Pse duhet të krijohet Bashkia e Kalabardhës?


 Nje propozim – 2 qendrime

Shoqata Atdhetare Kulturore Artistike “Hazis Lila” i ka dërguar një shkresë Kuvendit të Shqipërisë ku i kërkon, që në kuadrin e rishikimit të reformës territoriale, të marrë parasysh edhe krijimin e një bashkie të re në Qarkun e Dibrës, të cilën ata e quajnë “Bashkia e Kalabardhës”.
Sipas kryetarit të kësaj shoqate, z. Kadri Dauti, kjo bashki duhet të krijohet nga njësitë administrative Ostern, Trebisht dhe Steblevë. Qendra e kësaj njësie administrative, sipas Dautit dhe shoqatës që ai përfaqëson, duhet të jetë Ostreni i Madh.
Dauti thotë se kjo nismë vjen pas një sërë konsultimesh me banorët e krahinës së Gollobordës, në kuadrin e reformës territoriale që po ndërmerret, me qëllim ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe traditës etnokulturore, zhvillimin ekonomik të zonës dhe përmirësim të kushteve social-ekonomike e kulturore për popullsinë.
Emërtimi i kësaj Bashkie me emrin e Kalabardhës, është një rikthim në historinë që i takon kësaj krahine.
Dauti e argumenton qëndrimin e tij në shkrimin shoqërues të gazetës.
Por, ndërkohë që ky numër i gazetës ishte duke u përgatitur për botim, dy shoqatat e tjera të kësaj krahine, “shoqata “Golloborda” dhe Shoqata për Zhvillimin e Steblevës, kërkojnë krijimin e një bashkie të re në qarkun Dibër, atë të Gollobordës, me pretendimin e përkatësisë etnike të banorëve të zonës”, njofton media online bulqiza.al.
“Një kërkesë e tillë është depozituar në Komisionin për Reformën Territoriale dhe pak ditë më parë përfaqësuesit e këtyre dy shoqatave dhanë edhe sqarimet përkatëse para deputetëve. Për formimin e kësaj bashkie është kërkuar që të bashkohen tre njësi administrative; Ostren, Trebisht që sot janë pjesë e bashkisë Bulqizë dhe Stëblevë, pjesë e bashkisë Librazhd”.
Siç shihet, shtrirja territoriale është e njëjtë për të dyja propozimet, por qëllimet janë të ndryshme: njëra kërkon kthimin në identitetin shqiptar dhe tjetra kërkon regjistrimin si pakicë maqedonase.
Vendimi nëse do të krijohet njësia e re administrative mbetet në vullnetin e deputetëve.

Krijimi i “Bashkisë Kalabardhë” është domosdoshmëri për zhvillimin e zonës dhe nevojë jetike për popullsinë e fshatrave të kësaj zone. Duke qenë njësi e vetëqeverisjes vendore, me autonominë e saj vendore krahina do rregullojë dhe administrojë pjesët thelbësore të çështjeve publike, nën përgjegjësinë e saj dhe në interes të bashkësisë, duke zgjidhur shumë probleme social-ekonomike dhe rritur mirëqenien e banorët e zonës.

Nga Kadri DAUTI

  1. SFONDI HISTORIK

Kalabardha (e njohur si Golloborda) është një krahinë entnokulturore më vete, shumë e njohur në rajonin e Dibrës dhe gjithë Shqipërinë për karakteristikat e saj kulturore, gjuhësore, etnografike, historike etj. Ajo ka qenë e banuar që në kohërat e lashta antike iliro-romake, të cilën e tregojnë dhe rrënojat arkeologjike të qytetërimeve antike. Sidomos në periudhën e mesjetës, kjo krahinë ka pasur një popullsi shumë të madhe, falë dhe zhvillimit ekonomiko-social që kishte lugina e Drinit të Zi e lidhur me Selanikun, Ohrin, Dibrën, Prizrenin, Shkodrën etj.

