Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës,një libër me vlera të mëdha shkencore dhe ekonomike


Jetëshkrim: Kush është prof. Vesel Hoxha

Vesel Ramadan Hoxha u lind në Blliçe, Dibër më 20 tetor 1952.
Arsimimi: Ne vitin 1970 mbaron Teknikumin e Minierave dhe të Gjeologjisë në Përrenjas, me rezultate të shkëlqyera, ku është diplomuar Teknik i Mesëm Markshajder. Në vitet 1970 – 1975 ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave me rezultate shumë të larta, ku është diplomuar Inxh. Gjeolog, për minerale të dobishme të ngurta. Pas mbarimit të studimeve të thelluara pasuniversitare (1998 – 2000), në vitin 2001 ka mbrojtur disertacionin me temë: ”Tiparet themelore të gjeologjisë dhe perspektiva e kërkimeve në rajonin Kërçisht – Sorokol”, me vlerësimin “Shume Mirë”, ku fiton gradën “Doktor” në fushën e shkencave gjeologjike. Me 07 maj 2014, bazuar në shqyrtimin e dosjes së paraqitur dhe plotësimin e detyrimeve ligjore, i jepet titulli akademik “Profesor i asociuar”, miratuar nga Këshilli i Profesorëve të Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave. Gjatë viteve 2009 – 2017, pedagog i ftuar në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, si mësimdhënës në lëndën e “Rilevimit Gjeologjik dhe Gjeomorfologjik” dhe udhëheqës i praktikave mësimore në terren, për dy kurset e vitit të tretë (bachelor) të degës së Gjeoinformatikës. Gjatë viteve 2016-2017, pedagog i ftuar në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, si mësimdhënës në lëndën e “Vendburimeve të mineraleve të dobishme të ngurta dhe kërkimit të tyre”, për kurset e vitit të tretë (bachelor) të degës Inxhinieri Gjeologjike dhe të degës së Gjeoinformatikës.
Eksperienca ne pune: Pas përfundimit të studimeve të larta ka punuar si inxh. gjeolog pranë Ndërmarrjes Gjeologjike Bulqizë (Ekspedita Gjeologjike e Dhoksit dhe më pas në Ekspeditën Gjeologjike të Bulqizës) me kërkim – zbulimin e mineralit të Kromit. Në qershor të vitit 1976 fillon punë në Ekspeditën Gjeologjike të Peshkopisë, në Ekipin e Korabit, ku ka punuar për kërkim-vlerësimin e mineralizimeve të Hekurit oksido-silikat, oksideve të Manganit, disa mineralizimeve Polimetalore dhe atyre të Çmuar, në Zonën Tektonike të Korabit. Në janar të vitit 1984 emërohet Kryetar i Ekspeditës Gjeologjike të Peshkopisë. Në vitin 1998 emërohet Shef i Sektorit të Gjeologjisë Peshkopi. Në vitin 2003, emërohet Drejtor i Degës Rajonale Gjeologjike të Peshkopisë. Në vitin 1996, krahas detyrës së Kryetarit të Ekspeditës Gjeologjike Peshkopi, ka kryer edhe detyrën e Drejtorit të Ndërmarrjes Gjeologjike Bulqizë (i komanduar) dhe, nga viti 1993 e gjerë në vitin 1995, ka qenë Kryetar i Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes Gjeologjike Bulqizë. Në vitin 2006 transferohet në Drejtorinë e Përgjithshme të SHGJSH -së, në detyrën e Shefit në Drejtorinë e Programimit, Vlerësimit dhe Menaxhimit të Projekteve, Tiranë. Nga shkurti i vitit 2008 e deri në shtator të vitit 2011, ka punuar si punonjës shkencor pranë Institutit te Gjeoshkencave, të Universitetit Politeknik të Tiranës, në Departamentin e Gjeoresurseve dhe Gjeoinxhinierisë, si Drejtues i Grupit Kërkimor-Mësimor të Mineraleve Metalore e Jo Metalore. Njëherazi gjatë kësaj periudhe ka qenë edhe Antar i Senatit akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës. Nga shtatori i vitit 2011 e në vazhdim, punonjës shkencor në Departamentin e Gjeoresurseve dhe Gjeoambientit të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, si dhe nga shtatori i vitit 2012, Drejtues i Grupit Kërkimor-Mësimor të Mineraleve Metalore e Jo Metalore. Pas korrikut të vitit 2015 e deri më 20. 10. 2017, punonjës shkencor, Drejtues i Grupit Kërkimor-Mësimor të Metalogjenisë, në Departamentin e Gjeologjisë, të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisi.
