Arsimi dibran “ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”


Reformat thelbësore në arsimin fillor, përforcimi i shkollave të mesme profesionale, përmirësimi i notave në testimet ndërkombëtare, si dhe rikthimi i dinjitetit të mësuesit dhe motivimi i tyre personal. Këto janë parakushtet për një të ardhme të sigurt të arsimit.

Nga Mezin Shehi

Në këndvështrimin tim duke e nisur me atë se “Çfar ka qenë arsimi në Dibër”apo ecuria e zhvillimit të arsimit në Dibër mendoj që kjo kalon në për disa faza ose periudha, për të qen më i saktë në katër të tilla. Shkurtimisht po ndalem tek këto.

Periudha apo Faza e pare është ajo e rilindjes dhe e lëvizjes kombëtare, faza e Ilegalitetit të arsimit shqip në Dibër

 Në këtë periudhë si në të gjitha trevat e tjera shqipëtare, lëvizja arsimore edhe në Dibër mori përmasa të mëdha, për më tepër që Dibra ishte krahinë determinuese në gjith Shqipërin verilindore, kjo si nga pikpamja gjeografike por ashtu edhe nga pikpamja historike dhe kulturore.

 Shkendijat e para apo përpjekjet e para për hapjen e shkollave shqipe si kudo në trevat shqiptare u dhanë në kohën e rilindjes kombëtare, ku gjurmëve të vëllezërve Frasheri, Koto Hoxha, Veqilharxhit, Pashko Vasës, Ndre Mjeda, Petronini Luarasi dhe të tjerë rilindas kombëtar ishin pa asnje dyshm edhe pishtarët si Said Najdeni, Vehbi Dibra, Sheh Zerçani, etj të cilet me besim dhe vetëdije patriotike nisën atë rrugëtim të vështirë për gjuhen amtare.

 Lufta për shkollen shqipe në Dibër fillon që në vitet 30 te shekullit XIX.. Ne vitin 1835 Sheh Fejz Bulqiza hapi nje shkollë në fshatin Vajkal në kullën e tij, mësimet zhvilloheshin me shkronja arabe. Po në vitin 1847 ai do e rihapte perseri këtë shkolle në fshatin Koçë të Bulqizës.

 Në programin e Lidhjes se Prizrenit dega e Dibrës më 14 tetor 1878 u hartua një rezolutë që u miratua në kuvendin e Dibrës më 1 nëntor 1878 ku theksohej mësimi në shkollë i gjuhës shqipe. Me hapjen e mësonjëtores së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887 nën shembullin e saj në vitin 1888 Seid Najdeni(Hoxhë Voka) hapi nje shkollë shqipe ne shtëpine e tij ne Dibër të Madhe, kjo shkollë nuk qëndroi gjatë, por ai do ta rihapte atë ne vitin 1893. Po ashtu Shaqir Daci në vitin 1894 do hapte një shkollë shqipe në fshatin Homesh dhe Hamdi Ohri në vitin 1895 në Dibër të Madhe shkollë që vazhdoi deri më 1899. Shembullin e tyre ndoqi dhe Hoxhë Hasan Moglica në fshatin Okshtun ku fshehurazi do u mësonte njerëzve shqip. Ne vitin 1900 Said Najdeni botoi në Sofje abetaren e gjuhës shqipe, një abetare e shkruajtur me alfabetin e Stambollit që u shpernda në te gjitha zonat e Dibrës. Një rol te veçantë në kulturën dibrane dhe shqiptare luajti dhe rilindasi shqiptar nga Reka Josif Bageri atdhetar, poet dhe publicist.

 Një vatër edukimi per Dibrën ishte dhe Klubi Bashkimi me qendër ne Dibër të Madhe që u hap në Dhjetor 1908, kryetar i saj ishte Hafuz Sherif Langu. Në Kongresin e Dibrës në Korrik 1909 me kryetar Vehbi Agollin u vendos që të hapeshin shkolla fillore e te mesme në gjuhën shqipe. Në maj 1910 në Zerqan u hap shkolla shqipe nën kujdesin e Sheh Sulës me mësues Mustafa Sulën. Shkolla shqipe ashtu si në gjitha viset e tjera shqiptare do përndiqej rreptësisht nga autoritetet osmane, mësimet zhvilloheshin fshehurazi.

