Ngjitje në Korab, emocione që nuk duhen humbur


Majat e maleve të Korabit janë jashtëzakonisht të pjerrëta, mjaft të aksidentuara dhe të latuara nga shumë dukuri erozionalo-tektonike ku, në disa vende, vihen re shtresa masive kryesisht gëlqerore që krijojnë një morfologji me rrëpira gati vertikale, të cilat arrijnë deri në 100 metra thellësi.

Mali i Korabit është një nga malet më të larta të Evropës Juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit shtetëror të Shqipërisë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Majat e maleve të Korabit janë jashtëzakonisht të pjerrëta, mjaft të aksidentuara dhe të latuara nga shumë dukuri erozionalo-tektonike ku, në disa vende, vihen re shtresa masive kryesisht gëlqerore që krijojnë një morfologji me rrëpira gati vertikale, të cilat arrijnë deri në 100 metra thellësi.
Një e treta e malit është e pasur me pyje gjetherënëse dhe gjysmën e rripit alpin e përbëjnë kullotat. Është i pasur me përrenj dhe përroska, të cilat kanë rrjedhë të shpejtë mbi kanione dhe lugina. Bukuri plotësuese i japin liqenet akullnajore.
Vend i pasur me bukuri të rralla natyrore, me blloqe shkëmbore e shkëmbinj, me kullota, i cili vizitohet nga shoqata të shumta alpinistësh të cilët arrijnë të ngjiten edhe deri në majën e saj më të lartë me lartësi 2764 m (2754 m). Nga ana e Maqedonisë së Veriut mund të udhëtohet deri në fshatrat e Rekës duke udhëtuar nga Dibra e Madhe e në disa prej këtyre fshatrave siç janë: Nistrovë, Bibaj, Zhuzhnjë, Rimnicë, Grekaj, Tanushaj, Nivisht si dhe në pjesën tjetër të Strazimirit nga organizohen ngjitjet alpinistike çdo vit.
Në Shqipëri ngjitjet drejt Korabit zakonisht nisin nga fshati Tejs, ish lagje e Radomirës, një fshat i vogël rrëzë këmbëve të malit Korabit dhe Rrafshit me të njëjtin emër. Pas tij përshkohen shtigje e lugina që disa herë lagen nga ujërat e Drinit të Zi. Rruga është e gjatë, duhen disa orë ndaj merrni me vete pajimet dhe ushqimet e nevojshme. Vishuni lehtë me teshat që përballojnë udhëtime të tilla dhe me këpucë alpine që nuk rrëshqasin mbi shkëmbinj.
Nga Tirana drejt fshatit Tejs dikur ish lagje e Radomirës, duhen rreth 2 orë e gjysmë me makinë sepse distanca për t’u përshkuar është rreth 130 km. Një tjetër rrugë kryesore që përdoret më shpesh është nga Tirana drejt Kalasë së Dodës dhe më pas grupet ndahen sipas shkallëve të vështirësive që mund të përballojnë. Zagradi është gjithashtu një fshat i vogël që zakonisht përdoret si vend fushimi apo çlodhjeje për të marrë forcat drejt ngjitjes apo në të kundërt.
Mali i Korabit është i vendosur në jugperëndim të maleve të Sharit dhe nuk ka lidhje me kufirin e Republikës së Kosovës. Korabi është një masiv malor vende vende shumë i thyer i përbërë kryesisht nga rreshpe dhe gëlqerorë të Paleozoikut, mesosoikut, jurasikut etj. si dhe takohen edhe shkëmbinj magmatik si granite, serpentinite etj. Formacionet shkëmbore paraqiten me struktura të rrudhosura, me zhvillim të tektonikës, si dhe në afërsi të tij në pjesën lindore ka shfaqje të mëdha të masivëve evaporitikë, kryesisht të gjipseve, anhidriteve, seleniteve, dolomiteve etj. të moshës së Permian – Triasikut, shkëmbinj të prekur shumë nga erozioni duke na dhënë pamje të mahnitshme të dukurive të tilla, ku ndër to është Gryka e Përroit të Gramës etj.
Në anën perëndimore në në disa vende shkëmbinjtë gëlqerorë bien thikë si rasti mbi Gurët e Pëllumbave që duket që nga maja e Thekanushit në Arras. Ana veriore e lindore përbëhet po ashtu nga shkëmbinj të thepisur kryesisht gëlqerorë sidomos në zonën e Përroit të Thellë pas Portave të Korabit
Korabi ndodhet në Parkun Natyror Korab-Koritnik dhe njihet për bimësi e faunë fantastike që nuk është dëmtuar nga fenomenet e zhvillimit urban. Në këtë park takohen liqene alpine, hone mbresëlënëse të cilat mbështeten mbi vargmale që fshihen pas pemëve të harlisura. Pranë tyre frymojnë fshatra të vegjël me pak banorë.
Parku dhe mali vizitohen çdo vit nga mijëra vendas dhe të huaj. Dikush pëlqen të eksplorojë natyrën dhe përrenjtë e fshehur mes luginave, dikush është bërë gati për shëtitje (hiking), dikush tjetër vështrimin e ka ngulur në kreshtat e Korabit dhe është gati për sfidën e radhës në alpinizëm. Nuk mungojnë edhe ata qe thjesht shkëputen nga qytetet e mëdha me të vetmin qëllim, të takojnë natyrën dhe t’i dorëzohen asaj pa kushte. Parku është fillesa e turizmit malor dhe natyror. Zona e malësive të Dibrës njihet për më shumë se 60 monumente natyre (shumica e të cilave janë gjeomonumente) të cilat ruhen me fanatizëm nga banorët.
Zona ka infrastrukturë të përzier disa herë modeste, disa herë të mirë por ende banorët lokalë janë në sfidë për turizëm masiv. Grupet e alpinistëve sfidojnë lartësitë që arrijnë retë dhe prezenca e tyre është e zakonshme tanimë për fshatarët e zonës afër këmbëve të Malit të Korabit. Guidat lokale janë të përgatitura për të udhëhequr një udhëtim fantastik, rrethuar nga natyra e virgjër e paprekur nga dora e njeriut.
Përgatiti: Grehans Uka
Fotot ilustruese: Artur Xhediku