Ndahet nga jeta Sami Sulejman Kamberi, njeriu i ndershëm, i drejtë, mendjehapur


Sami Kamberi u vlerësua e nderua jo vetëm nga shteti të cilit i shërbeu me përkushtim, besnikëri e dinjitet; nga shokët, miqtë dhe të njohurit e tij; por u respektua dhe u vlerësua, për ndershmërinë, drejtësinë, njeridashjen e respektimin e të drejtave njerëzore edhe nga kundërshtarët e regjimit të atëhershëm. Sami Kamberi nderoi jo vetëm familjen e tij, Peladhinë ku lindi, Grykën e Madhe e Dibrën, por edhe çdo vend ku ai punoi nëpër Shqipëri.

Sami Kamberi u lind në Peladhi, më 13 janar 1928. Kreu shkollën plotore të Zerqanit (1936-1940), dhe pas çlirimit kreu natën shkollën 8-vjeçare dhe gjimnazin. Në moshën 16 vjeç, më 12 maj 1944 doli partizan. Deri më 10 korrik 1944, së bashku me Jonuz Gjokën dhe 5 djem të tjerë nga Gryka e Madhe ishte në skuadrën shoqëruese të Baba Fajës, të cilin e përcollën deri në Labinot, pastaj u rreshtua në Batalionin II të Martaneshit me komandant Ferit Myrtezain nga Zerqani. Në nëntor të 1944-s ky batalion u dërgua për të marrë pjesë në luftën për çlirimin e Tiranës dhe pastaj iu bashkua brigadës XXVI S. Në gusht 1945 pranohet anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare. Pas çlirimit, deri në prill 1946 ishte pjesë e efektivit të Grupit të artilerisë kundërajrore në Tiranë. Në prill 1946 ishte në përbërjen e njërit nga dy grupet që u dërguan në Jugosllavi për mbledhjen e eshtrave të dëshmorëve që ranë në luftën e brigadave të UNÇl për çlirimin e saj. Në dispozicion të këtij grupi ishin tri makina (kamionë) dy prej shoferëve ishin Shaqir Cani, Sofraçan dhe Musa Sula, Zerqan. Ky grup kaloi fshat më fshat e mal më mal deri në Novi Sad dhe mundi të mbledhë eshtrat e 42 dëshmorëve, të cilat në qershor 1946 i kthyen ne atdhe. Nga nëntori i vitit 1946 deri 1948, ishte sekretar i Seksionit politik të Divizionit i të këmbësorisë. Në vitin 1948 kreu shkollën e oficerëve dhe u lirua si oficer rezervë me gradën aspirant. Deri në qershor të vitit 1949 punoi si sekretar teknik në minierën e Bulqizës. Nga kjo kohë thirret nga Ministria e PB (Punëve të Brendshme) dhe emërohet në Seksionin e PB në Shupenzë. Pas mbylljes së kësaj dege kaloi po në të njëjtin sektor në Peshkopi si kryereferent e më pas në vitin 1950 deri në vitin 1955 si shef i seksionit të sigurimit dhe kryetar i Degës së Qendrës së këtij qarku. Në gusht të 1955 deri në janar të 1956-s transferohet në Ministrinë e PB si kryereferent në Degën III. Pas kësaj rikthehet në Peshkopi si shef i Seksionit të sigurimit dhe nga viti 1961 deri në 1965-ën ishte nënkryetar i Degës së PB në Peshkopi me gradën major. Nga 1965 deri në 1968 transferohet në Degën e PB, Shkodër si shef Seksioni. Në 1968 transferohet si Kryetar i Degës së PB Përmet, ku qëndroi deri në vitin 1972. Në vitin 1972 transferohet si kryetar i Degës së PB në Berat, ku qëndroi deri në vitin 1975. Në vitin 1975 u transferua në Ballsh si Komandant i Repartit 309 ku qëndroi deri në vitin 1980. Nga viti 1980 deri në vitin 1982 ishte komandant i Repartit 313, Tiranë. Në vitin 1983 doli në pension dhe që nga ajo kohë banoi në Tiranë.
