Kur hidhet baltë mbi të kaluarën, e sotmja dhe e nesërmja gjenden në udhëkryq


Nga Gëzim LOKA

Sot, brezat e rinj dhe të moshuar, fëmijët, gratë dhe burrat e këtij vendi përjetojnë një krizë të madhe, që buron nga plagët e këtij sistemi, që e ka në minimum shkallën e reagimit dhe mbështetjes humane dhe në maksimum etjen e shfrenuar për fitime të atyre që janë në krye të kupolës politike e shtetërore.
Shoqëria shqiptare postkomuniste, për fat të keq, është zhytur në një krizë të thellë morale e politike, e cila vjen gjithnjë duke u thelluar dhe duke zvogëluar përmasat e vlerave të traditës, të punës e respektit njerëzor. Ka humbur njerëzillëku, shpirti i garës së ndershme, gadishmëria për të ndihmuar tjetrin, respekti dhe dinjiteti janë kthyer në etje të shfrenuar për të pasur gjithçka, duke shkelur mbi gjithkënd që të del përpara…!
Individualizmi frenetik nuk do që të ia dijë për asgjë, po zbehet gjithnjë e më shumë fryma e dashurisë dhe solidarietit mes njerëzve, madje dhe mes vetë familjarëve e farefisit, po degradojnë parimet njerëzore dhe thuajse gjithçka vërtitet në derivate kënaqësie të unit, pa llogaritur asgjë tjetër veçse kënaqjen e vetvetes.
Është goditur familja, institucioni i martesës, lindja e fëmijëve etj. dhe shoqëria jonë po vjen dalëngadalë duke u kthyer në një shoqëri të plakur, më keq se shumica e vendeve të Evropës, që e pranojnë këtë plagë të rëndë të sistemit kapitalist.
U shkatërrua jo vetëm baza ekonomike dhe e mjeteve të prodhimit, që i përkisnin sistemit komunist, duke u rrënuar miliarda lekë vlerash materiale, por dhe ato cilësi të mira morale e njerëzore, që ishin krijuar në atë epokë dhe që tani shumëçka duket sikur është kthyer e vazhdon të kthehet me kokë poshtë.
Realiteti “demokratik” tridhjetë e dy vjeçar ka ardhur me shumë pengesa, me probleme të mëdha ekonomike, etike, sociale, shoqërore, me deformimet në karakter dhe në psikologjinë e sjelljes e të veprimit, me humbje të vlerave principiale humane dhe rrënim të shumë virtyteve të traditës shqiptare.
Sot e gjithë klasa jonë politike në të majtë e në të djathtë, bubullon e gjëmon kundër të ashtuquajturës prej saj “Diktatura komuniste”, duke sharë e mallkuar atë kohë, jo sikur në atë kohë të kenë jetuar njerëz e të jenë ndërtuar vepra, por sikur të ketë ngrirë gjithçka, që nga puna e dija deri tek mendimi njerëzor.
Shajnë kohën e shkuar komuniste, rendin, rregullin, qetësinë, punën e garantuar për gjithëkënd në atë kohë që kaluam të gjithë dhe i thurin hymne kësaj shthurje të plotë e degradimi moral e shpirëtor, që po përjetojmë sot dhe që nxit ky rend shoqëror, ku njeriu për njeriun vërtet është ujk dhe shumëçka vërtitet në hullinj të gabuar.
Në fakt, megjithë gabimet dhe mëkatet e asaj kohe, nuk është ajo pengestarja në ecurinë e mbrapshtë të vendit tonë. Nuk është ajo shkaktarja që në këtë vend po thellohet hendeku midis të varfërve që nuk kanë asgjë dhe të pasurve që nuk dinë se çfarë kanë, që droga, prostitucioni, trafiqet, krimi i rrugës dhe ai i organizuar bëjnë kërdinë, që arsimi është përtokë dhe shëndetësia e rrënuar, që në zonat e largëta e të thella njerëzit vdesin nga mungesa e shërbimit shëndëtësor për një gjilperë, që analfabetizmi po bëhet një dukuri e zakonshme, sidomos në zonat e thella të vendit, që hakmarrja dhe gjakmarrja mbajnë të ngujuar gra e fëmijë kundër Kanunit dhe çdo norme tjetër të së drejtës zakonore, që lufta e klasave vijon akoma më e egër se në kohën e socializmit, por me një stilt ë ri, me metoda të reja dhe më të sofistikuara etj.
Në kapitalizmin primitiv shqiptar ekonomia ka pesuar rënie drastike, ka rënë punësimi, nuk ekziston më shkollimi normal e sa për edukim as mund të bëhet fjalë!
Politikanët shkatërruan gjithçka. Rinia mori rrugët, më saktë e detyruan të marrë rrugët e kurbetit, duke kaluar dete e male për të gjetur punë, për të ushqyer familjet e tyre. Pasi vetë kualifikimi i tyre mori fund, në Shqipërinë dhe demokracinë e këtij sistemi, që kujdeset vetëm elitat politike dhe klasën e pasur, e cila është pasuruar duke vjedhur dhe jo në rrugë e me mjete të ndershme!