Kalabardha, për vetë pozicionin e rëndësishëm dhe hapësirën e saj gjeografike të madhe, ka qenë historikisht njësi administrative më vete. Ajo ka qenë pjesë e rëndësishme e shtetit të Arbrit. Në vitin 1467, Kalabardha bënte pjesë në Dibër të Sipërme dhe ishte vilajet më vete; që në shekujt 15-16-të, Kalabardha ishte njësi administrative e Sanxhakut të Dibrës, sikurse edhe Dibra e Sipërme dhe Dibra e Poshtme; në vitin 1583, Kalabardha ishte nahije e kazasë së Dibrës, sikurse edhe Dibra e Sipërme, Dibra e Poshtme dhe Reka; në shekullin e 19-të, pas reformave osmane, Trebishti ka qenë pothuaj kryeqendra e zonës, në të përfshiheshin fshatrat e Kalabardhës deri në Bulqizë; në fund të shekullit 19-të dhe fillim të shekullit 20-të, Klenja, që përfaqësonte Kalabardhën, ishte nahije e kazasë së Dibrës së Sipërme; në vitin 1912, Kalabardha përbëhej nga tre nahi të kazasë së Dibrës së Sipërme: Ostreni i Madh, me qendër Ostrenin e Madh; Sebishti, me qendër Sebishtin; Trebishti, me qendër Trebishtin;  në periudhën nëntor 1918-1921, Kalabardha u organizua nënprefekturë (rreth), me seli në Trebisht, në përbërje të prefekturës Ohër, me 41 vendbanime, 15 000 banorë, ndahej në 5 komuna: Trebisht, Klenjë, Ostren i Vogël, Gjoricë, Zerqan, e cila shtrihej deri në me fshatrat Zerqan, Godvi, Krajkë, Velikardhë dhe Peladhi; pas 1947, shkrihen prefekturat, kur krijohen krijohen rrethet dhe lokalitetet, Kalabardha bënte pjesë në rrethin e Shupenzës, me 6 lokalitetet e saj: Gjorica e Sipërme, Lladimerica, Trebisht-Muçina, Klenja, Ostreni i Madh dhe Okshtuni i Madh, pas vitit 1955, Kalabardha kishte dy lokalitete: Klenjë dhe Ostren; pas shkurtit 1967, me riorganizimiin e ri, ku krijohen “Fshatrat e Bashkuar”, Kalabardha kishte dy lokalitete: Klenjë, me 11 fshatra dhe lokaliteti Ostren, me 13 fshatra etj.

Duke qenë një unitet administrativo-territorial, sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale, Kalabardha do ribashkohej si njësi etnokulturore më vete dhe do rivitalizoj kjo krahinë e shquar atdhetare e patriotike shqiptare.

Kalabardha është shumë e pasur me vlerat e saj kulturore dhe artistike. Doket, zakonet, kostumet popullore janë një pasuri e madhe e kësaj zone. Kështu, banorët e Kalabardhës kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e artit, pikturës, shkencës, arsimit, sportit, gazetarisë në rajonin e Dibrës e gjithë Shqipërisë. Mbrojtja dhe mbajtja e kësaj kulture tradicionale të krahinës, si vlerë të shtuar në kulturën tonë kombëtare, kërkon angazhim dhe veprimtari konkrete të institucioneve lokale e vendore.

Banorët e Kalabardhës shquhen për mjeshtërinë e tyre në ndërtimtari, si mjeshtërit më të mirë në gjithë vendin. Kjo ka bërë që karakteristike për banorët e Kalabardhës të jetë dhe migrimi dhe emigrimi që nga qytetet më të mëdha të Shqipërisë si Tirana, Elbasani, Durrësi, Fieri, Lezha, Peshkopia, por dhe në Greqi, Bullgari, Turqi, Itali, Angli etj., duke punuar në veçanti në fushën e ndërtimit.

