Rrugëtimi profesional i një minatori


Shefqet Duriçi, novatori e muzikanti i shquar në Bulqizë

ME RASTIN E 75-VJETORIT TË MINIERËS SË KROMIT BULQIZË,1948-2023.

Nga Bashkim Lami

Në fisin Duriçi në Vajkal me traditat më të mira patriotike, dallohej në vite përpjekja për të jetuar me dinjitet duke punuar, por më veçanërisht në këtë shkrim do të sjellim një familje zanatçinjsh në disa breza. Shefqet Duriçi ka lindur më 1942 në Vajkal Bulqizë në një familje zanatçinjësh dhe të përkushtuar ndaj punës, babai i tij Asllani dhe xhaxhai Arifi kanë qenë mjeshta të ndërtimit të shtëpive bashkë me Ismailin e Selmanin, por edhe të punimit të orendive shtëpiake, për të jetuar me ndershmëri dhe për të arritur objektivat për të edukuar e shkolluar fëmijët, që të bëhen të zotët për jetën e tyre. Le të njihemi me disa nga aspektet e jetës së Shefqetit në periudha e vende të ndryshme, që na tregojnë rrugën e rritjes së tij profesionale në fusha të ndryshme. Shkollimin fillor e mori në vendlindje dhe atë 7 vjeçar në qytetin e ri të Bulqizës në shkollën e natës si mundësi e vetme në atë kohë. Kur Shefqeti ishte14 vjec filloi të bënte punë të ndryshme me dorë me llamarina dhe familja u bindën se ai ka aftësi të veçanta për të bërë shumë lloj punësh. Babai tij, Asllani i sjell një ditë sahatin e xhepit të mikut të tij, Dile Marini, që ishte i prishur dhe Shefqeti arriti ta riparoj e sahati punoi shumë në rregull. U kënaq vetë Shefqeti, po ashtu u kënaq i ati dhe miku i tij. Kur bleu një sahat dore tip “roskop”, Shefqeti dhe vëllai i tij Zeneli i morën lejë të atit dhe e hapën e mbyllën disa here, deri sa arritën të mësojnë rradhën e çmontimit të pjesëve dhe e montonin përsëri e kthenin në gjendje pune.Edhe vëllai vogël Esati i ndoqi i përqëndruar në këtë aksion. Me këtë përpjekje vëllezërit arritën të aftësohen e të njohin ndërtimin e funksionimin e sahatëve. Kur ishte në punë motorist në “kompleksin 41” arriti të ndërtoj një sahat xhepi krejt me punë dore. I është dashur rreth një vit, që u aftësua për të riparuar orat. Jeta e Shefqetit dhe talenti i tij janë shumë interesante e mbresëlënëse, pasi kur ishte vetëm 15 vjeç arriti të krijoi ide novatore, që çuditën specialistët inxhinierë, sepse atëherë Shefqeti kishte vetëm 7 klasë shkollë. Ata nuk e dinin se ky djalë i ri me trup mesatar e shikim të përqëndruar, për të përvetësuar çdo këshillë dhe për të analizuar çdo ndodhi, apo pengesë që i dilnin në proceset e punëve, që shikonte rreth e qark në ambjentin industrial, ku punonte. Jeta e tij është mbushur me mbresa, sfida e arritje që e shoqëruan në punë e shoqëri, duke qenë i suksesshëm si ai.

SHEFQETI U RRIT ME PASIONIN PËR TË ZBATUAR TEORITË SHKENCORE NË PRAKTIKËN E PËRDITËSHME.