Kudo që punoi, Samiu u shqua si një person i disiplinuar, trim, i përpiktë, i ndershëm, i drejtë, njeridashës, mendjehapur dhe punëtor i palodhur. At Zef Pllumi në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” (Bot II, fq 633-637, Shtëpia botuese 55, Tiranë, 2006) i ka kushtuar atij katër faqe: Ai thekson, midis tjerash, se Samiu ndryshonte 180 gradë nga paraardhësit e tij, të cilët drejtuan para tij Kampin e të burgosurve në Ballsh, se ishte i ndërgjegjshëm për pozitën që kishte, por edhe për të drejtat njerëzore që “asht një barrë edhe ma e randë” dhe vazhdon”: Sami Kamberi kishte origjinë dibrane. Me shka njof un, njerëzit ma puntorë të Shqipnisë janë dibranët, ata të fushës së Devollit të Korçës dhe mandej ata të disa malsive të Shkodrës. Samiu e kishte në gjak punën. Kampin e gjet mo’Zo’ma keq edhe nga pikëpamja e sigurisë”. Dhe më tutje tregon se, pasi ai e kishte ngarkuar Zefin të bënte një punë për rregullimet e Kampit, një ditë ishte ndalur pranë tij dhe e kishte urdhëruar të ndalte punën, të pushonte dhe të “dridhte një cigare”, i jep dorën dhe i thotë: “E shoh që ke punuar mirë dhe të lumshin duarët” dhe Zefi ia kthen: “Të falem nderës, zotni komandant se asht e para herë që ndigjoj se i thuhet nji të burgosuni: ‘Të lumshin duart’, sepse gjithmonë jena mësue të na thonë “Jepi derr, shtyje derr, puno derr!” E më pas, kur Zefi kishte mbaruar një punë që i kishte ngarkuar, Samiu i kishte propozuar që të ndërtonte një lulishte aty para komandës. “Zef, – më tha, – megjithse tash je i përjashtuar nga puna e detyruar për shkak moshe e sëmundjeje, prap se prap, mendoj se është më mire për ty që të merresh me një punë se sa me ndejë aty mrendë duke llomotitë me të burgosurit e tjerë. Kështu i rri larg edhe rrezikut. Kjo punë është vullnetare, nuk paguhet, sepse nuk e përfshin tefteri, por bukën e gjellën e merr si puntorët.” “Në të vërtetë, për mue kje nji privilegj i madh, sepse që nga revolta e Spaçit ndër kampe e burgje ishte ba i modës dënimi i dytë e i tretë me dëshmitarë e shpifsa. Nga ana tjetër edhe për shëndetin tem nji punë e lehtë si ajo e lulishtarit, n’ajër të pastër, i bante shumë mire trupit tem, tashma të ngarkuem me shumë sëmundje. Në vitin e ardhshëm lulishta duel shumë e bukur.”
Ky burrë ishte Sami Kamberi, ai u vlerësua e nderua jo vetëm nga shteti të cilit i shërbeu me përkushtim, besnikëri e dinjitet; nga shokët, miqtë dhe të njohurit e tij; por u respektua dhe u vlerësua, për ndershmërinë, drejtësinë, njeridashjen e respektimin e të drejtave njerëzore edhe nga kundërshtarët e regjimit të atëhershëm. Sami Kamberi nderoi jo vetëm familjen e tij, Peladhinë ku lindi, Grykën e Madhe e Dibrën, por edhe çdo vend ku ai punoi nëpër Shqipëri dhe la mbresat e tij.
Në vlerësim të kryerjes së detyrave të tij, ai ishte dekoruar me medaljen e Çlirimit, medaljen e Shërbimit Ushtarak, medaljen 10-vjetori i Ushtrisë, medaljen e trimërisë, me urdhrin “Ylli i Kuq” si edhe me urdhërin e Skënderbeut Kl III.
Ky burrë, që u nda nga jeta, më 12 shkurt 2023, do t’u mungojë fëmijëve të vet, nipërve e mbesave, të afërmve dhe shokëve e miqve të tij të shumtë.