Aktiviteti shkencor: Krahas detyrave të ngarkuara të cilësuara më sipër, ka kryer rilevime gjeologjike në shkallë dhe rajone të ndryshme të rretheve të Dibres, Kukësit, Matit, Bulqizës etj.; kërkime, vlerësime e kërkim – zbulime për xeheror kromi, hekuri oksid e silikat, mangani, bakri, polimetalorësh, squfuri, vanadi, mineralesh jo metalorë si mermere, argjila, travertina, bojra dheu, gjipse, anhidrite, selenite, inerte, kuarcite, ranorë, gëlqerorë, pirofilite etj. si dhe, është marrë me studime të gjeologjisë inxhinierike, gjeomjedisit, hidrogjeologjisë etj.
Është angazhuar në disa tema studimore të karakterit kombëtar (si bashkeautorë) me Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, Institutin e Kërkimeve Gjeologjike etj.; ka bashkëpunuar me disa firma të huaja që punuan në ish rrethin e Dibrës etj. nga viti 1993 e deri në vitin 1997, në zonën e Korabit, Vrenjtit, Lurës etj, për kërkim – vlerësimin e evaporiteve, mermereve, bakrit, mineraleve të çmuar etj. (Mec -East, Minorco, Nebex, UPUP – MUHUR, “Karma Mining” LTD). Nga korriku i vitit 2006 e deri në gushtin e vitit 2016 ka punuar si këshilltar i jashtëm për probleme gjeologjike pranë firmës së njohur gjermane – Knauf. Ka qenë Drejtues i Grupit Kërkimor/Studimor, autor dhe bashkautorë i mbi 125-se studimeve, raporteve, prezantimeve, projekteve, relacioneve gjeologjike, i mbi 24 artikujve shkencor të botuar në Buletinin e Shkencave Gjeologjike dhe në revista të tjera vendase e të huaja si dhe, ka në proçes botimi punime shkencore.
Si punime kryesore veçojmë: Realizimin e studimit: “Harta Gjeologjike dhe Pasurive Minerale të rrethit të Dibrës në shkallë 1:50 000 dhe teksti shpjegues përkates”, përpiluar mbi bazën e studimeve dhe rilevimeve gjeologjike të kryera gjerë në vitin 1999; Në vitet 2001 – 2003 ka drejtuar studimin me temë: “Administrimi i territorit dhe resurseve natyrore në rrethin e Dibrës, të Qarkut Dibër”. Po ashtu gjatë viteve 2004 – 2005, ka drejtuar studimin për ndërtimin e “Hartës së Rrezikut Gjeologjik për rrethin e Dibrës në shkallë 1:50 000, me tekstin shpjegues përkates“ etj. Eshtë bashkëautorë dhe bashkepunetorë në disa studime madhore për vendin të cilat lidhen me gjeologjinë e Shqipërisë, mineralmbajtjen dhe metalogjeninë. Në janar të vitit 2020 botoj librin me kujtime maleve në kërkimet gjeologjike të titulluar “Shënime në Çadër” prej 566 faqesh. Ka në proçes pune librin vijues po me kujtime me titullin “Maleve të vendit tim”. Është i kualifikuar në kompjuter në programet: Word, Exel dhe, mjaftueshëm në AutoCAD, Pawer-Point, Photoshop, etj. Gjatë punës ka patur rastin të bashkëpunojë me specialistë te huaj si gjerman, francez, italian, kanadez, turq, anglez, bullgar, maqedonas, rus etj. të fushave të ndryshme të gjeologjisë, punonjës në institucione shkencore të njohura të Europës. Shfrytëzon literaturë profesionale në dy gjuhë të huaja. Në vitin 1987 është dekoruar me: “Medalje për punë të shquar në miniera e gjeologji”.

Vesel Hoxha
Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës
ISBN 978-9928-387-07-3

600 f. ; 21×29.7 cm.
Botimet M & B,
Tiranë, 2022
Çmimi: 3500 lekë

Nga prof.dr. Bashkim Lleshi

Në muajin dhjetor 2022 doli nga botimi libri “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës”, me autor gjeologun e njohur dibran prof. asoc.dr. Vesel Hoxha. Në fakt ky nuk ka përmasat e një libri, por të një studimi me vlera shumë të mëdha shkencore dhe ekonomike. Është një pasuri që i dhurohet Dibrës, për ta njohur dhe administruar si duhet në të mirën e kësaj treve, për rritjen e mirëqenjes së banorëve të saj dhe të mbarë kombit shqiptar.
