Hysen Puca modeli i atdhetari në Grykën e Madhe


Nga Zabit Lleshi

Në gjysmën e parë të shekullit tetëmbëdhjetë nga Pusi i Thatë i Gjinajt të Hasit të Kukësit të parët e familjes Puca u larguan dhe u vendosën një vëlla në fshatin Gjegje të Kukësit, një në Venisht të Dibrës dhe ma i vogli erdhi në Godvi të Grykës së Madhe. Këtu lindi Hysen Puca më 8 mars 1903.Thirrej shkurt Cen dhe kështu njihej në rrethin e Dibrës, Mat e Martanesh. Babai Destan Puca u shqua në luftën për liri dhe pavarsi kundër perandorisë osmane, austriakëve (1916-198), serbëve (1913-1921), në luftën për demokraci (1922-1924) etj.
Në gjurmët e Destanit vazhduan traditën bijtë dhe nipërit e tij Ceni, Ademi, Mehmeti, Aliu, Ramizi, Rakipi. Në vitin 1922 kjo familje erdhi në Zall-Sopot. Patrioti Destan Puca ndërroi jetë në vitin 1931, pas tij Ceni u bë kryefamiljar. Megjithëse në moshë të re Ceni luftoi për krah babait kundër ushtrisë serbe, në lëvizjen e marsit 1922 si dhe në mbrojtje të revolucionit demokratiko-borgjez të vitit 1924. Ishte antizogist dhe luftoi kundër monarkisë gjatë sundimit të saj. Si çdo familje shqiptare edhe familja Puca e ndjeu peshën e shtypjes dhe shfrytëzimit nga qeveria e Zogut, bashkë me ato pas pushtimit fashist në 1939. Asnjëherë nuk u nënshtruan, përkundrazi luftuan me të gjitha format si protestat, kundërshtimi i pagesave të taksave e detyrimeve që rëndonin mbi kurrizin e fshatarsisë. Për shkak të gjendjes ekonomike, urrejtja ndaj regjimit monarkik rritej çdo ditë e më shumë, sidomos kur një bashkëvendas i Cen Pucës nga Godvia Hysen Ramadan Sula do të pushkatohej si pjesmarrës në kryengritjen e Fierit më 1935 si antifashist dhe kundërshtar i regjimit shtypës e anarkist të Ahmet Zogut.
Bashkë me vëllezërit me punë në bujqësi (Mehmeti dhe Aliu emigruan në Turqi), siguruan një ekonomi të qëndrueshme duke u shëndërruar në një familje të madhe mbi dyzet frymë dhe shumë kurorë. Ajo kishte një rreth të madh miqësor e shoqëror. Aty hynin e dilnin mysafirë, udhëtarë, hallexhinjësh të shumtë nga dy Dibrat, Golloborda, Mati, Luma e Martaneshi.
Një familje “minishtet” që drejtohej me mjeshtëri e zgjuarsi nga Cen Puca sipas një kodi moral, që ruajti për një kohë të gjatë unitetin, harmoninë vëllazërore për shumë breza deri në ditët e sotme.Një shembull i rrallë në Dibër, kjo sidomos pas çlirimit edhe në Shqipërinë e Veriut. Familja Puca kishte dhjetë hektar tokë, mullirin e saj, pasuri të konsiderueshme me pyje. Në vitin 1957 ndërtoi një central elektrik vetëm për familjen etj.
Me shumë vullnetarë nga Gryka e Madhe, veçanërisht nga Peladhia, Ceni u bashkua për të pritur me luftë ushtrinë italiane më 7 prill 1939 në Durrës. Erdhën në Burrel, nuk siguruan armë prandaj morën rrugën e Gurit të Bardhë, për të zbritur në Tiranë.
Në shkallën e Tujanit u takuan me dibranë që largoheshin drejt Dibrës sepse Italia kishte hyrë në kryeqytet. Të zhgënjyer u kthyen në fshat. Lajmi se dy dibranë kishin rënë heroikisht më 7 prill 1939 kishte marrë dhenë. Ramadan Velia nga Homeshi dhe Isak Metalia nga Strikçani ishin dëshmorët e parë antifashist. Ky akt heroik frymëzoi Cen Pucën me shumë vullnetarë antifashist në Grykën e madhe.