  1. POZITA GJEOGRAFIKE

Njësia Bashkiake Kalabardhë, që propozohet, shtrihet në jug-lindje të Bashkisë Bulqizë dhe veri të Bashkisë Librazhd. Ka një shtrirje gjeografike rreth 350 sipërfaqe mbi 24.000 Ha tokë të punuar, me një terren kryesisht kodrinor-malor. Nga Lindja kufizohet me kufirin shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga Jugu me Bashkinë Librazhd dhe nga veriu me Bashkinë Bulqizë.

Zona përbëhet nga 25 fshatra dhe përshkohet nga rruga nacionale Peshkopi-Librazhd. Kryeqendra e bashkisë, Ostreni i Madh ndodhet 60 km larg qytetit të Peshkopisë, 50 km larg qytetit Bulqizë dhe 45 km larg qytetit Librazhd, rrugë që akoma është rurale, por ka përfunduar projekti dhe ka filluar asfaltimi i saj nga Librazhdi.

Kalabardha është shumë e pasur me vlerat e saj kulturore dhe artistike. Doket, zakonet, kostumet popullore janë një pasuri e madhe e kësaj zone. Kështu, banorët e Kalabardhës kanë dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e artit, pikturës, shkencës, arsimit, sportit, gazetarisë në rajonin e Dibrës e gjithë Shqipërisë. Mbrojtja dhe mbajtja e kësaj kulture tradicionale të krahinës, si vlerë të shtuar në kulturën tonë kombëtare, kërkon angazhim dhe veprimtari konkrete të institucioneve lokale e vendore.

Klima është kontinentale malore, me dimër të gjatë dhe të ashpër, me reshje dëbore përgjatë gjysmës së vitit dhe me verë të freskët e të thatë. Temperaturat shkojnë më e ulta -17°C në dimër dhe më e larta në verë deri në 28°C, dhe reshjet e dëborës arrijnë deri 2m duke e bllokuar shpesh zonën.

  1. POZITA ADMINISTRATIVE

Me ligjin nr. 7572, datë 10 qershor 1992, “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal” në Kalabardhë u ngritën tre komuna: Ostren i Madh, Trebisht dhe Steblevë. Krahina që deri atëherë përfshihej në rrethin e Dibrës, u nda në dy pjesë: komunat Ostren i Madh dhe Trebisht ishin adminstativisht me Bashkinë Bulqizë, ndërsa komuna Steblevë me bashkinë Librazhd.

Me reformën e re administrative, sipas ligjit 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, tre komunat ekzistuese, Ostren i Madh, Trebisht dhe Steblevë u kthyen në njësi administrative, duke humbur qeverisja vendore e krahinës. Humbja e pushtetit të këshillave lokalë, si organ ekzekutiv të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, mungesa e organit vendimmarrës për zonës, mungesa e vullnetit të mirë e të duhur nga bashkitë Bulqizë dhe Librazhd për politika social-ekonomike të duhura për zonën, mungesa e fondeve financiare si rrjedhim i përqendrimit të tyre në zonat me influenca personale etj. kanë sjellë probleme serioze dhe të rënda ekonomike e sociale në zonë dhe për popullsinë e fshatrave.

Pra, nëse në vitin 1992 me ndarjen e pushteteve, Ostreni, Trebisht dhe Stebleva ishin pjesë e nivelit të parë të qeverisjes vendore, sot nuk janë më pjesë e nivelit të parë të qeverisjes vendore. Kështu, ndarja administrative e deritanishme ka rezultuar e dështuar, rrënuese dhe diskriminuese për krahinën e Kalabardhës.