Studimi “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës”, është përgjithësimi i të gjitha të dhënave të punimeve të rilevimit, të kërkim –zbulimit dhe studimeve të kryera për mineralet e dobishme metalore e jo metalore, punimeve e studimeve hidrogjeologjike, gjeologo-inxhinierike, gjeomjedisore, të rrezikut gjeologjik, gjeoturizmit, etj. të kryera ndër vite në rajonin e Dibrës nga specialistët e shumtë dibranë e jo dibranë, si dhe nga puna këmbëngulëse, sistematike e me përkushtim mbi 47 vjeçare e kryer në terren, në zonën e Dibrës, në zonën që në gjeologji njihet me emrat e Zonës së Korabit, Mirditës etj. nga autori i këtij libri prof. asoc.dr. Vesel Hoxha.
Në këtë studim synohet t’u jepet një zgjidhje shkencore edhe disa problemeve për të cilat është e preokupuar shoqëria dhe shteti ynë, për të bërë të pranishëm rolin e rëndësishëm që kanë sot e në të ardhmen shkencat e tokës, për mirëadministrimin e territorit dhe të pasurive natyrore. Një vëmendje e veçantë u kushtohet mineralizimeve hidrotermale, mineralizimeve të hekurit, kromit, bakrit, manganit, evaporiteve (gjipseve e anhidriteve, seleniteve), squfurit, mineraleve të rralla e të çmuara, naftës e gazit, etj. që sapo janë gërvishtur me kërkime e studime gjeologjike në trevën e pasur të Bashkisë Dibër.

Studimi “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës”, është përgjithësimi i të gjitha të dhënave të punimeve të rilevimit, të kërkim –zbulimit dhe studimeve të kryera për mineralet e dobishme metalore e jo metalore, punimeve e studimeve hidrogjeologjike, gjeologo-inxhinierike, gjeomjedisore, të rrezikut gjeologjik, gjeoturizmit, etj. të kryera ndër vite në rajonin e Dibrës…

Studimi trajton tre komponentë kryesorë: Gjeologjinë e trevës së Dibrës; Mineralet e dobishme dhe Rrezikun gjeologjik, të përmbledhura në dy harta gjeologjike në shkallë 1:50 000 (produkt i planshetave në shkallë 1:25 000) për të gjithë truallin e Bashkisë Dibër. Në linja më të përgjithëshme e anësore trajtohen dhe hidrogjeologjia dhe gjeologjia inxhinierike, për shtatë planshetet kryesore të kësaj bashkie, të cilat në të ardhmen kërkojnë plotësime dhe studime të herëpas-herëshme nëpërmjet studimeve të specializuara bashkëkohore.
Në kapitullin e parë “Gjeologjia e Dibrës” janë përgjithësuar arritjet e fundit në studimet, kërkimet dhe rilevimet gjeologjike e komplekse të kryera ndër vite, si frut i punës së tij këmbëngulëse, me përkushtim e sistematikë në terren e në zyrë, si dhe bashkëpunimit të gjërë me bashkëpunëtorë e studiues të shumtë, njohës të arritjeve të shkencës shqiptare në fushën e gjeologjisë. Në këtë kapitull me vlerë janë përgjithësimet e të dhënave biostratigrafike dhe interpretimet tektoniko-strukturore, duke i dhënë përparësi tektonikës mbihipëse dhe mbulesore. Jepet stratigrafia e zonave dhe nënzonave të Dibrës me argumenta të bollshme biostratigrafikë e ilustruar dhe me material grafik, me prerje, skica, kollona stratigrafike e tektono-stratigrafike, foto, etj. të cilat ia shtojnë vlerën këtij studimi, duke e lehtësuar e zbërthyer më tej, njohjen e gjeologjisë së vështirë të zonës së Korabit.
Në trajtimin e stratigrafisë autori nënvizon bashkëpunimin me prof. Selam Meçe, i cili me futjen në përdorim të analizës së konodontëve, solli një kontribut të madh në gjeologjinë e Shqipërisë për disa zona tektonike, e në veçanti për zonën problematike e të vështirë të Korabit, në diapazonin Ordovik i Sipërm-Triasik i Sipërm. Në sajë të këtij bashkëpunimi në terren e në laborator këto rezultate u reflektuan në hartografimet gjeologjike të zonës së Korabit. Kapitulli i magmatizmit i kushtohet kryesisht ofioliteve të Jurasikut të Mesëm, dhe mëshkurtimisht magmatizmit Paleozoik dhe atij Mesozoik (ku trajtohet më në detaje formcioni vullkanogjeno-sedimentar).
