“Pasha Shqipërinë time zemrake”


Qendresa në Kullën e Manukës qe preludi i Kryengritjes së Madhe Çlirimtare të Dibrës më 15 gusht 1920 kundër Serbisë imperialiste i militariste. Me një sulm rrufé, brenda një dite, dibranët e vunë para ushtrinë serbe dhe e hodhi atë përtej Dibrës së Madhe.

Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe nuk ishte parë ndonjëherë një masivitet i tillë me ritme të larta për ngritjen e një sistemi të tërë shkollor, shtrirjen e tij në të gjithë vendin për zhvillimin e arsimit e të kulturës. Edhe bijtë e Luznisë, ambiciozë prej natyre, u përfshinë me entuzizëm në këtë lëvizje masive popullore. Njëri ndër ta ishte edhe Fiqiri Cani.

Nga Bajram XHAFA

Shkolla 9 vjeçare e Luznisë nga sot merr emrin “Fiqiri Cani”, birit të zonës tuaj. Edhe pse e re por e rikonstruktuar, këtu midis malesh ajo shndritka nga bukuria. Megjithëse kam kaluar përmes Luznisë me dhjetëra herë kur isha nxënës konviktor në shkollën 7 vjeçare dhe të mesme Pedagogjike të Peshkopisë në vitet 1958-1964, në jetën time është e dyta herë që prek Lishanin e shmangur nga “magistralja” kryesore sikur te deshte të fshihej ndërsa përshkoja në këmbë rruën nga Kovashica ime – via Qafë – Shtushën – Gjurra e Mazhicës – Qafa e Hoteshit – Ura e Telit – Peshkopi për të mbërritur në shkollë dhe në konvikt, shtëpinë tonë të dytë. Herën e parë në vitin 1987 i ftuar në një dasëm dhe sot për emërin e shkollës.
Ndonëse nuk isha planifikuar për të folur, më bënë nderin për një përshëndetje si “shkodran” nga Dibra. Por unë nuk mund t’ia lejoja vetes, jo vetëm për arsye profesionale, të anashkaloj e të hesht për një ngjarje që lidhet me vendin ku jemi, këtu në Luzni, ngjarje që peshon rëndë në historinë tonë kombëtare. Eshtë fjala për Luftën e Dibrës të 1920-ës. Në vitin 1987 nuk dija thuajse asgjë për të. Programet shkollore dhe Historia akademike e Shqipërisë (e v. 1965 e 1984) e injoronin thuajse tërësisht sikur të mos kishte ekzistuar. Kur më 1997 mbrojta doktoraturën me temën “Lufta e Dibrës 1920”, u binda plotësisht se Historisë së Dibrës i ishte bërë komplot me heshtje, siç i bëhet sot komplot me zhurmë e potere me Skavicën.
Historia e vërtetë e Shtetit Shqiptar fillon më 1920-ën. Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës kundër okupatorëve italianë, Lufta e Koplikut dhe Lufta e Dibrës kundër okupatorëve serbo-jugosllavë, që të gjitha brenda një viti, – 1920.
Në fillim të gushtit 1920 në Arras, në shtëpinë-kullë trekatëshe të Riza Lushës, sapo ishte vendosur administrata e prefekturës së Drinit (Dibrës) me prefekt Ramiz Dibrën. Që nga mëngjesi deri në mbrëmjen e datës 7 gusht 1920 në Arras u festua fitorja e Luftës së Vlorës e cila i hodhi në det italianët. Çlirimi i Vlorës ishte një nxitje më shumë edhe për dibranët. Përtej Drinit, mu përballë tyre qendronte si mish i huaj gangrenoz ushtria serbo-jugosllave e cila filloi të vringëllojë armët e të nisë planet e luftës. Komanda jugosllave bëri përpunimin me artileri. Që nga Lisi i Trenës përtej Drinit, ku ajo kishte një bateri artilerie, bombardoi me top postën shqiptare të xhandarmërisë në Luzni që e kishte përballë. Pastaj këmbësoria kaloi Drinin dhe hyri në Luzni me synim Rrafshën e Myrkajve në Arape të Epërme por objektivi kryesor i saj ishte posta e xhandarmërisë shqiptare vendosur te Kulla e Manukës, këtu në Arapaj. Ata u ndeshën aty me xhandarët e “Qeverisë së Arrasit”, siç quhej Prefektura e Drinit me komandant të postës nëntoger Jashar Zeneli. Brenda në kullën e rrethuar, komandanti i saj organizoi me xhandarët një mbrojtje heroike në pritje të ndihmës nga Arrasi.1)
