Dibra çel sezonin turistik, mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të rajonit


Pamje nga festa. Foto: Bashkia Dibër Faqja Zyrtare/FB

Tri ditë veprimtari në Dibër, një mundësi për promovimin e bukurive dhe prezantimin e vlerave dhe traditës së zonës.

“Dibra është vendi i bekuar, me natyrë të jashtëzakonshme, me peizazhe unike, me njerëz punëtorë e mikpritës. Vizitorët dhe turistët kanë mundësi të provojnë përvoja të ndryshme të turizmit të natyrës, turizmit malor, atij kurativ etj., si dhe të shijojnë gatimet tipike të zonës në bujtinat që sa vijnë e shtohen”

Bashkia e Dibrës hapi sezonin turistik me një serë veprimtarish, që filluan të premten me 27 maj dhe përfunduan të dielën, me datë 29 maj.
Gjatë këtyre ditëve pati veprimtari të ndryshme kulturore e artistike, ekspozita që evidentuan historinë dhe traditën, ushqime tradicionale, ture turistike dhe rafting në Dri.
Ceremonia e hapjes së veprimtarive u zhvillua në sheshin para Pallatit të Kulturës më 27 maj në mesditë, ndërsa më herët një paradë e motorëve Vespa u zhvillua në bulevardin “Elez Isufi”.
Po në bulevard ishin vendosur edhe çadra ku operatorë turistikë në rajon ekspozuan ofertat e tyre turistike gjatë këtij sezoni, si dhe u zhvilluan një një serë veprimtarish të tjera.
Dokumentari “Kush është ‘dibranët’” i regjizores së njohur Donika Mustafaj, prodhim i RTSH, u shfaq për herë të parë në Peshkopi me 27 maj në orën 16:00 në Pallatin e Kulturës. Dokumentari u ndoq me interes nga të pranishmit. Në këtë dokumentar Donika Mustafaj përqendrohet te dibranët, te një nga bashkësitë krahinore më të spikatura të Shqipërisë, të cilin ajo nuk e ka zgjedhur rastësisht. Autorja nuk e fsheh që nxitjen e pare për këtë vepër e ka marrë nga “borxhi” që ndjente ndaj vendlindjes. Ky film është konceptuar që në zanafillë si një himn për virtytet e dibranëve. Ajo ka qëmtuar me seriozitet dhe realizëm në trashëgiminë e pasur kulturore dhe zakonore të kësaj krahine, e cila ndahet përgjysmë nga kufiri shtetëror midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke nxjerrë në pah kryesisht ato virtute me vlerë të dyfishtë: edhe si përbashkuese të dallueshme midis dibranëve, edhe si arterie lidhëse jetike me identitetin kombëtar të shqiptarit. Nëpërmjet një paradoksi gjuhësor të theksuar qysh në titull, autorja synon të tërheqë vëmendjen te fakti se “dibranët” nuk janë një grumbull njerëzor me një fytyrë të përbashkët, por janë secili veç e veç individualitete me personalitet të qartë.

“Nga Drini në Korab, nga Lura në Radomirë, nga Kalaja e Grezhdanit në Muzeun e Skënderbeut në Sinë, nga burimet e njohura termale tek ujëvarat dhe liqenet me ujin kristal, nga mundësitë e shumta për agroturizëm e deri te sportet e aventurës, Dibra është një thesar i çmuar që duhet zbuluar e shijuar në çdo pëllëmbë të saj!”

Pas dokumentarit, në praninë e publikut, para Pallatit të Kulturës u dha një koncert nga këngëtarët e artistët dibranë Liri Rasha, Vera Laçi, Ingrid Jushi, Lirim Hoxha etj. si dhe u shoqërua nga vallet tradicionale të ansamblit “Hazis Ndreu”. Kulmi i ditës së parë ishte atmosferën e jashtëzakonshme që dhuroi grupi legjendar i rrokut “Elita 5”, në praninë e një publiku të shumtë që këndoi së bashku me grupin gjatë gjithë kohës.

Pamje nga veprimtaria artistike e zhvilluar në kalanë e Grezhdanit nga nxënësit e shkollës së mesme “Fiqiri Dine”, nën drejtimin e mësuese Zamira Gjeleshi