 Në 1912 kemi për herë të parë lejimin e hapjes se shkolles shqipe në Dibër nga Valiu i Manastirit në Rrekë të Dibrës së madhe. Gjatë qeveris së Vlorës kemi disa përpjekje për arsimin në shqip, Gjuha shqipe u shpall gjuhë zyrtare e shtetit shqipëtar. Në prill 1914, konkretisht më 14 prill kemi të parën shkollë shqipe në Peshkopi nga mësuesi Haki Sharofi i cili pasi kishte mbaruar normalen e Elbasanit, një kurs 6-mujor që u jepte titullin “Mësues” mori lejen në atë kohë nga qeveria e Vidit për të hapur shkollën shqipe dhe ishte emëruar mësues në Peshkopi. Pas tij shkollat shqipe do hapen në Trebisht, Ostren, Dohoshisht, Trojak, Sllovë e me radhë Sohodoll, Brezhdan, Kala e dodës etj.

 Veprimtarët dibran të cilët kanë lënë gjurmë si Said Najdeni, Hoxh Muglica, Vehbi Dibra, Haki Sharofi, Haki Stermilli, u bën shembuj kuptimplot dhe motive të padiskutueshëm frymëzimi për brezat e mëvonshëm si Selim Alliu, Tefta Cami, Edip dhe Irfan Tërshana, Nuri Abdiu, Shaban Arra, Myslym Shehu, Nazmie Pasholi, Selim Qyshka, Kumrie Shehu e Fasli Cami, Ramadan Gjorllaku e Fadil Perhati, Islam Kosova e Taxhedin Shehu, Lutfi Manjani e Nevruz Manjani, Bashkim e Merita Lala e shum e shumë të tjerë të cilët pa dashje mund ti kem harruar por që shënjuan një epok në arsim. Ajo rrugë e nisur prej tyre duke filluar nga shkolla e parë, te Internati i Kastriotit në 1923 , te shkolla femërore në 1925, shkolla profesionale në 1945, shkolla pedagogjike 1946, gjimnazi në 1962-1963, dhe shumë e shumë të tjera pa dashur tu heq rëndësinë, bën që Dibra të nxjer personalitete të gjithanshëm në çdo fushë të jetës.

 Sigurisht që të flasësh për ngjarje që e kan zanafillen në këtë periudh fund shekulli XIX nuk është e lehtë, aq më tepër për ngjarje që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës amtare, e cila gjatë rilindjes kombëtare u vendos në qendër të vëmendjes së rilindasve tanë. Pas shumë shekujsh pushtim problemi shtrohej “A do behej shtet Shqipëria apo do ngelej thjesht një pik Gjeografike siç thoshte Bismarku. Por një komb asesi nuk mund të bëhet në se nuk ka historinë, gjuhën, kulturën, shkollën e tijë. Dhe në këtë kuptim është gjuha dhe shkolla shqipe ato që u bënë shpresa që i bashkonte gjith shqipëtarët. Në këtë periudhë nëpër trevat shqipëtare hapej aty këtu fshehurazi ndonjë shkollë, mejtepe ku mësohej turqisht dhe shqip por ato mbylleshin sapo të zbuloheshin nga autoritetet osmane.

 Në fakt nga vitet 1800 e pas janë intensifikuar përpjekjet për identifikimin e shqipes e cila lidhej ngushtësisht me identifikimin e kombësisë. Ishte pikërisht kjo që i bashkoj patriotët tanë pa dallim feje krahine apo ideje dhe u bënë një për çeshtjen më të madhe të kombit “Për hapjen e shkollave shqipe”, dhe pikërisht në këtë kuadër kemi krijimni e disa organizatave patriotike si “Atdheu”, ”lidhja e Mësuesve”, ”Bashkimi”etj, në të cilat dy ishin çështjet që diskutohen: 1. Formimi i shteti shqipëtar.

  1. Hapja e shkollave në gjuhën amtare.

 Ishte kjo periudhë kur u botuan një sërë abetaresh si ajo e Veqilharxhit 1844, 1845, Kristoforidhit 1867, 1868, Daut Boriçit 1869, Alfabetarja e Stambollit 1879 etj.

 Në Dibër ndërkoh beteja për hapjen e shkollave vazhdonte mes shum peripecive. Kemi disa të tilla në Shehër, Zerqan, Homesh, të cilat u mbyllën shumë shpejt sapo u diktuan, ndaj dhe e qujta këtë faze si “Ilegaiteti” i hapjes së shkollave shqipe. Hapja e shkollës shqipe në Korçë shërbeu për të evidentuar faktin se shkolla shqipe ishte tani më një rrealitet që mund të arrihej, pra mund të rrealizohej.

