Bilanc i qeverisjes vendore: Arritjet dhe sfidat e 4 bashkive që qarkut të Dibrës


Bashkia Klos kërkon:

  • Rikualifikimin Urban të qytetit
  • Rikonstruksionin e shkollës së mesme në Suç
  • Ndërtimin e ujësjellësit rajonal dhe Nj.A. Xibër
    Ndërtimin e urës mbi lumin Mat
  • Qendra sportive, kënd lojrash dhe qendër sociale

Bashkia Mat kërkon:

  • Rrugën e re Mat – Mirditë
  • Rivitalizimin e sheshit “A.Zogu”
  • Ndërtimin e linjës së furnizimit me ujë të Burrelit
  • Rikonstruksionin e unazës së madhe
  • Rehabilitimin e kanaleve të ujërave të zeza të qytetit

Bashkia Bulqizë kërkon:

  • Rikonstruksionin e spitalit të Bulqizës
  • Asfaltimin e rrugës së Martaneshit
    Ndërtimin e një landfilli
  • Ndërtimin e dy shkollave të reja
  • Ndërhyrje në përmirësimin e rrjetit të furnizimit me energji elektrike

Bashkia Dibër kërkon:

  • Ndërtimin e rrugës Herbel-Peshkopi
  • Ndërtimin e rrugës Arras-Lurë
  • Finalizimin e landfillit rajonal
  • Ndërtimin e banesave sociale
  • Ndërtimin e kanalit vaditës në Maqellarë.
Në foto: Kryetarëty e Bashkive të Qarkut të Dibrës: Nga e majta në të djathtë: Ilmi Hoxha-Klos, Agron Malaj-Mat, Rahim Spahiu-Dibër dhe Lefter Alla-Bulqizë.

Më 22 korrik 2022, në Pogradec, qeveria shqiptarë bëri një analizë të punës së bashkive të vendit, me rezultatet e arritura deri më tani dhe prioritetet kryesore me efekt elektoral për vitin në vazhdim.
Në fillim të analizës për Qarkun e Dibrës, Kryeministri Edi Rama u ndal në dy investimet kryesore në këtë qark, Rrugën e Arbrit dhe hidrocentralin e Skavicës.
“Bëhet fjalë për dy projekte strategjike kombëtare: për Rrugën e Arbërit, e cila sot funksionon, por siç e kemi thënë kur u hap, por mbetet për tu ndërtuar Tuneli i Murrizit, ndërtimi i të cilit ka kaluar përtej afatit të parashikuar si rezultat i formacioneve gjeologjike shumë problematike dhe për Skavicën, që është një projekt i një rëndësie strategjike kombëtare, por tanimë edhe në kushtet e krizës së madhe energjetike dhe të perspektivës jo fort të ndritur të sektorit të energjisë globalisht edhe në Europë, ka një rëndësi shumë të madhe për sigurinë energjetike edhe të rajonit”, tha kryeministri Rama.