Shefqet DuriçI ka filluar punën në vitin 1957, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe dukej se kishte pasion të jetë pranë makinerive, prandaj që në javët e para e caktuan motorist në galerinë 41. Në vitin 1958, Shefqeti shikonte me vëmendje, se si punëtorët i shkarkonin ca kosha metalik të mbushura me krom e të varur me dy rrotulla në një kavo çeliku, ku lëviznin me shpejtësi lart e poshtë. Fillon të mendojë nëse këtë punë të punëtorëve, a është e mundur të bëhet automatike, që veprimi i shkarkimit të karrelave të teleferikut, që transportonte mineralin e kromit nga Zona e “I” tek rruga automobilistike në qytet, të kryhej më shpejt. E mendon dhe e skicon idenë deri sa arrin të bindet, se ja arriti qëllimit. Shokët e punës e pëlqyen idenë e Shefqetit dhe sapo vjen inxhinieri i tregojnë për këtë. Në debatin teknik Shefqeti e bind inxhinierin për idenë e tij dhe më pas këtë ide e mësuan edhe specialistë në ndërmarrje, ku ishte një komision, që shqyrtonte idetë për shpikje e racionalizime, që drejtohej nga inxhinieri Halim Alihasani, i cili ishte edhe kryetar i degës teknike. Në këtë komision ishte kryetar Fadil Ngjelina, inxhinier energomekanik. Në këtë komision shqyrtoheshin shpikjet për mekanizimin e proçeseve, që sillnin edhe leverdi ekonomike për ndërmarrjen. Duke spikatur aftësitë teorike e praktike të Shefqetit, Fadili e bën Shefqetin 17 vjeçar anëtar të këtij komisioni pranë drejtorisë së ndërmarrjes në vitet 1958 – 1959.
I riu pasionant Shefqeti propozon në komision shpikjen tjetër, se si mund të ndizeshin në mënyrë automatike dritat e kampit të burgut edhe kur mungonte personi i ngarkuar me këtë detyrë, që në atë kohë ishte Ramiz Basha nga fshati Dragu. Në këtë kohë Dhimosten Malo, drejtor energomekanik në Ministrinë e Industrisë e Minierave Tiranë, njihet me projekt idenë e Shefqetit dhe i kërkoj që ta mbronte këtë ide, se si e realizon ai çdo hap të këtij novacioni që ishte një skemë mjaft e ndërlikuar, por Shefqeti e mbrojti idenë e tij me sukses. Kjo ide nuk gjeti miratim për tu zbatuar edhe pse qëndronte teknikisht, për arësye të rregullores së sigurimit teknik, që kërkonte, se cili person do të mbaj përgjegjësi në rast difekti të paisjes. Dhimosteni bashkë me drejtorin Sinan Xhemili e Tosum Spahiun, duke parë aftësitë e Shefqetit vendosën ta propozonin në ministri, që ta dërgonin atë, për tu specializuar në BS, por në ato ditë ndodh prishja e marrëdhënjeve dhe u kthyen nga BS edhe studentët që ishin atje me studime, atëherë kjo mbeti për Shefqetin vetëm një ëndërr,
Pasi kthehet Shefqeti nga ushtria në vitin 1962 në Bulqizë, ka kërkuar të filloj riparues orash në ndërmarrjen e shërbimeve, pasi këtë aftësi e fitoi qysh në vegjëli. E dërgojnë në Peshkopi tek dyqani i orëndreqësve, ku ka dhënë provat me orëndreqësin Qemal Rustani. Është kthyer në Bulqizë dhe ka hapur dyqanin e riparimit të sahatëve, ku ka punuar dy vite.
Shefqeti kishte pasion edhe muzikën dhe ka blerë një fizarmonikë të shkatruar që e rregulloi vetë gjithë tastot dhe filloi të luaj pjesë të thjeshta, pastaj Ai bleu fizarmonikën e vogël Hazis Camit dhe me atë ka studjuar partitura dhe arrin të luaj pjesë popullore, të këngëve të lehta, vallëzimet, tango, rumba, valse, etj dhe për afër një vit ai është aftësuar në këtë instrument dhe ka filluar të marrë pjesë në aktivitetet artistike në Bulqizë.

PROFESIONIST I SHQUAR BËHESH, KUR KE PASION PËR TË STUDIUAR E PUNUAR ME VULLNET E DASHURI, PËR TË GJETUR ZGJIDHJE TË REJA TË PROBLEMEVE.