 Eshtë për tu theksuar fakti se bashkë me atë të Korçës në Rekë të Dibrës u hap një shkollë shqipe por u mbyll shum shpejt. Patriotët dibran organizua disa kuvende dhe takime për çështjen e arsimit më i rëndësishmi është ai i nëntorit 1889 që konkludoj me një kërkesë për lejimin e hapjes shkollës shqipe. Krahas kësaj “Ilegaliteti”i shkollave shqipe vazhdonte me shkollat e Said Najdenit 1888, Shaqir Dacit 1893, Hamdi Ohrit 1891, u hapën dhjetë shkolla shqipe nëpër fshatrat e Dibrës, duhet të theksojm këtu karakterin fetar të tyre. Drita në fund të tunelit fillon në 1912 kur u lejua hapja e shkollës shqipe në Dibër të Madhe.

 Kjo është edhe faza apo periudha e dytë e zhvillimit të arsimit në Dibër dhe që unë do ta quaja legaliteti i zhvillimit të arsimit në Dibër dhe kjo periudh zgjat deri në 1924.

   Gjatë kësaj periudhe qeveria e Vlorës fillimisht u përpoq që të vendos baza ligjore për arsimin në gjuhën shqipe, duke e shpallur atë gjuhë zyrtare të shtetit shqipëtar, shkollës iu dha karakter shtetëror, gjithashtu bëri përpjekje për ta bërë arsimin fillor të detyrueshëm.

 Është pikërisht kjo faze e cila spikat për hapjen e shkollave shqipe në Dibër tani më e ndarë në dy pjes. Me 14 prill 1914 Haki Sharofi ky veprimtar e patriot i pa lodhur hapi të parën shkollë shqipe në Peshkopi, një ditë më von u hap ajo e Trebishtit. Edhe gjat luftës së pare botrore shkollat dhe mësimi shqip në Dibër vazhdonte mes vështirësive të shumta e para nga gjendja e rëndë ekonomike e banorëve dhe e dyta nga lufta me pushtuesin serb që do zgjaste një dekad. Në këtë periudhë kemi shkollat shqipe në Dohoshisht 1915-1916, në Trojak e Sohodoll 1916-1917, Alllajbegi, Homesh e Sopot 1918, Okshtun, Sllovë, Lurë, Kala e Dodës Luzni 1922-1923, Internati i Kastrioti 1923, Herbel 1924, etj. Kemi kështu mbi 15 shkolla të hapura në këtë periudhë të dytë të zhvillimit të arsimit në Dibër edhe pse mes vështirësive të mëdha.

 Faza apo periudha e tretë e zhvillimit të arsimit në Dibër përfshin vitet 1924-1944.

 Në këtë periudh shkollat shqipe vazhdojn te hapen në menyrë progresive tani më me vendime ligjore dhe me parametrat qe duhet te ket një shkollë. Forcimi i shtetit shqiptar dhe ngritja ekonomike e vendit pas vitit 1925 ndikuan drejtpërdrejt në zhvillimin e mëtejshëm të jetës kulturore shqiptare si pas shembullit të vendeve europiane, ku ndikuan edhe proceset politike – shoqërore të diasporës shqiptare.

 Gjatë viteve 1925 – 1939 u rrit më tej numri i shkollave, u forcua shkolla fillore, u krijua sistemi i plotë i arsimit (Internati Dibra dhe shkolla femërore plotësuan kuadrin e arsimit në Dibër). Rol të rëndësishëm luajtën figurat e shquara të shkollës shqipe në Dibër si: Haki Sharofi, Abdulla Çanga, Ferid Jegeni, Rifat Spahiu etj.

 Në 1925 u hap Shkolla femërore po nga Haki Sharofi. 1927 u hap shkolla e Grevës dhe ajo 7-vjeçare e Peshkopisë. Pavarsisht hapjes së shkollave shqipe në vitet e Republikës dhe të mbretëris numri apo përqindja e të arsimuarve ngelet e ulët Mbi 80% e popullsisë ishte e pashkolluar dhe gjendja më e keqe ishte në fshatra ku mbizotëronte analfabetizmi. Edhe gjat luftës së dytë botërore arsimimi shqip vazhdoj pa ndërprerë mes vështirësive të skajshme deri në vitin 1944. Sipas statstikave pas luftës përqindja e popullsis që dinte shkrim e këndim ishte tepër i ulët rreth 20% , kjo është koha kur fillon edhe faza tjetër e zhvillimit të arsimit.