Bashkia Klos: Nuk kemi përfituar nga projektet e Rilindjes Urbane

“Në momentin e marrjes së detyrës, situata financiare në bashkinë Klos ishte shumë e vështirë, tha gjatë prezantimit Ilmi Hoxha, kryetar i Bashkisë Klos, pasi trashëgonte një borxh prej afro 22 për qind në totalin e buxhetit të saj”. Hoxha tha se gjatë vitit 2021 ky borxh ra në 12%, duke dhënë mundësi financiare që gjatë vitit 2022 të planifikoheshin investime të domosdoshme për komunitetin.
Hoxha kishte evidentuar pesë arritjet më të rëndësishme si: ndërtimi i ujësjellësit për 4 fshatrat në njësinë administrative Suç; rinovimi i palestrës dhe zonës së jashtme të shkollës 9-vjeçare në Klos; asfaltimi i rrugës Pleshë – Cërujë – Patin, rikonstruksioni i ujësjellësit të Klosit dhe zonave përreth si dhe dhe përmirësimi i shërbimit pastrimit dhe përmirësimi i shërbimit social.
Më pas Hoxha, tha se Klosi është një ndër bashkitë e para ku prioriteti ka qenë pastrimi. Në vitin 2020, pastrimi kryhej përmes një operatori ekonomik, por pas mbylljes së kontratës, tashmë këtë shërbim e kryen bashkia.
“Kjo ka rezultuar me shumë efikasitet duke e shtrirë pastrimin në gjithë territorin e bashkisë”, theksoi Hoxha. Gjithashtu ai theksoi se është rritur ndjeshëm shërbimi social dhe ka patur një trefishim të familjeve me bonus qiraje, jo vetëm për shkak të varfërisë, por edhe për shkak të tërmetit që preku territorin e bashkisë Klos”.
Kryetari i Bashkisë së Klosit evidentoi gjithashtu pesë ndërhyrjet më të rëndësishme në nivel qëndror dhe vendor.
Në nivelin qendror ai kërkoi mbështetje për rikualifikimi urban të qytetit të Klosit.
“Në qytetit e Klosit nuk është investuar në kudër të rilindjes urbane”, tha Hoxha, “ndaj shpresojmë që ta marrim këtë investim pasi do të jepte një ndikim pozitiv në qytetin tonë”.
Gjithashtu, ai kërkoi mbështetje për rikonstruksionin e shkollës së mesme në Suç të dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019, ndërtimin e ujësjellësit rajonal për tetë fshatrat e njësisë administrative Klos, nga 12 njësi që ka bashkia, ndërtimin e ujësjellësit për njësinë administrative Xibër dhe ndërtimi i urës mbi lumin Mat, që lidh tre fshatra të njësisë administrative (NJA) Gurrë dhe dy fshatra të njësisë administrative Komsi të bashkisë Mat.
Në nivel lokal Hoxha theksoi nevojën e ndërtimit të tregut në qytetin e Klosit, mjediseve dhe sportive të hapura, ndërtimin e një qendre për ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët në nevojë, ndërtimi i një këndi lojërash për qytetin dhe ndërtimin e një segmenti rrugor të pambaruar të NJA Gurrë.
Sipas Hoxhës, investimet e mësipërme dhe ndërtimi i Qendrës Shëndetësore ne NJA XIbër, janë një emergjencë për bashkinë e Klosit.

Bashkia Mat: Rruga ura e Matit – Mirditë jashtë funksionit, nuk është marrë akoma në dorëzim

