Klodian Tanushi, përjetësimi i heroit të paqes në shkollën 9-vjeçare Qesarak


Në Qesarakë, Lagje 12 e kryeqytetit, përurohet shkolla 9-vjeçare që do mbajë emrin e tij. Gazeta “Rruga e Arbërit” e paralajmëroi që para një viti

Nga Halil RAMA

Një vit më parë, Gazeta “Rruga e Arbërit” Nr. 12 (184) Dhjetor 2021, që në faqe të parë njoftonte titullin“Një shkollë me emrin e heroit të paqes, Klodian Tanushi”.“Ishte kjo një kërkesë e babait të Heroit, ish-ushtarakut shembullor Basri Tanushi, mbështetur edhe me propozimet konkrete të dy organizatave të veteranëve: Org. së Veteranëve të LANÇ dhe Org. Bashkuar e Veteranëve të LANÇ (OBVL).

Në këtë kërkesë legjitime ato u motivuan nga libri monografik “Klodian Tanushi, Heroi i Paqes”, botim mjaftë cilësor i “M&B”, që si rast unikal ka për autor pikërisht babain e tij. Pikërisht vlerat e kësaj vepre monumentale qenë motivi i propozimeve të dy organizatave të veteranëve, të cilat pasi morën miratimin e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, më 2 Tetor 2022 u finalizuan me përurimin e shkollës me emrin e heroit “Klodian Tanushi” në Qesarakë.

FAMILJA TANUSHI, E ANGAZHUAR PËR MBARËVAJTJEN E SHKOLLËS QË MBAN EMRIN E KLODIANIT

Padyshim që babai, bashkëshortja, dy djemtë dhe vajza e tij e vogël qenë më të lumturit e kësaj dite, duke e konsideruar këtë akt si ringjallje të Klodianit. Babai i tij, Basriu, pasi falënderoi përzemërsisht anëtarët e Këshillit Bashkiak, Kryeministrin Rama, kryebashkiakun Veliaj dhe deputetin Xhemal Qefalia për mbështetjen që i dhanë kësaj nisme, shprehu kënaqësi dhe krenari të veçantë. “Është kënaqësi, por dhe krenari për mua, që të them dy fjalë zemre sot në këtë ditë të veçantë, e cila për mua dhe gjithë familjen Tanushi, shënon një epokë të re, atë të Rilindjes të djalit tonë Klodianit, me rastin e përjetësimit të emrit të tij në këtë shkollë kaq të bukur”, u shpreh ndër të tjera Basriu.

Ai e konsideroi përjetësimin e emrit të të birit në një nga shkollat me arkitekturë moderne të kryeqytetit, si vlerësim për Klodianin, nderim për familjen, por edhe si obligim për fëmijët e Klodianit, të cilët e prisnin me pa durim këtë ditë.Ndërkohë, Ai i shprehu një falënderim të veçantë Kryeministrit Rama, që sipas tij në çdo çast i është gjendur pranë Familjes së heroit të Paqes Klodian Tanushi, për zgjidhjen e të gjitha problemeve që kanë pasur.Kjo shkollë, ashtu si shumë të tjera, nga dje do të mbajë emrin e një dëshmori të kombit, i cili, me dëshirën, guximin dhe vendosmërinë për të shpëtuar jetë të tjera, sakrifikoi jetën e tij në ditët më të bukura.

Me aktin e tij heroik, Ai nderoi jo vetëm familjen, por gjithë Shqipërinë, duke i treguar botës se ç’është shqiptaria. Pikërisht për këtë, duhet konsideruar si e drejtë legjitime kërkesa e babait të tij, bërë publike në këtë event mbresëlënës, që trupa pedagogjike e kësaj shkolle të angazhohet maksimalisht në procesin edukativ, mësimor e shkencor, për të bërë të mundur që kjo shkollë të renditet ndër shkollat më të mira të kryeqytetit. Dhe për këtë ky prind shembullor shprehu angazhimin dhe premtimin e Familjes së tij për të qenë gjithnjë pranë tyre, duke i takuar e biseduar dhe duke kontribuar sipas mundësive për mbarëvajtjen e shkollës.

