Çeta partizane e Gollobordës  


Me rastin e 80-vjetorit të krijimit, 15  gusht 1943

Nga Zabit Lleshi

Ahmet Cami, komandant i çetës së Gollobordës

Për krijimin e saj u grupuan vullnetarë partizanë nga Golloborda, Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, një pjesë ishin aktivizuar me çetat e tjera. Përveç veprimtarëve të hershëm antifashistë si Spiro Velko, Asllan Zeneli, Uruç Karahasani, Maliq Qazimi dhanë ndihmesën e tyre pjesëtarë të fisit Cami dhe vullnetarë të tjerë nga Viçishti të njohur në luftërat për liri e pavarësi të udhëhequr nga Dan e Feta Cami, Tahir Tola etj.

Intelektualët gollobordas Qazim Kasa, Xheladin Sadiku, Abdurrahman Terziu, Ismail Driniziu, Hamit Destani zhvilluan një propagandë për demaskimin e forcave italiane pushtuese duke ndihmuar lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe veprimet luftarake të çetës së parë partizane të Dibrës. Në shkurt 1942 erdhën në Dibër Ejup Hatipi e Ahmet Jegeni. Ahmeti kish marrë pjesë në lëvizjen studentore në Itali nëntor 1939 – shtator 1941 internuar nga fashizmi në ishullin Ventotene Itali, pranohet në radhët e Partisë Komuniste nëntor 1942. Në Dibër të Madhe takimet e militantëve komunistë dhe veprimtarëve antifashistë bëheshin në shtëpinë e Irfan Hajrullait. Traktin e parë e lëshuar nga PKSH ardhur në Dibër nga Nazmi Rushiti e çuan në Gollobordë Ahmet Jegeni e Ejup Hatipi. Ata u caktuan nga grupi për të punuar në fshatrat e Gollobordës dhe Homeshit. 

Gollobordasit që punonin në gjithë Shqipërinë si Nuredin Sinani, Mahmut Isaku, Jonuz Basha etj., u aktivizuan në Vlorë, Tiranë, Elbasan, Durrës me njësitet guerile duke u bërë një shembull i madh frymëzimi për bashkëfshatarët e tyre kur vinin pranë familjeve në Trebisht, Gjinovec, Ostren pa përjashtuar punëtorët e tjerë që punonin në Dibër të Madhe, Manastir, Ohër, Shkup e deri Selanik, Sofie etj.

Ahmet Cami kishte karrierë ushtarake si oficer. Pasi mbaroi shkollën e oficerëve në Tiranë, shërbeu në Ushtrinë e Mbretërisë në Shkodër, Gjirokastër dhe Elbasan. Më 7 prill 1939, pasi përcolli Ahmet Zogun me suitën e tij në Kapshticë për Greqi, u kthye për në vendlindje. Më 6 prill, bashkë me shumë vullnetarë nga fisi Cami e Dibra, u bashkuan me Haxhi Lleshin në frontin Urë e Spiles – Miresh – Viçisht – Çerenec, kundër ushtrisë italiane që kishte sulmuar Jugosllavinë.

Fasli Cami është përjashtuar nga shkolla Normale për veprimtari antizogiste e antifashiste. Kishte një formim e pjekuri që e kishte fituar me pjesëmarrje aktive kundër fashistëve italianë duke dhënë jetën e tij të re. Në përpjekje me një njësit italian më 7 duke u gdhirë 8 prilli 1941 në kodrat e Çerenecit vritet mësuesi patriot Fasli Cami një shembull frymëzimi për shumë të rinj dibranë në luftën e sapo nisur kundër ushtrisë fashiste italiane, që kishte trokitur në portat e Dibrës.

Më 10 prill në Viçisht u vranë Ejup Cami, Musa Cami e Mexhit Lezi. Pas pak ditësh u arrestuan 19 burra nga Camët ndërmjet tyre Ahmeti, Sula, Dilaveri, Ukja i Dull Camit, Izeti etj. Fillimisht i dërguan në Tiranë pastaj i grumbulluan në Burrel. Aty ishin edhe 12-13 luftëtarë nga Jasharajt e Maqellarës, që luftuan më 6 prill në sektorin e Bllatës nën komandën e Aqif Lleshit. Për daljen nga burgu në prill 1943 ndihmoi Beqir Valteri me ndërhyrjen dhe kujdesin e Haxhi Lleshit. Familja Valteri kishte një miqësi të vjetër me familjen Cami. 

