Ibrahim Kolari, një jetë mes sfidash të fituara


Kontributet e Ibrahim Kolarit, këtij njeriu me zemër të madhe, shtohen dhe në Dibër.  Sporti, kultura, arti dhe njerëzit në nevojë, janë gjithmonë pikat e dobëta, kur ai nuk mund t’i thotë jo kërkesës që vjen në emër të tij.

Ndërsa jetonte e punonte në Amerikë, Ibrahim Kolari nuk mund të harronte vendlindjen, atje ku u lind e u burrërua, atje ku u thurrën ëndërrat dhe projektet e para. Ai vinte herë pas here në Dibër, takohej me miq e shokë, ndanin të rejat e fundit nga të dy anët. Por ai e kuptonte që kjo nuk ishte e mjaft. Dibra priste më shumë prej tij dhe shumë bijve të tjerë që emigruan në Amerikë.

Nga OSMAN XHILI

Në foto: Duke diskutuar në një veprimtari të shoqatës atdhetare “Dibra”, në New York.

Ibrahim Kolari u lind në Dibër të Madhe, një qytet i shquar për punë, dije, kulturë dhe veprimtari atdhetare. Është një nga gjashtë fëmijët e familjes së Kolari. Xhaxhai i tij, me të njëjtin emër, u vra në Luftën e Dytë Botërore, në përpjekjet me pushtuesit gjermanë, në fushën e Stremit në Serbi. Emri i tij iu vendos njërës prej rrugëve të qytetit të Dibrës, duke mbetur i gjallë në mendjet dhe zemrat e njerëzve.

Shaban Kolari, vëllai i Ibrahimit të rënë dëshmor, e ruajti emrin e vëllait te njëri prej fëmijëve, si për të treguar se puna dhe vepra e vëllait, trim e zemërluan, vazhdon akoma.

Koha tregoi se Shabani kishte pasur të drejtë. Ibrahimi i ri u rrit në një familje të madhe, të  pasur me tokë dhe e blektori, të pasur në shpirt e bujarë. Sa herë që dikush kishte nevojë për një këshillë apo mendim të qëlluar, i drejtoheshin Shaban Kolarit, babait të Ibrahimit. Sa herë që ata kishin nevojë për ndonjë hua në para apo prodhime bujqësore, i drejtoheshin pa ndrojë babait të tij, të sigurtë se ai nuk i kthente kurrë bosh. Kjo pasuri dhe kjo bujari e ndoqi Ibrahim Kolarin gjatë gjithë jetës, duke shërbyer si motiv, se në pasurinë e njeriut paskan hise dhe njerëzit në nevojë. 

Ibrahim Kolari i ri kishte gjithë energji e ëndrra për jetën. Zoti i kishte falur një trup të gjatë e të bukur, si për tu bërë njësh me shpirtin e tij fisnik. Një herë tentoi të bëhej pjesë e trupës policore, më pas ndryshoi mendje, pasi kishte prirje për mekanikë dhe ndërkohë erdhi koha për të shkuar ushtar. Disa mundoheshin t’i shmangeshin, sa të ishte e mundur këtij detyrimi, kurse Ibrahimi jo. Në mendjen e tij thurrej nje një plan afatgjatë. Ai donte ta mbaronte sa më shpejt shërbimin ushtarak, të pajisej me pasaportë dhe të gjente rrugët e mundësitë për të shkuar në Amerikën, aq shumë të ëndërruar. Shpesh, kur vinin emigrantë nga kontinenti i largët, ai i shihte me admirim të veçantë. Shihte makinat e tyre, shumë luksoze për kohën, dhe dëshironte që një ditë dhe ai të bëhej njëri prej tyre.

