“Po Demokracisë, Jo Demokraturës”, libri i ri publicistik i prof. dr. Ahmet Kamberit


Grishja e autorit: Bëjeni rrugën për tek e Vërteta! Sepse ky është qëndrim intelektual. Dhe patriotik. Sidomos për rininë.

Po të shkruanim ne të tjerët për prof. Ahmetin e për punën e tij vigane, thënia më e parë do të ishte: Profesor Ahmeti ka punuar me përkushtim përtej kufirit njerëzor. Si mjek. Si ministër. Si burrë shteti. Si qytetar. Si shok. Si familjar. Profesor Ahmeti i ka tejkaluar të gjitha përmasat e hapësirat e vendit të lindjes e të vendit të punës. Ai i përket gjithë kombit. Edhe me këtë libër. Por ngaqë e duam dhe e vlerësojmë shumë, na pëlqen ta mbajmë krejt për vete, krejt për Dibrën. Një fjalë e urtë arabe thotë: Vepra është e djalit, por djali është yni.

Nga prof. Hajri Shehu

“Po demokracisë, jo demokraturës” është libri i dytë i prof. dr. Ahmet Kamberit. Libri i parë është “Pacienti ynë i veçantë”. Në këtë libër janë tubuar 20 artikuj. Ata zënë 355 faqe. Librit i paraprin parathënia e autorit – e thukët, e ëmbël, grishëse. “Gjykimi është juaji, i dashur lexues, por unë ju jam mirënjohës, mjafton që ta lexoni”, – thotë autori. Po ta përkthenim grishjen e autorit, ajo do të ishte: Bëjeni rrugën për tek e Vërteta! Sepse ky është qëndrim intelektual. Dhe patriotik. Sidomos për rininë.
Libri është botuar nga shtëpia botuese M&B, Tiranë, 2023. Autori, prof. dr. Ahmet Kamberi është i njohur kombëtarisht. Por për ndonjë lexues të ri, jetëshkrimi i prof. dr. Ahmet Kamberit është në mënyrë të përmbledhur në kapakun e librit.
Prof. dr. Ahmet Kamberi shkruan si publicist e si politolog. Por edhe si historian e si studiues. Edhe si mjek e si qytetar. Edhe si atdhetar e Shqipëridashës. Artikujt e përfshirë në këtë vëllim rrokin tema të ndryshme, por ata plotësojnë njëri-tjetrin. Po t’i komentonin, për secilin do të duhej nga një libër më vete. Thelbi është një: Demokratura nuk është demokraci.
Nëpër një pikë kalon vetëm një vijë e drejtë, – thotë gjeometria. Vijat e tjera janë të shtrembra. Dhe atëherë, asgjë nuk mund të jetë edhe kështu, edhe ashtu. As demokracia. Demokracia funksionon si sistem rregullash e ligjesh të bazuara në parimet e drejtësisë, të garantuara nga institucionet përkatëse. Kjo është demokracia, – argumenton autori. Kjo është vija e drejtë e demokracisë. Kjo demokraci nuk ekziston në Shqipëri. Në Shqipëri ka demokraturë. Demokratura është demokraci në formë dhe diktaturë në përmbajtje.
Demokracia ka kulturën e vet politike. Por cila është kjo kulturë në Shqipëri ? Autori thotë: « Ne kemi të bëjmë me një kulturë politike sui generis (e llojit të vet – H.Sh.), të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike. Karakteristika themelore e kësaj kulture politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike është arti i mashtrimit, manipulimit e përdorimit të popullit Sovran për të garantuar “demokracinë(!)” e sundimtarit “sovran(!)”, të “kryetarëve të gjithëfuqishëm”, të politikanëve të diskredituar të riciklueshëm, të politikanëve të vetëshpallur “të nevojshëm” a “të pazëvendësueshëm”, të politikanëve sahanlëpirës dhe të përfituesve që i mbajnë ata gjallë. Kësaj kulture politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike nuk i shërbejnë vetëm deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të zgjedhur me “votim të lirë, të ndershëm e të drejtë(!)”, nuk i shërbejnë edhe ndërkombëtarët qejfmosprishës, sehirxhinj, cinikë e midis tyre – edhe qëllimkëqij, por i shërbejnë batalione medieje, profesorë, shkrimtarë, artistë, mësues e drejtorë shkollash. Kësaj kulture politike sui generis, të mbrapshtë, degraduese, pseudodemokratike i shërbejmë të gjithë ne që kemi sy të shikojmë, kemi veshë të dëgjojmë, kemi mendje të mendojmë, kemi gojë të flasim dhe kemi penë të shkruajmë, që bëjmë muhabet përditë në tavolina, që përbëjmë shumicën dërrmuese, por që nuk shpërthejmë së bashku me një zë të fuqishëm buçitës për ta demaskuar, stigmatizuar e shpartalluar atë. Kjo  është një kulturë politike që duhet asgjësuar”.