 Faza apo periudha e katërt e zhvillimit të arsimit në Dibër janë vitet 1944-1990, (faza e përparimit dhe zhvillimit)

 Pas përfundimit të Luftës së dytë botërore, në Shqipëri u bë «Reforma Arsimore e vitit 1946» e cila përcaktoi kohzëgjatjen e arsimit të përgjithshëm në 11 vite; arsimi fillor 4 vite, arsimi unik 3 vite dhe i mesëm 4 vite. Arsimi fillor dhe ai unik u bënë të detyrueshme. Prej vitit 1963, arsimi i detyrueshëm u ngrit nga 7 në 8 vjeçar dhe arsimi i mesëm nga 11 në 12 vjet. Kjo faze ka dy karakteristika kryesore:

  1. Heqja e analfabetizmit.
  2. Masivizimi i Arsimit.

 FUSHATA KUNDER ANAFALBETIZMIT

 Sipas regjistrimit të 30 shtatorit 1945, në një popullsi prej 1. 122. 044 banorë, numri i analfabetëve ishte 911. 410 banorë, ose 81. 22% e popullsisë. Në vitin 1945 ishin hapur 566 kurse ku mësonin për herë të parë shkrim e këndim 10. 243 vetë. Për këtë fushatë kundër analfabetizmit u punua kryesisht në rrugë vullnetare.

 Në vitin 1949 miratohet ligji për arsimin, sipas të cilit detyroheshin moshat deri në 40 vjeç të merrnin bazat e shkrimit dhe këndimit. Nga një regjistrim i këtij vitit (1949) rezultoi se pas 5 vjetësh kishin mësuar shkrim e këndim rreth 130. 000 vetë dhe kishin mbetur ende 420. 000 analfabetë. Në vitin 1955 u shpall publikisht se në Shqipëri ishte likuiduar analfabetizmi deri në moshën 40-vjeç. Por në bazë të të dhënave arkivore faktohet se një pjesë e popullsisë nuk arriti të mësonte shkrim e këndim, sidomos moshat e mëdha. Ky problem ka vazhduar edhe në vitet e mëvonshme, por lufta vijoi, në heshtje, jo e shpallur si fushatë.  NGRITJA E SHKOLLAVE

 Arsimi fillor dhe 7 vjeçar

 Në Shqipërinë e pas luftës, siç ndodhi në fusha të tjera, edhe në arsim u ndërmorën disa reforma. Hapi i parë në fushën e arsimit ishin kurset kundër analfabetizmit të cilat njohën një përhapje të gjerë në çdo cep të Shqipërisë nga 1945 deri ne 1949. Hallka më e zhvilluar në vitet e para të pasluftës ishte arsimi fillor. Në vitet ‘50 hapen shkollat e para 7-vjeçare. Prej vitit 1963, arsimi i detyrueshëm u ngrit nga 7 në 8 vjeçar.

 Arsimi i mesëm

 Sa i takon arsimit të mesëm ai u ngrit nga 11 në 12 vite. Në Dibër krahas të tjerave spikasin mbi të gjitha hapja e disa shkollave të mesme, Shkolla profesionale Nazmi Rushiti e cila u hap menjëherë pas lufte në 1945, dhe gjimnazi i Peshkopisë i cili çeli dyert ne 1962-1963. Jo më pak e rëndësishme ishte edhe shkolla Pedagogjike në 1948 nga ku dolën breza të tërë arsimtarësh dhe jo vetëm. Këto ishin simbole të zhvillimit të arsimit në Dibër që shënjuan këtë faze krahas hapjes së shkollave të tjera dhe shtrirjes së arsimit kudo, nga Lura në Maqellar dhe nga Selishta në Kala të Dodës.

 REFORMAT DHE IDEOLOGJIZIMI I SHKOLLAVE

 Pas Luftës, me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, arsimi shqiptar mori një formë të re. Tashmë shkolla ishte e tipit socialist, që mbronte dhe brumoste një shoqëri socialiste.