Në Bulqizë qenë ndërtuar çentrali elektrik diezel 1250 kilovat/orë dhe afër tij edhe ofiçina, ku u vendosën dy torno, një trapan bango, një frezë, reparti i saldimeve e kovaçanë. Shefqeti fillon punën në vitin 1964 në ofiçinën e minierës në fillim axhustator, dhe për pak muaj ai mësoj të punoj në të gjitha makinat, si tornitor, frezator, pra ishte një mekanik talent që “çfarë i shihte syri, ja bënte edhe dora”. Këto mjeshtri ai i kishte njohur në sajë të pasionit që kishte gjatë kryerjes së punëve, që ju bënte analizë të hollësishme situatave problematike profesionale me specialistët e asaj kohe, si përgjegjësit e ofiçinës Encio Xhimitiku, Ilia Kocaqi e më pas Faik Shehu. Ata ishin mjeshtra të vërtetë për kohën, por për tu marrë zanatin nuk ishte e lehtë, sepse duhej tu rrije pranë dhe ti shikoje me vemendje, se si ata i përdornin mjetet e punës e makineritë që kishte në atë kohë ofiçina. Ai shikonte me kujdes çdo veprim të tyre në punët mekanike e elektrike gjatë shërbimeve të përditëshme. Në atë kohë në ofiçinë punonin tornitor Osman Lala, Dilaver Spahiu, Vebi Konesha dhe Esat Keta, axhustator Lutfi Loka, në kovaçanë Rexh Toluli e vëllezërit Arif dhe Kadri Selmani, etj. Shefqeti krahas punës studionte vetë në librat e fizikës dhe manualet mekanike dhe elektrike, që i binin në dorë, si dhe në librat që shoqëronin makineritë sovjetike apo kineze që i sillnin dhe i montonin në sektorët e minierës.
Sapo në Bulqizë më 1967 u hap shkolla e mesme e natës, Shefqeti dhe disa të rinj të tjerë u regjistruan menjëherë, për të vazhduar këtë shkollë. Në shtator 1968 shkolla u kthye në profesionale me tre degë, miniera, gjeologji dhe elektromekanike dhe Shefqeti regjistrohet në atë degë që lidhej edhe me punën që bënte, sepse e ndihmonte në ngritjen e nivelit teorik dhe profesional.
Në vitin 1969 Shefqetin Komiteti Ekzekutiv i rrethit Dibër e caktojnë të punoi në ofiçinën NBSH Peshkopi, ku Xhetan Xhika e aktivizoj të punonte në fillim saldator, por Shefqeti ndiqte me kureshtje çdo proçes pune që bëhej aty, si në ofiçinën e minierës në Bulqizë.
Në Peshkopi Shefqeti është marrë edhe me muzikën, pasi qysh më herët në Bulqizë arriti të mësoj me vullnet përdorimin e fizarmonikës. Ai kishte aftësi për ti luajtur pjesët muzikore me shumë saktësi dhe lëvizje shumë të shpejtë të gishtave. Bashkëpunimi me kompozitorin Tonin Rrota, muzikantin e estradës Lahim Kola dhe këngëtaren Melita Shehu, bëri që ai të realizoj me sukses shumë pjesë muzikore. Në vitin 1969 në Peshkopi është organizuar një konkurim i estradave amatore të disa ndërmarrjeve të rrethit. Shefqeti këtu ka qenë drejtues artistik dhe fizarmoniçist i ansamblit amator të SMT-së e NBSH-së. Gjatë verës ka punuar në Peshkopi fizarmoniçist me orkestrën që luante muzikë në lulishtën verore “1 Maj” dhe për disa kohë edhe me orkestrën e hotel “Korabi” në Peshkopi.
Në vitin 1971 Shefqeti rikthehet në Bulqizë dhe fillon punën elektromekanik në Fabrikën e Pasurimit të Kromit që sapo kishte nisur prodhimin e koncentratit. Gjatë kësaj kohe Shefqeti përfundon shkollën e mesme për elektromekanik dhe është regjistruar për të vazhduar shkollën e lartë me korespondencë në degën e fizikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të UT, por vështirësitë e mëdha të punës e penguan të plotësoj këtë objektiv, megjithëse tekstet e fizikës, manualin e metalikës në dy pjesë, detale makinash me autorë sovjetik, teknologji mekanike, rezistencë materiale, etj, i kishte studjuar prej shumë kohësh, për të njohur teoritë e fizikës, që i duheshin, për të kuptuar disa proçese teknike, që i dilnin përpara në praktikat e punëve të përditëshme.
Në vitet 1973 – 1974, kur Jaho Fasliu ka qenë kryetar i Bashkimeve Profesionale e morën Shefqetin në shtëpinë e kulturës, ku përgjegjëse ishte Tefta Rusi e më pas Bajram Kola, ndërsa Liman Okshtuni ishte operator i filmit në kinema dhe Shefqeti e zëvëndësoi Limanin për shfaqjen e filmave për një kohë. Shefqeti këtu ishte drejtues artistik i orkestrës dhe pregatiti ansamblet popullore e estradën dhe drejtoj një kurs katër mujor, për pregatitjen e muzikantëve të rinj Azem Teta, Selman Selmani, Ferit Shehu, etj, me mësime teori e praktikë në fizarmonikë. Në shtëpinë e kulturës Shefqeti vazhdoj deri kur erdhën me punë në kinoklubin e qytetit, drejtor Hysen Dërvishi regjizor dhe Xhelil Ymeri kompozitor. Shefqeti e ka vazhduar përdorimin e fizarmonikës deri në vitin 1985.
Shefqeti rikthehet përsëri me punë në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në ofiçinë, përgjegjës i repartit elektromekanik, ku i gjithë grupi i specialistëve kishin detyrë, që të mirëmbanin makineritë e fabrikës. Shefqeti edhe këtu ku ai ka punuar për një kohë të gjatë ka shfaqur në vazhdimësi ide novatore për të zgjidhur problemet në rastet e vështirësive që çfaqeshin në repartet e fabrikës. Në 17 vjet nga 1974 – 1990 Shefqeti ka drejtuar kurset e kualifikimit të fabrikës, për mekanikë, elektriçistë, xhenerikë, saldatorë, hidraulikë, etj, që vazhdonin për 4 muaj, një herë në dy vjet dhe merreshin në prova për të mbrojtur kategorinë profesionale. Shefqeti ka qenë zv/kryetar në komisionin e fabrikës dhe të minierës që merrnin në prova kategorizimi specialistët e këtyre fushave.