Në ditën e dytë të festës, me interes u ndoq edhe koncerti i grupit të talenteve të reja në kitarë, me mësuesin Ermal Lushi, i cili prej disa vitesh ofron falas kurse të kitarës në Peshkopi. Për një kohë të shkurtër ky grup ka arritur të këndojë dhe luajë pjesë të ndryshme muzikore me kitarë. Natën e fundit festive e mbyllën këngëtarët Lorenc Hasrama dhe Fatjon Dervishi.
Një nga veprimtaritë që u ndoq me interes ishte edhe ekspozita me fotografi të titulluar “Ngjyrat e Dibrës”, e cila përmes angazhimit vullnetar të pasionuarve pas fotografisë, kishte si qëllim shpalosjen dhe promovimin e destinacioneve turistike dhe natyrore të Dibrës.
Lindita Manga, drejtuese e fondacionit ALCDF dhe Sajmir Kojnozi, zv.kryetari i bashkisë Dibër, ndanë çmimet për fotografitë më të bukura. Me çmim të parë u vlerësua, Dorian Bulku, me çmim të dytë u vlerësua, Albina Roshi dhe me çmim të tretë u vlerësua gjimnazi “Fiqiri Dine”.
Disa nga veprimtaritë e tjera në këto ditë ishin edhe turet malore me biçikleta, rafting në lumin Drin, paradë veshjesh me kostume popullore etj. Ndërsa disa nga restorantet kryesore në qytet patën muzikë live, duke ofruar për turistët e shumtë argëtim.
“Mes ngjyrash të kostumeve popullore, prodhimeve të fermerëve, gatimeve tradicionale, energjisë së të rinjve dhe ritmeve të muzikës, Peshkopia dukej më e bukur se kurrë”, shkroi në Facebook Almira Xhembulla, zv. Ministre e Turizmit dhe Mjedisit.
Sipas saj, kjo festë ishte një mundësi unike për promovimin e bukurive dhe prezantimin e vlerave dhe traditës së zonës.
“Dibra është vendi i bekuar me natyrë të jashtëzakonshme, me peisazhe unike, me njerëz punëtorë e mikpritës. Vizitorët dhe turistët kanë mundësinë të provojnë përvoja të ndryshme të turizmit të natyrës, turizmit malor, atij kurativ etj., si dhe të shijojnë gatimet tipike të zonës në bujtinat që sa vijnë e shtohen”, shkroi ajo në profilin e saj zyrtar në FB.
Hapja e sezonit turistik në Dibër u krye nën kujdesin e kryetarit të ri të bashkisë, z. Rahim Spahiu.
“Dibra n’fest” jo vetëm i dha gjallërinë e munguar për 3 ditë me radhë qytetit, por ishte nisja e duhur drejt një impuls të ri zhvillimi për turizmin në Dibër!” – shkruhej në faqen zyrtare të Bashkisë së Dibrës në Facebook.
“Nga Drini në Korab, nga Lura në Radomirë, nga Kalaja e Grezhdanit në Muzeun e Skënderbeut në Sinë, nga burimet e njohura termale tek ujëvarat dhe liqenet me ujin kristal, nga mundësitë e shumta për agroturizëm e deri te sportet e aventurës, Dibra është një thesar i çmuar që duhet zbuluar e shijuar në çdo pëllëmbë të saj!”

ALCDF kontribuon në organizimin e “Dibra n’fest”

