Për tre mësues të gjuhës shqipe nga katundi Vleshë
Kujtime si për 7 Marsin


Nga prof. HAJRI SHEHU

Femi Xhepa

Tre mësues gjuhe nga katundi Vleshë. Në vitet ’50. Ata ishin Femi Xhepa, Halim Shehu dhe Hivzi Shehu. Të tre kishin mbaruar Medresenë e Naltë në Tiranë. Programi mësimor i Medresesë ishte mjaft i gjerë e mjaft formues. Edhe për dije të përgjithshme. Mësues Hivziu më ka treguar shënimet për lëndën filozofi. Dhe jam habitur kur kam lexuar faqe të tëra për Platonin dhe platonizmin. Në Medrese mësoheshin edhe dy gjuhë të Lindjes – arabishtja dhe persishtja. Nga gjuhët e perëndimit – anglishtja. Të tre mësuesit ishin, vërtet të formuar gjuhësisht. Kjo dukej nga mënyra si e jepnin mësimin në klasë. Edhe nga shkrimi, nga kaligrafia. Kishin një shkrim të bukur, thuajse njëlloj. Të tre mësuesit u bënë drejtorë njëri pas tjetrit në shkollën 7-vjeçare të Sllovës. Sllova ishte lokalitet. Pas drejtorisë së Sllovës, mësues Hivziu kaloi inspektor në Seksionin e arsimit të rrethit Peshkopi, kurse mësues Femiu u transferua në Fier.
Po kthehem te mësues Femiu. Ishte autoritar në shkollë e në klasë – si drejtor e si mësues. Dhe autoritetin ia jepte puna. Në klasë dëgjohej vetëm fjala e mësuesit dhe përgjigjja e nxënësit. Ishte i përpiktë në gjithçka. Do të jap një shembull shumë të thjeshtë: Rruga për në shkollën 7-vjeçare të Sllovës ishte me baltë. Mësues Femiu, njëherësh, drejtori i shkollës vinte me çizme. Asnjëherë nuk i kemi parë çizmet e mësuesit me pikla balte. Duket, diku, te një krua para se të mbërrije në shkollë, i lante. Jaka e bardhë e këmishës i ndrinte. Ishte, vërtet mësues. Me shembullin e tij edhe në paraqitje, edhe në veshje. Sepse mësuesi e dinte që nxënësit janë tërë sy. E dinte që nxënësit e kanë mësuesin model në jetën e tyre.
Ishte aq kërkues në mësim. Dua të them që plotësat (sot, termi është rrethanorë; i përkasin sintaksës këta) i kemi mësuar nga mësues Femiu. Me shembuj e me logjikë (sepse sintaksa do arsyetim) mësuesi na i nguliti në mendje. Dhe nuk e teproj po të them se ne bënim në klasë analiza sintaksore, siç i kemi bërë më pas në Shkollën Pedagogjike, në Peshkopi. Po të pyeten, kështu do të thonë edhe Bajram Çekiçi, Ajet Shehu, Faik Shehu, Ibrahim Daci, Misim Shehu, Sejdi Hysa – ish-nxënës të mësues Femiut e më pas – mësues vetë. Gabime në shkrim – në detyra shtëpie, diktim e hartim?! Ku lejonte mësues Femiu ta vije ë-në aty ku nuk duhej.
Në shkollën fillore, në klasën e dytë e të tretë, mësues Femiu na mësoi të folurit dialogjik. Copat e këndimit, si “Dy qetë dhe ujku” ne i luanim si “teatër” në klasë. Dhe jo vetëm që nuk kishim asnjë lloj impresionimi, por kënaqeshim dhe mezi prisnim orën e nesërme të leximit. Metodokisht, interpretimi ynë ishte zhvillim i të folurit – aq i kërkuar në punën mësimore me nxënësit, sidomos për ne në fshat.