  1. POPULLSIA

Kalabardha ka një popullsi rreth 6.500 banorësh ose rreth 2.000 familjesh, e përqendruar në 25 fshatrat e zonës. Popullsia e Kalabardhës është tërësisht me etni të pastër dhe me ndjesi shqiptare, pavarësisht spekulimeve të qarqeve nacionaliste sllave. Ata kanë origjinë të pastër iliro-arbërore, për mbrojtjen e së cilës kanë luftuar historikisht kundër pushtuesve sllavë. Kujtojmë veçanërisht luftërat që kanë zhvilluar kalabardhasit kundër serbëve dhe bullgarëve gjatë luftës së parë e të dytë Ballkanike dhe gjatë luftës së parë Botërore, ku fshatrat e Kalabardhës u dogjën tre herë nga serbët dhe një herë nga bullgarët, ku u vranë e masakruan qindra djem e vajza e pleq të pafajshëm vetëm se ishin shqiptarë, ku iu grabitën pothuaj e gjithë bagëtia etj. Qëndresa e kalabardhasve për mbrojtjen e trojeve të veta stërgjyshore ka qenë heroike.

Lëvizjet demografike, të cilat janë karakteristike për rajonin e Dibrës, për krahinën e Kalabardhës kanë qenë të larta. Kryesisht lëvizja ka pasur tendencën drejt qendrës metropolitane në Tiranë e Durrës, por edhe drejt zonave të ulëta ku janë vendosur kryesisht në zonat periferike të tyre.

Është paradoks që ata që ndërtuan Shqipërinë, ata që krijuan shkollën shqiptare të ndërtimtarisë sot po braktisin vendlindjen e tyre për shkak të mungesës së politikave të duhura social-ekonomike dhe keq administrimit të zonës. Kujtojmë se Kalabardha ka pasur 11 heronj të punës dhe dhjetëra laureatë, nën drejtimin e të cilëve janë ndërtuar mbi 400 vepra më madhore të vendit gjatë viteve 1945-1990.

4.1. PUNËSIMI

Popullsia merret kryesisht me blegtori, bujqësi, mbledhje bimësh aromatike dhe medicinale. Emigrimi është baza më e madhe e punësimit. Kryesisht emigrantët punojnë në ndërtim, bujqësi dhe shërbime.

Në tre njësitë administrative janë të regjistruara janë 16 subjekte private, kryesisht në shërbime dhe tregti. Familjarët dalin në treg javor në zonë, i cili organizohet çdo të enjte në Ostren të Madh me produktet e tyre blegtorale të bëra në shtëpi dhe ku vijnë dhe shesin produktet industriale dhe tregtare nga Shupenza, Zerqani, Bulqiza dhe Peshkopia.

Me qëllim zhvillimin e zonës dhe rritjen e mirëqenies së popullsisë nevojitet një politikë e mirëfilltë punësimi e banorëve, në përshtatje me resurset natyrale, njerëzore dhe kulturore të zonës.

4.2. SHËRBIMI SHËNDETËSOR

Në qendrat e njësive administrative funksionojnë formalisht qendra shëndetësore. Qendrat nuk është e pajisur mirë, nuk kanë auto-ambulancë, si dhe nuk kanë shërbim stomatologjik. Në disa fshatra ekzistojnë formalisht ambulancat, por mungon personeli mjekësor. Për mungesë mjekësh dhe për një vizitë mjekësore banorët e fshatrave detyrohen të ikin në Bulqizë,  Peshkopi, Librazhd apo Elbasan.

Nevojitet domosdoshmërish krijimi i një shërbimi shëndetësor efikas për popullsinë e kësaj krahine.

4.3. EKONOMIA LOKALE

Ekonomia lokale kryesisht bazohet në burimet natyrore dhe në menaxhimin e tyre në formë tradicionale. Dega kryesore e ekonomisë lokale është blegtoria dhe bujqësia.