Një vend të rëndësishëm ze tektonika ku shtjellohen tiparet themelore strukturore të zonës së Korabit (të secilës zonë e nënzonë të saj, ku veçohen: nënzona e Kollovozit, nënzona e Malsisë së Korabit dhe nënzona e Muhurr-Çajës, duke nënvizuar këtu dhe bashkëpunimin e frytshëm me prof. Alaudin Kodra), zona e Mirditës, zona e Krasta Cukalit, njësia e Dibrës dhe mollasat pliokuaternare të Peshkopisë. Në mënyrë të sintetizuar jepet historia e evolucionit paleogjeografik dhe gjeodinamik të zonës.

Prof. Vesel Hoxha, me punën e tij mbi 47 vjeçare, ka fituar një ekperiencë të madhe në fushën e gjeologjisë dhe me përfundimin e këtij studimi, e ka afirmuar veten si një ndër shkencëtarët e shquar në fushën e gjeologjisë shqiptare në përgjithësi dhe gjeologjisë së zonës së Korabit në veçanti.

Kapitulli më i rëndësishëm është ai i mineraleve të dobishme metalore e jo metalore. Njohja e lexuesve me rezultatet e arritura në kërkim-zbulimin e mineraleve të dobishme në zonën e Dibrës, tregon për punën e madhe të kryer në vitet 1950-2000 nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar për kërkim zbulimin e këtyre mineraleve.
Në mënyrë të detajuar përshkruhen mineralizimet e kromit të Balgjaj-Selishtës ku numërohen rreth 21 objekte e vendburime kromi, me cilësi 25-49,20% Cr2O3, me rezerva të kufizuara, por me perspektivë të hapur për vazhdimin e punimeve të kërkim-zbulimit dhe shtimin e rezervave të kromit. Me punimet e kryera në objektet e kromit të kësaj zone, në Fushë Shtrungëz, Liqeni i Shtrungës, Rrënja e Milloshit, Liqeni i Dervishit, Maja e Hurdhës, Druni i Boshtive, Afër e Poshtë Kepave, Ujësjellësi, Kodra e Lëmueme, Shullani i Përrejëve dhe Afër Qaf Murrës janë zbuluar mbi 284 000 ton rezerva gjeologjike dhe industriale me cilësi mesatare deri të mirë nga 25 % deri në 46,8% Cr2O3. Vlen të theksohet se shfaqjet, objektet dhe vendburimet e kromit të zbuluara në zonën e Balgjaj-Selishtës, janë po në të njëjtin masiv perspektiv për krom, atë të Bulqizës. Ligjësitë e mineralizimit të kromit në këtë masiv janë të njëjta. Ashtu siç janë zbuluar vendburime të mëdhej kromi në pjesën jugore si, Bulqiza, Batra, Krasta, Thekna, etj. në pjesën jugore, do të kemi dhe në pjesën veriore nga Shkalla e Manazdreni në Balgjaj, Kacni e Selishtë. Kjo varet vetëm nga shkalla e intensifikimit të punimeve të kërkim–zbulimit. Në vitet shtatëdhjetë e tetëdhjetë nga Ndërmarrjet Gjeologjike Bulqizë e Burrel zbuloheshin afro 3 milion ton rezerva kromi në vit, nga të cilat 1 milion ton shfrytëzoheshin, ndërsa afro 2 milion ton rezerva shtoheshin në bilançin shtetëror të rezervave çdo vit. Me mbylljen e punimeve për mineralet metalorë në vitin 1992, ka 32 vite që në bilançin shtetëror të rezervave nuk shtohet asnjë ton mineral kromi, bakri, hekur nikeli, etj. por vazhdojmë të shfrytëzojmë atë që kemi zbuluar para vitit 1992, duke zbritur çdo vit bilançin shtetëror të rezervave. Shfaqje dhe objekte kromi janë zbuluar dhe në masivin e Lurës, në teritorin e bashkisë Dibër nga Liqejt e Lurës e Lura e vjetër, në Përruan e Ftujës, në Kësulë e Krej Lurë me cilësi mesatare deri të mirë. Edhe masivi i Lurës ndodhet në brezin lindor të masivëve ultrabazikë të vendit tonë dheështë perspektiv për mineralin e kromit, ashtu si masivët e Bulqizës, Kukësit e Tropojës në veri dhe Shebenikut në jug.