Halim Shehu

Ma ka dashur puna të lexoj revista islame, botime të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë – “Zani i Naltë”, “Njeriu” e “Kultura islame”. Jam befasuar kur kam gjetur dy shkrime të nxënësit Femi Xhepa në revistën “Kultura islame”. Shkrimet ishin dinjitare si për një kulturolog.
Mësues Femiu u transferua në Fier. Nuk e mbaj mend vitin, por duhet të ketë qenë pasi ne nxënësit e tij e kishim mbaruar 7-vjeçaren. Na vinte keq për brezat e nxënësve pas nesh: Ata nuk do ta kishin në shkollë e në klasë mësuesin e ditur e të përkushtuar – Femiun.
Mësues Halimi. Mësuesi ynë i historisë (duket, iu caktua historia e jo gjuha) dhe drejtori në shkollën 7-vjeçare të Sllovës. Do të përmend vetëm tri vlerësime për drejtor Halimin:
Drejtori krijoi pemëtoren e shkollës. Në anë të majtë të ndërtesës së shkollës ishte një brinjë jo e vogël. Nxënësit hapën gropat: 2-3 nxënës një gropë. Veglat e punës i merrnim nga shtëpia. U bënë gropat. Erdhën fidanët e mollëve nga Peshkopia. Dhe i mbollëm. Duhet të ketë qenë viti shkollor 1954-1955. Puna e mëtejme? Secila dyshe a treshe e nxënësve kujdesej për mollën që kishte mbjellë. Pra, edhe verës, kur nuk kishte mësim. A ka punë më të mirë bujqësore – mësimore, shkollore e zelltare se kaq? A ka mësim e edukim më të mirë botanik e bujqësor se kaq? Çdo nxënës a nxënëse kishte mollën e vet. Dhe ne përpiqeshim secili t’ia kalonim shokut e molla jonë të rritej më shumë e të bënte kokrra më shumë. Dhe kështu u rritën mollët, u hijeshua shkolla. Edhe sot mollët e hijeshojnë shkollën e Sllovës.
Drejtor Halimi krijoi grupin artistik të shkollës e të zonës. I binte shumë mirë violinës. Dhe violina e mësuesit na ka gëzuar kushedi sa herë në raste festash. Dhe Sllova zinte gjithnjë vendin e parë në rreth në festivalet folklorike.
Erdhi rasti që unë shkova me punë në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Duke ia njohur përgatitjen gjuhësore, korrektësinë në gjithçka dhe përkushtimin kur merrte përsipër një punë, i them: A mund të mblidhni fjalë të rralla të gjuhës shqipe e t’i sillni në Institut ? Po, – tha, – por do të më shpjegosh diçka: ç’fjalë duhen, si të regjistrohen etj. Mjaftoi vetëm gjysmë ore me ca shpjegime e shembuj konkretë. Dhe mësues Halimi ka sjellë dhjetëra e dhjetëra fjalë popullore nga e folmja e tij. Mbaj mend, për shumicën e fjalëve, subjekti ishte e shoqja – një grua mjaft e zgjuar dhe mjaft e zonja. Profesor Androkli Kostallari (akademik), drejtor i Institutit e ka vlerësuar dhe falënderuar mësues Halimin herë pas here, me letra zyrtare si titullar i Institutit.