Për një situatë të rënduar financiare foli edhe kryetari i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, i cili theksoi se e ishin gjetur bashkinë me një borxh 47% të buxhetit. “Përveç uljes së theksuar të borxhit, kemi rritur edhe të ardhurat e bashkisë, duke e çuar borxhin në vitin 2021 në 27 për qind”. Malaj tha se pati një rritje të lehtë të borxhit prej 3.4 %, për shkak të borxheve dhe detyrimeve që vijnë nga faturat e prapambetura të krijuar në vite, por ishte besimplotë se gjatë vitit 2022 borxhi do të ulej ndjeshëm.
Ndër pesë arritjet më të rëndësishme të bashkisë Mat ai përmendi pastrimin e gjithë territorit të mbetjeve urbane përmes 30 hotspoteve. Ashtu si dhe Klosi, pastrimi tani është nën administrimin e Bashkisë, duke e shtrirë kështu shërbimin në rreth 77 për qind të territorit dhe brenda 2 viteve të ardhshme në gjithë bashkinë.
Malaj tha se ishin rehabilituar 412 km rrugë rurale dhe është krijuar një sektor me mbështetje me makineri speciale dhe këto rrugë do të mirëmbahen çdo vit. Gjithashtu janë rehabilituar kanalet vaditëse që për 30 viteve kanë qenë jashtë funksionit si dhe kanë një plan për të rritur nga 10 për qind situatën e kanaleve vaditëse çdo vit.
Kryetari i Bashkisë së Matit theksoi edhe punën që është bërë në rikonstruksionin e blloqeve të pallateve, ndriçimin e qytetit si dhe të njësive administrative dhe pikave kyçe si ura, segmente kryesore etj.
Malaj tha se në nivel qendror, është i rëndësishëm rruga nga ura e Matit deri në Mirditë, e cila brenda 6 muajve doli jashtë loje dhe sot është në gjendje katastrofike. Kjo rrugë e ndërtuar në vitin 2011, nuk është marrë akoma në dorëzim.
Malaj kërkoi ndihmë nga qeveria për rivitalizimi i sheshit “Ahmet Zogu”, ndërtimin e linjës kryesore të furnizimit me ujë të qytetit të Burrelit, dhe rikonstruksionin e unazës së madhe të qytetit.
Në nivel lokal, tha Malaj, kemi rivitalizimin e shesheve, vendosjen e busteve të disa figurave historike të Matit, asfaltimin e rrugëve periferive të qytetit, ngritjen e një rrjeti inovacioni për të rinjtë, rikonstruksionin e tregut industrial dhe godinave zjarrfikëse etj.
Një nga aksionet më emergjente mbetet rehabilitimi i kanaleve të ujërave të zeza të qytetit të Burrelit dhe rrethinave përqark, sepse të gjithë këto ujëra të zeza bien në lumin Mat, e prej andej përfundojnë në liqenin e Ulzës, duke sjellë një dëm mjedisor në parkun natyror “Ulza Ecopark”, e cila ka sjellë një ndryshim rrënjësor në sektorin e turizmit.
Malaj përmendi edhe disa projekte në fushën e infrastrukturës sportive, duke rikthyer gjithë sportet si futboll, basketboll, volejboll, çiklizëm etj.

Bashkia Bulqizë: Investime në infrastrukturë dhe rrjetin energjetik

Kryetari I Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, në fillim të fjalës së tij theksoi se kishte marrë një bashki pa borxhe, por me mjaft problematika të ardhura nga ish-komunat. Si arritje më të rëndësishme ai përmendi dhënien e 3600 titujve të pronësisë si dhe është kryer regjistrimi fillestar i 43 mijë ha pyje dhe janë regjistruar 147 prona në emër të bashkisë, duke I hapur rrugën zhvillimit të hapësirave publike.
“Një arritje e rëndësishme dhe vëmendje e veçantë nga ana jonë ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm, tha Alla. Sot në Bulqizë dhe Krastë kemi 14 orë ujë në ditë, ndërsa në disa njësi si në Shupenzë, Gjoricë ka 24 orë ujë”.
Alla theksoi projektet në vaditjen e tokës, ku nga 8500 ha tokë bujqësore që ka bashkia, 81 për qind e saj mbulohet me ujë, nga 51 për qind që ishte në vitin 2019. Më fondet e bashkisë është ngritur një treg bujqësor si dhe kanë aplikuar dhe janë shpallur fitues nga AZHBR për ndërtimin e një tregu bujqësor edhe në Bulqizë.
Sipas Allës, me fondet e bashkisë janë asfaltuar 21 km rrugë dhe është ndërtuar edhe ura e Zall-Sopotit, e cila lidh disa fshatra me rrugën e Arbrit.
Alla tha se nga konstruksioni i ish-kompleksit “Punëtorëve të qytetit” janë përfituar 37 banesa sociale si dhe janë ndërtuar disa shtëpi për të pastrehët.
Në fushën e shëndetësisë ai përmendi ndërtimin e 3 qendrave të reja shëndetësore dhe 8 ambulanca, ndërkohë falë edhe donatorëve, së shpejti do të kemi dhe 9 ambulanca të tjera.
Si investime në nivel qendror Alla përmendi rikonstruksionin e spitalit të Bulqizës, asfaltimi i rrugës lidhës të qytezës së Martaneshit me Rrugën e Arbrit, ndërtimi i një landfilli dhe ndërtimi i dy shkollave të reja, më qëllim eliminimin e klasave kolektive.
Me nivel lokal kryetari i Bashkisë së Bulqizës theksoi nevojën për sistem e asfaltim të rrugëve rurale për t’i lidhur me njësitë administrative dhe me aksin kombëtar, përfundimi i regjistrimit fillestar të gjithë pronave, krijimi I mundësive alternative për punësim, përmes tërheqjes së investitorëve si në turizëm, fasoneri, bujtina etj. si dhe ndërtimi I dy pallate për të pastrehët.
Si aksione më emergjente janë ndërhyrja për përmirësimin e rrjetit të furnizimit me energji elektrike, pasi gjendja është nivelet problematike dhe akoma jemi me investimet e bëra në vitin 1972, nisja e projektit për rikonstruksionin e fasadave të qytetit, sistem-asfaltim i rrugës Qafë-Buall-Martanesh dhe sistemim-asfaltimi i rrugës që lidh dy njësi administrative, Ostreni dhe Trebishti që bashkohen me aksin Bulqizë-Librazhd.

