KAJAN KARAFILI
e vërteta e origjinës dhe veprës së Heroit të Popullit


Nga ARIF SHUTINA, studiues

Një të diel, me tre bashkëpatriotë të tjerë intelektualë dibranë, u takuam për një kafe në Kinostudio, Tiranë. Në bisedë, ndër të tjera, ra fjala për figurat e shquara nga krahina jonë Kalabardha (Golloborda). Teksa unë përmendëm Mustafa Qemal Ataturkun, Qemal Stafën, Hazis Lilën, Hasan Muglicën, Elez Koçin, Murat Labunishtën, intelektuali i mirënjohur dibran Qamil Sula na kujtoi Kajan Karafilin.  

– Kajan Karafili është dibran nga krahina e Kalabardhës, – tha ai. Këtë ma ka thënë para dy vitesh kur isha me pushime në Radhimë, Vlorë, një burrë i moshuar pogradecar, ish-ushtarak, që mbanë mbiemrin Karafili e që banonte te Kodra e Priftit në Tiranë. Ai më tregoi se gjyshi i babait të tij kishte dhe një vajzë për të martuar. Në atë kohë në fshat mbërrijnë një skuadër muratorësh nga Golloborda e Dibrës, të cilët i kishin ndërtuar gjyshit të tij një shtëpi, por edhe shtëpi të tjera në fshat. Duke ndenjur në fshat për një kohë të gjatë, ata krijuan një përshtypje shumë të mirë te banorët e fshatit, si punëtorë të palodhur e mjeshtër të shquar, njerëz të sjellshëm e humanë. Veçanërisht binte në sy për këto cilësi një djalë i ri beqar. Gjyshi i tij, pasi ishte konsultuar me të afërmit e shokët i ishte mbushur mendja që ta bënte dhëndër e tia jepte për nuse motrën e vetë. Dhe kështu motra e gjyshit të tij kishte përfunduar nuse te Oshafët në Gollobordë. 

– Po, – i thash. Këtë e di mirë, se origjinën e ka nga fshati im, nga Gjinoveci i Kalabardhës. Kam dëgjuar disa të moçëm nga fshati im që më tregonin origjinën dhe historinë e të atit të Kajan Karafilit, bashkëfshatarit tonë. 

Kjo kujtesë e mikut tonë më shtyu të hulumtojë edhe një herë rreth fakteve jetësore të Kajan Karafilit. Por për çudi, opinioni i gjerë e di që Orhan Kajan Karafili, i njohur si Kajan Karafili, është pogradecar. Dhe historiografia shqiptare kështu e njeh, nga Pogradeci. Këtu ka diçka të vërtetë, por nuk është e vërteta e origjinës.  

Në historiografinë shqiptare të kohës së sistemit komunist ka shumë pasaktësi dhe shtrembërime të fakteve për Kajan Karafilin. Edhe në monografinë e tij ka të tilla. Prandaj në këtë shkrim do hedhim dritë mbi disa fakte historike rreth origjinës dhe jetës së tij. 

***

Orhan Kajan Karafili u lind në fshatin Bllacë të Pogradecit më 1920. Babai i tij quhej Karafil Oshafi, i biri i Karafilit nga fshati Gjinovec i Kalabardhës. Këtë të vërtetë historike e kam dëgjuar në rininë time nga pleqtë e fshatit në konaqet kur mblidheshin në raste gëzimesh apo hidhërimesh. E tregon ende sot bashkëfshatari im, Bajram Oshafi, 87 vjeç, nga i njëjti fis i Karafilit, i cili shquhet për një memorie brilante.

– Gjyshi i Kajanit, Karafili, ishte mjeshtër ndërtimi dhe bashkë me disa bashkëfshatarë të tij iknin në kurbet, siç e kanë pasur traditë zona jonë, për të siguruar mjetet familjare të jetesës, – tregon Bajram Oshafi.  Në vitet e Luftës së Parë Botërore ata punonin në fshatrat e Pogradecit. U pajtuan nga një familje e fshatit Bllacë të Pogradecit të ndërtonin shtëpinë e asaj familje. Bashkë me të atin ishte edhe Karafili, djalë i ri, i pashëm, i fuqishëm, i shkathët, burrëror. Familja e të zotit të shtëpisë e pëlqyen fortë Karafilin dhe menduan që tia japin vajzën e tyre për grua, duke e pranuar të rinte te ata. Këtë ia thanë të atit të Karafilit dhe ai pranoi. Kështu, Karafili u martua me vajzën e familjes nga fshati Bllacë i Pogradecit dhe qëndroi në atë fshat e nuk u kthye më në Gjinovec.   

Dëshmi të tilla gojore për origjinën nga Gjinoveci i Kalabardhës të Kajan Karafilit gjen plot te bashkëfshatarët tanë të moçëm edhe sot. 

