Ishte një kohë me Ty!


Për babain e dajën tonë Lutfi Manjani!

Në muajt e fundit të klasës së katërt fillore, kur po e mbyllte me sukses, në klasë erdhi Selim Alliu, kryeinspektor i arsimit. Shkonte çdo fundviti nëpër shkolla dhe me shumë interes shënonte emrat e nxënësve më të mirë, pasi i’a tregonte mësuesi dhe ai vetë i testonte. Me një punë bindëse me prindërit, i tërhiqte në shkollën unike në Peshkopi. Pastaj i drejtonte për në pedagogjike dhe kur mbaronin, i orientonte për në universitet. Me prindërit e Lutit iu desh të fliste, sepse ai ishte fëmija i parë dhe ata ishin të vetëm. E vërejti për tre ditë dhe i ra në sy shkathtësia, zgjuarësia dhe dëshira për të vazhduar shkollën. Më vonë do t’a ndihmonte për në shkollën pedagogjike dhe në universitet. Selim Alliu do të ishte tifozi personal i tij më vonë,do t’a ndiqte në të gjitha ndeshjet brenda dhe jashtë rrethit kur mundej. Qe shumë krenar për të e arritjet që pati në jetë.
Filloi shkollën më 1947 në Peshkopi. Që në fillimet e tij, tërhoqi vëmendjen e mësuesve të fizkulturës për shkathtësinë dhe pasionin për sportin. Ishte ai pasion që do t’a shtynte drejt realizimit të një ëndërr ku e nisin me mijëra të rinj, futbollin. Në shkollë të mesme, ishte i padiskutueshëm afrimi me ekipin e Korabit, ku gjeti një klimë të mrekullueshme sportive, mes emrave të njohur si Musa e Rexhep Bardulla, Taxhedin Shehu, Islam Kosova, Atli Shehu, Bexhet Shehu, Esat Skuka, Musa Lala e shumë lojtarë të tjerë që vinin nga rrethet.
Ishte koha kur Korabi preku majat e suksesit e për 10 vite Luti do të ishte kapiten i skuadrës, ishte koha kur Korabi më 1960 do të jetë në kategorinë e parë, ishte koha kur tifozët Dibranë vinin në këmbë pothuaj nga të gjitha fshatrat për të parë ndeshjen, ishte koha kur të gjithë shkëlqyen e në mes tyre emri i nr.3, qendërmbrojtësit Lutfi Manjani mbeti në memorjen e tifozërisë dibrane.
I gjithanshëm, i përpiktë, në të gjitha sferat e jetës. Mbaroi shkollën dhe filloi mësues në Muhurr. Në këmbë nga Muhurri ndiqte stërvitjen në Peshkopi një vit. Punoi nëndrejtor konvikti në Peshkopi, një vit mësues në Shupenzë dhe pastaj për shumë vite ishte mësues në gjimnazin e Peshkopisë. Mësimdhënia dhe sporti qenë pjesë e jetës së tij, po ai dinte mrekullisht ku t’i ndante dhe ku t’i bashkonte me nxënësit. Ai mësues Luti i lojës së bukur në fushë dhe që u jepte aq kënaqësi, po aq serioz e kërkues ishte në orë të mësimit. Për shumë breza ishte mësuesi dhe edukatori që la pas vetëm të mirën. Urtësia me të cilën shpjegonte, korrigjonte fakte të vërteta, ishte ndër aftësitë e mëdha të tij. Kishte për zemër nxënësin punëtor. Qe koha kur diktatura kafshonte atë çka toka e jeta kishte më të shtrenjtë, të rinjtë. Për ata nxënës që mbanin padrejtësisht mbi shpatulla biografinë e familjes, fliste për t’a si për një mrekulli të vërtetë, kur tregonte sa të zgjuar ishin, për sakrificën që bënin, për padrejtësinë që u kishin thurur, edhe pse e dinin se nuk do i lejonin të vazhdonin studimet më lart. Vlerësonte të gjithë nxënësit që vinin nga larg, në këmbë, në borë e shi, për të vazhduar shkollën.
Për ne si fëmijë dhe nipër të tij, nuk ishte thjesht babai, daja e xhaxhai jonë. Ai ishte shpresa që kishte emër. Nuk e teproj po të them se e kemi parë si legjendë që kur e mbajmë mend. Ndoshta sepse jetoi i lirë, sepse ishte vetvetja, sepse kishte vendosur raporte vetëm me të drejtën, vetëm me të vërtetën. Ishte sportisti që e adhuronin të gjithë, ishte mësuesi që e respektonin, ishte qytetari që u ngrit në nivelet e dinjitetit. Kudo i doli për Zot vetes, sepse udha e lartësive që arriti, kaloi nëpër shenja e zakone fisnikërie.
Dashurinë, miqësinë, respektin për të gjithë sa njohu, për gjakun e tij, për miq e shokë as nuk e mati dhe as nuk e kurseu asnjëherë.
Shfrytëzonte çdo moment të kohës së lirë. Përgatitej me seriozitet për çdo orë mësimi, lexonte letërsinë e tij të preferuar, pëlqente këngët epike, e gjeje pranë fushës së ping -pongut, pranë tabelës së shahut, pasi la futbollin, ngriti për herë të parë ekipin e volejbollit për meshkuj me të cilin i përfaqësua denjësisht. Adhuronte natyrën e ishte shumë kohë jashtë di në dimër dhe në verë. Përgatiste me kohë skitë e rrjetën e peshkut për në Dri, Murrë e Setë. Dhe ftonte t’a shoqëronin vetëm për t’ju treguar bukuritë e natyrës.
Ishte i hijshëm, po më e madhja hijeshi e tij ishte urtësia me të cilën të ofrohej. Kurrë nuk të thoshte dy herë të njëjtën fjalë a sugjerim. Nuk të imponohej, vetëm shfaqej me shembullin e vet. Ndjenjën e sakrificës, të lidhjes së gjakut, të fisnikërisë, i shprehu në mënyrën më të bukur.
Duam të shkruajmë më shumë për sa ishe e jetove, sepse e meriton, po nuk të ka pëlqyer kurrë të të lëvdojnë.
Është e rëndë ndarja nga atdheu. Aq më shumë për ty që ishe kaq shumë i lidhur me vendlindjen, Homeshin. Pesha e mallit është sa pesha e malit. Për hatër të fëmijëve, këtë brengë e jetove brenda vetes dhe more rrugën e mërgimit, pa u ankuar, sepse jetës gjithmonë i shihje anën e mirë. I tillë ishe gjithë jetën.
U ndave nga kjo jetë i rrethuar me dashurinë e fëmijëve, nipërve e mbesave dhe plot mërgimtarë që të njihnin.
Nuk e di nëse ka kohë përtej kohës e jetë përtej jetës, por di se jemi të bekuar me emrin e hijeshinë tënde. Jemi të bekuar që të patëm mes nesh. Që të deshëm e na deshe. Me gjithçka që ishe, në kujtimet tona, gjithmonë. Qofsh banor i zotit!
Afrim Manjani, Emrie Skuka – Mera