Fondacioni Shqiptarë i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale (ALCDF) është një nga promotorët e zhvillimit të zonës së Dibrës dhe veçanërisht i sektorit të turizmit. Pothuajse të gjitha botimet e produkteve turistike, shtigjet e ndërtuara dhe të markuara, sinjalistika, zyra e informacionit turistik, bujtinat dhe kampingjet e ndërtuara dhe organizimi i festave lokale kanë vulën e ALCDF. Edhe në këtë veprimtari ALCDF nuk mungoi të kontribuojë në çeljen e sezonit turistik me angazhimin e stafit të palodhur të kësaj organizate.
Besnik Alku, menaxher i projekteve në këtë organizatë, thotë për gazetën “Rruga e Arbërit” se “ndihet i kënaqur që tashmë Bashkia Dibër, që është autoriteti vendorë, ka marrë përgjegjësinë kryesore për organizimin e këtij eventi dhe shumë aktorë të tjerë institucionalë si Drejtoria e Bujqësisë, Policia, Drejtoritë e shkollave, Drejtoria e Kulturës dhe OJF lokale kanë qenë aktive”.
“Ajo që dallohet në këtë ngjarje – thotë Alku, ka qenë angazhimi i sektorit privat që është dhe përfituesi kryesore i turizmit, si me organizimin e festës, por edhe me ndarjen e informacionit. Kjo është ajo për të cilën ka punuar ALCDF me grupin e festave për të kuptuar që festat lokale janë një instrument i rëndësishëm i promovimit të zonës dhe duket se ALCDF ja ka arritur të ndryshojë kapacitet dhe sjelljen e aktorëve vendore për të qenë më festiv dhe më organizatorë në ngjarje të tilla promocionale”.
Lindita Manga, drejtoresha e ALCDF, e palodhur dhe me shumë pasion përgjatë gjithë javës së organizimit të kësaj ngjarje të madhe promovuese, me modesti na shpjegoi që “ALCDF këtë vit ndoqi një taktikë pak më të tërhequr, për ti lënë aktorët vendorë të kenë rolin e lidershipit dhe sidomos Bashkia në koordinimin e grupit të festave’ Zyra e Informacionit turistik në organizimin e eventeve dhe aktorët e tjerë si Black Drini Rafting, Resthouse Korabi dhe Shkolla e mesme «Fiqiri Dine» e Maqellarës të demostrojnë aftësi në organizimin e ngjarjeve turistike dhe promovojnë bizneset dhe veten e tyre”.
“Në këtë kuadër ALCDF mbështeti organizimin e ekspozitës së ngjyrave, që qëndroi e hapur për tre ditë, por për gati 2 muaj shumë pasionante të Dibrës sollën fotografitë e tyre, u bë përzgjedhja dhe printimi, dhe në fund të ditës së tretë u ndanë edhe çmimet për fotografinë më të mirë, duke nxitur kështu që çdo dibran të mund të jetë ambasadorë i vendit të tij”.
Manga tha se veprimtaria tjetër e mbështetur nga ALCDF, në bashkëpunim me shkollën e Maqellarës, organizuan ngjarjen artistike në kalanë e Grezhdanit, ku nxënësit e shkollës së mesme «Fiqiri Dine», nën drejtimin e mësuese Zamira Gjeleshit, me kostume popullore improvizuan pjesë artistike të jetës në kalanë e Grezhdanit, duke tërhequr interesin e shumë vizitorëve që erdhën dhe vizituan kalanë, duke promovuar në këtë mënyrë vlerat kulturore të kalasë por edhe të Dibrës.
“Nuk mund të lihet pas dore promovimi i qershisë, fruti i parë dhe më dallues i Dibrës”, – theksoi Lindita. ALCDF, në bashkëpunim me nxënësit e shkollës së Maqellarës dhe fermerë të zonës së Melanit, organizuan në plantacionet e qershive një demonstrim të mbledhjes së frutave dhe lojëra të tjera për të promovuar frutin, por edhe bukuritë e plantacioneve me qershi. Një nxënëse e talentuar në pikturë nga Maqellara pikturoi frutat dhe plantacionet e qershive, dhe promovuan eventin në rrjetet e tyre sociale.
“Nuk mund ta linin jashtë vëmendjes dhe mbështetjes Fluturim Elezin dhe Resthouse Korabin, thotë Lindita Manga, në nismën e tij për organizimin e «Festës së Bjeshkës» në Llapshnik të Zimurit, që megjithëse mot i keq, por ishte një organizim perfekt, me pjesëmarrje nga nxënësit e shkollave të qytetit, vizitorë nga Shkodra, Tirana dhe turistë të huaj, të kësaj bukurie të rrallë, vetëm 20 minuta nga Peshkopia”.
Zenulla Mehmeti, menaxher i projekteve të ALCDF, me urtësinë e tij na shpjegoi për aktivitetet e turizmit të aventurës që u promovuan gjatë këtyre ditëve festive.
“Biçikletat malore ishin në qendër të vëmendjes – thekson Zenullahi, – pasi në bashkëpunim me Qarkun Dibër dhe komunën e Rostushës dhe financim të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, janë bërë funksionale më shumë se 140 km shtigjesh për biçikletat malore në dy anët e kufirit, me standarde europiane teknike dhe janë aftësuar guidat vendore për të shfrytëzuar këto shtigje, që janë më të mirat në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”
Gjatë një jave Zenullahi ka shoqëruar një grup gazetarësh nga Gjermania, të cilët do të promovojnë turizmin në revistat dhe portalet më të mira në Gjermani, që nga natyra, kulinaria, shtigjet e biçikletave, shtëpitë pritëse dhe festat e organizuara në vendin e tyre.
“Një grup nga Dibra e Madhe, Mavrova dhe Shkupi erdhën me biçikleta dhe provuan dhe shijua festën dhe shtigjet malore të Hinoskës, Hoteshit dhe Rabdishtit”.
Një prezantim i bukur i Dibrës ishte edhe video prej 3 minutash e përgatitur në gjuhën gjermane e nxënësve të shkollës “Nazmi Rushti”, nën kujdesin e mësuesit Drilon Murrja.
Nuk mund të flasim për turizmin e aventurës pa përmendur rafting në Drinin e Zi. Një bashkëpunimin I ALCDF dhe agjencinë “Black Drini adventure” drejtuar nga Edi Truka, u arrit që për shumë nxënës të shkollës së Maqellarës, dhe pedagogë, agjenci turistike, zhvillues nga Holanda, të huaj dhe vendas, u mundësua një tur raftingu, si një ide për të ftuar turistë të tjerë nga vendi e botë për të ardhur në Dibër.
Anita Zebi, një tjetër staf i ALCDF, sëbashku me Nevila Manga, specialiste e turizmit në bashkinë Dibër, theksuan që “organizimi i tendeva të panairit me materiale promovuese nga të gjitha bujtinat dhe operatorët turistikë është tashmë bërë traditë dhe duhet të vazhdojë”.
“ALCDF mbështeti shtëpitë pritëse dhe artizanët që të promovojnë produketet dhe bizneset e tyre, duke u krijuar lehtësirat e nevojshme”.
“Këto festa, duhet të jenë të vazhdueshme, jo mbase me këtë gamë sa këto tre ditë, por të vazhdojnë dhe të shpërndahen në të gjithë territorin, duke i bërë banorët krenarë për potencialet turistike të vendit dhe të tjerët të ftohen që të vizitojnë Dibrën”, theksoi Anita.
“Dibra n’Fest” ishte një hapje e mbarë për sezonin turistik, duke treguar se rajoni ka mundësi të mira për zhvillimin e sektorit të turizmit, duke sjellë më shumë punësi, zhvillim dhe të ardhura për banorët e Dibrës.
Korresp. Rr.A.