Kur më vitin 2001 botova librin “Lufta e Dibrës 1920” (CP, Shkodër, 2001), Skenderi (alias Dullë Zeneli), i biri i Jashar Zenelit më shprehu përgëzime e komplimente për përshkrimin që i kisha bërë luftës në rrethim te Kulla e Manukës, qendresë të cilën e kishte drejtuar dikur i ati i tij.- E ke ba shumë emocionuese, më tha, si “Oso Kuka në kullë të barotit” te Kalaja e Vraninës. Nuk më kishte shkuar mendja por krahasimi i tij më ngjiti fort. – Kështu e përfytyroja vërtetë atë ngjarje të bazuar mbi ato që kanë lënë dëshmitarët e kohës. Ngjarja ështe reale i thashë Skënderit dhe unë nuk kam shpikur as kam trilluar asgjë prej vedit.
Pastaj shtova: Gjatë historisë, në luftëra të ndryshme gjithmonë e gjithkund janë bërë heroizma nga luftëtarë të ndryshëm që kanë lënë mbresa të thella por akti i Oso Kukës në histori asht fenomen tipik shqiptar. Duke u përballur me armiq të shumtë dhe gjithmonë të vetëmuar, të sulmuar në pabesi nga të tjerët, shqiptari është vënë përballë rrezikut ekstrem pa alternativë (tjetërnajë): ose – ose, por me opsionin vetëm me një kahe: “me vdekë” e s’ka tjetër; “me bâ dekën si me le”. Në një rast të tillë, për shqiptarin shqetësim ishte që këtë akt sublim ta bënin sa ma të hijshëm, frymëzues e shembullor. Dëshira minimale e tij ka qenë: “të paktën të paguaj veten”.
Në kujtesën e shqiptarëve ishte i gjallë akti heroik deri në legjendë i Oso Kukës me 12 qershor 1861 kur, i rrethuar nga 800 cuba malazezë, me 20 trimat e tij hodhi veten në erë bashkë me disafishin e armiqve duke i vënë flakën fuçive të barutiti brenda Kullës. Dëshira për ta bërë Kullën e Manukës të Luznisë si shembulli Oso Kukës në Kullën e Vraninës 60 vjet më parë nga komandanti i postës ishte afërmendsh. Shqiptarët nacionalistë i kishte kapluar avulli i nxehtë i pavarësisë dhe shtetformimit. Flijimet ishin në llogari të misionit kombëtar. Kishte një entuziazëm atdhetar që sot nuk e marrim me mend.
Mua, shkruesit të këtyre radhëve nuk do të më jepej më ndonjë rast tjetër për ta “promovuar” një histori të tillë, sepse nuk më premtonin as vitet dhe as vendi. Vendi ishte pikërisht aty. “Kullën e Manukës” në Luzni nuk mund ta gjeja më. As kohën.
Qendresa në Kullën e Manukës qe preludi i Kryengritjes së Madhe Çlirimtare të Dibrës më 15 gusht 1920 kundër Serbisë imperialiste i militariste. Me një sulm rrufé, brenda një dite, dibranët e vunë para ushtrinë serbe dhe e hodhi atë përtej Dibrës së Madhe.
Në kohën kur në Luzni zhvilloheshin luftime të ashpra me forcat serbe dhe nga Lisi i Trenës ajo bombardohej me artileri, në Arras u mblodh “Dheu”; pari´e vegjëli (pari´e ehali´2). Një kuvend i madh popullor, epik, prej 700-800 burrash nga mbarë Dibra: – Kuvendi i Arrasit, mbajtur me 13 gusht 1920 tek vendi i quajtur Ferra e Pashës, afër Urës së Lushës. Kuvendi mori vendimin për të filluar kryengritjen me 15 gusht 1920 e për ta shkulur ushtrinë serbe prej Dibrës, ashtu siç u shkulën italianët prej Vlorës. Historia e Shqipërisë vuan tmerrësisht nga tëpathënat, gjysmëtëthënat dhe të mbrapshtëthënat.
Duke diskutuar me mikun tim të vjetër, Baletën, që jeton në katin V te “Myslim Shyri” në “Kullën e barotit”, pa e vrarë shumë mendjen i them se tashmë nuk ka më shqiptarë si në kohën e Oso Kukës. Isha ndikuar nga disa komente të cilat u vlerësoja realiste se në Shqipëri nuk ka më nacionalizëm. – Ka, tha. Është Adem Jashari që u flijua me vetëdije pa u menduar dy herë. U shkri me gjithë vllazën e djem mixhallarësh, shtatëmbëdhjetë vetë, të gjithë të një gjaku, të një kulmi e të një shtëpije. Një “fushë e tërë vorresh” më vete, ku kisha qenë edhe vetë për homazh. – Sa hazerxhevap që je, i thashë për argumentin e gjetur aq shpejtë. Po sa shembuj të tjerë të ngjashëm tregoi Çlirimi i Kosovës. “Pema e papjekur nuk hahet, as fjala e papërtypur nuk nxirret”. thashë me vete. Në fakt nuk bëra keq sepse, po nuk e nguce të urtin, ai nuk mund të hamendësojë se ç’farë mungesash ke në kokë dhe në peshoren e vlerësimeve tuaja për ngjarjet.