Hivzi Shehu

Do të kthehem te mësuesi im më i parë – Hivziu. Edhe në shkollën fillore, edhe në shkollën 7-vjeçare. Më pas, siç edhe u përmend, mësues Hivziu u bë inspektor dhe e njohën të gjitha shkollat e rrethit dhe të gjithë mësuesit e rrethit. E njohën për dijen e tij, korrektësinë e tij, udhëzimet e tij metodike e pedagogjike dhe fjalën e tij prekatare.
Fjalën prekatare të mësues Hivziut e kam pasë parë edhe në odat e fshatit. Edhe, në mbledhjet e këshillit pedagogjik të shkollës 12-vjeçare “Demir Gashi”, Peshkopi. Ishte viti shkollor 1965-1966. Mësues Hivziu e kishte lënë tashmë inspektimin e Seksionin e arsimit dhe kishte shkuar në profesionin e tij – te gjuha shqipe. Jepte gjuhë shqipe në klasë VIII. Besoj, vetëm me një fjali mund të matet vlera e mësuesit Hivzi dhe e fjalës së tij: Nuk mund të mbyllej mbledhja pa diskutuar mësues Hivziu.
Unë personalisht kam shumë momente këshillash e fjalësh prekatare të mësues Hivziut, sepse e kisha timin e më donte si njeri të vetin. Do të tregoj vetëm një moment. Te mësuesia hyn: Ishte viti 1960. Bëja praktikën njëjavore si kandidat (kandidat – kështu quhej atëherë praktikanti për mësues) në shkollën “Demir Gashi”, Peshkopi, në ciklin e ulët. Nëse e mbaj mend mirë, ka qenë klasa IV. Mësuesja e klasës ishte Femije Cami. Ishte mësuese me formim e me integritet të plotë. U mundova që atë javë të isha “mësues” i mirë. Hivziu atëherë ishte inspektor. Ishte ora e katërt. Dy minuta para se të binte zilja për mësim, mu te dera e klasës sime – inspektori. Të them të drejtën, – nuk e prisja. Gjithkush e ka provuar: Inspektori ka hije të rëndë. Filloi mësimi. M’u duk se shkoi mirë. Kur doli, inspektori më tha: “Do të vij të të shoh edhe në një orë tjetër”. Sipas meje, kjo qe fjala e tij prekatare, fjala me takt prej mësuesi. Diçka duhej ta kisha bërë më mirë. Dhe inspektori gjeti formulën “do të vij të të shoh edhe në një orë tjetër”. Realisht nuk erdhi më.
Mësues Hivziu ishte njeri shumë i ëmbël në biseda me të tjerët. Mbaj mend (unë isha i ri atëherë, dhe ne të rinjtë rrinim në fund të odës në fshat), Hivziun e dëgjonin të gjithë burrat. Ai fliste, ai shpjegonte, ai jepte shembuj. Oda e dëgjonte. Vetëm e dëgjonte. Kishte edhe dije të gjithanshme e fliste shumë rrjedhshëm dhe kështu fjala e tij ishte, vërtet gur i rëndë.
Mësues Hivziu e njihte shumë mirë arabishten. Di që ka përkthyer literaturë islame. Di që ka hartuar edhe një fjalor arabisht-shqip, të cilin besoj se do t’ia botojnë fëmijët. Unë, me cilësinë e kryeredaktorit të një reviste islame, i kam botuar përkthimin: 99 Emrat e Zotit. 99 Emrat janë edhe 99 Atribute. Shumë të vështira për të gjetur barasvlerësin në shqip që të përcjellë saktë konceptet fetare islame. Dijetar Hivziu i ka dhënë përsosurisht. Edhe si përmbajtje konceptore, edhe si formime gjuhësore në shqip.
Nuk mund ta mbyll sythin për mësues Hivziun, pa kujtuar disa momente si ish-nxënës i tij në shkollën fillore (të shkollës 7-vjeçare janë shumë e s’i numëroj dot). Do të përmend vetëm katër.
Me fjalë mbushamendëse, por si për fëmijë e si për nxënës, mësuesi na dha konceptin e thyesës. Bëhet fjalë për klasën IV e për 11-vjeçarë në fshat. Shpjegimi qe më i gjerë; thelbi ishte ky: Kemi dy bukë, – tha mësuesi. Njanën e ndajmë në 5 pjesë ; tjetrën e ndajmë në 3 pjesë. Nga cila bukë e doni pjesën ju ? Nga ajo që u nda në tri, – erdhi përgjigjja.
Momenti tjetër: Kur e duem dikë fort, e duem si kripa apo si sheqeri?, – pyeti mësuesi. Ne ishim mangët për sheqer e jo për kripë dhe mësimi mund edhe të dështonte. Por mësuesi e parapërgatiti mendjen tonë dhe nuk e bëmë gabimin që të thoshim “e duem babën ose nanën si sheqeri”, por si kripa, sepse pa kripë s’bëhet gjella e përditshme.
Shumë emocionuese ka qenë pjesa e këndimit për Vilhelm Telin. Babai do të gjuante me hark mollën mbi kokën e të birit! Ishte dënim. Si mund ta bënte këtë një baba! Ne shpëtuam nga ankthi kur mësuesi tha: Shenjëtari baba goditi mollën. Dhe u gëzuam fort.
Të paharruara kanë mbetur për ne nxënësit e atëhershëm copat e këndimit (këndim quhej atëherë libri i sotëm i leximit): Gavroshi i barrikadave të Parisit; Pahomi i Maksim Gorkit; Sa të rrosh, do të mësosh (plaku 80-vjeçar mësoi nga fëmija që mbushet grushti me hi e vihen gacat mbi të e nuk djeg duart); Kanë mbjellë të tjerët pemë për ne, tani të mbjellim ne për të tjerët; etj. Kanë kaluar 70 vjet, por na duket sikur e dëgjojmë edhe tani zërin e mësuesit e fjalën e mësuesit. Viktor Hygoi thotë: “Dy janë nëpunësit kryesorë të shtetit – nëna dhe mësuesi”. Edhe më shumë se kaq janë. Edhe më shumë se kaq qe mësues Hivziu në tërë jetën e tij si mësues, si edukator. Me fjalën e tij. Sepse vetëm fjalën pati. Dhe e pati gjithnjë të ëmbël e prekatare.
