dështuan.
Prerja e linjës telefonike; Dibër e Madhe-Maqellarë-Zerqan-Bulqizë, aksion në shkallë kombëtare u realizua me sukses me 24 korrik 1942.
Me 26 gusht 1942 u bë përpjekja e çetës me forcat italiane te ura e Topajanit. Gjatë luftimeve u plagos komandanti çetës Haxhi Lleshi. Pas mbarimit të aksionit çeta u nda në dy grupe. Me grupin që shkoi në Shpukth ishte Haxhi Lleshi i cili i’u nënshtrua mjekimit te baza e luftës, Bajram Skarra, ndërsa pjesa tjetër e çetës shkoi në Allajbegi te Kadri Demiri.
Me 16 shtator për të përshëndetur Konferencën e Pezës, Nazmi Rushiti me një pjesë të çetës sulmoi minierën e kromit në Bulqizë. Mblodhi punëtorët italianë, i porositi që të largoheshin. U mori armët që përdoreshin për ruajtjen e minierës. Pas aksionit drejtuesit e shoqërisë fashiste “AMMI” u detyruan dhe zëvendësuan punëtorët me ushtarë të rregullt për të shfrytëzuar minierën.
Me 27 shtator Nazmi Rushiti dhe Demir Gashi organizuan dhe realizuan në Zerqan atentatin ndaj kapitenit fashist Stavri Jaho. Gjatë largimit prej vendit të ngjarjes Nazmiut i doli përpara një oficer, ndaj u detyrua që të ndërrojë drejtimin nga rruga e planifikuar për tu larguar ku e prisnin shokët. U hodh nga një mur i lartë, pësoi tronditje, dhe bije pa ndjenja. Kapet nga fashistët, torturohet gjatë gjithë rrugës për në Peshkopi. Pa mbërritur në burgun e Peshkopisë ndërron jetë.
Kjo ishte një humbje e madhe për çetën dhe luftën nacionalçlirimtare në Dibër.
Aksioni në rrugën Dibër-Strugë, 15 km nga Dibra e Madhe kundër një autokolone ushtarake ishte ai i 19 tetorit 1942. U vranë 4 oficerë, u plagosën disa të tjerë, 6 makina transporti dolën jashtë funksionit. Material i konsiderueshëm ra në duart e partizanëve të çetës, e cila u largua pa pësuar asnjë dëm. Gjatë muajve nëntor-dhjetor çeta lëvizi në: Katër Grykët, Mat, Reç e Dardhë. Kudo ajo pritej me ngrohtësi e dashuri të veçantë. Kjo shprehte përkrahjen që i bënte populli lëvizjes nacionalçlirimtare dhe vendimeve të Konferencës Pezës. Numri i partizanëve në çetë shtohej çdo ditë , gjë që u konkretizua më pas me krijimin e çetave të reja të: Grykës Madhe, Sllovës dhe asaj të Gollobordës.
Me 5 prill 1943 çeta partizane në Smollik hapi depot e drithi. Në Ostren të Madh rezervat e krijuara nga të dhjetat(taksat) që i merrej fshatarsisë nga pasanikët që shfrytëzonin djersën e tij u shpërndanë popullit. Ditën e 7 prillit të vitit 1943 u sulmua posta e rojes së financës në Ostren të Vogël si dhe u prenë linjat telefonike;Dibër-Zerqan , Zerqan-Peshkopi tek ura e Çerenecit.
Aksioni tek Hani i Trebishtit në rrugën Dibër-Strugë me 22 qershor 1943 u asgjësua një patrullë karabinierie, pastaj hyri në pritë një autokolonë ushtarake. Pas një gjysmë ore luftimi u vranë 2 karabinier e u zunë rob 5 të tjerë. Me këtë rast u pajisën me armë e municion partizanët dhe shumë vullnetarë nga Gryka e Madhe.
Në Manstirec u organizua një aksion tjetër për asgjësimin e pushtuesvë fashistë. Këto veprime tregonin se lufta nacionalçlirimtare po rritej e zgjerohej çdo ditë e më shumë. Kish ardhur koha për formimin e njësive më të mëdha luftarake siç ishin; batalionet, për pak ditë do të bëhej realitet.
Është për të ardhur keq që gazetarë të shitur, apo të keqinformuar u atribojnë aksione formacioneve partizane në kohën kur ato nuk ishin krijuar, duke falsifikuar historinë e mashtruar opinionin.
Historia shkruhet me fakte e dokumente, që për fat të mirë, sot kanë mundësi të gjithë ti gjejnë e ti hulumtojnë në arkivat që ka shteti ynë. Shtrembërimi i ngjarjeve duke u dhënë merita, personave që nuk ju takojnë, nuk u bëjnë nder, përkundrazi ju bëjnë dëm. Kjo nuk ju shërben as individëve, as pasardhësve të tyre e aq më tepër historisë, që kërkon gjithnjë të vërtetën.
Në këtë përvjetor jubilar të 80 vjetorit të çetës partizane të Dibrës, çdo dibran e bën krenar për faktin se “Dibra dhe luftëtarët e sajë u bënë një faktor i rëndësishëm në fitoren e Shqipërisë në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”.6
* Kryetar i Komitetit të veteranëve të luftës NAÇL Bulqizë.

1 Agolli E. 1996 Grup autorësh f. 35
2 Gjeçovi, Xh. 30. 04. 2003. Fjala në 90 vjetorin e lindjes
së H. Lleshit.
3 H. Lleshi, 1996 f. 32-33
4 Hibbert 2014, Ribotim i 1991 f. 133.
5 Lleshi H., 1996 f. 43
6 Zotaj Bernard, Gazeta “Sot” 29 dhjetor 2019.