Rrugës së Arbrit drejt Prizrenit, mes mundimit dhe magjisë


Kënaqësisë që të japin kilometrat e para të Rrugës së Arbrit, buzë lumit e mes malesh, shpejt ia zuri vendin trysnia që krijohej nga që, për shkak të terrenit rrëshqitës korsia e majtë nuk ishte asfaltuar dhe të duhej të bëje kujdes me makinat që vinin përballë.

Golgota fshihej në bypass-in e Murrizit, ku rruga fare e ngushtë, tejet e perpjetë dhe me kthesa të shumta e dramatike të bënte të ndiheshe se, me makinën mbi supe po ngjitje Rrugën e Mundimeve.

Nga Çapajev Gjokutaj

Për fundjavë thamë të shihnim Rrugën e Arbrit që është hapur qysh në nëntor, të vazhdonim Peshkopi-Kukës, të bujtnim në Prizren dhe të nesërmen të ktheshim përmes Rrugës së Kombit. Udhëtim shumë lakadredhas sidomos në ditën e parë, po mesa duket mbyllja e gjatë nga pandemia na kishte ndezur deshirën për udhëtim, siç ndez “hyjtë errësina”, do thoshte poeti.
Kënaqësisë që të japin kilometrat e para të Rrugës së Arbrit, buzë lumit e mes malesh, shpejt ia zuri vendin trysnia që krijohej nga që, për shkak të terrenit rrëshqitës korsia e majtë nuk ishte asfaltuar dhe të duhej të bëje kujdes me makinat që vinin përballë.
Por Golgota fshihej në bypass-in e Murrizit, ku rruga fare e ngushtë, tejet e perpjetë dhe me kthesa të shumta e dramatike të bënte të ndiheshe se, me makinën mbi supe po ngjitje Rrugën e Mundimeve.
Si të mos mjaftonte cfilitja prej terrenit dhe prej burive nervoze të atyre që vozisnin pas e thuajse ngjitur teje, në një të përpjetë afër majës u shaqën dy gra me tre katër lopë. “S’asht vetëm për ju rruga, asht edhe për ne”, hakërrehej njera nga gratë pa e prishur terezinë se lopët kishin zenë rrugën. Për të shfryrë sadokudo u bëra cinik e thashë me vete se gruaja nevrike perfshinte tek vetori “ne” edhe lopët, që vazhdonin të çapiteshin në mes të rrugës pa e çarë shumë për nervozizmin e dykëmbëshve.
Pas gjithë atij stresi provoje një ndjenjë lehtesimi kur në largësi shihje urën e Vashës që, hedhur mbi një hon të thellë, lidhte dy tunele. Po kur hyje brenda tuneleve pa ndriçim e pa kurrfarë sinjalistike rrugore, përjetoje ndjesinë e të qenit në haur. Mes kësaj ndjesie të ngjante se dëgjoje alter egon e Edi Ramës që parodizonte të zotin dhe përsëriste me shpejtesinë e rrotullimit të gomave frazën proverbiale: rrugë të lëna rrugëve…
Kënaqësia e rrugës së re niste tej Bulqizës dhe e kishe vështirë të thoshje nëse kjo kënaqësi përzier me një ndjenjë lehtësimi buronte nga standardet e ndërtimit apo nga prania e një pejsazhi të butë në kulmin e gjallimit pranveror.
Në rrugën Peshkopi-Kukës kënaqësia fqinjëronte me magjinë. Dhe s’dije si ta shpjegoje pse kjo rrugë e vjetër por e mirëmbajtur, me vargan dredhash e kthesash, shijonte aq shumë.
Mbase prania e malit, me pllangat e borës dhe majat në re, të percillte ndjesinë e qiellit dhe ti ndjeheshe sadopak fluturak, si një tufë pëllumbash të egër që, të trembur nga zhurma e makinës u ngritën vërtik në fluturim dhe pasi bënë një gjysëm harku mbi rrugë vozitën drejt malit. Ikën sa hap e mbyll sytë, por ndriçimi tafta i krahëve dhe barkut të tyre na shoqëruan një copë herë si për të na thenë se e bukura bëhet edhe më ngashënjyese kur është e përkohëshme dhe tejet kalimtare.
Eleganca e lëkundjes së thekrës në një arëz mbi rrugë, ngashënjimi që përcillte një kalë i bardhë e i bukur teksa kulloste tej në krye të një livadhi të pjerrët, gurgullima e ujrave që dëgjohej herë pas here shoqëruar nga cicërima e zogjve – këto e të tjera të bënin t’i ikje vetes e të ndiheshe disi fëmijë, që në gjirin e natyrës shuan etjen e përjetshme të qytetarit për ndjesi të virgjëra e bazike.
Në Prizren të bënte pershtypje numri i madh i turistëve dhe mirësjellja në standarde europiane e punonjësve të shërbimit në hotel, kafe e restorant.
Me kalimin e orëve zhaurima e rrugëve u fashit dhe ia la vendin gurgullimës së lumit dhe këngës së bilbilit që ngjante sikur vinin nga lirikat e Naimit për të hijeshuar edhe më natën e Prizrenit, qytetit të traditës, historisë dhe mirësjelljes.
* Marrë nga profili në FB i autorit