Bashkia Dibër: Një menaxhim më i mirë i pasurive ujore

Kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu tha se “në bashkinë Dibër ka pasur një rritje të lehtë të të ardhurave vendore, dhe po ashtu ka pasur rritje edhe nga investimet nga Buxheti I Shtetit”.
Nga 5 arritjet më të rëndësishme të Bashkisë ai përmendi uljen e borxht të bashkisë nga 18.82 për qind në 13.71 për qind për një periudhë 4-mujor që ai drejton Bashkinë e Dibrës. Në bashkinë Peshkopi janë bërë afërsisht 10 km asfaltim rrugë në qytet dhe rrugë rurale, është ndërtuar një kopsht dhe qendër shëndetësore dhe dy shkolla të rikonstruktuara si dhe është bërë rehabilitimi i veprave vaditëse të 22 liqeneve dhe të 618 km kanale vaditëse në 15 njësi administrative.
Spahiu tha se “ky ka qenë viti i parë që nuk kemi pas asnjë ankesë nga zonat dhe njësitë për furnizimin me ujë dhe për probleme në kanalet vaditëse”.
Një arritje tjetër Spahiu përmendi rehabilitimin dhe mbylljen përfundimtare të depozitimeve ilegale të mbetjeve urbane si dhe promovimi i Dibrës turistike përmes “Dibra n’Fest”, pasi tani, me rrugën e Arbrit, Dibra i ka mundësitë që të jetë një vend turistik.
Në nivel qëndror Spahiu përmendi investimet në segmentin rrugor Herbel-Peshkopi, ndërtimi i rrugës Arras-Lurë, finalizimi i studimit të fizibilitetit dhe financimit të landfillit rajonal, ndërtimin e banesave sociale për familjet e pastrehë, ndërtimi i një kanali vaditës në Maqellarë.
“Maqellara është është një zonë me 14 mijë banorë dhe nuk ka ujë vaditës, është e vetmja zonë që nuk ka ujë vaditës”, tha Spahiu.
Në nivel lokal Spahiu vuri theksin te rishikimi i planit të përgjithshëm vendor, studimi dhe hartimi i projekteve për rivitalizimin dhe rigjenerimin e zonave rurale, rikonstruksionin e disa institucionet arsimore, sportive dhe kulturore.
“Në Dibër këtë vit është krijuar për herë të parë edhe ekipi i futbollit të femrave”, tha Spahiu.
Kryetari i Bashkisë së Dibrës theksoi edhe planet e tij për zerimin e borxheve të bashkisë, menaxhimin ne shërbimeve të emergjencave civile dhe kontrollit të territorit etj.
Më emergjente Spahiu tha se është ndërtimi dhe vënia në efiçencë e ujësjellësit të Maqellarës, përfundimi i asfaltimit të rrugëve në qytet dhe rrugëve rurale, rikonstruksioni dhe rehabilitimi i plotë i trotuareve të qytetit, etj.
Korresp.Rr.A.