Demokracia nuk vjen me dhunë e vandalizma. Në Shqipëri erdhi me dhunë e vandalizma. “Politikanëve dhe drejtuesve të rinj që morën drejtimin e përmbysjes së madhe, – thotë autori, – u nevojitej mbështetja e të mundurve dhe e çdo kundërshtari të socializmit, e çdo të pakënaquri, spekulatori a dredhabishtësi … Paraqitja e tyre si “antikomunistë” të flaktë u vlente për të fituar besimin e jashtëm dhe të brendshëm. Si prova më bindëse për këtë u gjet nxitja dhe mbështetja për të prishur dhe zhdukur çdo gjurmë të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të periudhës së socializmit. Sulmi, që në të vërtetë qe një barbari e vandalizëm, u ndërsye dhe u lëshua mbi monumentet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe gjithë infrastrukturën “komuniste”: hekurudha, fabrika, uzina, kombinate, miniera, ndërmarrje bujqësore, kooperativa bujqësore, kanale ujitëse, plantacione drurësh frutorë, prita mbrojtëse lumenjsh, termocentrale elektrike, muze lokalë e qendrorë, shtëpi kulture, biblioteka, qendra shëndetësore në çdo fshat të Shqipërisë”.
Vendit ia japin fytyrën njerëzit. Shqipërisë ia dhanë fytyrën mogulët. E ç’janë mogulët? E shpjegon prof. Ahmeti në librin e tij: “Mogul (fjala vjen nga persishtja – H.Sh.) është një person i rëndësishëm ose i fuqishëm …”. Në shkrimin me titull “Mogulët e së keqes që e katandisën Shqipërinë si mo’Zo më keq”, “Mogul është çdo person që pas përmbysjes së socializmit në Shqipëri në vitin 1991, duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara, në emër të luftës kundër komunizmit dhe vendosjes së demokracisë, fitoi fuqi të madhe politike, duke i quajtur interesat e tij dhe ato të elitës politike, së cilës i përket si interesat më të mira të popullit dhe të Shqipërisë, me veprimet ose mosveprimet e tij, duke përdorur fuqinë e tij politike, grumbulloi pasuri në mënyrë të pajustifikueshme, e përdori këtë fuqi në të mirë të interesave vetjake, të familjes ose të elitës së grupimit politik përkatës dhe në dëm të interesave, identitetit e dinjitetit kombëtar, në dëm të zhvillimit e begatimit të vendit e të popullit, në dëm të qëndrueshmërisë ekonomike, politike, kulturore e morale të tij.”
Autori shkruan me përnderim për Luftën Nacionalçlirimtare. Thënia e tij lapidare, “Kësaj vepre madhështore duhet t’i falen të gjithë shqiptarët, të cilët mbi çdo tjetër çmojnë e adhurojnë atdheun e vet” duhet të lëvizë çdo mendje dhe çdo zemër shqiptare.