Më 1940 fshatarësia në Grykën e Madhe nuk pranoi të paguante taksat, kryesisht të dhjetat, nuk pranuan të visheshin milicë, që të shërbenin në milicinë fashiste. Kundërshtuan me forcë mobilizimin e ushtarëve për në frontin e luftës italo-greke. Midis puntorëve, kryesisht nga Gryka e Madhe që punonin në rrugën Zerqan-Klos shpërthyen revolta ndaj sipërmarrësve italianë.
Përpjekjet e pushtuesve për ç’armatosjen edhe për shkak të rezistencës së popullsisë dështuan. Kjo situatë po shkonte drejt pikës së vlimit, nxorri militantët antifashsit në Grykën e Madhe e midis tyre shquhej Cen Puca. Shumë shpejt do të angazhoheshin në luftë kundër fashizmit, jo vetëm me propogandë por me veprime konkrete.
Haxhi Lleshi del ilegal në mars të vitit 1941 dhe përgaditet të presë me luftë Italinë fashiste më 6 prill, e cila sulmoi Jugosllavinë. Në Miresh dhe Bllatë forcat italiane përballen me forcat e Haxhi dhe Aqif Lleshit. Kjo bëri bujë të madhe në Dibër. Situata ishte shpërthyese. Cen Puca priste momentin. Haxhi Lleshi me familjen Puca kishin një miqësi të vjetër lidhur prej të parëve Halit Lleshi dhe Destan Puca dhe e kalitur në luftë. Në maj të vitit 1942, pas kthimit nga Peza(takoi Enver Hoxhën dhe Myslim Pezën), erdhi në familjen Puca. Gjeti vullnetin dhe gadishmërinë për të mbështetur pa rezerva luftën antifashiste. Këtu takoi Lym Zenelin, Hajdar Shehun, Hysen e Mustafa Cakallin, Elmaz Tonçin, Dullë Gjinin,Hamit Danin të cilët premtuan të bashkëpunonin me vullnetarët antifashistë dhe ashtu bënë deri në fund të luftës.
Shtëpia e Cenit kishte një pozicion shumë strategjik, siguronte lidhjet me fshatrat, afër malit,rrugës automobilistike, Peshkopi-Tiranë për strehim dhe vrojtim të lëvizjeve të ushtrive armike në çdo kohë. Ceni ka treguar trimëri qysh në aksionin e parë të çetës partizane të Dibrës tek gurët e Skënderbeut në Bulqizë më 26 qershor 1942, udhëhequr nga komandanti i çetës Haxhi Lleshi bashkë me atë tëMinierës së Bulqizës (16 shtator) udhëhequr nga Nazmi Rushiti. Me katër shokë Nazmi Rushiti nga shtëpia e Pucajve(aty u hartua plani për vrasjen e kapitenit fashist Stavri Jaho), doli për të realizuar atentatin më 27 shtator 1942. Vetë Ceni i kërkoi Nazmiut ta shoqëronte, por ai nuk pranoi me arsyetimin se mund të ketë pasoja si familje e madhe prej ushtrisë fashiste. Kjo familje priti çetën partizane të Dibrës, Grykës së Madhe, partizanë të shumë formacioneve të ushtrisë nacional-çlirimtare, italianë të dezertuar apo të zënë rob etj, midis tyre Haxhi Lleshin, Baba Fajën, Qazim Prishtinën, Zoi Themelin,Ahmet Jegenin,Sulë Bahollin, Spiro Velkon etj.
