Dasma


Nga Besnik Lami

Është mesi i gushtit. E diel. Dielli përvëlon nga kupa e qiellit. Larg në horizont, atje ku duket se malet puqen me qiellin ka re që sjellin freski e shpresë për shi nga thatësira e zgjatur tremujore. Rrugët e qyteteve dhe të qendrave të banuara gumëzhijnë nga njerëzit e sidomos nga karvanët e makinave. Këto ditë të nxehta gushti i zbukurojnë më tepër autokolonat e gjata të veturave që lëvizin pa mbarim nëpër rrugët e qyteteve tona, kudo nëpër Tiranë e Durrës, në Elbasan e Berat, në Peshkopi e Shkodër. Ngado që të shikosh në këtë të diel gushti sheh vetëm autokolona veturash të zbukuruara me lajle e lule. Janë autokolona që kane ë brenda dasmorë, kanë brenda çiftet e reja që martohen në këto ditë të bukura vere. Para 30-40 vitesh nuset i merrnim me kuaj. 12-15 kuaj të zbukuruar me sixhade e krushq të veshur me kostume kombëtare venin te miku i ri të merrnin nusen e mbuluar me duvak të kuq. Një kalë i mirë i zbukuruar më tepër se tjerët ishte caktuar enkas për të kalëruar nusja e re.
Dasmorët udhëhiqen nga daja e dhëndrit, nga një djalosh i ri që mban në dorë flamurin kombëtar dhe ahengxhinjtë që u bien lodrave e curleve. Po kohët tash kanë ndërruar dhe në Shqipëri. Jemi në gjysmën e dekadës së parë të shek. Të 21-të. Shqipëria ka ndryshuar, ka bërë hapa përpara në ekonomi, në mentalitet, në politikë e kudo. Karvanët e kuajve që venin të merrnin nusen e re tash i ka zëvendësuar autokolona e veturave të bukura me targa të vendit e të huaja që i kanë siguruar të rinjtë tanë të blera me mund e djersë në vendet ku ata kanë emigruar si Itali, Greqi, Gjermani, etj. Ahengxhinjtë tash i kanë zëvendësuar kasetofonët e altoparlantët e makinave që buçasin nga këngët e bukura të muzikës shqiptare. Në krye të autokolonës prin vetura që mbart kameramanin, i cili fikson në celuloid këto çaste kulmore të jetës së çiftit të ri të shoqëruar me pamje të bukura të natyrës e të qyteteve tona. Pastaj vjen taksia e çiftit të ri e drejtuar nga dhëndri i ri i veshur me kostumin e dhëndërisë dhe nusja e re e veshur me vellon e bardhë. Prapa veturës së çiftit të ri vijojnë 10-12 vetura të mbushur me dasmorë, me goca e çuna të rinj që këndojnë e kërcejnë për gëzimin familjar.
Në boritë e stërzgjatura e muzikën e bukur shqiptare që buçet në ajër, autokolona e dasmorëve kërkon të hapet rruga. Këmbësorët ndalojnë në çast, hapin rrugën e shikojnë gjithë habi e gëzim autokolonat e gjata të veturave që mbartin dasmorët e gëzuar, çiftin e ri që ripërtërin jetën, ripërtërijnë kombin. Autokolonat e veturave që kanë brenda dasmorë e çifte të reja janë pa mbarim. Sa janë jato? Janë 10- 15, ndoshta 20 e më tepër. Këto autokolona veturash me lajle e lule zbukurojnë qytetet e rrugët e atdheut në këto ditë të bukura vere. Ata u japin gjallëri rrugëve të Shqipërisë, fshatrave e qyteteve të saj. Janë shumë. I shikon këto autokolona e të kënaqet shpirti. Martohen çiftet e reja. Trashëgohet jeta. Nga këto martesa të bukura shqiptare gjallërohet e rilind Shqipëria, kombi. Janë të rinjtë që kanë punuar për vite të tëra në Angli, Itali apo Greqi dhe tash në një moshë të pjekur kthehen në vendlindje të martohen me vajza shqiptare, me ato që u ka dash zemra që të trashëgojnë jetën, të gëzojnë familjet e tyre, nënë e babë, motra e vëllezër. Martohen me vajza të bukura shqiptare për të mbajtur të pastër racën tonë, gjakun tonë, traditat tona. Ja, në këtë ditë të bukur gushti bëhet një dasmë e bukur dhe në lagjen treg të qytetit të Peshkopisë. Thuhet se martohet një i ri që ka jetuar që 7-8 vjet si emigrant në SHBA dhe tash kthehet në Shqipëri për t’u martuar me një vajzë të bukur shqiptare. Kjo është tradita shqiptare, instinkti i shqiptarit, të martohet me njerëz nga raca e tij, për të mbajtur gjallë zakonet tona të mira.
Padashur të del nga zemra urimi : Jetë të lumtur, o çifte të reja! U trashëgofshi e shumofshi Shqipërinë për jetë e mot! Çdo martesë rilind jetën, lind një familje e re. Këto të rinj që u martuan sot, nesër përsëri do të marrin rrugët e kurbetit për të punuar, se hë për hë atdheu i tyre s’u siguron punë. Me vete shumica do të marrin dhe familjet e tyre të reja për të trashëguar jetën e për të mos harruar kurrë nënë e babë e familjet e tyre, nënën e madhe Shqipëri.
Udhë të mbarë, o çifte të reja në jetë e në punë! Punoni, mësoni e mos harroni kurrë nënën e madhe Shqipëri! Ajo u pret kurdoherë me krahë hapur e dashuri nëne. Ajo pret gjithmonë më shumë nga ju, që ta forconi e ta zbukuroni atdheun tuaj. Dasma paç përherë, o nënë Shqipëri!