NOVATORI QË NGRITI LINJAT E REJA TË PASURIMIT TË KROMIT.

Në vitin 1996 – 2006 Shefqetin e kanë emruar kryetar i degës energomekanike të fabrikës, pra 10 vjet. Shefqeti arriti me këmbëngulje të bëj një studim shumë të rëndësishëm për të rritur efikasitetin e përpunimit të mineralit. Ai vuri re se në mineralin, që dilte nga repartin i coptimit, rreth 45% e Cr2O3 do futej në bluarjen e imët me 0-2mm edhe një sasi e madhe e pluhurit, që ishte i përzierë me mineralin e copëtuar, duke kaluar më pas në proçes pasurimi në makinat e sedimentit dhe pjesa tjetër kalonte për pasurim të mëtejshëm tek tavolinat gravitacionale. Grupi teknik i udhëhequr nga Shefqeti menduan që duhej shoshitur minerali, që vjen nga makinat e copëtimit dhe të ndahej klasa e pluhurit 0-2mm, për të kaluar direct në makinat e sedimentimit, pasi kjo pjesë e mineralit përbënte 20% të sasisë. Me këtë ndërhyrje teknike e teknologjike u rrit kapaciteti përpunues i fabrikës me 20%, si dhe arrihej përmirësimi i treguesve (rikuperimi) dhe ulej përqindja e mineralit të dobishëm, që shkonte bashkë me sterilin.
Drejtori Martin Cukalla ngriti grupin teknik të linjave të reja, ku Shefqeti u caktua të jetë drejtuesi i këtij grupi, ku ishin edhe Faik Dufi, Sazan Bajrami e Esat Duriçi. K/inxhinieri Bujar Pata ngriti problemin, nëse shpikja që u realizua më parë me sukses tek fabrika e pasurimit të mund të ndërtohej edhe në “kompleksin 41” të impiantit të seleksionimit të kromit, ku pluhuri që shoqëronte gjithë mineralin të mund të ndahej e të mos shkonte në stoqet e sterilit. Për analizën granulometrike u caktua inxhinieri gjeolog me përvojë Jorgo Kola, i cili ka nxjerrë të dhënat teknike të mineralit të ndarë në disa klasa, nga 0-300mm, në përqindje të sasisë së përgjithëshme në çdo klasë dhe të cilësisë në çdo klasë. Studimi nxorri se pasurimi i mineralit me shoshitje dhe makinë sedimentimi ka interest ë madh. Për këtë u ngrit linja e re, që u ndërtua nga specialistët bulqizakë, në zbatim të këtij studimi, që solli rritje të sasisë së mineralit koncentrat, që më parë shkonte dëm në sasi të konsiderueshme e shkarkohej me sterilin. Kjo shpikje për kohën ishte shumë e rëndësishme dhe me vlera të mëdha ekonomike. Më pas kjo shpikje u zbatua edhe në fabrika të tjera pasurimi në disa miniera të vendit tonë.
Pas prishjes me kinezët më 1977 në Fabrikën e Pasurimit të Kromit Bulqizë u krijuan vështirësi të mëdha të mungesës së bazës materiale dhe të pjesëve të këmbimit që duheshin për zëvëndësim për shkak të konsumimit në makinat e punës. Grupi i novatorëve në fabrikë të drejtuar nga Shefqeti, arritën të prodhojnë sitat 600×900 mm që u realizua në vend dhe këto sita u përdorën me sukses në fabrikën e pasurimit në Bulqizë dhe në Kalimash Kukës. Në projektimin e shtresave të sitave 600×900 mm parapriu projektimi dhe ndërtimi i makinës së profilimit trapezoidal 2x3x8 mm me temperature 600oC të telit çelik 65 Mn,Φ 6mm, ku si specialist në përdorimin e kësaj makine shërbeu saldatori me përvojë Sazan Bajrami. Në vitin 1979 Shefqeti caktohet nga Ministria e Industrisë e Minierave drejtues i punimeve të montimit të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Kalimash Kukës, deri sa u vu në shfrytëzim.