Punime të kërkim zbulimit janë kryer për mineralin e hekurit oksid në zonën e Muhurrit dhe Malësinë e Korabit (Gurët e Pëllumbave, Avdanicë, Pojatën e Ali Jakupit, Kepi i Stogjit, Shpellas, Rrafshin e Korabit etj.) si dhe në strukturën e madhe tëbrahisinklinalit të Sorokolit në objektet e Gurëve të Kodrës, Rreshkës, Tabes së Nizamit etj. etj. ku janë zbuluar mbi 552 000 ton rezerva hekuri oksido –silikat me cilësi të mirë, por që, punimet u ndërprenë për problemin e pasurimit të xeherorit në fjalë, për vështirësit që ai paraqet në ndarjen e hekurit nga fosfori, për shkak të përmbajtjes së lartë të fosforit. Xeherori i hekurit pa nikel kërkohej në atë kohë për nevoja të kombinatit metalurgjik të Elbasanit për prodhimin e çelikut të cilësisë së lartë. Perspektiva për rezerva është e hapur. Është kërkuar vetëm 10 % e strukturës xeherormbajtëse.
Për mineralizimin e bakrit është punuar në serinë efuzivo-sedimentare të Gramë – Tominit si nëPilafe, Tomin, Zimur, Hirisime Gurrë nëCerjan, Gurin e Kuq, Gramë, Skërtec etj., ku në objektin e Hirisimit janë zbuluar 20 000 ton mineral bakri me mbi 0.9 % Cu. Për mineralin e bakrit është punuar dhe në zonën e Lurës, nga Qafë Lura në Pregjë Lurë e deri në Arrëmallë (në objektet Gatri i Vjetër e Kroi i Buce, Kodra e Murrizit, Përroi i Gështenjit etj.) me rezerva të kufizuara e cilësi të mirë, ku deri tani janë zbuluar 33 786 ton mineral bakri me cilësi 0,4-2,98% bakër. Vlen të theksohet se mineralizimi i bakrit në këtë zonë është, si ai i vendburimit të madh të Gjegjanit në Kukës, prandaj dhe perspektiva është e hapur për punime të mëtejshme të kërkim-zbulimit duke vazhduar deri në shtrirjen e tij jugore deri në Mbasdeje..
Në vazhdim përshkruhen mineralizimet hidrotermle-teletermale të squfurit të Kërçisht-Kllobçishtit, mineralizimet e realgar-auripigmentit , në disa objekte me shoqërime të Au, Hg, Cu, Pb,Zn, Mn, Fe, dhe elementëve të tjerë si V, Mo, Co, etj.(në shfaqjet squfurore të banjave, Vrejtit, Dipjakës,Trojakut dhe më në veri në Malësinë e Korabit (në Stanet e Preshit, Qafën eRritheve, Burimet e Izvirit, Kepin e Stogjit, Shpellasin, Rrafshit të Korabit, Qafën e Rosnikut, Avdanicës, Trojakut, Dipjakës, Varrit tëSejmenit e Biçajës etj.).
Përshkruhen gjithashtu mineralet e Manganit dhe Hekur–Manganit në Borije Lurë, Muhur, Malësinë e Korabit ku përmendim ato tëHirisimit, Bjeshkës së Zonjave, Rrafshin e Korabit, përroit të Lushit, Krizës etj.; mineralizimet e Platinit dhe Nikelit sulfur në pjesën perëndimore të masivit të Lurës; të Hekur-Nikelit në Vlashaj; të Vanadit në Zall Dardhë, Zall Kalis, Përroi Veleshicës, përroi i Shumbatit, i Miravecit, i Bulaçit e deri në Muhur; të Aluminit (boksitet e Krej Lurës); të Arit në zonën e Korabit; të lëndëve të para të ndërtimit (mermere, gëlqerorë të mermerizuar, granite, ranorë, kuarcite, inerte lumore, rreshpe metamorfike (rrasa për mbulesa çatishë) etj.; Mineralet industrialë (Talku, Azbesti, Dunitet e freskëta, Pirofiliti i Sohodollit me 6 milion ton rezerva, Grafiti, etj.;
Lëndët e para kimike (Bojrat e Dheut e Squfuri) ku në objektet: Përroi i Miravecit, Përroi i Kaut Kastriot, Pilafe, Kabe, Tomin e Renz, janë zbuluar mbi 1 273 600 ton rezerva, ndërsa në objektin e Squfurit Kërçisht është zbuluar një sasi e vogël rezervash.