“Kur isha në Mat u shkova në shtëpi Valterëve (në shkurt 1943). Beqiri  dija se ishte i lidhur me fashistët dhe Mustafa Krujën, por armiqësia me Zogun, pritja që u kishin bërë Valterëve kur ishin emgrantë në Jugosllavi mendova se mund të ndryshoj rrugë. Më tha se kishte respekt për mua, por nuk mund të hiqte dorë nga e tija. Me qenë se ruan respekt ndaj meje tregoje me një shërbim, më liro nga burgu i Burrelit Jasharajt dhe Camët. Ramiz Valteri ndërhyri në bisedë or mixh iu drejtua Beqirit mos harro sakrificat që kanë bërë Lleshet për fisin tonë kur kemi qenë ngushtë, na hapën portën e zemrës, na shtruan sofrën bujare me të gjitha të mirat Beqiri heshti pak çaste dhe tha e kam për detyrë të ta shkoj këtë rixha”.1 Pas daljes nga burgu në prill 1943 u bashkua me  lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Kristo Frashëri, ish partizani i çetës së Grykës së Madhe, shkruan: “Më 26 korrik 1943 në Gjoricë u formua batalioni i Dibrës ku u rreshtuan 3 çeta, e Grykës së Vogël, e Grykës së Madhe dhe Sllovës”2.

Celula e Partisë Komuniste e Dibrës e caktoi Ahmet Camin komandant të çetës së Gollobordës e cila u bashkua me batalionin partizan të Dibrës më 15 gusht 1943.

Çeta e Gollobordës u krijua në gjysmën e dytë të muajit gusht 1943, sdudiuesi i luftës Nacionalçlirimtare dhe i dëshmorëve të saj Resul Bendo kur shkruan për Heroin e Popullit Spiro Velko nënvizon “Me formimin e çetës së Gollobordës në gjysmën e dytë të muajit gusht 1943 Spiro Velko u caktua komisar i çetës së Gollobordës3. 

Aksioni i parë i çetës së Gollobordës ishte në rrugën Dibër-Strugë me datë 3 shtator 1943, bashkë me çetën e Grykës së Vogël. Për këtë aksion u nis edhe Haxhi Lleshi, por u kthye në Ostren sepse mori njoftimin për ardhjen e misionit ushtarak anglez pranë batalionit partizan të Dibrës. Misioni ishte në Vorre të Vrame. Gjatë kthimit komandanti i batalionit mori me vete çetën e Grykës së Madhe. Në Trebisht më 2 shtator 1943 çetat sulmuan dhe dogjën postën e xhandarmërisë Trebisht, dogjën dokumentet zyrtare të saj. komunën e mori në dorëzim Këshilli Nacionalçlirimtar.

Partizanët së bashku me komandantët Ahmet Cami e Ymer Lleshi festuan së bashku me popullin. Të nesërmen organizuan në Modriç pritën në rrugën automobilistike Dibër-Strugë. Pasi hyri autokolona në pritë u organizua një sulm i befasishëm. Dhjetë oficerë të ushtrisë fashiste italiane u vranë, u dogjën 3 makina, u sigurua një mitraloz, 5 pushkë dhe një sasi municioni4. Pas këtij aksioni dy çetat u kthyen në Tërnovë pa humbje. Në shenjë hakmarrje ushtria italiane dogji me 4 shtator 400 shtëpi në Trebisht, arrestuan disa fshatarë midis tyre mësuesi Mustafa Shahini e Ismail Sinani.

Më 9 shtator 1943 çeta e Gollobordës në Dibër të Madhe në kuadër të Batalionit realizoi detyrën për ruajtjen e trupave italiane pranë kazermave, depot dhe objektet e tjera. Më 12 shtator 1943 divizioni Firence, pas dorëzimit,  filloi të lëvizë nga Dibra e Madhe në 2 drejtime 1. Nga Bllata Ura e Topojanit – Bulqizë. 2. Ura e Spiles-Miresh-Çerenec-Grykë e Madhe Bulqizë. Çeta e Gollobordës mori detyrë të ruajë forcat italiane nga një sulm i mundshëm i ushtrisë gjermane nga Struga duke mbajtur lidhje me Ahmet Jegenin si përfaqësues i batalionit partizan pranë komandës së Divizionit italian5.