Detyrimi ushtarak në Jugosllavinë e dikurshme ishte 15 muaj. Ibrahimi si një shofer i talentuar, i mjeteve të lehta e të rënda, punoi në një sektor të vështirë, në transportin e mjeteve  luftarake. Kësisoj, ai fitoi simpatinë e eprorëve, por dhe shkurtim të shërbimit ushtarak në 10 muaj. Mori në duar pasaportën, shikonte foton e tij. Ishte rritur, ishte burrëruar, ishte bërë me krahë për të fluturuar në dhera të tjera. 

 NJË JETË TË RE NË AMERIKË

Një ditë u nis për në Austri. Nuk donte të qëndronte atje, por e shihte si një hap më pranë ëndrrës së madhe amerikane. Qëndroi një vit në kamp. Kurseu pak dollarë, që mund t’i duheshin ndonjë ditë. Por sërish, në krye të vitit, pjesën më të madhe ia dërgonte familjes, si për t’u treguar se tashmë ai ishte bërë i zoti i vetes. Dhe një ditë fluturoi për në Amerikë, në tokën e bekuar, në tokën e ëndërruar. 

Foto në zyrat e shoqatës VATRA.

Shumë shpejt gëzimi i këtij suksesi u fashit. Kush ishte ai në këtë komunitet gjigand? Kë njihte? Kush do ta ndihmonte për të bërë hapat e parë, ashtu si fëmija i vogël që provon ecjen e fillimit? Po gjuhën që nuk e njihte dhe dukej si memec para të tjerëve? Treqind dollarët e tij, sado me kursim që i përdorte po mbaronin. Ju kujtua Arkimedi, i cili më jepni një pikëmbështetje, dhe unë do ta ngrej botën. Kaq donte dhe Ibrahim Kolari. Një shtytje të vogël, një strehë sa për të kaluar natën dhe një punë dosido. Ishte në gjendje të bënte çdo lloj pune, sado e vështirë të ishte ajo. Sapo i kishte kaluar të njëzetat.

Dy tre javë do të mbeten të paharruara për djaloshin e ri që endej rrugëve të Neë Yorkut, gati me shpresa të këputura. Shumë netë, shpesh edhe i pangrënë, e fjeti në makina të djegura e të braktisura. Ndonjëherë pati edhe dyshime nëse vendimi për të shkuar në Amerikë kishte qenë i duhuri. Ëndërra e madhe që e kishte thurur për vite me radhë, shpesh i dukej se po i shkërmoqej parasysh.

Por shpresa vdes e fundit. Disa miq të largët, vëllezërit Sela, po nga qyteti i tij, që kishin një kompani ndërtimi, i siguruan punë dhe bashkë me të gjeti dhe një strehë normale. Pas një viti punësohet në një tjetër kompani ndërtimi, “Benjamin Roofing”, të Turhan Rusit. Kështu kaluan dy vite, punë dhe përpjekje. Ndërkohë, ai mësonte gjuhën, teknologjinë, shihte se si funksiononin gjërat.

Vetëm kaq ju desh Ibrahim Kolarit për të ngjitur shkallët e suksesit. Teksa punonte në kompanitë që përmendëm, ai projektonte të ngrinte kompaninë e tij dhe një ditë e bëri realitet. Ishte vetëm 23 vjeç, shumë i ri për të hedhur këtë hap të madh, në një vend të huaj, ku konkurrenca ishte mjaft e lartë, por dhe shanset ishin shumë të mëdha. 

Krahas shumë të tjerëve, në kompaninë e re të Ibrahimit punësoheshin dhe tre-katër studentë nga Egjipti për pushimet verore. Njëri prej tyre, ishte shumë i ditur dhe afroi shumë njerëz te xhamia e vjetër në Stejt Neiland. Ibrahim Kolari, tashmë me eksperiencë në ndërtimtari, e shihte xhaminë në një gjendje gati të mjerueshme. Ishin rreth 60 besimtarë që sapo kishin falur të xhumanë.