Për Luftën Nacionalçlirimtare ka disa shkrime në libër. Një shkrim shumë interesant është ai me titull: “Ju nuk e dini se sa heroike ka qenë Lufta juaj Nacionalçlirimtare”. Fjalët e titullit janë të Sër Rexhinald Hibertit (Sir Reginald Hibbert), autori i librit “Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë – Fitorja e hidhur (Albania’s National Liberation Struggle: The Bitter Victory, London, 1991). Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Sër Rexhinaldi ka qenë oficer i SOE-së (The Special Operation Executive). Në nëntor të vitit 1994 ai ka ardhur në Tiranë si i ftuar i qeverisë shqiptare në festën e 50-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Profesor Ahmeti ka biseduar drejtpërdrejt me të dhe e riprodhon tërë bisedën në shkrimin e tij. Dhe nuk mund të mos madhështohesh si atdhetar, kur lexon vlerësime kaq të larta për Luftën nga personalitete të huaja, si Sër Rexhinaldi. “Për Luftën tuaj, – thotë ai, – duhet të shkruani ju vetë. Ju keni male me dokumente … Në qoftë se ju nuk do t’ia bëni të ditur botës në gjuhët që ajo njeh, ajo periudhë shumë e rëndësishme e historisë suaj do të mbetet në errësirë. Nuk mjafton t’ia bëni të ditur vetvetes. Kam dëgjuar, – vijon diplomati anglez, Sër Rexhinaldi, – se po dëmtoni monumentet e Luftës suaj Nacionalçlirimtare, madje, pllakën e monumentit të Brigadës VI në Përmet e keni thyer. Në qoftë se do të vazhdoni të dëmtoni, të përdhosni dhe  të shkatërroni monumentet e Luftës suaj Nacionalçlirimtare, ju nuk e imagjinoni dot se çfarë dëmi do t’i sillni vendit tuaj”. Këto janë veprime prej vandalësh. Dhe lajme për vandalizma të tillë kishin mbërritur  deri në Angli. Dhe atëherë, cila është fytyra jonë para të tjerëve?! Ka pasur e ka edhe vandalizma të tjerë. Si atdhetar i madh, profesor Ahmet Kamberi i rreshton ata në shkrimin “Mogulët e së keqes …” (me të cilin hapet edhe libri), te nëntitulli “Përmbysja e socializmit”, në f. 30-33, te shkrimi “Drejtuesit dhe politikanët që ndërruan pushtetin” etj.
Jemi përsëri te Sër Rexhinaldi. Nuk qe David Smajli (oficer i SOE-së) si ai sepse kishte pikëpamje të kundërta për Luftën dhe popullin tonë. Në vitin 2009, kur vdiq David Smajli (në moshën 92-vjeçare), gazeta britanike “Telegraph”, Londër, shkruante në nekrologjinë e tij (9 janar, 2009): “Kolonel David Smajli ishte njëri nga agjentët e fshehtë dhe spiunët më të shquar të Luftës II Botërore, që shërbeu në prapavijat e armikut në Shqipëri, Greqi, Abisini dhe në Tailandën Lindore të pushtuar nga japonezët … Pas Lufte organizoi operacione sekrete kundër Rusisë dhe aleatëve të saj, Shqipërisë dhe Polonisë”. (Përkthimi është i autorit – H. Sh.). Nëse këto “s’janë gjë”, lexoni në librin e profesor Ahmetit si i përçmonte shqiptarët ky soj koloneli, sipas fjalëve të Billi Meklinit, eprori dhe miku i tij.  Ndoshta, për “merita” të tilla, – thotë profesor Ahmeti, – David Smajli, kur u kthye si triumfator në Shqipëri pas vitit 1990, do të dekorohej nga Presidenti i Shqipërisë, me rastin e 50-vjetorit të Çlirimit të Atdheut me dekoratën e lartë “Urdhri i Skënderbeut”(!). Shumë kuptimplote është thënia e mëpasme: “Dhe thesit të madh të dekorimeve nga presidentët e Shqipërisë, këtu e mbrapa, do t’i shqyhej gryka”.