Lëndët e para teknike (Travertinat, ku janë zbuluar 40 000 m3 në objektin e Vleshës; Gëlqerorët, në dy breza nga Reçi në Selishtë dhe nga Korabi në Kërçin me rezerva shumë të mëdha, Gëlqerorët e mermerizuar të Muhurrit, Kraj Reçit e Kepit të Xhitetitnë Arras, me mbi 2,5 milion m3; Argjilat, në vendburimet dhe objektet: Dardha e Kubenit, Dohoshisht, Kastriot, Zbinec, Kodra Gjize, Zdojan, etj. ku jana zbuluar mbi 14 294 146 ton rezerva;
Evaporiteve (Gjipsit, Anhidritit e Selenitit) në masivin e madh që shtrihet nga përrejt e Grevës e Banjave deri në përroin e Gramës e Veleshicës, u kushtohet një rëndësi e veçantë duke kryer edhe më shumë punime dhe duke konkretizuar disa objekte e vendburime me rezerva të konsiderueshme, të ilustruara me hartografime e prerje gjeologjike, analiza kimike e fotografi.
Në libër citohen mbi 16 fusha përdorimi të gjipseve, nga ndërtimi (parafabrikate gjipsi, çimento të bardhë, etj.), bujqësia, deri tek krematurë për këmbët, shampo për flokët, në mjekësinë kineze e stomatologji. Në këtë masiv të madh të gjipseve janë zbuluar disa vendburime gjipsesh, anhidritesh e seleniti (Prroi i Banjave, Rabdisht, Vrenjt 1 e 2, Prroi i Gramës, Vleshë Uji i Ftohtë, Ura e Druve, etj. ku me punumet e kryera janë llogaritur afro 14 milion ton rezerva industriale dhe gjeologjike, si dhe vendburimi i Selenitit tek Varri i Sejmanit me 180 000 ton rezerva seleniti. Perspektiva për shtimin e rezervave është e hapur. Më gjithë këtë pasuri të madhe që ka Dibra me gjipse e anhidrite, përpunimi dhe futja në përdorim e kësaj lënde të parë me shumë fusha përdorimi len për të dëshëruar.
Ndërsa në Dibër të Madhe kemi pjesën periferike më jugore të gjipseve me përhapje të kufizuar dhe është ndërtuar që në fillim të viteve shkatëdhjëtë ”Gjipsara”, sot Kombinati i Gjipsit “Knauf Radika”, që furnizon me parafabrikate gjipsi, çimento të bardhë, etj. gjthë Europën dhe shumicën e shteteve të Azisë deri në USA, ne akoma nuk kemi ngritur një objekt të tillë gjipsi, kur me rezervat që kemi dhe mundësinë për t’i shtuar ato, mund të ngremë disa të tillë, jo vetëm për të plotësuar të gjitha nevojat e vendit por edhe për të dalë në eksport.
Në rajonin e Dibrës ka të dhëna edhe për mineralizimin e Arit në zonën e Korabit, Platinit e Nikelit Sulfur në pjesën perëndimore të masivit ultrabazik të Lurës, të Aluminit në boksitet e Krej Lurës, të Vanadit nga Zall Dardha e Zall Kalisi në përrejt e Veleshicës, Shumbatit, Miravecit, Bulaçit deri në Muhurr, të Hekur –nikelit në Vlashaj Lurë, të Boksiteve në Krej Lurë, për Uranium në objektet e Bufllit në Muhur e Kodra e Kuajve në Kala të Dodës, të cilat përbëjnë fusha të reja për kërkime e studime të mëtejshme bashkëkohore për t’i zbuluar e për ti vënë në shërbim të rritjes ekonomike rajonale e kombëtare.
Në vendin tonë, ku ka gjipse duhet kërkuar edhe për naftë e gaz. Këtë e tregojnë studimet për naftë e gaz nga Veleshica në Kostenjë. Kjo nuk përbën ndonjë çudi, por është konkluzion i arritur me vrojtime e studime të autorit në bashkëpunim me gjeologët më të mirë të naftës e gazit në vendin tonë.
Kapitulli i III-të “Rreziku Gjeologjik i Dibrës” është një nga kapitujt e rëndësishëm të këtij libri, i trajtuar për herë të parë, që vihet në shërbimtë komunitetit, njësive vendore dhe Bashkisë Dibër. Është përpiluar Harta e Rrezikut Gjeologjik, ku trajtohen tërmetet (e viteve 1920-2002 në shkallë kombëtare dhe për Bashkinë Dibër për vitet 2002-2020 me katallogët përkatës), qëndrushmëria e shpateve, përmbytjet, orteqet, shkëputjet dhe zonat shkëputëse tektonike, rrëzimet, shembjet, etj. të shoqëruar me listat përkatëse. Trajtohen faktorët që ndikojnë në qëndrushmërinë e shpateve, nga ato gjeologjikë, tektonikë, veprimet e ujrave nëntokësore, hidrometeorologjik, seizmiciteti, mbulesa bimore, deri tek veprimtaria e njeriut.