– Burra, – u thotë Ibrahimi të pranishmëve. – Një ditë tavani i kësaj xhamie mund të na bjerë sipër e të bëhemi gazi i botës. Unë them të grumbullojmë fonde e të ndërtojmë një të re dhe shumë më të madhe se kjo.

Ndoshta të gjithë ata njerëz kishin pritur vetëm një sinjal si ky dhe nuk e bënë më të gjatë. Nxorrën secili nga një shumë dollarësh, që kur u numëruan ishin mbi njëqind mijë. U ngarkua automatikisht Ibrahimi, si i fushës, që ishte të gjente vendin ku do të ndërtohej, të negocionte për çmimin dhe të kujdesej për punimet. 

Ata zgjodhën vendin më të bukur, që normalisht, kushtonte dhe më shtrenjtë. Falë negociatave të Ibrahimit, ai truall u ble për gati gjysmën e parave të ofertës fillestare. Shumë shpejt u hartua projekti dhe u bë grumbullimi i fondeve, që deri në përfundim të xhamisë shuma shkoi në shtatë milion dollarë. Çdo ditë vinin me dhjetra çeqe, ku secili kishte disa mijëra dollarë. Më e bukura ishte se shumë prej tyre vinin nga njerëz të feve dhe besimeve të tjera. Ajo ndërtesë, nuk ishte thjeshtë një vend falje dhe predikimi, por ishte një kompleks multifunksional. Aty kishte bibliotekë dhe salla leximi, kafe, parking, sallë mbledhjesh e konferencash  etj.

Në nisjen e ndërtimit, krahas shumë personaliteteve, u ftua dhe mori pjesë kryetari i bashkisë të asaj kohe, Gay Mollinary. Ai e mori fjalën dhe përshëndeti të gjithë ata që kishin kontribuar në mënyra të ndryshme, që të jetësohej ky kompleks. Mes të tjerash, ai tha se ndërtime të kësaj natyre, kanë rëndësi jo vetëm për ju, besimtarët, por dhe për ne, autoritetet e qytetit. Atje ku ndërtohet një xhami, mbyllet një burg.

Më tej u kalua në zgjedhjen e njerëzve, që do të drejtonin jetën dhe veprimtaritë e këtij kompleksi gjigand. Në krye të emrave kandidatë, pjesëmarrësit vendosën dhe emrin e Ibrahim Kolarit, njeriut, që më së shumti kishte kontribuar të realizohej një projekt i tillë  madhështor. Por Ibrahimi e kundërshtoi me modesti, duke paraqitur arsye të shumta. Ai kishte ngarkesa të shumëfishta dhe ishte gjithnjë në lëvizje. Punë dhe projekte, po kaq të mëdha e prisnin përpara. Atij i mjaftonte posti i nënkryetarit dhe kështu ranë dakort të gjithë. 

Emri i Ibrahim Kolarit  tashmë nuk ishte më i panjohur në komunitetin e madh të shqiptarëve, që jetonin e punonin në Amerikë. Ai kishte arritur deri tek kryesia e Federatës Panshqiptare “Vatra” me seli në Boston, e themeluar nga Noli dhe Konica në vitin 1912. Kryetari i saj, në atë kohë ishte i ndjeri Agim Karagjozi. Ai e fton Ibrahimin të takohen, të pijnë një kafe sëbashku dhe të diskutojnë për projektet e reja të kësaj shoqate. Shumë shpejt Ibrahimi, jo vetëm që u bë një aktivist i zellshëm, por zgjidhet dhe në kryesinë e Vatrës, mes shumë emrave të tjerë shumë të nderuar e të respektuar. 