Profesor Ahmeti e ka për zemër rininë e i dhimbset rinia. “Mogulët e së keqes, – thotë autori, – i kanë krijuar rinisë të gjitha kushtet që të harrohet në vese, shthurje, seksizëm e lakuriqësi, dhunë e kriminalitet, si edhe turli emisionesh e programesh televizive për t’i errur asaj sytë, që të mos jetë e aftë të këqyrë ligësitë, paudhësitë e prapësitë e tyre shkatërrimtare”. Por, – vijon autori më tej: “Unë besoj se rinia do të zgjohet për të dalë nga kurthi i dehjes dhe letargjisë prej shthurjeve të neveritshme … Misioni i rinisë së Shqipërisë është të luftojë për demokracinë e vërtetë dhe për të shkallmuar përfundimisht demokraturën”.
Shkrimet e prof. Ahmetit janë studime të mirëfillta social-politike. Shih, p.sh., te shkrimi “Mogulët e së keqes”. Ato janë edhe studime të mirëfillta historike. Shih, p.sh., po aty: Shqipëria / Mbnretëria / Pushtimi dhe Lufta Nacionalçlirimtare / Çlirimi / Komunistët shqiptarë / Socializmi krijoi varrmihësin e tij / Përmbysja e socializmit etj. Dhe shkrime të tilla mund t’i bëjë vetëm një njeri me formim të gjithanshëm dituror.
Një shkrim shumë interesant e kureshtjendjellës për lexuesin është ai me titull “Ditët e vështira të tetor-nëntorit 1956 në Budapest”. Doktor Ahmeti ka qenë atëherë student në Universitetin Semmelëeis (Zemelvais), Budapest. Ato që shkruhen aty janë më shumë se kujtime të një ish-studenti. Ja edhe përmbyllja e doktorit: “Ngjarjet e vitit 1991, 1997 dhe 1998 m’i freskuan kujtimet e tetorit 1956 në Hungari. Por ato ishin të ndryshme. Hungarezët e kishin kryesisht me të huajt dhe me ata që i mbështesnin. Kurse ne e kishim me vetveten. Regjimi i diktaturës së proletariatit, socializmi u përmbys. E megjithatë, si bariu që në mjegull kërkon delen e humbur, kemi 26 vjet (shkrimi është botuar më 2016 – në gazetën “Nacional” – H.Sh.) që vijmë rrotull në kërkim të demokracisë”.
Pjesa e dytë e librit mban titullin: “Shëndeti dje, kalimthi dhe sot”. Libri është publicistik. Por, me shpjegimet, analizat, vlerësimet e rezultatet mjekësore, që na shpërfaq, ai është mirëfilli  edhe shkencor-mjekësor. Aty mëson se si mund të revolucionarizohen mjekësia e shërbimi shëndetësor. Autori kërkon që “individët, bashkësitë dhe qeveritë mund të përmirësojnë rolet e tyre në vlerësimin, ruajtjen dhe administrimin e shëndetit individual dhe shoqëror të popullsisë, i cili është baza e mirëqenies njerëzore, e progresit dhe e begatisë”. Një postulat – ky. Ja edhe një postulat tjetër, që na vjen nga shkrimi “Doktor Gjilpëra, shëndeti dhe dituria e rregullave të shëndetit ose mjekësia parandaluese”: “Nuk mund të ketë shëndet pa mjekësi parandaluese”. Doktor Ahmeti, më pas, ministër i Shëndetësisë, e emancipoi mjekësinë. Lexoni më poshtë: “Jam i detyruar, gjithashtu t’u tregoj disa të panjohura atyre që rrahin gjoksin për demokracinë. Veprimet e mia për demokratizimin e Shqipërisë dhe hapjen e saj me Perëndimin në kohën kur unë isha ministër i Shëndetësisë, as nuk guxuan dhe as u ka shkuar nëpër mend t’i ndërmerrnin.  