Me largimin e forcave italiane nga Dibra e Madhe, paria dhe Balli Kombëtar bashkuan forcat kundër Nacionalçlirimtares, filluan të provokojnë qytetarët e Dibrës së Madhe, kërkonin të krijonin anarki, nxitnin revolta e ngatërresa etj. 

Shtabi i Batalionit dhe Këshilli Nacionalçlirimtar i Dibrës morën vendime dhe caktuan afatin e një ultimatumi. Më 30 shtator 1943 ora 15.00 të gjitha forcat e Parisë të largohen nga Dibra, ndryshe forcat partizane do t’i nxjerrin me forcë. Pa mbaruar ultimatumi paria reaksionare forcat e ardhura të Ballit Kombëtar me rreth 3000 forca larguan nga Dibra e Madhe.

Tani deklaruan ata duam të luftojmë gjermanët, por na duhet një qendër për t’u organizuar prandaj forcat partizane të lironin Peshkopinë. Këto kërkesa i përkrahu edhe kapiteni anglez Hends.

Një ndër betejat më të ashpra e të përgjakshme që çeta e Gollobordës përballoi me heroizëm ishte ajo e mbrojtjes së Peshkopisë me datë 17 tetor 1943 nga forcat reaksionare të Dibrës. Ato përfaqësoheshin nga Fiqiri Dinja, Hysni Dema, Halil Alia, Selim Kaloshi, Ali Maliqi, Dilaver Dinja, Miftar Kaloshi. Abas Kupi, kish marrë në Peshkopi Ndrec Lufin, Bilal Kolën, Dule Allamanin, Isuf Selmanin, Murat Bashën. Trupat italiane në Peshkopi, një pjesë i nisën për Dibër të Madhe, pjesa tjetër u nis nga Muhurri-Katër-Grykë për t’u bashkuar me divizionin në Burrel. Kazermat, depot dhe armatimet e Ushtrisë italiane në Peshkopi u muarën në dorëzim nga çeta e Sllovës dhe ato vullnetare që komandoheshin nga Faik Shehu. Paria me forcat e saj bëri përpjekje të përfitojë nga pasiguria e forcave italiane dhe një natë sulmoi kazermat, por u ndeshën me ushtrinë italiane e vendosur të ruajë objektet e saj. Këtu humbën jetën disa fshatarët të zhgënjyer në mbështetje të parisë reaksionare dibrane. Menjëherë ndërhyn forcat partizane për të vendosur qetësinë dhe rregullin. U zgjodh Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar dhe filloi nga puna. Paria reaksionare e Dibrës krerët e Ballit Kombëtar të ardhur në Peshkopi të mbështetur nga misioni anglez nuk mund të pajtoheshin me faktin se pushteti ishte në duar të lëvizjes Nacionalçlirimtare. Mitat Frashëri u bëri thirrje krerëve të parisë të vepronin dhe të hynin sa më parë në Peshkopi për të marrë pushtetin. 

Pa u vonuar forcat e parisë u futën në Peshkopi dhe zunë disa pozicione dhe pika dominuese.

Para se të merrte Peshkopinë, Paria filloi përgatitjet të merrte kalanë nga brenda nëpërmjet kompromisit. Abas Kupi si anëtar i shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare ishte në Peshkopi me 250-300 forca. Pas shumë bisedimesh me Esat Ndreun dhe Zoi Themelin përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar, u arrit që të caktojnë prefekt Jahje Çaçin dhe qark komandant Miftar Kaloshin. Pushtetin në Peshkopi e ushtronte Këshilli Nacionalçlirimtar, që kontrollonte zonat e çliruara të krahinës së Dibrës. Në bazë të marrëveshjes po krijohej një (dy)pushtet duke u lënë rrugë forcave të parisë të asgjësonin forcat Nacionalçlirimtare për të marrë krejt pushtetin. Pastaj shtruan problemin të largoheshin partizanët jo dibranë ndërsa vendasit t’u nënshtroheshin urdhrave të tyre.

Shtabit të Batalionit dhe Këshillit Nacionalçlirimtar u kishin lënë të drejtën të përfaqësoheshin me nga një njeri në komitet, nga 12 që kishin ato. Të hapeshin depot e kazermave dhe t’i dorëzohej parisë gjithë materialet që ishin në depo. Drejtuesit e Luftës Nacionalçlirimtare Stefan Luarasi, Riza Doda, Imer Lleshi, Hasan Luma u orientuan për të patur kujdes, të evitohej përplasja dhe gjakderdhja, mbasi ato përkraheshin nga dibranë të gënjyer e të mashtruar.