Mësues Hivziu na mësoi intonacionin në gjuhën shqipe. Intonacioni (ndryshimi i zërit në melodi dhe në ritëm gjatë të folurit) është karakteristikë e shqiptimit të një gjuhe. Ne shkonim në klasë me gjuhën amtare, pra, edhe me intonacionin e shqipes. Por shpjegimet e mësuesit ishin të domosdoshme, sidomos, atëherë, në atë moshë e me ndikime krahinore. Mësuesi na mësoi kur ngrihet zëri (kur pyesim) dhe kur ulet (kur pohojmë a mohojmë diçka). Si na e mësoi? Me ushtrime leximi e të foluri. Nuk e dimë a mësohet tani intonacioni e përgjithësisht, shqiptimi. Ndoshta, në gjuhë të huaja (p.sh., në anglisht, që na duket se i ka marrë orë gjuhës shqipe) mund të mësohet dhe duhet të mësohet. Në anglisht, p.sh., intonacioni ngritës dhe intonacioni zbritës përdallojnë edhe mënyrën, edhe domethënien e kumtimit.
Para se ta mbyll fjalën time të pambarimtë, do të risjell tregimin për pikën si shenjë pikësimi.
Kam qenë në klasë të tretë. Mbaj mend që patëm bërë diktim dhe disa nxënës kishin bërë gabime në disa shenja pikësimi. Ndryshe nga herët e tjera, mësues Hivziu nuk i mori një për një fletoret e të na thoshte gabimet. I vuri ato në tryezë. Pastaj, largoi pak karrigen e doli para klasës. Ndëgjoni me vëmendje!, – tha mësuesi. Do t’ju thom nji ndodhí. Do ta ndëgjoni tregimin, – vijoi mësuesi, – pastaj do ta ritregoni ju. Dhe nisi tregimin:
“Na kishte qenë njiherë nji mbret. Nji mbret shumë i egër e shumë i pamëshirshëm. Mbreti kishte dënue me vdekje sa e sa njerëz të vorfën. Ishte dënue e priste ditën e pushkatimit edhe një burrë i gjatë, i dobët e i thatë, por me nji fytyrë e me nji buzëqeshje të ambël. (Ç’do të thoshte vras e pushkatim, i dinim sepse kishim parë njerëz me pushkë. Kishim parë edhe një lepur, me lesh të butë si mëndafsh, që e kishte vrarë një gjahtar nga fshati. Madje, njëra nga vajzat e klasës qau kur e pa lepurin). Mbërriti fermani i mbretit te shkruesi (tani, shkruesit i thomi sekretar ose sekretare, kurse fermani ishte urdhën me shkrim, shkresë). Shkruesi, pra, sekretari do ta rishkruente dhe do ta përcillte urdhnin te skuadra e pushkatimit. Urdhni thojte: “Falje e pamundur. Të pushkatohet!”. Kuptohet, – vijoi mësuesi, – burri i gjatë, i mirë e i pafajshëm kishte kërkue që mbreti ta falte. Po ku falte mbreti! E tërë klasa lëshoi një ofshamë të gjatë, një “oh” të thellë, që shprehte njëherësh dhembjen tonë dhe lutjen tonë, për të mos e vrarë atë njeri të mirë. Ne ishim përhumbur e hutuar. Ai ishte tregim, por ne na dukej se njeriu që do të vritej, ishte diku afër; na dukej se mësuesi që dinte gjithçka, duhej ta njihte edhe mbretin dhe mund t’i lutej ta shpëtonte. E, me siguri, mbreti e dëgjonte fjalën e mësuesit, se ishte mësues! Në këtë çast e kishim harruar fare atë fjalinë e parë të mësuesit. “Na kishte qenë njiherë nji mbret”, pra, që kishte qenë një mbret njëherë e një kohë, dikur, jo sot. Në të vërtetë, edhe mësuesi e kishte harruar se qe tregim i moçëm, sepse qe ngrysur i tëri në fytyrë. Me siguri, edhe ai përjetonte dhembjen për njeriun e dënuar. “E mori shkruesi fermanin e mbretit, – vijoi mësuesi, – dhe nisi ta kopjonte, pra ta shkruente përsëri, për t’ia përcjellë skuadrës së pushkatimit. Në ferman, – siç ju thashë, – shkruhej: “Falje e pamundur. Të pushkatohet!”. Mësuesi lëvizi pak përpara e ngriti kokën. “Shkruesi, – vijoi ai, – ndërroi vendin e pikës. Nga ngutja, apo se iu dhimbs njeriu i pafajshëm e deshi ta ndërronte, – këtë nuk e dimë, – shtoi mësuesi. Dhe shkruesi shkroi: ‘Falje. E pamundur të pushkatohet’.” Mësuesi shqiptoi fort fjalën pikë pas fjalës falje. Tani, mësuesi u çel në fytyrë, mori një pamje të gëzuar, i qeshi fytyra. “Dhe njeriu i pafajshëm nuk u pushkatue”, – tha mësuesi dhe mori frymë lirisht. Ne, e gjithë klasa, siç qemë të shtangur e të mbërthyer pas syve e pas buzëve të mësuesit, lëshuam në një zë një “oho” kënaqësie dhe fill, menjëherë, në çast, prapë në një zë pyetëm mësuesin: “Vërtet, mësues?! Vërtet?! Vërtet, për një pikë shpëtoi ai njeri i mirë?” Ishim gati të vraponim të gjithë njëherësh e ta përqafonim mësuesin nga gëzimi, por në klasë nuk lëvizet. “Vërtet, – tha mësuesi, – prerazi, por ëmbël. Për një pikë. Nga një pikë”.
Dolëm nga klasa, ashtu të magjepsur e të lumturuar, por edhe me merakun për të mos gabuar asnjëherë te shenjat e pikësimit.