Kështu, Karafili u martua me një vajzë nga fisi Ruzi e fshatit Bllacë të Pogradecit. Fshati i njihte me mbiemrin e tij të origjinës, Oshafi, ose Oshafllari sipas dialektit të zonës. Karafilit i lindën katër djem dhe një vajzë. Orhani, i cili mori mbiemrin nga emri i babait të tij, se kështu shënoheshin mbiemrat në atë kohë, në emrin e të atit, ishte i dyti nga fëmijët.

Karafili, i ati i Kajanit, “qe grindur me një farë Nezir Xhemollari, sepse ky i fundit i kish grabitur pushkën, dhe nga frika se mos e vriste Filja (se kështu e thërrisnin në fshat Karafilin – A.Sh.), emigroi në Turqi”. Por si burrë fisnik e i pa nënshtruar, Karafilin nuk e donin “krerët,  agallarët dhe bejlerët e krahinës”. Disa njerëz, ndër ta edhe Sejfulla Agai nga Bratomira, për ta poshtëruar Karafilin dhe djalin e tij të madh, Nexhipin, e martojnë të fejuarën e djalit nga Podgoria me një tjetër. “Nexhipi, i prekur në sedër, e plagosi rivalin e tij. Sejfulla Aga dhe bejlerët e tjerë në këtë plagosje implikuan edhe Karafilin.” Gjyqi i dënoi të dy me nga 20 vjet burg. Nexhipi vdiq nga kushtet e rënda në burg në vitin 1935, ndërsa Karafili vdiq i helmuar po në burg në vitin 1937. Megjithëse në moshë adoleshente, Kajanit i takoi barra e tërheqjes së trupave të tyre nga burgu dhe varrimit, si dhe mbajtja e peshës së familjes për mbijetesë.  

***

Nezir Xhemollari, sapo mori vesh burgosjen e Karafilit, u kthye nga Turqia. Kajani, e mësoi një ditë rastësisht ndodhinë nga biseda e dajës së tij me një mik të tij në një lokal në Pogradec, kur kishte shkuar në pazar për të shitur vezë e për të blerë vajguri e kripë për familjen. Kështu e njohu Nezirin aty, e ndoqi pas te çezma dhe e gjakosi në kokë me një shishe qelqi, për të cilën e mbajtën në polici një ditë.   

Më 1938, Kajan arratiset në Resnjë të Maqedonisë pasi vret xhandarin Sejfulla Aga në fshatin në Bratomirë, të Pogradecit, ka të ngjarë për shkak se kishte poshtëruar dhe arrestuar babain e vëllain e tij në burg. Në Resnjë njihet me Myslym Pezën, i cili kishte ikur në ekzil pas vrasjes së togerit të xhandarmërisë Osman Bali tek Ura e Tabakëve në Tiranë. Kajan Karafili, tashmë nëntëmbëdhjetë vjeçar, u kthye me Myslim Pezën dhe Haxhi Lleshin në Tiranë në korrik 1939 dhe qëndroi pranë Myslim Pezës dhe luftoi me çetën e tij për lirinë e Shqipërisë. 

Kajan Karafili u bë një figurë e madhe e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, i cili dha edhe jetën në luftë për çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashistë. Ai “ka qenë një nga komandantët, luftëtarët dhe atentatorët më me zë gjatë LANÇ-it, i zgjuar dhe trim i rrallë, por dhe shumë i dashur, i papërtueshëm dhe i shpejtë në çdo aksion”. 

Rreth veprimtarisë së Kajan Karafilit gjatë LANÇ-it në zonën e Pezës ka mjaftë “të pavërteta dhe përgojime banale”, sikur paska vrarë një inxhinier italian që merrej me ndërtimin e rrugës dhe gratë e fshatit luanin e kërcenin me kokën e tij; sikur Kajan nuk paska luftuar në ballë të luftës si trim që ishte. Pra, kërkojnë që ta njollosin, ta nxjerrin sot një njeri kriminel ordiner, që vriste këdo që i dilte përpara. Dhe ky është një turp për kalemxhinjtë e stisur e pamoral, që kërkojnë të kthejnë faqen e historisë përmbys, të denigrojnë luftën heroike të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kundër nazi-fashizmit. 