 Si model, sidomos pas 1948-s, me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, shkolla shqiptare u orientua nga shkolla ruse. Në vitet ‘60 shënohet reforma e dytë dhe në vitin 1963 del ligji i ri mbi riorganizimin e sistemit arsimor. Ligji parashikonte kalimin nga sistemi 7-vjeçar në sistemin 8-vjeçar. Kulmi arrin me reformën e tretë që u quajt “Revolucionarizimi i mëtejshëm i shkollës”, e nxitur që nga viti 1967 nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez, pas një fjalimi të Enver Hoxhës për revolucionarizimin e shkollës. Ligji doli në fund të vitit 1969 dhe zbatimi filloi në vitin 1970 dhe vijoi deri me rënien e regjimit. Kjo reformë e tretë pati një ndikim të thellë në shkollë, e cila u ideologjizua në mënyrë të tejskajshme. U rrit shumë dhënia e lëndëve të drejtpërdrejta politike, si historia e Partisë, Marksizmi etj. Por ideologjizimi u thellua edhe në të gjithë lëndët e tjera duke depërtuar në çdo qelizë të shkollës. Letërsia dhe historia ishin dy nga lëndët ku ideologjia arriti kulmin. Veprimtaria e shkollës u organizua mbi bazën e atij parimi që u quajt trekëndëshi revolucionar që ishte: mësim, punë prodhuese dhe edukim fizik e ushtarak. Të gjithë programet dhe tekstet u realizuan mbi këtë trekëndësh. Kjo e dëmtoi shkollën sidomos ideoligjizimi i tejskajshëm sepse përgatiti një brez sipas modelit që regjimi e quante “Krijimi i njeriut të ri”.

   Arsimi ç’është sot.

 Realiteti i këtyre 30 e kusur viteve për fat të keq është disi i dhimbshëm, në se dikur kishte njerëz për t’u mësur por s’kishte shkolla, s’kishte mësues dhe nuk u lejohej të mësonin gjuhën amtare, sot ka shkolla dhe mësues por godinat e shkollave janë të zbrazura nga nxënësit, ka mësues por nuk kanë se kë të mësojnë. Lëvizjet demografike e kanë shpopulluar zonën e mrekullueshme të Dibrës. Numri i shkollave ka ardhur çdo vit duke u tkurrur. Kjo panoram është një trishtim i madh për zbrazëtin e zonës tonë jo vetëm nga nxënësit dhe nga të rijntë por nga vetë jeta. Këto vite tranzicioni të shoqëris shqiptare pa dyshm që kanë qenë edhe tranzicion për arsimin në përgjithësi dhe për atë dibran në veçanti, ku gjat viteve 1992-2006 janë mbyllur për shkak të rënies së nxënësve 12 shkolla të mesme. Tranzicioni kaotik i këtyre viteve është shoqëruar her pas here me hapjen dhe mbylljen e disa shkollave, ajo pedagogjike, profesionale në të cilën her pas her hapeshin e mbylleshin degë të ndryshme, apo deri tek hapja e një filiali të Universitetit të Durrësit dhe mbyllja e tijë që funksionoj nga 2009-2014. Akoma më e rëndë bëhet situata kur ndërkoh që eksodi i popullsisë vazhdon me ritme maramendëse, në disa zona periferike të Dibrës hapen disa gjimnaze pa asnjë lloj kriteri, të cilët u mbyllën shpejt për fat të mire. Në 2017 pati edhe një ndarje të gjimnazit historik të Peshkopis në mënyr absurde duke krijuar dy të tillë pa asnjë kriter.

  Arsimi ç’do të bëhet

 Për sa i përket të ardhmes është si të përpiqesh të shohësh një panoramë, një piktur që akoma nuk është nisur por mund ta imagjinosh, megjithëse shpesh është e panjohur. Gjithsesi e ardhmja që mund dhe duhet të projektojmë, supozimet, besimet, dijet e nënkuptuara dhe të heshtura, vlerat, shpresat dhe frikërat tona aktuale mund të na bëjnë të kemi më shumë pikëpyetje në lidhje me arsimin. Shumë ndër ne mund të paramendojmë se edhe pse akoma nuk jetojmë në një botë fluturake, zhvillimi i teknologjisë po e ndryshon thelbësisht jetën tonë dhe ska dyshym se ky zhvillim do vazhdoj me patjetër me ritme akoma më të shpejta, Ndaj në këtë kuptim krijimi i dijeve dhe njohurive të reja nuk ka qenë kurr më pare kaq premtues. Na del ne si detyrë t’u mësojmë brezave të rinj modelin e përshtatshmërisë dhe madje akoma më shumë të mësojnë të kuptojnë atë që do sjellë e ardhmja. Por nuk duhet asesi ti lëmë që të harojnë qëndrimet dhe vlerat kombëtare që na vijnë si shembull kuptimplotë në këto 108-vite të hapjes së shkollës së parë shqipe në Dibër e cila njëherazi na vjen si një zë nga e kaluara, si thirrje në kontekstet e reja kohore duke ushtruar presion dhe trysni mbi zhvillimin e arsimit në mënyrë që ai t’i pregatis si duhet brezat e rinj për botën reale dhe pse jo për të ardhmen, edhe pse hasim vazhdimisht në një rrezistencë të madhe ndaj ndryshimit që na vjen si inerci e të shkuarës. E megjithatë brezat duhet dhe e kanë domosdoshmëri që të kenë sukses, për ta aritur këtë duhet të kemi një qasje krejt të re për arsimin një qasje dhe një zgjidhje që të jetë nga ana shkencore e qëndrueshme dhe e besueshme, nga ana praktike e kuptueshme dhe e zbatueshme, nga shoqëria e dëshirueshme dhe pranueshme.