Përshkruhen rreziqet gjeologjike natyrore, erozioni, vrojtimet gjeologo-inxhinierike, masat për mbrojtjen e shtratit të lumit Drin dhe për të rehabilituar pjesët e dëmtuara, dukuritë karstike, hinkat, gropat, lugjet, luginat, kanionet (tre kanionet e Grykës së Setës, përroit të Mallës së Lurës, lumit Drini i Zi, poshtë Urës së Dodës, në Kraj Reç, Hotesh, Gradec, i përroit të Gramës, Veleshicës, etj.), deri tek fushat karstike (të Fushës së Panairit, Lan Lurës e Lugina e Xharxhishtit), karsti nëntokësor, nga puset, oxhaqet, sterret, galeritë e shpellat, ku rregjistrohen 19 shpella karstike. Përshkruhen punimet e braktisura të shoqëruara me listën e tyre në shkallë bashkie.
Një rëndësui e veçantë u kushtohet burimeve ujore, ujrave të pijshëm ku jepet dhe tabela e të gjithë burimeve në teritorin e Bashkisë së bashku me debitet përkatëse dhe cilësinë e tyre, ujrat agresivë (agresiviteti i sulfureve, karbonateve, etj.), rezervuarët dhe liqenet natyrore (ku në zonën e Selishtës kemi 40 liqene nga të cilët16 të mëdhej deri mesatarë dhe 24 të vegjël, nga 14 liqene që kemi në zonën e Lurës(9 të mëdhej e 5 të vegjël) dhe në zonën e malsisë së Korabit 10 liqene të vegjël deri mesatar).
Tërhiqet vemendja për rreziqet gjeologjike tektonogjene (antropogjene) të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut, si shfrytëzimi pa kriter i inerteve lumore e shkëmbore, rezervuarët, minierat e braktisura, sterilet, mbetjet urbane, kanalizimet e ujrave të zeza, shfrytëzimi i karrierave pa projekte dhe pa masa të rehabilitimit të mjedisit, mbetjet industriale, ndotja e ujrave nëntokësor, mbetjet urbane, etj.
Një rëndësi e veçantë u kushtohet Monumenteve të natyrës dhe Gjeomonumenteve, ku jepet lista e 4 gjeoparqeve, 8 gjeomonumenteve me vlerë regjionale, 11 gjeomonumenteve me vlerë kombëtare, 25 gjeomonumenteve me vlerë lokale, 41 monumenteve të natyrës, ku për disa kryesore jepen përshkrimet dhe fotot. Përshkruhen Parqet kombëtare të Lurës dhe Korab-Koritnikut, prerja stratigrafike e graptoliteve të Muhurit, kupola evaporitike e Malit të Bardhë, Rrafshi i Korabit, Bjeshka e Zonjave me Bjeshkën e Gramës, burimet e Bellovës, shpellës së Sopanikës, kroi i Mbretit Sorokol, pasqyrat e Pelpenikut, alloktoni i Gramës, Fushat e Pelave, Lurë, Panairit Korab, fusha karstike e Lan Lurës, objekti i Squfurit Kërçisht, Monumentet e natyrës (Plepat e rrepat në Bardhaj, Hurdhë Reç e Sllatinë), Guri i Vashës në Qaf Murrë e Kishavec, Guri i Kuq në Krej Lurë, Kepi i Xhitetit në Arras, Guri i Pëllumbave, Bjeshka e Shehut, Pylli i Mështeknave në Kijavec, Ploshtan, Guri i Erebarës, etj të cilët duhen ruajtur e administruar nga njësitë vendore dhe Bashkia e Dibrës sepse përbëjnë një pasuri tjetër të madhe që ka Dibra për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit malor.
Në fund jepen edhe 15 Hartat e Rrezikut Gjeologjik të Bashkisë Dibër me shpjegimet përkatëse dhe lista e 170 projekteve, raporteve e studimeve të kryera si autor i vetëm, autor kryesor me bashkëpunëtorë dhe si bashkëautor.