Unë nuk isha kundërshtar i regjimit, por mendoja se demokratizimi ishte në interes të vendit e të popullit tonë. Me cilësinë e ministrit dhe të kryetarit të Komisionit të Mbrojtjes së Mjedisit kam mbyllur fabrika që ndotnin mjedisin, kam mbyllur sektorë minierash që nuk zbatonin shpimin e lagur, kam mbyllur uzinën e antibiotikut si jorentable, kam penguar qeverinë të merrte vendim për depozitimin e mbetjeve të rrezikshme, kam groposur duhan të importuar me ndotje radioaktive, kam qenë në mbrojtje të pakompromis të zbatimit të masave mbrojtëse në punë të punëtorëve, për të cilën fitova armiqësinë e Presidiumit të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Vendosa rregulla të rrepta në Ministri, që kërkonin të veprohej vetëm në përputhje me ligjin e rregullat. Kjo më vuri në përplasje me disa prej anëtarëve të Byrosë Politike dhe të një zëvendëskryeministri, i cili edhe i kërkoi Kryesisë së Këshillit të Ministrave shkarkimin tim të menjëhershëm, por nuk iu pranua. Ngula këmbë që të merrej shëndetësia në analizë nga Kuvendi Popullor dhe mbajta një fjalim në emër të Qeverisë me aq shumë kritika ndaj vetë asaj, sa sot mund të duken të paimagjinueshme. Hartova me dorën time vendimin e Kuvendit, i cili u miratua. Ai vendim më dha mundësinë të hartoja strategjinë shëndetësore në përputhje me strategjinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë – “Shëndet për të gjithë deri në vitin 2000″. Hartova rregulloret bazë të kujdesit shëndetësor e atij mjekësor që ishte e vështirë të zbatoheshin në atë sistem, por që, po të zbatoheshin, sot kujdesi shëndetësor e ai mjekësor publik do të ishin shumë të lavdërueshëm nga  qytetarët dhe nga vetë punonjësit. Mundësova rikrijimin e Kryqit të Kuq Shqiptar, të pezulluar prej vitesh. Mundësova krijimin e së parës Shoqatë Shqiptare të Mjekësisë, sipas modeleve të simotrave perëndimore. Organizova në Tiranë Konferencën e Shoqatës Mjekësore Ballkanike; organizova në Tiranë konferencën ndërkombëtare për onkologjinë, ku morën pjesë personalitete shkencore nga vendet kryesore të Europës Perëndimore; realizova për herë të parë dërgimin e një specialisti kardiolog në një nga komitetet e rëndësishme të OBSH-së, në Kopenhagen. Dërgova një numër të konsiderueshëm mjekësh për specializim në Perëndim dhe për pjesëmarrje në kongrese shkencore ndërkombëtare. Ftova plot autoritete profesionale e shkencore perëndimore për të vizituar Shqipërinë. Aktivitetet me jashtë u bënë aq të dendura, sa m’u lejua krijimi i Seksionit për marrëdhënie me jashtë. Marrëdhëniet me OBSH-në i afrova aq shumë, sa në vitin 1989 në Paris më zgjodhën zëvendëspresident i Komitetit të 39-të të OBSH-së për rajonin e Europës. Ishte hera e parë gjatë periudhës së socializmit që një zyrtar shqiptar të drejtonte një forum ndërkombëtar. Në vitin 1990 unë nënshkrova një marrëveshje prej 1.000.000 dollarësh me Zyrën Rajonale të OBSH-së për Europën për mbështetje të ngritjes së kujdesit shëndetësor dhe të atij mjekësor; u mora vesh me Presidenten e UNFPA-së për një marrëveshje prej 3.000.000 dollarësh për të mbështetur rritjen e cilësisë së mbrojtjes së shëndetit të grave. Pas ikjes sime këto marrëveshje mbetën rrugës. U lirova nga detyra e ministrit sepse kritikova qeverinë për paaftësi në zgjidhjen e problemeve që kishin lindur nga mbarimi i vitit 1990 dhe sepse kërkova prerazi dorëheqjen e saj.