SAKRIFIKOI JETËN PËR ATDHEUN

Më 2 tetor 2022, në përurimin e një prej shkollave të reja që është hapur këtë vit në Tiranë, së cilës i është vendosur emri “Klodian Tanushi, në nder të ‘Dëshmorit të Atdheut’, majorit që humbi jetën në krye të detyrës në Letoni”, Kryeministri Rama që ishte i pranishëm në përurimin e saj në Qesarakë, me kushte dhe hapësira moderne, ndër të tjera vlerësoi aktin e heroit të paqes që sakrifikoi jetën për atdheun, duke mbetur shembull frymëzimi për të rinjtë.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se ky gjest tregon se sakrifica e majorit do të mbetet në kujtesën kombëtare, ndërsa vlerësoi punën e tij në shërbim të atdheut. Rama u shpreh se shembujt të tillë duhet t’u prezantohen fëmijëve e të rinjve në shkolla si frymëzim për përkushtimin që kanë dhënë ndaj atdheut.

“Më vjen mirë që jam këtu sot, sëbashku me familjen e të ndjerit dëshmorit Klodian Tanushi, me të atin, me zonjën, me fëmijët të cilëve asgjë nuk ua kthen dot njeriun e tyre të zemrës dhe asgjë nuk ua mbush dot boshllëkun e madh të mungesës së pranisë së tij, por së paku me këtë gjest ne u themi se sakrifica sublime e djalit, e bashkëshortit, e babait i përket tanimë kujtesës sonë kombëtare dhe i përket edhe vazhdimësisë së mesazhit të një jete të humbur në shërbim te atdheut, për të gjithë këta vogëlushë të cilët duhet t’i njohim me Klodianin, me faktin që ishte fëmija i një familje shumë të thjeshtë, i prindërve të zakonshëm dhe që e beri diferencën pikërisht duke qenë në lartësinë e detyrës ndaj atdheut.

Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj, duke kujtuar figurën e Major Klodian Tanushit, Veliaj tha se heronjtë e sotëm janë ata që nderojnë kombin edhe pas vdekjes.“Sot është një ditë e trishtë sepse kujtojmë shokun tonë, djalin tuaj që nuk është më, por një gjë është e sigurt: ky emër, kjo shkollë do të jetë këtu në jetë të jetëve. Para disa ditësh, Klodiani do të kishte mbushur 42 vjeç, fiks sa mosha ime sot, por na la një reputacion të jashtëzakonshëm, prandaj duhet të jeni krenarë. Sot kemi nevojë më shumë se kurdo për frymëzim..Sot kujtojmë një dëshmor, dje kujtuam një profesor. Kujtojmë njerëz që kanë dhënë kontribute, të cilët nuk thonë çfarë do të bëjë Shqipëria për mua, por unë çfarë do të bëj për Tiranën dhe Shqipërinë.”, tha veliaj.

Jeta dhe vepra heroike e Klodian Tanushit u vlerësuan gjithashtu edhe nga ministrja e Arsimit, Evis Kushi, dhe nga deputeti i zonës, Xhemal Qefalia.Shkolla ‘Klodian Tanushi’ është një prej 12 shkollave të reja që është hapur ketë vit të ri shkollor në Tiranë, ndërsa ka një kapacitet për 600 nxënës.

KLODIAN TANUSHI NË PANTEONIN E VLERAVE TË KOMBIT

Nëse në kampin e NATO-s në Letoni është vendosur një memorial për Klodian Tanushin dhe Zarife Hasanajn, të cilët humbën jetën pas shpërthimit në bazën e NATOs në Letoni, vendosja e emrit të Klodianit shkollës së re moderne në Qesarakë që u përua dje në një atmosferë mjaftë festive, në zonën ku jeton familja e tij, duhet konsideruar e vlerësuar si një vendim historik i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.

Kjo, edhe për faktin se në librin e babait të tij gjen mesazhe vlerësuese të personaliteteve ndërkombëtare e vendase që e vendosin Klodianin në panteonin e vlerave të kombit.Mjafton të perifrazojmë qoftë dhe ministrin e Mbrojtjes të Letonisë, Artis Pabriks, se “Letonia është shumë mirënjohëse për aleatët tanë nga Shqipëria, për kontributin e tyre në praninë e zgjeruar të NATO-s në grupin e betejës”. Nëse në Ditën Kombëtare të Dëshmorëve në Letoni përkujtohen dëshmorët më të rinj të Shqipërisë, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife Hasanaj, s’ka dyshim që në vendlindjen e tyre ata duhen përkujtuar më me madhështi. Ndaj dhe emërtimi i kësaj shkolle me emrin e Klodianit ishte vendimi i mirëpritur nga komuniteti.