Prof. asoc.dr.inxh. Vesel Hoxha në punën e tij mbi 47 vjeçare, mbi 35 vite i ka kryer në terren në zonën më të vështirë e problematike të gjeologjisë së vendit tonë, në zonën e Korabit, duke punuar direkt në terren, duke çuar më përpara njohjen e saktë të formacioneve gjeologjike, stratigrafisë, tektonikës, etj, duke reflektuar të gjitha përmirësimet hartografike të rilevimeve gjeologjike të kryera në shkallë 1:25000 dhe vrojtimeve të bëra në terren nga vetë autori. Ai ka drejtuar punimet për kërkim zbulimin e mineraleve të dobishme të hekurit oksid e silikat, bakrit, mineralizimeve hidrotermale-teletermale, evaporiteve (gjipseve, anhidriteve, seleniteve), squfurit, gurëve veshës dekorativë, etj. të zonës së Korabit etj. duke drejtuar në shumicën e kohës edhe Ekspeditën gjeologjike të Peshkopisë dhe më vonë, Degën Rajonale Gjeologjike të Peshkopisë.
Krahas punës së tij sistematike e me përkushtim, ai ka ditur të bashkëpunojë dhe të përfitojë nga eksperienca e shumë studiuesve të vjetër të gjeologjisë si, bashkëpunëtori i vjetër shkencor Abedin Xhomo, prof.Shyqyri Aliaj, prof.Vangjel Melo, paleontologu P.Pashko, profesorët Aleksandër Çina, Minella Shallo, Aleks Vranaj, Bashkim Lleshi, Andon Grazhdani, Artan Tashko, Afat Serjani, Vangjel Qirici, Vangjel Kici, Kadri Gjata, Ibraim Milushi, Përparim Hoxha, Ilir Alliu, Safet Dogjani, Ylber Muceku, Çerçiz Durmishi,Arjan Beqiraj, Nezir Mekshiqi, Avni Meshi, Eleni Gjani, inxh.Burhan Kodra, pa harruar dhe kolegët e ish Ekspeditës gjeologjike të Peshkopisë, inxhinierët Esat Manjani, Niko Kita, Irakli Premti, Sakip Elezi, Emërllah Kolgjini, Nexhat Hysa, Xhevahir Torba, Miftar Majmari, Xhemal Mena, Miftar Islami, inxh. topograf Selim Muça, teknikun topograf Xhelal Suli dhe teknik gjeologët Ali Bardhi, Halit Koka, Adli Baholli, Muharrem Sturçe, Isa Mandri e Hasan Lala.
Në vitet tetëdhjetë, nëntëdhjetë e deri kur doli në pension ai ka marrë pjesë në studime të kryera nga Institucionet kryesore shkencore të gjeologjisë si me Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Gjeologjisë, Institutin e Naftës e Gazit, Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, Qendrën Sizmologjike, Ndërmarjen Gjeofizike, etj, si: në Studimin e perspektivës dhe prognozës së mineralit të hekurit pa nikel në zonën e Korabit të kryer në vitin 1979, studimin për përpilimin e Hartës gjeologjike të Shqipërisë në shkallë 1:200 000 të vitit 1983, të hartave tektonike, të mineraleve të dobishme dhe të Rrezikut gjeologjik të Shqipërisë në shkallë 1:200 000, studime për perspektivën e gjipseve dhe anhidriteve në zonën e Korabit, studimit të mineraleve të dobishme industriale në shkallë kombëtare të kryer në vititi 2005, studime në bashkëpunim me ING, etj. etj.
Ai është një ndër intelektualët e shquar të Dibrës, i cili është aktivizuuar edhe në aktivitetet kryesore të LID (Kuvendin tekniko shkencor të vitit 2007 dhe Konferencën Shkencore të 2019 për Rrugën e Arbërit, si autori kryesor i përgatitjes së referateve: “Pasuritë minerale të rajonit të Dibrës që mund të vihen në qarkullim ekonomik me ndërtimin e Rrugës së Arbërit” (2007)dhe “Përmirësimi dhe ndërtimi i rrugëve lidhëse me Rrugën e Arbërit të njësive administrative të Peshkopisë, Kastriotit, Çidhnës, Lurës, Dardhës, Reçit, Sllovës, Kalasë së Dodës, Tominit e Melanit- me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë, turizmit malor e historik” (2019).
Me punën e tij mbi 47 vjeçare ai ka fituar një ekperiencë të madhe në fushën e gjeologjisë dhe me përfundimin e këtij studimi, e ka afirmuar vehten si një ndër shkencëtarët e shquar në fushën e gjeologjisë shqiptare në përgjithësi dhe gjeologjisë së zonës së Korabit në veçanti. Tani vazhdon të jetë në pension, gëzon shëndet të mirë dhe i uroj të vazhdojë më tej punën kërkimore shkencore në fushën e gjeologjisë.