Zona është shumë e pasur me burime natyrore. Malet dhe kodrat janë të gjelbëruara dhe të bukura si një mundësi e mirë për zhvillimin e turizmit, pasi shumë pasionantë dhe vizitorë të ndryshëm i frekuentojnë këto ambiente të bukura malore, përreth të cilave ka pyje, livadhe, burime uji. Ka mbi 70.000 ha pyje të mbrojtura, kryesisht me dushk, ah, pishë e zezë dhe pishë e bardhë si dhe 560 ha kullota. Këto pyje nuk janë dëmtuar dhe ruhen me fanatizëm nga banorët e zonës. Gjithashtu, ka shumë bimë medicinale që rriten në këto pyje. Këto pyje janë të dëmtuar dhe janë faktorë kryesor për erozionin e madh në këtë zonë.

Zona ka dhe burime ujore si burimet e Tuçepit, ku është dhe kanali i madh vaditës, i cili përdoret për vaditje jo vetëm nga njësia administrative Ostren, por dhe nga fshatrat e njësisë administrative Gjoricë, si dhe janë ndërtuar tre hidrocentrale. Zalli i Okshtunit është i pasur jo për vetëm me sasi të konsiderueshme uji por dhe me inerte. Në të janë ndërtuar 3 hidrocentrale të tjerë.

Fauna e zonës është shumë e pasur me lloje të ndryshme gjallesash dhe kafshësh e shpendësh. Përmendim ujkun, ariun, derrin, drerin, kaprollin, dhelprën, lepurin, shqiponjën, thëllëzën, pëllumbat e egër etj.

Bujqësia në zonë nuk përbën degë bazë, por një faktor ndihmës për ekonominë dhe të ardhurat e familjeve të kësaj krahine. Kulturat kryesore bujqësore që kultivohen janë patatja, misri, fasulja, jonxha, gruri, thekra si dhe disa lloje drurësh frutorë si molla, qershia, kumbulla, arra, gështenja e tjerë. Kjo degë e ekonomisë ndeshet dhe me vështirësitë e tjera si kudo në Dibër, ku mungon mekanika, mungojnë farërat dhe pesticidet, ngastrat e vogla, gjë që bën të kemi një rendiment të ulët të prodhimtarisë bujqësore që për rrjedhojë dhe dalja në treg të jetë e vogël dhe të ardhurat për banorët dhe familjet e tyre të jetë e ulët.

Blegtoria ka qenë një nga degët që ka ecur më shumë kohët e fundit. Kjo për arsye se zona e ka pasur për traditë mbarështimin e blegtorisë, por edhe për shkak të rritjes së kërkesave të tregut për mish, produktet e qumështit, vezë dhe mjaltë. Shumë nga banorët e zonës mbarështojnë dele, gjedhë dhe mbajnë dhe bletë për mjaltë.

Infrastruktura dhe shërbimet janë pika më e dobët e njësive administrative, për të cilën mund të themi se mungon fare ose është në cilësi shumë të dobët shërbimi që i ofrohet komunitetit. Kjo për disa arsye: një pasi zona është parë si zonë e thellë, nuk janë investuar fonde në këtë drejtim, kanë munguar projektet dhe programet cilësore si dhe terreni është i vështirë dhe fshatrat janë larg nga njëri-tjetri.

Vetëm një plan konkret i mirë studiuar dhe i mbështetur me mjete financiare do mundësonte një ekonomi të mirë të zonës dhe rritjen e mirëqenies së popullsisë.

  1. DOMOSDOSHMËRIA E KRIJIMIT TË BASHKISË

Kalabardha përbën një krahinë më vete me lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale të përbashkët. Ajo ka qenë historikisht njësi administrative e pandarë, siç ka qenë deri në vitin 1993 në përbërje të rrethit Dibër. Reforma territoriale e 1992 e ndau atë në dy pjesë padrejtësisht, jashtë vullnetit të kalabardhasve.