 Të gjithë jemi para një sfide të madhe çdo vit, dhe kjo është se si do të evuoloj arsimi i gjeneratës së ardhshme. Çdo mësimëdhënës, nxënës, student ka dëshira dhe mendime të veta personale se si duhet të jet e ardhmja e tijë dhe kjo është e kuptueshme dhe e arsyeshme por gjithashtu vështirë se ekziston një model ideal që garanton të ardhmen e sigurt. Përkundër faktit se ne punojmë në kushte të një krize të madhe, vëmendja jonë duhet të mbetet e përqendruar në ndërtimin e një sistemi modern arsimor.

 Sistem që do të krijojë gjenerata progresive në të ardhmen me qëllim për ta çuar vendin përpara. Prandaj, ata që janë në vijën e pare të arsimit mund dhe duhet të japin maksimumin në transferimin e njohurive të nxënësve.

 Arsimimi ndryshon jetën e çdo personi, është baza për krijimin e mundësive dhe zhvillimit personal. Është e rëndësishme që fëmijët të shkojnë në shkollë në mënyrë që të marrin arsim e duhur, por njëkohësishtë është e rëndësishme që ata të mësojnë vlerat themelore të jetës. Fëmijët kanë nevojë për arsim cilësor që do t`i ndihmojë ata të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të rrisin mundësitë për tu bërë të lumtur, të shëndetshëm, të suksesshëm dhe anëtarë të dobishëm të shoqërisë.

 E ardhmja e çdo shoqërie varet nga fëmijët. Ata janë punëtorët e ardhshëm, prindërit, mësimëdhënësit, mjekët dhe politikanët. Nëse ne nuk u sigurojmë atyre bazë për jetë të shëndetshme dhe produktive sot, atëherë ne vëmë në rrezik të ardhmen, prosperitetin dhe sigurinë tonë. Kjo është arsyeja pse nuk duhet të presim. Ne nuk duhet ta lejojmë të humbim kot, asnjë orë të kohës së punës kushtuar arsimimit dhe edukimit të fëmijëve.

 Unë besoj në barazi arsimore të çdo kujt pa asnjë dallim race, feje gjinie, të çdo vajze dhe djali kudo që jetojnë dhe mendoj që duhet të kenë të drejta të barabarat dhe qasje në arsim cilësor njëlloj. Reformat thelbësore në arsimin fillor, përforcimi i shkollave të mesme profesionale, përmirësimi i notave në testimet ndërkombëtare, si dhe rikthimi i dinjitetit të mësuesit dhe motivimi i tyre personal. Këto janë parakushtet për një të ardhme të sigurt të arsimit.

 Literatura

  1. Prof. asc. M. Kamberi: “Zhvillimet arsimore në Dibër”, revista Zani i Naltë, Tiranë 2014.
  2. Xhemal Domi: “Dibra në hulli të Historisë”, Botimet M&B, Tiranë 2012
  3. Moisi Murra: “Dibra nga antikiteti në monarki”, Botimet M&B, Tiranë 2017.
  4. Fatos Daci: “Historia e arsimit shqip në Dibër”, Tiranë 2010
  5. Historia e Shqipërisë: Akademia e Shkencave. Vëllimi II, Tiranë, 2002 (f. 173) dhe III
  6. Kristo Frashëri: “Historia e Dibrës”, Botimet M&B, Tiranë 2012
  7. Ilias Goga: ”Haki Sharofi, mësues atdhetar, veteran i shkollës shqipe”, grup autorësh “Haki. Sharofi dhe vepra e tij”, Tiranë 2000.
  8. Haki Sharofi, “Historia e Dibrës”, vëll. II. Tiranë 2008.
  9. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqipëtare, 1878- 1912, Tiranë, 1978.