Të shumta ishin aktivitetet e kësaj shoqate në dobi të çështjes shqiptare. Dita e pavarësisë kombëtare kthehej në një festë të madhe e solemne. Vinin shqiptarë nga gjithë Amerika e largët, duke u solidarizuar, si në një parlament të Diasporës. Kontributet ishin të prekshme e të shumëllojshme. Sjellja e eshtrave të shkrimtarit, filozofit dhe atdhetarit, Faik Konica në atdhe ishte meritë dhe kontribut i shoqatës. Ishte ky një amanet i atij njeriu të nderuar të kombit, që kishte mbetur i parealizuar deri në vitin 1995, kur eshtrat e tij u prehën pranë vëllezërve Frashëri në Tiranë. Ndihma dhe kontributi i Ibrahim Kolarit në këtë veprimtari ishte shumë e madhe, ashtu si zakonisht.

Shumë të mëdha kanë qenë vlerat dhe meritat e shoqatës  për luftën e Kosovës dhe dy vite më vonë për luftën e shqiptarëve në Maqedoni. Nuk kishte nevojë për thirrje e ndërgjegjësim. Ata njerëz dërguan miliona dollarë, rroba, ushqime e armatime për tu përdorur në frontin e luftës. Madje shumë shqiptarë ju bashkuan dhe fizikisht kësaj lufte të madhe dhe pati prej tyre, që ranë në fushën e betejës. 

Ibrahim Kolarit duhet ti bëjmë shumë pyetje, për t’i larguar modestinë, për të zbuluar sadopak nga ai kontribut i tij  personal  në Kosovë dhe Maqedoni. Dhjetra familje merrnin të ardhura mujore direkt prej familjes së tij. Tre vjet më vonë, një nga familjet kosovare i thotë Ibrahimit, se nuk ishte më nevoja tu sillte dollarë në muajt në vazhdim, pasi një djalë i tyre kishte filluar punë në Gjermani. Familja kosovare e falenderonte pa masë atë,  njeriun që u ishte gjendur në ato kohë shumë të vështira dhe lusnin Zotin t’ia shtonte pasurinë dhe bujarinë këtij njeriu altruist.

Disa muaj pas lufte, në vitin 1999, një delegacion shqiptarësh nga Amerika vizitojnë Kosovën. Liria e këtij shteti të ri përzihej me erën e tymit dhe barutit, që nuk ishte larguar akoma. Ndërtesa e dyqane të djegura e të shkatërruara, por që shumë shpejt do të bëheshin të reja nga fillimi. 

Disa vite më vonë një delegacion tjetër shqiptarësh nga Amerika erdhën sërish në Kosovë. Sigurisht, që në mes tyre nuk mund të mungonte Ibrahim Kolari, i kudogjendur sa herë që e thërriste gjaku i shqiptarit. Tashmë Kosova e kishte kaluar emergjencën dhe kishin nevojë të ndërtonin një katedrale të madhe në Prishtinë. Dom Pjetri e pret delegacionin shqiptar, që jo vetëm solidarizohej me ndërtimin e këtij objekti, por kishin lobuar, duke sjellë rreth një milionë dollarë si kontribut. Dom Pjetri kërkon të njohë me emra anëtarët fisnikë të këtij delegacioni. Dom Pjetri surprizohet pa masë. Përveç Ibrahimit, edhe gati 15 anëtarë të tjerë kishin emra muslimanësh. – Si ka mundësi? – pyet Dom Pjetri, muslimanët  e Amerikës të kontribojnë kaq shumë për katedralen në  Prishtinë.

-Dom Pjetri! – përgjigjet Ibrahimi, para shumë kohësh ne ndërtuam një xhami të madhe e të bukur në qytetin ku jetojmë në Amerikë. Krahas shumë muslimanëve që kontribuan, nuk mund të harrojmë dhe vëllezërit shqiptarë të feve të tjera nga Bronksi dhe shumë qytete të tjera, pa ndihmën e të cilëve ai ndërtim do të ishte shumë më i vështirë. Ndaj dhe ne gjetëm një mundësi si kjo, të shlyejmë sadopak atë detyrim moral, që kishim ndaj tyre.  Dom Pjetri e përqafoi Ibrahimin dhe që asaj kohe ata mbetën miq të ngushtë. Për këto dhe shumë kontribute të tjera, Ibrahim Kolari ka marrë mirënjohje të veçantë nga Papa Gjon Pali i Dytë.