Aktualisht zona dhe popullsia përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe probleme të shumta shoqërore, sociale dhe kulturore, si: cilësia mjaftë e ulët e shërbimeve në njësitë administrative, infrastruktura e keqe, nuk ka asnjë metër linear rrugë të asfaltuar, shërbim jo i mirë arsimor dhe shëndetësor, mungesa e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike, mungesa e projekteve dhe planeve zhvilluese e rregulluese bashkëkohore dhe të realizueshme, mungesa e investimeve, imazhi i keq demagogjik i krijuar nga sistemi i kaluar për zonën e thellë dhe e pazhvilluar, mungesa e burimeve të mjaftueshme humane, sidomos atyre profesionale, mospasja e një plani për zhvillimin e zonës dhe për zhvillimin e turizmit, çështjet e pronësisë të pazgjidhura. Banorët ndjehen të braktisur pothuaj nga çdo lloj shërbimi, jo vetëm për mungesën e aftësisë së administratave të bashkive aktuale, por edhe nga distanca e madhe nga qendra e Bashkisë, ku fshati më i afërt ndodhet 50 km larg Bulqizës, dhe më i largëti 70 km, që u duhet të lëvizim edhe në rrugë në gjendje të mjeruar, si në mesjetë. Largimi i banorëve nga komuna për në zonat e tjera urbane dhe metropolitane, erozioni, kriza ekonomike globale mund të frenojë investimet e huaja etj.

Vitet e fundit ndjehet një rritje e konsiderueshme e interesit dhe investimeve të banorëve të shpërngulur për tu rikthyer në shtëpitë e tyre të braktisura në vendlindjet, por që ndeshën me vështirësitë e shërbimeve administrative dhe qytetare.

Krijimi i Bashkisë do të sjellë rijetësim të krahinës, të vlerave të saj etno-kulturore dhe zhvillim ekonomik, social e kulturor të popullsisë së kësaj krahine. Sepse zona ka shumë faktorë që e favorizojnë zhvillimin e saj:

  • ka pasuri të shumta natyrore, peizazh i mrekullueshëm malor, të cilat janë një mundësi e mirë për zhvillimin e turizmit malor dhe rural, ekologjik dhe kulturor, që do gjeneronin në të vërtetë të ardhura të larta për ekonominë lokale e rajonale;
  • ka kullota të shumta, tradita në rritjen e të imtave, të cilat janë një mundësi e mirë për shtimin e prodhimit të qumështit dhe mishit, si dhe rritjes së të ardhurave;
  • pyjet dhe bimët medicinale janë burim të ardhurash të mira për ekoniminë e zonës dhe për banorët;
  • karakteri punëtor, specialiteti në ndërtimtari dhe shtegtimi i bën banorët e Kalabardhës të shfrytëzojnë mundësitë për të rritur të ardhurat si dhe duke zhvilluar e shfrytëzuar lëvizjen e lirë në vend dhe në Evropë;
  • shtimi i fondeve nga qeveria qendrore për vendorët dhe programe e projekte të ndryshme që kanë në fokus zhvillimin e zonave malore dhe atyre rurale;
  • programet e ambasadave të shteteve evropiane dhe të Bashkimit Evropian me Qarkun e Dibrës ku mund të përfitojë dhe bashkia me njësitë e saj administrative;
  • asfaltimi i rrugëve, sidomos i rrugës nacionale Shupenzë-Librazhd mundëson lëvizjen e shpejtë për në qendrat urbane të Peshkopisë e Librazhdit si dhe me Elbasanin e Tiranën;
  • pozita gjeografike e favorshme për bashkëpunim me bashki e rajone të tjera dhe me Maqedoninë ku mund të përfitohet nga bashkëpunimi ndërkufitar;
  • tradita e pasur kulturore etj.

Zhvillimi i turizmit kulturor, rijetëzim i një siti antik që mendohet se ka vlera, apo edhe nxitja e ngritjes së agro-turizmit, këto janë ëndrrat, apo si të thuash baza vizionare mbi të cilën qëndron kjo nismë e shoqatës që ka punuar mbi këtë projekt.

