Homazh për mësuesin veteran Ahmet Rushit Tomja


Ahmet Tomja u lind më 5 janar 1940 në Kovashicë të Grykës së Vogël, në një familje me të kaluar patriotike. Gjyshi i tij Zenel Tomja mori pjesë në luftën për pavarsi e demokraci në vitet 1905-1924. Daja i tij Bexhet Lleshi ka ndihmuar aktivisht luftën për mbrojtjen e trojeve nga pushtues të shumtë otomanë, serb e deri tek ata italianë e gjermanë, në vitet e luftës Nacionalçlirimtare. Daja i nënës Avdulla Xhurxhi nga Hoteshi është dëshmor i luftës kundër serbëve më 1913 tek Ura e Topojanit.
Rushit Tomja ishte ndër vullnetarët e parë antifashistë në Dibër. Shtëpia e tij ishte dhe u bë një ndër bazat më të rëndësishme të luftës nacional-çlirimtare, në malsinë e Grykës së Vogël. Ajo ndodhej në një nyje ose kishte një pozicion mjaft të volitshëm, që siguronte lidhje midis fshatrave që të çonin deri në thellësi e dalje në Luzni, Katër Grykë, Bulqizë nëpërmjet Qafës së Murrizit, në Bllacë, Grykën e Madhe etj.
Shkollën fillore Ahmeti e mbaroi në fshatin e lindjes, shtatë vjeçaren në Shupenzë. Mori bursë për në shkollën e mesme pedagogjike Peshkopi në vitet 1954-1958 dhe përfundoi me rezultate shumë të mira. Me pasion e filloi profesionin e mësuesit në shkollën shtatë vjeçare Margegaj në rrethin e Tropojës. Në moshë të re përballoi me vështirësi problemet e lëvizjes, komunikacionit, shpesh herë u detyrua ta bëjë më këmbë rrugë të gjata në kushte të vështira atmosferike. U largua nga Margegajt duke marrë respektin dhe konsideratat më të mira prej nxënësve dhe prindërve, dashurinë e malsorëve për mësuesin e ri vullnetar në ato zona të largëta prej familjes dhe Dibrës.
Prej Tropoje erdhi mësues në shkollën shtatë vjeçare “Man Jella” Zogje më 1961. Shkolla e Zogje në ato vite ishte ndër shkollat më të dalluara në rrethin e Dibrës. Ahmeti solli këtu edhe përvojën e mirë të mësuesve të Tropojës. Si mësues i gjuhës dhe letërsisë pati rezultate dhe arritje prandaj i dhanë një bursë për të vazhduar Universitetin e Tiranës, në degën e gjuhës dhe letërsisë, në vitet 1963-1967. Në vitin 1965 familja dhe vetë Ahmeti kaluan një goditje të rëndë. Vëllai, Skënderi, më i madhi, ishte puntor në ndërmarjen gjeologjike, në Krastë të Martaneshit. Në përpjekje për gjetjen e një shoku të tyre që humbi jetën për shkak të borës së madhe ato ditë, një ortek u mori jetën dhjetë puntorëve, ndërmjet tyre edhe Skënderit. Ata u shpallën dëshmorë të Atdheut. Për familjen ishte një humbje e madhe bashkë me dy fëmijët e tij. Ahmeti si më i madhi në familje i ra barra të përballojë jo vetëm dhimbjen, por edhe kujdesin për familjen.
Shkollën e mbaroi me rezultate të mira, një premisë e mirë për të filluar karierën në fushën e arsimit. Emërimi si inspektor në seksionin e arsimit dhe kulturës ishin edhe një frut i një pune sistematike që kishte kryer në punë si mësues por edhe një përgaditje në shkollën e lartë nga ana shkencore por edhe profesionale.
Në detyrën e re u njoh me përvojën e mësuesve të dalluar të shkollave të Dibrës, të cilën bëri përpjekje ta çojë në të gjitha shkollat si motra.Punoi pa u lodhur për kualifikimin e mësuesve nëpërmjet seminareve, orëve të mësimeve shembullore, kurseve të kualifikimit me mësuesit e gjuhës dhe letërsisë në shkallë zone dhe rrethi. Me grup autorësh punoi për zbatimin e vendimeve të Kongresit Drejtëshkrimit, përvetësimin prej mësuesve të profilit të gjuhës, të rregullave të drejtëshkrimit etj. Gjithashtu me grup autorësh me mësuesit në bazë e qendër punuan për fjalorin Enciklopedik e atë të Gjuhës Shqipe në vitet 1970-1985.
Në periudha të ndryshme punoi si specialist në kabinetin pedagogjik dhe në gjimnazin e Peshkopisë si mësimdhënës. Gjithnjë si nënpunës ishte korrekt dhe i disiplinuar. Kudo ku ka punuar është shquar për urtësi, qetësi, maturi, marrëdhënje shumë të mira me kolegët, mësuesit, nxënësit por edhe prindërit.
Në vitin 1990 u trasferua në Maqellarë. Më 1993 erdhi në Brezhdan.Ai e njihte jetën dhe problemet e fshatit, sepse vinte nga fshati dhe asnjëherë nuk i shkëputi marrëdhënjet me familjen dhe prindërit e tij në fshat. 40 vjet mësues në qytet dhe fshat, ishte një punonjës arsimi që dha gjithçka.Ai kujdesej krahas vëllezërve dhe motrave, në veçanti për prindërit deri sa ndërruan jetë në Kovashicë.
Ahmeti krijoi familje me Anife Elezin nga Gradeci e cila punoi si edukatore kopshti në lagjen Dobrovë. Aty morën edhe shtëëpi, rritën dhe edukuan tre fëmijë; dy vajza Teuta infermiere, Valdetja mësuese dhe Dritani ekonomist. Të gjithë me arsim të lartë. Punojnë në punë sipas profileve, që kanë studiuar në shkollë sipas shembullt të prindërve të tyre.
Si qytetar Ahmeti ndërtoi marrëdhënje të mira me komunitetin që e rrethonte, ishte një veprimtar i këshillit në lagje, duke dhënë një ndihmesë si intelektual në zgjidhjen e problemeve që shqetësonin qytetarët.
Në vitin 2005 Ahmeti erdhi me familje në Tiranë, në lagjen “Don Bosko”, i rrethuar me dashurinë e nipërve dhe mbesave. Gjyshi interesohej dhe kujdesej për mbarëvajtjen e tyre në shkollë dhe gëzohej për rezultatet e mira në mësime.Ahmeti si shumë dibranë, nuk e harroi asnjëherë Dibrën. I pranishëm në shumë veprimtari dhe evenimente që organizoheshin për Dibrën në Tiranë, në promovimet e krijuesve dibranë në kryeqytet etj.
Pas një sëmundje të rëndë u nda nga jeta më 3 shkurt 2013. Familja humbi njeriun e saj të dashur dhe të shtrenjtë, ne kolegun, shokun e respektuar, që do të na mungojë në takimet miqësore e shoqërore.
Lamtumirë miku ynë! U prehsh në paqe!

Sulë Tomçini, Avni Fida, Shahin Lazri, Kapllan Keçi, Zabit Lleshi, Qerim Tomja.