Më duhet të rrëfej, gjithashtu se në kohën kur të tjerë, që mund të kenë pëshpëritur skutave dhe me veshët ngritur kundër regjimit, që në fillimet e vitit 1990, unë kisha vendosur lidhje me SHBA-të. Kisha mundësuar marrëveshjen për blerjen e dy aparateve skaneri dhe 30 aparate pejsmejkeri (për zemrën). Atëherë nuk lejohej që pajisje të tilla t’i shiteshin Shqipërisë. Hapa, gjithashtu rrugë për marrëveshje të tjera, midis të cilave, një marrëveshje të propozuar nga Oklahoma për zgjerimin e modernizimin e portit të Vlorës, e cila mbeti, gjithashtu rrugës për arsye të rrethanave të atëhershme. Zyra ime ishte e vetmja dritare e hapur komunikimi të drejtpërdrejtë me Amerikën. Nga fundi i vitit 1990, kur vendi ndodhej në vështirësi të skajshme, mundësova blerjen me kushte të favorshme të një sasie gruri, që gjithashtu ishte e ndaluar t’i shitej Shqipërisë. Të gjitha këto u bënë me lejen e Departamentit të Shtetit, në një kohë kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të. Për këto ka shkruar edhe gazeta “Washington Post”. Por po citoj se çfarë shkruante gazeta “Dielli” në hyrje të publikimit të shkrimit tim të përkthyer në anglisht, “When efforts were being made for opening to America: “In this retrospective essay, the former Albanian Minister of Health in the 1980s and well-known prof. Ahmet Kamberi sheds light on a little-known aspect of the Albanian-American relations in the healthcare sector during a period of dramatic change and before the diplomatic relations betëeen the two countries were re-established”, Dielli, 4 prill 2014. (“Në këtë ese retrospektive, ish-ministër i Shëndetësisë në vitet 1980 dhe mjek i mirënjohur, prof. Ahmet Kamberi hedh dritë mbi një aspekt pak të njohur të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në sektorin e shëndetësisë gjatë një periudhe ndryshimesh dramatike dhe përpara se të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike midis të dyja vendeve.” (Përkthimi im – A.K.).
Në kohë njeriu i kthehet gjykimit për punën që ka bërë. Sepse ka nevojë për një vetëvlerësim. Ja si e bën vetëvlerësimin prof. Ahmet Kamberi: “Zgjodha rrugën e mjekësisë, – thotë autori në Parathënien e tij, – me idenë time fikse se kur e do njeriun, ky është profesioni ku mund t’i shërbehej atij më së miri”. Dhe doktor Ahmeti i ka kushtuar 62 vjet të jetës së tij shërbimit të njerëzve. “Punova 10 vjet në Peshkopi, – thotë doktori. Së bashku me 4-5 kolegët e mi të asaj kohe vumë bazat e mjekësisë moderne në Dibër. Atje unë zbatova metoda të reja mjekimi, që nuk i kishte guxuar tjetërkush. Atje unë mjekova fshatarë, punëtorë, të deklasuar, të burgosur e madje, edhe një diversant, i cili pasi e mori veten, arriti të arratisej nga spitali dhe Shqipëria. Punova me një intensitet të tillë që sot as nuk i shkon nëpër mend njeriut. Gëzova dashurinë dhe respektin e dibranëve të asaj kohe. Emri i mirë që fitova atje më largoi nga vendi që e desha, e dua dhe kam mall për të. Më çoi në Klinikën Speciale në Tiranë. Emri i mirë si profesionist më çoi edhe në ekipin mjekësor të Enver Hoxhës. Nuk më kishte shkuar ndonjëherë mendja. Të tjerë kolegë të mi të asaj kohe mund ta kishin ëndërruar atë. Nuk ishte një përzgjedhje politike e as nga ndonjë përkrahje miqësore. Unë u përfshiva në ekipin mjekësor të Enverit për të ruajtur e mbrojtur shëndetin e tij, jo për t’i shkurtuar atij jetën. Së bashku me kolegët e mi të ekipit e kryem shumë mirë detyrën tonë. Dhe, natyrisht jam krenar për këtë, sepse ka qenë një detyrë aspak e lehtë dhe jo pa shumë privacione vetjake e familjare. Për mua Enver Hoxha ishte pacient dhe unë isha mjeku i tij. Pas Enverit unë kam vazhduar të mjekoj plot qytetarë të zakonshëm, nevojtarë dhe kundërshtarë të Enverit e të socializmit. Unë jam ky që jam në saje të aftësive të mia profesionale dhe të dashurisë së veçantë për njeriun. Kështu më vlerësojnë të gjithë ata që më kanë njohur dhe që kanë pasur nevojë për kujdesin tim mjekësor, përfshirë dhe politikanë antienveristë”.