Politikanët e të gjitha krahëve u kujdesën vetëm për pasurimin e tyre dhe të oligarkisë rreth tyre, duke i shkatërruar kësaj rine bazën e punës e të jetës, e cila ishte ndërtuar që në vitet ‘60, përcaktuese kjo për të jetuar me dinjitet në vendin etyre.
Asnjë fëmijë nuk lind hajdut, kriminel, vrasës dhe as filozof; këta bëhen gjatë jetës, ashtu siç përgatiten, thënë ndryshe shkruhet e zeza mbi të bardhë, pra lypset edukimi familjar, edukimi shkollor, edukimi shoqëror, përkujdesja e shtetit dhe institucioneve humane, të cilat ose mungojnë ose janë shumë të zbehta në këtë vend, ku mungon llogaridhënia dhe kaosi mbretëron në çdo institucion e për rrjedhoje mësimi dhe edukimi i fëmijëve dhe i të rinjve janë në kuotën thuajse zero…!
Ulja e nivelit arsimor, duke bërë që një pjesë të jetë analfabete, pa shkollë, pa punë, pa mjedis të shëndetshëm shoqëror, domosdo që do të krijojë kontigjentet e krimit kundër pronës së qytetarëve dhe jetës së tyre. Krimi bën kërdinë dhe po merr jetë të pafajshme që ndodhen rastësisht, në vendin dhe në kohën e gabuar!
Shumë politikanë dhe pushtetarë, nuk e pranojnë këtë realitet, madje ka nga ata ekstremistë që këto plagë ia faturojnë regjimit komunist, por e vërteta është e thjeshtë dhe e lexon gjithkush që di e ka dëshirë të lexojë të vërtetën e këtij sitsemi në këtë vend, që vërtitet në jermi të plotë ekzistenciale.
Më tej, kjo politikë duhet të reflektojë e të japë llogari, pse nuk përdoren politika të drejta punësimi dhe nuk hapen perspektiva për të ardhmen, pse nuk angazhohen organet shtetërore dhe partiake në bazë për punën dhe propogandimin e ligjeve dhe të rregullave, në mënyrë që t’i ruajnë njerëzit të mos bien në gabime e faje, të mos shkelin në dërrasë të kalbur. Për popullin ju bie ndërmend vetëm kur kërkojnë votën për kolltukun e tyre, këtu merr fund “kujdesi” për të.
Shoqëria ndihet e braktisur nga partitë politike që takohen me “sovranin” vetëm kur duan votat, rinia është në udhëkryq, pa shkollim, pa dije, pa edukim, punëtorët pa punë, bujqit pa toka e prona, gratë të mbyllura brenda katër mureve, fshati i braktisur, fëmijët në shumë fshtara pa shkollë, për shkak të shpopullimit të tyre, qyteti i mbipopulluar dhe pa të ardhme.
Dhe deputetët, politikanët, shefat e partive, krerët e qeverisjeve që pasojnë njëra-tjetrën, në vend që të venë gishtin mbi këto plagë dhe të tregojnë rrugët e kurimit të gjendjes, hedhin baltë mbi të kaluarën, njollosin kohën e shkuar, ku ne të gjithë kemi jetuar, kemi punuar, kemi lindur fëmijë e rritur breza të denjë për këtë tokë e komb, por që këta mohues të gjithçkaje e bëjnë qëllimisht për të mbuluar vjedhjet ditën për diell, duke tërhequr vëmendjen nga e kaluara e afërt.
Nuk është çështje nostalgjie, por për hir të së vërtetës duhet thënë se kështu nuk mund të vazhdohet. Nuk mund të ecet përpara duke hedhur gurë pas. Kush nuk njeh dhe vlerëson të kaluarën e tij, nuk mund të ketë të ardhme. Një komb që pas çdo epoke hedh baltë në rrugën e lënë pas nuk ka ta ardhme.
Në vend që të shohim se çfarë gjërash të mira duhet të marrim nga e kaluara, mallkojmë në kor, të paraprirë nga politikanët tanë, që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të marrin me të dyja duart nga prona publike, nga të mirat tona publike dhe të mbushin kuletat, çeqet bankare, tapitë e pamerituara, që nuk i kanë trashëguar nga askush.
Nuk ka se si të ndodhë ndryshe tek shohim gjithë këtë rënie dhe staniacion të gjithëanshëm, këtë zvetënim të vlerave, këtë vakum moral e shpirtëror të krejt shoqërisë sonë, këtë mungesë dëshire të të rinjve për t’u dituruar, këtë skajim ekstrem të difrencës klasore mes të varfërve e të pasurve, etj…, pasi të gjitha këto e kanë burimin tek mohimi i vlerave të së kaluarës. Thënë ndryshe, kur hidhet baltë mbi të kaluarën, e sotmja dhe e nesërmja gjenden në udhëkryqe të trishta…