Fenomenin shqiptar e shoqëron paradigma e mallkimit shqiptar, e, nëse është kështu, atëherë duhet ta pranojmë si providenciale, që vjen nga Lart. E kësaj nuk mund t’i ikim. Kështu e ka shumë herë historia e popullit shqiptar. Lartësohet qendresa e Greqisë ndaj persianëve, reale apo e sajuar, që më shumë kanë bashkëpunuar se i kanë luftuar ato, por Aleksandri i Madh, që është i racës sonë, me vetëm 35 mijë dibranë e matjanë iu rras brenda dhe e uli në gjunj Persinë; e zhbëri atë dhe ngriti një Perandori. Shkoi pastaj edhe në Pakistan e deri në Pexhab të Indisë. Po bëmat e Pirros (Burrit) së Epirit, të Skënderbeut. Historia ofron shembuj të shumtë të papromovuar. Kur ka lidhë besën burri i Shqipnisë i ka shti dridhmën gjithë Rumelisë. O ju burrat e Shqipërisë time zemrake!
* * *
Të kthehemi tek objekti ynë, Fiqiri Cani për të cilin jemi mbledhur.
Pas vitit 1944 në Shqipërinë tonë (Londineze) u vendos një sistem i ri shoqëror i cili mori përsipër një revolucion të thellë dhe ekstensiv arsimor e social kulturor. Në historinë e arsimit dhe të shkollës shqipe nuk ishte parë ndonjëherë një masivitet i tillë me ritme të larta për ngritjen e një sistemi të tërë shkollor, shtrirjen e tij në të gjithë vendin për zhvillimin e arsimit e të kulturës. Edhe bijtë e Luznisë, ambiciozë prej natyre, u përfshinë me entuzizëm në këtë lëvizje masive popullore. Njëri ndër ta ishte edhe Fiqiri Cani.
Megjithëse shumë nga këto që thashë më lart nuk i lexova, moderatoren e shkathët të veprimtarisë e vura në siklet, se “i rrëmbeva kohën e favortë”. Nuk ishte vendi për trajtime “akademike” dhe mu lut ta “shkurtoja”.
Për emrin dhe veprimtarinë e të protagonistit folën me shumë nderim dhe kompetencë drejtori i shkollës Ilmi Murrja. Pastaj secili nga pozicionet e tyre zyrtare folën kryetari i Bashkisë së Dibrës Rahim Spahiu dhe kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti (Doda), si drejtues të institucioneve që kishin sponsorizuar restaurimin e shkollës me një shumë të konsiderueshme prej 35 milionë lekësh, drejtoresha e Arsimit Dibër, i dërguari i ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, deputeti i zonës Lavdërim Krashi, i kudogjindshëm në raste të këtij lloji. Në emër të familjes falenderoi me fjalë plot ndiesí e përzemërsi z. Hilmi Cani, vëllai i të ndjerit
Mirënjohja është një detyrë që duhet la(rë), nuk është një e drejtë që mund të kërkohet. Sot u bë gjëja e duhur. Atëherë mua nuk më mbetet tjetër veç ta mbyll me dy maksima për njerëzit që i kushtohen arsimit, dijes, kulturës dhe shkencës:
1. “Midis gjakut të dëshmorit (shehitit) dhe bojës së shkrimit të dijetarit, kjo e fundit më vjen më e rëndë” ka thënë Pejgamberi a.s.
2. Vlera e Mësuesit dhe pesha e Qiellit nuk maten, ka thënë Konfuci. Këta vlerësime vlejnë edhë për Fiqiri Canin, emrin e të cilit tashmë mban shkolla juaj. E gëzofshi për jetë e mot!
Luzni, 29 mars 2023.

1 H. Stërmilli, “Dibra në prag të historisë” edhe tek “Kujtime dhe këngë…”, f. 218; B. Totraku, kujtime të mbledhura.
2 Ehali në arabisht do të thotë “njerëz të zgjedhur”, porse në të folmen e popullit pat marrë kuptimin “popull”, vegjëli, hali.