Shtesa ime e parë: Doktor Ahmet Kamberi ka ndjekur vetëm rrugën e përpjetë. Dhe vetëm rruga e përpjetë ta sjell suksesin. Shtesa ime e dytë: Kur ka bërë betimin si mjek, s’besojmë t’i ketë shkuar ndër mend profesor Ahmetit se do t’i shërbente Udhëheqësit të vendit. Sepse nuk mund të jetë e lehtë. Aty duhet dije më shumë. Edhe intuitë e talent më shumë. Edhe guxim e trimëri më shumë. Edhe vendosmëri më shumë. Edhe zotësi e ndezuri (zell) më shumë. Doktor Ahmeti i ka pasur të gjitha. Me shumë zotësi e zell doktor Ahmeti u ka shërbyer edhe njerëzve të thjeshtë. Në librin “Pacienti ynë i veçantë” doktori thotë: “Shumë të moshuara të Bllokut … më kishin vënë nofkën “doktori i plakave”. Mua nuk më mërziste kjo nofkë … Si profesionist, ndihesha i kënaqur që mund t’i ndihmoja ato, me të cilat të tjerët nuk kishin durimin të merreshin”.
Te mënyra se si shkruan prof. Ahmeti, domethënë, te stili i tij individual, përshfaqet krejt natyrshëm karakteri i tij, formimi i tij, botëkuptimi i tij. Ai është i ndershëm. Syri i tij nuk duron zhibla, lëmishte. As nderi nuk duron zhibla. Prandaj ai shkruan me objektivitet shembullor. Nga kreu deri në fund të librit. Një shembull: Kur shkruan për shokët e Ekipit Mjekësor, i vlerëson të gjithë dhe i ka lënë pas shpine mospajtimet e pathemelta, ndonjë kryemëvete të pavlefshme, ndonjë qejfmbetje etj.
Profesor Ahmeti nuk është polemist. Polemikat janë për të tjerët. Ai vëzhgon. Por vëzhgon me dhembje në zemër. Ai qorton. Por qorton me dhembje në zemër. Abraham Linkolni thotë: “E fiton të drejtën për të qortuar ai që ka zemrën për të ndihmuar”. Doktor Ahmeti e ka të fituar këtë të drejtë. Sepse e ka shkruar librin për të na ndihmuar. Pasi na qorton, ai thotë: “Për tridhjetë vjet, pas përmbysjes së socializmit, ndoqa me vëmendje zhvillimet në Shqipëri. Thelbi i asaj që kuptova ishte se në vend të demokracisë së aspiruar dhe të premtuar, në Shqipëri … u vendos demokratura, maska më e shëmtuar dhe e rrezikshme e demokracisë, por e përshtatur që të mos bjerë në sy. Për një mijë arsye, fjala demokraturë, pothuajse nuk zihet në gojë sot në Shqipëri. Por unë nuk munda t’i rezistoj kësaj maske të shëmtuar e të rrezikshme pa bërë përpjekje për t’ia nxjerrë sadopak bojën. Prandaj, – vijon autori, – në shumicën e shkrimeve të këtij libri do të gjeni rrënjët, zhvillimin dhe shfaqjet e shëmtuara e të rrezikshme të demokraturës për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe ide se si mund të shkallmohet ajo”.
Profesor Ahmeti është burrë shteti. Lexoni në libër f. 273-299, “Kur bëheshin përpjekje për t’u hapur me Amerikën”. Përpjekjet bëheshin nga ministri i Shëndetësisë, prof. Ahmet Kamberi. Ai guxoi sepse është Shqipëridashës. Prof. Ahmeti është burrë shteti edhe me librin: “Po demokracisë, jo demokraturës”.