Bashkia Kalabardhë do jetë një njësi administrative e qeverisur mirë, me rrugë të rregulluara dhe me rrugën nacionale Peshkopi – Librazhd të asfaltuar, me rrjete ujësjellësish në shumicën e territorit të saj, me kanale të zeza të rregulluara, me shkolla në kushte normale për mësim, me qendër shëndetësore dhe ambulanca në çdo fshat ku ofrohet shërbim me cilësi.

Fshatrat e Ostrenit, Trebishtit, Klenjës, Steblevës, Borovës, Fushë Studës etj. do të jenë vende të bukura dhe për turizëm, nga të cilat do të vijnë të ardhura për banorët e zonës, të cilët do jetojnë në mirëqenie nga ekonomia e tyre dhe në fqinjësi të mirë e bashkëpunim me komunat dhe banorët e pjesës tjetër të krahinës së tyre në Maqedoninë fqinje.

Bashkia Kalabardhë do përbëhet nga tre njësi administrative aktuale, me 25 fshatra:

  • Njësia Administrative Ostren me 12 fshatrat: Ostren i Madh, Ostren i Vogël, Orzhanovë, Kojavec, Lejçan, Okshtun, Oreshnjë, Radovesh, Lladimericë, Tuçep, Pasingë, Tërbaç;
  • Njësia Administrative Trebisht, me 6 fshatrat: Klenjë, Gjinovec, Vernicë, Trebisht Bala, Trebisht Muçinë, Trebisht Çelebi;
  • Njësia Administrative Steblevë, me 7 fshatrat: Steblevë, Borovë, Fushë Studë (Llangë), Zabzun, Sebisht, Moglicë dhe Prodan.
  1. DOMOSDOSHMËRIA E NDRYSHIMIT TË EMËRTIMIT TË KRAHINËS

Toponimia e sotme e krahinës “Gollobordë”, nuk është toponimi i lashtë, historik i saj. Emërtimi i lashtë, antik i saj ka qenë “Kalabardhë”, që do të thotë ata që ndërtojnë kalatë me të bardha, pra me gëlqere. Për qëllimet e veta zaptuese edhe të kësaj krahine, pushtuesit sllavë ia ndërruan toponimin historik të lashtësisë dhe mesjetës nga “Kalabardhë” në “Gollobordë”, sikurse kanë bërë edhe në zona e fshatra të tjerë të trojeve shqiptare. Përdorimi i këtij toponimi sllavë cenon rëndë imazhin e identitetit etnik të kësaj popullsie autoktone, të lashtë në trojet e veta iliro-arbërore, por edhe i shërben politikave nacionaliste të fqinjëve grabitqarë të Shqipërisë.

Ndryshimi i emërtimit të krahinës nga “Gollobordë” në “Kalabardhë”, i sjell identitet krahinës, është një hap që vjen në përputhje me interesat ekonomikë e socialë, traditën, kulturën, lidhjet tradicionale dhe vlerat e tjera vendore të kësaj krahine.

Kërkesa për ndryshimin e emërtimit materializon vullnetin e popullsisë së krahinës, pas një procesi të gjerë konsultimi me banorët dhe intelektualët e kësaj krahine.

PËRMBLEDHJE

Krijimi i “Bashkisë Kalabardhë” është domosdoshmëri për zhvillimin e zonës dhe nevojë jetike për popullsinë e fshatrave të kësaj zone. Duke qenë njësi e vetëqeverisjes vendore, me autonominë e saj vendore krahina do rregullojë dhe administrojë pjesët thelbësore të çështjeve publike, nën përgjegjësinë e saj dhe në interes të bashkësisë, duke zgjidhur shumë probleme social-ekonomike dhe rritur mirëqenien e banorët e zonës.

Duke qenë një unitet administrativo-territorial, sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale, Kalabardha do ribashkohej si njësi etnokulturore më vete dhe do rivitalizoj kjo krahinë e shquar atdhetare e patriotike shqiptare. 

 * Autori është kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Artistike “Hazis Lila”