 

RIKTHIMI NË DIBËR

Ndërsa jetonte e punonte në Amerikë, Ibrahim Kolari nuk mund të harronte vendlindjen, atje ku u lind e u burrërua, atje ku u thurrën ëndërrat dhe projektet e para. Ai vinte herë pas here në Dibër, takohej me miq e shokë, ndanin të rejat e fundit nga të dy anët. Por ai e kuptonte që kjo nuk ishte e mjaftë. Dibra priste më shumë prej tij dhe shumë bijve të tjerë, që emigruan në Amerikë. Kërkonte ndonjë mundësi se si ta realizonte e ta vinte në jetë. 

Ishte viti 2003. Një nga ndërmarrjet e ndërtimit në Dibër, me emrin “Korabi”, ishte në rrugën e privatizimit. Ibrahimi njoftohet dhe merr pjesë në tenderin e organizuar. Nuk donte të fitonte nga Dibra, donte që Dibra të përfitojë prej tij. Ai u shpall fitues dhe sot, krahas shumë kompanive që operojnë në këtë qytet, një prej tyre, është edhe “Korabi”, duke prodhuar betone të një cilësie mjaft të lartë. Një ekspert i kësaj fushe është shprehur se “cilësia e lartë e betonit që prodhon kompania e Ibrahim Kolari në Dibër, mund të gjendet vetëm në Austri”. 

Kur sapo kishte bërë investimet e para në Dibër, besimtarët e fshatit Kosovrast po ndërtonin një xhami të re. Objekti i kultit kishte mbetur pa minare dhe Ibrahimi ua bëri dhuratë minaren e re, 43 metra të lartë.

Kaluan edhe dhjetë vite të tjerë. Kontributet e Ibrahimit, këtij njeriu me zemër të madhe, shtohen dhe në Dibër. Sporti, kultura, arti dhe njerëzit në nevojë, janë gjithmonë pikat e dobëta, kur ai nuk mund t’i thotë jo kërkesës që vjen në emër të tij. 

Ibrahimi nuk ishte marrë me politikë në Amerikë dhe pse i kishte të gjitha mundësitë. Nuk do ta bënte as në Dibër një hap të tillë, po të mos ishte dashuria për vendin e tij të lindjes dhe dëshira për të ndryshuar shumë gjëra, që mendonte në projektet e tija. Në vitin 2013, kur në Maqedoninë e atëhershme zhvilloheshin zgjedhjet lokale, Ibrahim Kolari kandidon si kandidat i pavarur për kryetar i Komunës së Dibrës. Shumë njerëz e donin në krye të Komunës. Shumë njerëz prisnin ndryshime prej tij. Në koncertin përfundimtar të fushatës u mblodhën mbi tre mijë dibranë në shesh. Kishin ardhur në mbështetje të tij dhe shumë miq nga Shqipëria, Kosova dhe nga Amerika.  Por ndodhën shumë gjëra asaj nate… Megjithatë, Ibrahimi arriti të renditet i dyti nga kandidatët, duke qenë moralisht fitues dhe i kësaj sfide…

Ibrahim Kolari ka një familje të mrekullueshme, që jeton e punon në Amerikë. Djali i madh drejton me kompetencë e profesionalizëm kompaninë që krijoi i jati në rininë e tij. Djali më i vogël është i talentuar për informatikë, kurse vajza ka mbaruar studimet e larta për biznes në Amerikë dhe drejton biznesin e familjes së tyre në Dibër të Madhe. Ibrahim Kolari e ndan kohën e punës dhe të jetës mes Dibrës e Amerikës, duke u bërë kështu një ambasador i shquar i i Dibrës së Madhe dhe dibranëve në Amerikën e largët.