“Cen Puca më priti me zemër të hapur e me një bujari të jashtëzakonshme. Më caktuan partizanë të Grykës së Madhe nga 15 qershori i vitit 1943”-shkruan Kristo Frashëri në kujtimet e tij për luftën Nacional-çlirimtare. Aty vinin korier të çetave partizane, drejtues të luftës, të deleguar të partisë komuniste që lëviznin nga një krahinë në tjetrën. Strehoheshin të sëmurët dhe partizanë të plagosur, shpërndahej municion luftarak etj. E gjithë familje jetonte dhe ishte për ditë në kushte lufte. Cenit me antarët e tjerë të familjes do ti duhej të organizonte këto shërbime dhe ia dolën faqebardhë. Ai u kalit si i thonë fjalës në kudhrën e luftës, pa u shkëputur nga fronti i saj siç ishin ato ndaj depove të drithit në Smollik, në Ostren të Vogël, kundër postës së financës me 5 dhe 7 prill 1943. Atë ditë u prenë linjën telegrafike Dibra e Madhe-Zerqan-Peshkopi-Burrel-tek Ura e Çerenecit. Veprimet luftarake do të pasonin çlirimin e Zerqanit (3 gusht 1943), beteja e Sofraçanit më 23 gusht 1943, bashkë me atë të çlirimit të Peshkopisë, të Dibrës së Madhe. Në shumë beteja luftëtarët e Grykës së Madhe kanë qenë garant për fitoren me heroizmin e vetëmohimin, që kanë treguar ndaj pushtuesve italo-gjermanë, sidomos në mbrojtjen e Dibrës së Madhe prej ushtrisë gjermane ku u shquan Doktor Harito, Jashar Kola, Cen Puca, Myslim Shehu etj. Në një prej këtyre luftimeve vëllai, Ramiz Puca u plagos në Llazariopole të Maqedonisë.
Një ndihmë të konsiderueshme dha Ceni për ngritjen e këshillave Nacionaçlirimtarë. Në Sopot, në nëntor të vitit 1942 u zgjodh kryetar këshilli. Bashkë me kryetarët e tjerë të fshatrave siguruan lidhjet midis tyre por edhe me Grykën e Vogël, Bulqizën, Okshtunin, Gollobordën e Martaneshin.
I pa zëvëndësueshëm kontributi i grave të familjes Puca; Bibes, Xhemiles, Selvijes, Rabijes etj qysh në vitin 1941. Ato ishin prapavija, pritën, ushqyen, veshmbathën, u kujdesën për partizanë të sëmurë, të plagosur, shpesh herë bënë punën e korierëve, grumbulluan ndihma për luftën. Njëkohësisht luftuan për përmbysjen e botës së vjetër, kundër zakoneve prapanike e lindjen e një bote të re e përparimtare.
Pas çlirimit u zgjodh kryetar i Këshillit Krahinor të Zerqanit, shef i ekonomisë dhe pyjeve, kryetar i kooperativës bujqësore Sopot. Për një kohë të gjatë u zgjodh antar i Këshillit Popullor të rrethit dhe në kryesinë e veteranëve të luftës Nacionalçlirimtare të Dibrës.
Më 1974 erdhi me familje në Laç, vazhdoi të jetë aktiv me veteranët, pensionistët, të rinjtë. Nuk i humbi lidhjet me Dibrën e vendlindjen, përkundrazi u shtuan miqësitë dhe rrethi shoqëror. Cen Puca u martua me dy gra, lindi dhe rriti 18 fëmijë. Mbaruan shkollën e lartë gjashtë, të mesmen shtatë. Me punë dhe ndershmëri kanë shërbyer në bujqësi, mjekësi, në ushtri, në Dibër, Shkodër, Laç, Tiranë etj.
Më 18 janar 1988 Ceni ndërroi jetë, në moshën 85 vjeçare. Një njeri me personalitet, model në punë e në jetë, i drejtë, pa komplekse, gjithë jetën në shërbim të shoqërisë. Ashtu në heshtje, pa u ankuar asnjëherë, pa përfituar asgjë, tolerant dhe gjithnjë optimist. Jeta dhe vepra e patriotit Cen Puca është një model frymëzimi për të krijuar e ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të ndershme, që çmon dijen, punën dhe moralin, lufton injorancën, vesin e pa drejtësinë.