Përmbajtja e librit është e spikatur. Edhe forma – mënyra e thënies dhe zgjedhja e fjalës – është e spikatur. Ato shkojnë një me një. Si puna e mjaltit në qelq. Një prozë e shkëlqyer publicistike. Dhe dokumentare – për këdo që i do thëniet, faktet, shembujt, shtjellimet, argumentimet e përfundimet sipas radhës së gjërave. Profesor Ahmeti ka gjuhë të zhdërvjellët, mjaft të pasur. Me sinonime e ngjyrime të holla mendimesh, që s’të hiqen nga mendja. Ai nuk përdor fjalë të huaja të panevojshme, që janë mish i huaj për gjuhën shqipe. Do të japim vetëm një shembull: Ai nuk e përdor sajesën absurde dakordësohem. As dakordësi. (Për fat të keq, këto hibride të neveritshme përdoren edhe në Kuvendin Popullor të Shqipërisë (!)). Ai ka gjetur e ka krijuar njëmendësohem e njëmendësi. Janë formime krejt sipas rregullave fjalëformuese të gjuhës shqipe e me përmbajtje krejt të qartë konceptore.
Libri është edhe për më të diturit, edhe për më pak të diturit. Cili mund të jetë më pak i dituri? Një brezatar i viteve 1990, 2000 etj. Për çfarë? Për çfarë u bë për mbi 50 vjet me radhë: 1945-1990. Dhe për çfarë u zhbë për 30 vjet me radhë.
Po të shkruanim ne të tjerët për prof. Ahmetin e për punën e tij vigane, thënia më e parë do të ishte: Profesor Ahmeti ka punuar me përkushtim përtej kufirit njerëzor. Si mjek. Si ministër. Si burrë shteti. Si qytetar. Si shok. Si familjar. Profesor Ahmeti i ka tejkaluar të gjitha përmasat e hapësirat e vendit të lindjes e të vendit të punës. Ai i përket gjithë kombit. Edhe me këtë libër. Por ngaqë e duam dhe e vlerësojmë shumë, na pëlqen ta mbajmë krejt për vete, krejt për Dibrën. Një fjalë e urtë arabe thotë: Vepra është e djalit, por djali është yni.

Rreth autorit:
Ahmet Kamberi është mjek specialist kardiolog, diabetolog dhe për sëmundje të brendshme, profesor.
U lind në Peladhi, rrethi Bulqizë, më 13 gusht 1940. Mbaroi Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës në korrik 1961. Punoi 10 vjet në Peshkopi. U specializua për sëmundje të brendshme në Spitalin Klinik Nr. 1, Tiranë, për kujdesin koronar intensiv në Stokholm, Suedi dhe për diabetologji në Paris, Francë. Punoi si kardiolog dhe nëndrejtor i Klinikës Speciale, Tiranë. Punoi si kardiolog e diabetolog në ekipin mjekësor të Enver Hoxhës. Drejtor i Klinikës Speciale, ministër i Shëndetësisë dhe kryetar i Komisionit Shtetëror të Mbrojtjes së Mjedisit, nënpresident i Komitetit të 39 të OBSH-së për Rajonin e Evropës, Paris 1989. Deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit për të drejtat e njeriut e pakicave etnike, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë, themelues i Revistës Shqiptare të Kardiologjisë, President i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë, anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC) dhe koordinator i saj për Shqipërinë, anëtar i Komitetit të vlerësimit të abstrakteve e paraqitura në Kongreset e ESC-së. Doli në pension në shtator 2008. Punoi në profesion të lirë në specialitetet e tij deri në fund të janarit 2023, duke përmbyllur një karrierë 62-vjeçare në kujdesin mjekësor.
Autor i pesë protokolleve shkencore. Autor dhe bashkautor i mbi njëqind artikujsh në revistat shkencore shqiptare dhe amerikane, autor i 54 referimeve në konferenca shkencore shqiptare e ndërkombëtare, bashkautor i librit “Sëmundjet e Zemrës”, autor i librit “Pacienti ynë i veçantë”, si edhe autor i disa tregimeve letrare. Mban titullin FESC për merita profesionale, mban urdhrin “Flamuri i Kuq i Punës” të klasit të dytë dhe të klasit të parë për kontributin profesional e shkencor dhe për drejtimin e zhvillimin e shëndetësisë. Mban titullin “Nderi i Qarkut të Dibrës”.