Në vitin 1987 komisioni shtetëror i MIM Tiranë i jep Sheqet Duriçit titullin “Mjeshtër Elektrik”. Po në këtë kohë mjeshtri Shefqet DuriçI ka qenë anëtar i këshillit shkencor të ministrisë dhe pjestar i grupit të ngritur nga MIM Tiranë, për studimin e projektimin e briketimit të pluhurave të kromit, që u bë me iniciativën e zv/ministrit të MIM Martin Cukalla, i cili njihte me detaje problemet e pasurimit të kromit. Ky grup vazhdoi për shtatë muaj në realizimin e këtij studim – projektimi. Në këtë grup që funksiononte pranë ISPTMinierave Tiranë kanë qenë edhe Liko Ismaili nga Vlora, inxhinier metalurg në Uzinën e Ferrokromit Burrel dhe ish pedagog në degën metalurgji të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UT, si dhe inxhinier elektrik Man Gjongecaj nga Tropoja, dhe një inxhinier teknolog i ISPTM.
Me urdhër të ish zv/ministrit të MIMinieraTiranë Faik Çinaj në harkun kohor të viteve 1980 – 1990 mjeshtrin Shefqet Duriçin e kanë caktuar të drejtoi punimet në disa raste avarish të rëndësishme në fabrikat e pasurimit të kromit në Krastë, Kalimash, Kukës, Uzinën Ferrokromit Elbasan dhe Fabrikën e Pasurimit Hekurnikelit Guri i Kuq Pogradec, ku në këtë të fundit, me venien në punë të fabrikës, ish përgjegjësi mekanik Pasko Pano dhe drejtuesit kryesor të asaj fabrike e kanë falenderuar publikisht për mjeshtrinë e kapërcimit të asaj avarie të rëndë.
Shefqeti falenderon dhe thekson se, për inkurajimin e ideve novatore mbështetës të veçantë kanë qenë drejtuesit Prof. Asooc Dr. inxhinier miniere Martin Cukalla dhe inxhinieri pasurimit mineraleve Bukurosh Koçi. Kontribute të rëndësishme në grupin inovator kanë dhënë edhe vëllezërit Mustafa dhe Naim Kajnozi. Në vitet 1990 u pregatit edhe projekti i ngritjes së ofiçinës qëndrore të riparimit të fadromave në shkallë vendi, por ngeli pa u zbatuar për shkak të reformave të thella në administratën shtetërore nëpër institucione e ndërmarrje në gjithë vendin tonë. Arritjet e mjeshtrit Shefqet Duriçi janë vlerësuar me çertifikata distingtivë e urdhëra të lartë të punës nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RSH
Mjeshtri duarartë Shefqet Duriçi ka rritur pesë fëmijë Viktorin, Arbenin, Suzanën, Artanin dhe Klodianin të cilët janë shkolluar dhe bërë zanatçinj në profesione të ndryshme për të përmbushur jetën me sukses. Ai sot është në pension dhe jeton në Tiranë, por çdo ditë vëmëndja e tij mbetet e përqëndruar si atëherë, kur ishte në krye të punëve, që kërkonin zgjidhje.
Tiranë, më 20 janar 2023