Nuk e dua lirinë duke hedhur poshtë bindjet e mia


(Me rastin e 80-vjetorit të vrasjes së heroit të popullit “Nazmi Rushiti”

Nazmi Rushiti lindi në një familje qytetare të Dibrës së Madhe. Babai i tij Rushiti punonte si lëkurëpunues (regjje lëkure) dhe ua shiste tregtarëve. Me pushtimin serb të Dibrës u detyrua të qëndrojë ilegalë herë arratisej në Shqipëri, në Greqi etj. Më 1922 kthehet nga Greqia dhe vjen në Dovolan. Me shumë përpjekje mundi të siguroj pak tokë dhe u muar kryesisht me bujqësi. Nëna Nebija krahas kujdesit për rritjen e 4 fëmijëve ndihmonte Rushitin për të siguruar mjetet e jetesës.

Nazmiu lindi më 1919, ishte 3 vjeç kur erdhën në Dovalan. Më 1928 në moshën 9-vjeçare hyn në punë shegert tek një këpucar në Dibër të Madhe. Ishte mosha për shkollë, por shkollat shqiptare ishin shumë të rralla. Ece e jaket e babait për të regjistruar Nazmiun në shkollë dështuan. Pas dy vjetësh sorollatjesh u pranua me shumë vështirë më 1930 në konviktin e Internatit në Kastriot. 

Shquhej për zgjuarsi, vullnet të fortë në shkollë. Katër klasë i mbaroi në 2 vjet. Kërkesa për të vazhduar studimet nuk i miratohet, prandaj erdhi në Tiranë. Pranoi të punojë shërbyes tek një tregtar me shpresën se do të vazhdonte gjimnazin. Nota e shkëlqyer që mori në një konkurs i detyroi autoritetet shkollore të fitonte të drejtën për t’u regjistruar në Gjimnazin e Tiranës më 1933. Aty u njoh me Vasil Shanton dhe me bashkëvendasit e tij Demir Gashin e Irfan Hajrullain etj. Ra në kontakt me librat që siguroheshin ilegalisht nga shokët. U regjistrua në shoqërinë “Fryma e re” organizatë jashtëshkollore e nxënësve e krijuar më 1930 për bashkimin e të rinjve përparimtarë. Për të luftuar vjetrën, botën e varfërisë dhe mjerimit duhet luftë, guxim, trimëri, besë, vullnet, bashkim, vetmohim. Në vitin shkollor 1935-36 Nazmi Rushiti ishte skeduar si nxënës turbullues, i rrezikshëm për shoqërinë, rendin, qetësinë, xhandarmërinë, prandaj e transferojnë në gjimnazin e Shkodrës. Atje gjeti një ambient përparimtar më aktiv me Vojo Kushin, Emin Durakun, Hajdar Dushin, Tom Kolën, Xheladin Hanën etj. Regjistrohet në shoqërinë “Besa”. Më 1936 shpërtheu kryengritja e Fierit, u bë demonstrata e bukës në Korçë, greva e punëtorëve në Kuçovë. Më 1938 alarmohet Drejtoria e Shkollës, sepse sipas një informacioni të xhandarmërisë nxënësit e gjimnazit nderojnë në mënyrë bolshevike. Nazizmit i tërhiqet vëmendja!

Nazmiu kishte një pjekuri të parakohshme, shquhej për dashuri ndaj njerëzve të thjeshtë dhe të punës, aftësi për të komunikuar me shokët, që ia rriste çdo ditë e më shumë autoritetin në mesin e studentëve dhe profesorëve por edhe vetë qytetarëve të Shkodrës. Kishte shpirt protestues e kryengritës kundër çdo padrejtësie, kundër regjimit, mbeturinave patriarkale e besëtytnive fetare.

Më 1938 bashkë me një grup shokësh arrestohet, dërgohet në burgun e Tiranës. Stavri Jaho oficer i xhandarmërisë këtu filloi torturat.