Jeta e Klodianit, Zarifes dhe shumë të tjerëve që shërbyen dhe ranë heroikisht në misionet paqeruajtëse, flet për dinjitetin e gjakut që nuk bëhet ujë, për shembullin e krijuar që nga marrja e qumështit dhe këshillave të para të nënës e babait në djep, deri në përfshirjen në këtë familje të madhe të Forcave të Armatosura, e cila është e përkushtuar për të mbrojtur bashkësinë e madhe të njerëzve të këtij vendi dhe të Aleancës. Ata na tregojnë se paqja ka një çmim. Dhe siç shkruan Kamber Faruku në parathënien e këtij libri: “Lapidari përkujtimor i djalit flokëverdhë dibran, majorit të NATO-s, Klodian Tanushi, atje në Letoninë e largët, është një simbol i miqësisë mes popujve, që bën krenar jo vetëm familjen e Klodianit, nënë Lumen dhe babë Basriun, por çdo shqiptar.

Ai lapidar i heroit të NATO-s është në sintoni me trimërinë dhe humanizmin shekullor të popullit shqiptar, i cili është ndezur si qiri edhe për lirinë e të tjerëve. Mijëra njerëz, në shekuj, do të qëndrojnë të heshtur dhe kuriozë para asaj pllake përkujtimore, si në një vend të shenjtë. Do lexojnë aty, do pyesin, do mësojnë dhe do nderojnë këtë luftëtar të përjetshëm të paqes”. Madje, sipas redaktorit Faruku, ky është filli i kuq, i cili përshkon këtë libër, të shkruar me ndjenjë prindërore nga i nderuari dhe i papërkuluri me një karakter burrëror, Basri Tanushi.

Major Klodian Tanushi humbi jetën më 10 maj 2019, pasi nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni.Major Tanushi u largua duke lënë pas gruan dhe tre fëmijët, më të voglin vetëm një vjeç.Në letoni humbi jetën edhe nëntetar Zarife Hasanaj.

Të dy ishin pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “WnhancedForwardPresence” në Letoni, për asgjësimin e municioneve eksplozive në Letoni. Zarife Hasanaj, humbi jetën menjëherë në vendngjarje me datë 6 maj 2019, ndërsa Klodian Tanushi u nda nga jeta disa ditë më vonë në spital, pa u rezistuar dot plagëve të marra nga shpërthimi i eksplozivit.

Major Klodian Tanushi, pas rënies heroike në krye të detyrës, me vendimin nr.786, datë 13.5.2019, të Komisionit të Posaçëm Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, u shpall “Dëshmor i Atdheut”.Me urdhrin nr.706, datë 31.5.2019, të ministrit të Mbrojtjes, i jepet “Medalja e Nderit”, ndërsa me urdhrin nr.554, datë 11.5.2019 të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i jepet medalja “Luftëtari”. Më 10 maj 2021, Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta, me një ceremoni të posaçme solemne, dekoroi me “Dekorata e Artë e Shqiponjës” dëshmorin major Klodian Tanushi (pas vdekjes).Gjatë karrierës së tij ushtarake qe vlerësuar: Me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forcës; Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm; – Medalje “Shërbimi në Mision jashtë vendi”; -Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes; – Medaljen e “Mbështetjes” nga Komandanti i Komandës Mbështetëse. Me vendimin nr.09, datë 23.12.2019, të Këshillit të Qarkut Dibër, Klodian Tanushi është shpallur “Qytetar Nderi i Qarkut Dibër”.

Këtyre vlerësimeve të rëndësishme iu shtohet dhe një vlerësim tjetër me shumë vlerë. Para dy vitesh, një vlerësim e nderim të lartë i bëri djaloshit trim dibran, major Klodian Tanushit, edhe Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Dibrës, me kryetar z. Sokol Sava. Ky këshill, me vota unanime, me vendimin nr. 60, datë 10.4.2020, vendosi që rruga nga kryqëzimi i fundit i bulevardit me rrugën e Pollozhanit, deri tek ish-Shkolla Bujqësore (Karburanti) të emërtohet rruga “Klodian Tanushi”. Kësisoj, major Klodian Tanushi, “Dëshmor i Atdheut”, do të jetë përditë e për çdo kohë në mesin e banorëve të këtij qyteti, në kujtesën dhe shpirtin e tyre.