Kajan Karafili ishte luftëtari më i vjetër i çetës trime partizane të Pezës, atdhetar, patriot, që luftoi për lirinë e Shqipërisë. Ai kreu atentate të shumta kundër pushtuesve fashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre si vrasja e spiunit fashist Sinan Bultica më 14 tetor 1941, asgjësimi i spiunit në Varosh të Ndroqit; kreu aksione të vazhdueshme me çetën e tij si aksioni për prerjen e rrjetit telefonik për gjithë vendin më 24 korrik 1942; aksioni për vrasjen e kapiteni fashist Kapllan bej Deliallisi në qytetin e Shijakut më 7 dhjetor 1942; sulmin ndaj autokolonës ushtarake që udhëtonte nga Tirana për në Durrës duke vrarë 16 fashistë, 30 të plagosur dhe 60 vetë të çarmatosur më 27 nëntor 1942; goditjen kundër forcave fashiste të drejtuara nga nëntogeri fashist Ramazan Bali në 20 dhjetor 1942, që “torturoi me qindra dhe vrau më tepër se 22 fshatarë nga Pajana, Greca, Gorrëzi etj. në kuadrin e operacionit të “spastrimit” në zonën e Pezës dhe vrasja më vonë e tij më datë 23 maj 1943; goditjen e postës së karabinierisë në Kavajë më 8 janar 1943; aksioni për goditjen e përqendrimit të forcave të mëdha ushtarake, milice dhe karabinierësh në qytetin e Rrogozhinës më 13 shkurt 1943; aksionet për asgjësimin e vrasësve e grabitësve të popullit të fshatrave të Kavajës Dik Bagosi, Muharrem Sinometa, Him Kanoshi apo fashistit të njohur Irfan Bej Ohri; luftimet në operacionet e fashistëve kundër forcave partizane të zonës së Pezës si operacioni famëkeq i qershorit 1943, në të cilën për morën pjesë rreth 14 mijë trupa të pushtuesit fashist ku mbetën të vrarë dhjetëra fashistë, ndër to edhe koloneli i kavalerisë Ludoviko de Bartolomeo dhe shumë oficerë të tjerë fashistë etj. Në këtë operacion spastrimi 9-ditor, ku armiku dogji mbi 400 shtëpi të fshatrave dhe pothuaj gjithë grurin nëpër arra, përmendim “aktin heroik të Kajanit me njësitin e tij kundër qindra milicëve mercenarë në mëngjesin e datës 17 qershor, në pyllin e Fiollës, për të shpëtuar nga rrethimi një grup grash, fëmijësh dhe pleqsh, që rrezikoheshin nga asgjësimi i sigurt”. Aksione e sulme të tilla Kajani kreu e drejtoi pa fund. 

Më 13 mars 1943, me krijimin e pesë kompanive apo çetave të tjera të Çetës së Pezës, Kajani u bë komandant i një kompanie/çete. Në gusht të vitit 1943 në fshatin Kryezi u inaugurua formimi i batalionit të tretë të grupit të Pezës, komandant i të cilit ishte heroi Kajan Karafili. Kjo kompani e ky batalion partizan, nën drejtimin e Kajanit, me përpjekjet dhe luftimet që zhvilluan, u bënë tmerr për armikun në zonën e Ndroq-Kavajë-Rrogozhinë. Përpjekje të tilla me fashistët e mercenarët ballistë ishin ajo e datës 25 korrik 1943 në afërsi të fshatit Sulzotaj të Divjakës, goditja e grupit italian të artilerisë kundërajrore në kodrat e Saukut të Tiranës, goditja e trupave italiane që pas kapitullimit. Kaluan nën urdhrat e nazistëve gjermanë, sulmi i 20 shtatorit 1943 në kazermat e artilerisë Tiranë, luftimet në rajonin e Urës së Beshirit e të Farkës më 7-9 tetor 1943 etj. 

Sipas dëshmisë së bashkëluftëtarëve të tij, Sali Verdha, Safet Kurti etj., Kajan Karafili u vra në përpjekje me forcat gjermano-balliste më 10 janar 1944, në fshatin Lis-Patros në rrethinat e Kavajës. Gjermanët dhe ballistët kishin inat të madh me Kajanin dhe batalionin e tretë të Pezës, sepse ishin bërë tmerri për zonën e Kavajës. Në këtë përpjekje u vranë edhe komisari i batalionit të tretë Mustafa Lleshi dhe partizanët Bajram Tusha dhe Myrvete Peza, e fejuara e Kajan Karafilit, e cila besohet se vrau veten nga hidhërimi po në atë betejë sapo mësoi se ai ishte vrarë. Të vrarët u varrosën larg fshatit, që të mos gjendeshin nga armiku. Por mbas disa ditë kërkimesh, kolaboracionistët nën drejtimin e komandantit të Ballit për Kavajën, Ram Habili, ish-anëtar i Çetës së Pezës, në bashkëpunim edhe me forcat naziste, “në kundërshtim me normat dhe traditat morale të popullit shqiptar”, i gjetën varret e tyre, i përdhunuan duke i nxjerrë trupat nga varri. Me qëllim për ta ç’mitizuar në popull, trupin e Kajanit e morën dhe për katër ditë e ekspozuan në Kavajë dhe një ditë në Shijak, ndërsa trupat e tjerë i lanë në sipërfaqe, përfshi edhe atë të Myrvetes. Më pas janë rivarros nga fshatarët e Lis-Patrosit. Por populli i Kavajës, “duke mos përfillur urdhrat e autoriteteve pro naziste të qytetit, e ngriti trupin e Kajanit dhe e vendosi në varrezat e qytetit”.

***

Fakt është se Kajan Karafili ishte anëtar dhe atentator i Lëvizjes Nacional-Çlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte një “prej luftëtarëve më të sprovuar të Çetës së Parë Partizane të Evropës në luftën kundër fashizmit”. Luftoi kundër pushtuesit të huaj dhe ra dëshmor me armë në dorë për lirinë e Shqipërisë. Kajan Karafili është shpallur “Hero i Popullit”.