Trego shokët? Jeni komunist? Qëndrimi burrëror vuri në veprim kërbaçin. Në gjyq demaskuan regjimin feudo-borgjez, tradhtarët, spiunët që kishin treguar shokët në Organet e Xhandarmërisë si organizatë e prishës të rendit, kundërshtarë të Monarkisë e përmbysjes së saj me luftë, me forcë.

Demaskimi i qeverisë si shkaktare e varfëisë e mjerimit prej Vasil Shantos, Qemal Stafës e Nazmi Rushitit u dha krahë, kurajë e optimizëm shokëve antifashistë të burgosur. Në fund të shkurtit 1939 Nazmiun e gjejmë në Mbreshtan të Beratit për të vuajtur dënimin prej 4 vjetësh. Megjithëse në burg pushtimin fashist të 7 prillit e pritën me protestë, nuk na duhet jeta pa liri! Fashizmi burg për popujt etj. Arratisen së bashku me Vasilin, Eminin Mysafer Asqeriun, Ndoc Mazin etj. Për demagogji, fashizmi shpalli një amnisti prandaj disa prej studentëve u kthyen në gjimnaz.

Më 28 nëntor 1939 të rinjtë e gjimnazit të Shkodrës prishën manifestimin fashist dhe organizuan demonstrata në rrugën e qytetit me parulla “Poshtë fashizmi!”. E filluan gjimnazistët më në krye Nazmi Rushitin, Tom Kolën, Esat Gjyli, Qazim Llazanin, pas tyre erdhën punëtorët, zanatçinjtë, populli i thjeshtë. Qytetarët shoqëruan himnin e flamurit nga dritaret e shtëpive të banimit deri në orët e vona të mbrëmjes. U alarmuan, por edhe frikësuan xhandarmëria, prefekti, drejtoria e shkollës, gjithë administrata fashiste. Filluan masa përjashtuese prej konviktit, ministria e Arsimit e pakënaqur nga Drejtoria e Shkollës i përjashtoi 1 vit nga shkolla. Masa diferencuese u morën për studentët më aktiv, Nazmiu dënohet me 2 vjet internim në Gaeta të Italisë në ishullin Ventotene.

Atje gjeti të burgosur politikë, komunistë, vagabontë, hajdutë, mashtrues, vrasës, antifashist të vendosur etj. “Nuk e dua lirinë duke hedhur poshtë bindjet e mia ishin fjalët e Nazmiut para kuestorit fashist të Kampit të Internimit”. Faleminderit që më dhatë mundësi ta njoh fashizmin në vendin e vet se në vendin tim e kam njohur me kohë.

Në vjeshtën e vitit 1941 kthehet në Shqipëri:

Në shtator 1941 dy xhnadarë shoqërojnë Nazmiun në Maqellarë në zyrën e Prefektit. E priti me këmbët e para siç thotë populli. Zure mend andej nga erdhe? Hiq dorë nga udha e juaj e rrezikshme! Ju jeni shqiptarë zoti prefekt dhe i shërbeni fashizmit. Populli po përgatitet për hakmarrjen e madhe përgjigjet Nazmiu.

