Shoqëria e klikimeve ose 11 minuta e 42 sekondat e Sodomës


A i keni parë të ashtëquajturat “emisione bamirësie” ku në këmbim të një shtëpie, fatkeqëve të këtij kombi u duhet të ngashërehen në lotë përpara kamerës, të demonstrojnë se si e hanë krodhen e bukës me vaj dhe sheqer; si flenë në të ftohtë, me batanije të leckosura nën çatinë e kasolles që po i zë përfund?!

Për hir të klikimeve, publikut shqiptar i janë servirur prej dekadash sherre familjare për çështje pronash tek “shihemi në gjyq”, “manuale” për rrëmbime, përdhunime dhe vrasje me strategji të detajuara pa kursyer as fëmijët. E kujtoni videon e vajzës nga Librazhdi që u kap në flagrancë duke tradhtuar burrin nga vjehri dhe vjehrra? Pikërisht, këto dhe shumë episode të tjera, ngjarje krejtësisht personale dhe pa pikën e dobisë për shoqërinë.

Emisionet shqiptare ngjajnë gjithnjë e më tepër me një “dark web” me video makabre, duke konkuruar njëri-tjetrin për nga niveli i perversionit e që përkthehet drejtpërdrejtë në klikime.

Nga Gentjan Tufa

Udeshën 11 minuta live në emision, për t’i thënë një nëne se vajza e saj, e humbur prej muajsh, ka vdekur. 11 minuta të mbushura me suspansë, tension dhe mister, duke e kthyer ngjarjen nga çdo perspektivë e mundshme kinse po ecet drejt së vërtetës. Një e vërtetë që dihej që në krye të herës.
Në këmbim të këtij informacioni, gjithë ç’kërkon Mefistofeli i emisionit është që të gjithë të bëjnë sehir se çfarë ndodh me një nënë kur mëson live se vajza i ka vdekur.
Një marrveshje mëse e drejtë për shqiptarët kur bëhet fjalë për eksperimente të ngjashme por gjithëpoaq çnjerëzore.
A i keni parë të ashtëquajturat “emisione bamirësie” ku në këmbim të një shtëpie, fatkeqëve të këtij kombi u duhet të ngashërehen në lotë përpara kamerës, të demonstrojnë se si e hanë krodhen e bukës me vaj dhe sheqer; si flenë në të ftohtë, me batanije të leckosura nën çatinë e kasolles që po i zë përfund?!
A i keni parë fakirët e sëmurë që në këmbim të parave të operacionit (që shëndetësia jonë falas nuk e bën dot) e derdhin lotin sa grushti përpara kamerës së Elvis Naçit apo Arbër Hajdarit? Edhe pse e di mirë shqiptari i mençur se bamirësi nuk do të thotë t’i hedhësh kockën një qeni të uritur por të ndash ushqimin me dikë edhe kur je po aq i uritur sa ai.
A e keni parë se si çelësat e shtëpive të rindërtuara të tërmetit me paratë e shqiptarëve, me paratë e një të sëmure me kancer, me paratë e njerëzve nga shtetet fqinje i jep Rama dhe Veliaj po përpara kamerave, po për klikime?!
A i keni parë personazhet që përputhen në emision, që në ekranet e njerëzve perversë shfaqin gjënë më intime pas seksit: flirtimin? Duke vizualizuar shfrenimet më perverse të imagjinatës, duke u bërë të famshëm e kësisoj të pasur kundrejt taksës modeste: TË GJITHË TË MUND TA SHOHIN.
A nuk është mëkuar ky horror me perversionin e atyre që duan të shohin nga vrima e çelësit — tashmë ekran — se çfarë bëjnë njerëzit brenda shtëpisë (së Big Brotherit)?!
Për hir të klikimeve, publikut shqiptar i janë servirur prej dekadash sherre familjare për çështje pronash tek “shihemi në gjyq”, “manuale” për rrëmbime, përdhunime dhe vrasje me strategji të detajuara pa kursyer as fëmijët. E kujtoni videon e vajzës nga Librazhdi që u kap në flagrancë duke tradhtuar burrin nga vjehri dhe vjehrra? Pikërisht, këto dhe shumë episode të tjera, ngjarje krejtësisht personale dhe pa pikën e dobisë për shoqërinë.
Nuk do ishte çudi nëse një ditë, do niste një emision si “Kush do bëhet synet?”, që do shfaqte live prerjen e lafshës së organit mashkullor të një djaloshi në këmbim të një “çmimi të madh”.
Kështu pra, emisionet shqiptare ngjajnë gjithnjë e më tepër me një “dark web” me video makabre, duke konkuruar njëri-tjetrin për nga niveli i perversionit e që përkthehet drejtpërdrejtë në klikime.
Nëna që braktis transmetimin e tronditur pasi mëson live vdekjen e së bijës më kujton ca vargje të Majakovskit:
Mirë,
Është, në teh gijotine,
Të klithësh:
“Pini kakao Van-Guten!”
Duke pasur parasysh një të dënuar me vdekje që bie dakord me kontratë (për një shumë parash që do e merrte familja e tij) të bërtiste në momentin e ekzekutimit: “Pini kakao Van-Guten!”.
(Marrë nga faqja në FB e autorit)