Burgu është pak për ju! Duhesh varur! Gjithë popullin nuk mund ta varni zoti Prefekt. Largohu nga Dibra, shko në Tiranë. Lufta kundër fashizmit kishte hyrë në një fazë të re. Ishte themeluar partia Komuniste e cila delegoi Nazmiun si militant të saj në Dibër. Me ide, trakte dhe bomba ishte armatosur. Bashkë me Irfanin, Demirin erdhën në qytetin e lindjen në Dibër të Madhe. Filluan punën, ngjiten traktet në rrugët e muret e qytetit, shtuan radhët me shegërtët, punëtorët, mësuesit e fshatarët. U krijuan grupet edukative me të rinjtë, me gratë dhe vajzat. Kërkohej durim dhe këmbëngulje; Duheshin bashkuar forcat me vullnetarët antifashiste, që kishin filluar veprimet luftarake kundër Italisë fashiste qysh më 6 prill 1941. Ideali për liri i bashkoi Nazmi Rushitin dhe Haxhi Lleshin. I dhanë besën njëri-tjetrit për të ndërmarrë një vepër, që i bëri të pavdekshëm luftën për liri dhe çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi fashist. Rrugë e gjatë me sakrifica të mëdha, një rrugë pa kthim. Pasi hartuan planet filluan pa humbur kohë për veprime e aksione konkrete. Ishin pjekur kushtet për krijimin e çetës partizane të Dibrës. Më 20 qershor 1942 në Zogje u mblodhën komunistët. Nazmi Rushiti, Qazim Prishtina, Zoi Themeli, Irfan Hajrullai, Veli Deva, Dali Ndreu, Esat NDreu, Abedin Shehu, Hilmi Çausholli ngritën celulën e Partisë komuniste për Dibrën, sekretar i celulës u zgjodh Nazmi Rushiti. Celula vendosi të formohet çeta e I partizane e Dibrës me 20 partizanë të pranishëm. Ajo zgjodhi komandant Haxhi Lleshin. Vullnetarët antifashistë të rinj vinin çdo ditë në çetë prandaj filluan menjëherë aksionet në vende strategjike e larg vendeve të banuara për të ruajtur luftëtarët, por edhe popullsinë e fshatrave nga ndeshjet me pushtuesit fashistë.

Aksioni i parë i çetës ishte tek “Gurët e Skënderbeut” afër qytetit të Bulqizës. Këtu kishte luftuar Skënderbeu 500 vjetë më parë kundër ushtrisë osmane. Sapo një kamion i Postës ushtarake që vinte nga Tirana u fut në pritë, çeta hapi zjarr. U vranë 3 ushtarë, u plagosën disa të tjerë. Atë ditë përveç postës, makina kishte gazetën Tomori, e cila ishte shpuar nga plumbat e armëve të partizanëve, kjo i detyroi fashistët të ndalonin shpërndarjen e gazetës.

Aksioni i prerjes së linjave telefonike me 24 korrik 1942. Administrata dhe garnizonet ushtarake u vunë në alarm, mbeten pa ndërlidhje të Dibër të Madhe Peshkopi, Gostivar, Zerqan, Burrel me Tiranën. Pranë çetës vërshuan dhjetëra e dhjetëra partizanë lufta çlirimtare rritej çdo ditë e më shumë.

Më 16 shtator në mbështetje të konferencës së Pezës, vetë Nazmiu udhëhoqi aksionin në minierën e Bulqizës. Nazmi Rushiti, Demir Gashi së bashku me 3 shokë nga Gryka e Madhe hartuan planin në shtëpinë e patriotit Cen Puca, për vrasjen e Stavri Jahos kapitenit fashist në Zerqan. Stavri Jaho ishte organizator i masakrave të popullsisë së pafajshme të Pezës, torturave në burgun e Tiranës, vetë Nazmiu ishte viktimë e këtij e xhelati. Në Dibër kishte ardhur si dorë e fortë “për të shkulë nga rrënjët lëvizjen antifashiste Nacionalçlirimtare. Këtë atentat e mori përsipër vetë Nazmiu me Demirin, Sul Hasanin, Veli Zogun e Mustafa Shehun. Me gjakftohtësi Nazmiu e kryeu misionin me sukses; Në tërheqje e sipër kapërcen një mur të lartë, u rrëzua dhe ra pa ndjenja. Fashistët e kapën, rezistenca dhe trimëria e tij i habitën dhe hutuan armiqtë. Një ditë më vonë e dërguan në burgun e Peshkopisë në një autoblind të shoqëruar nga dhjetra xhandarë. Trupi i të riut antifashist provoi torturat më të rënda; ai dha jetën, fjalët e fundit ishin Rroftë Lufta Nacionalçlirimtare, vdekja fashistëve dhe tradhtarëve.

Vepra e dëshmorëve, heronjve të popullit, si Nazmi Rushitit me shokë do të rrojë me shekuj, brez pas brezi në mendjet dhe zemrat e popullit të rinisë dibrane.

MORENA RUÇI

Drejtore e Muzeut

Peshkopi