Për të vlerësuar situatën tre çetat morën urdhër të shkonin në Peshkopi (Grykës së Madhe, të Vogël dhe Gollobordës) bashkë me çetën territoriale të Aqif Lleshit. Gjendja prag lufte. Oficerët e misioneve angleze i nxisnin kontaktet dhe bashkëpunimin e krerëve të Ballit Kombëtar, të Legalititetit, me parinë dhe bajraktarët e Veriut. Anglezët mendonin se kishte ardhur momenti i përshtatshëm kur një trevë e ndezur e lëvizjes Nacionalçlirimtare, siç qe Dibra mund të bëhej një zonë e nacionalistëve të kulluar 6. 

Forcat e batalionit të Dibrës kishin zënë pozicionet tek kazermat e qytetit dhe Kodrat mbi to, kazermat e Pollozhanit tek ndërtesa e ish prefekturës e të burgut, në lagjen e Kallaveres, në varret e Staravecit. Në vijën mbrojtëse ishin çeta e Sllovës, vullnetarët e Faik Shehut, Azis Hoxhës, Zija Serdarit e Shaban Vakufit. Kishte ardhur edhe çeta e Lumës, bashkë me një njësit të çetës së Sharrit me 40-45 partizanë (kosovar, malazez, serb dhe shqiptar).

Çeta e Sharrit ishte thirrur nga Vukmanoviç Tempo për të ardhur në Dibër të Madhe në Kuadër të formimit të brigadës parë Kosovaro-Maqedonase. Për të dalë nga Sharri rruga më e shkurtër ishte ajo Gostivar-Kërçovë, por rrezikoheshin nga gjermanët dhe forcat e Xhem Hasës. Çeta kërkoi ndihmën e forcave partizane të Dibrës. Haxhi Lleshi bisedon për këtë me komisarin e çetës së Lumës Abedin Shehun, i cili erdhi në Peshkopi. Forcat reaksionare të komanduara nga Fiqiri Dinja, Hysni Dema, Abas Kupi, Halil Alia, Ali Maliqi etj., sulmuan pozicionet e Nacionalçlirimtares nga Pollozhani në Staravec. Lufta më e ashpër u bë ajo midis kazermave të qytetit dhe qendrave të zjarrit në krahun verilindor të lagjes Kallavere. Të dy palët herë njëra, herë tjetra përparonin dhe tërhiqeshin.

Në mëngjes artileria e forcave çlirimtare me topat që komandoheshin nga Siri Strazimiri e mortajat e partizanëve italianë qëllonin pozicionet mbrojtëse të parisë  sipas informacioneve që u vinte nga njerëzit e thjeshtë qytetarët e Peshkopisë. Predhat e para shembën muret e shtëpisë ku strehoheshin Halil Alia, Fiqir Dinja e Riza Drini. Të njëjtin fat patën forcat e parisë, që mbronin frontin nga Bashkia tek Hotel Dëfrimi, të cilat drejtoheshin nga Kadri Kallçishta e Beqir Sina. U detyruan të lënë llgoret e të dalin jashtë luftimit. Beqir Sufa komandant i vullnetarëve të Sllovës me Aqif Lleshin e Faik Shehun i shkulën forcat e Fiqiri Dines, Hysni Demës e Ali Maliqit nga lagjja Dobrovë, duke u larguar përroit të Peshkopisë për Dohoshisht. Në bahçen e Sheh Imerit u lëshua një predhë pas hotelit të Çengës në Tomin duke vrarë dhe plagosur 30-35 mercenarë të parisë. Midis tyre oficerët zogist Met Hoti nga Lura, Ibrahim Koleci nga Lami i Madh i Selitës së Matit. Miftar Kaloshi u plagos rëndë.

Luftimet u bënë të ashpra megjithëse iniciativa kaloi në favor të partizanëve. Për një kohë të gjatë i ruajtën pozicionet mercenarët e Halil Alisë e Selim Kaloshit. Më shumë dëme pësoi çeta e Gollobordës mbasi komandanti i saj u plagos, ndërsa partizanët e saj u tërhoqën mbi katundin Staravec për t’u riorganizuar. Ahmet Cami pasi mori ndihmën e parë mjekësore, u dërgua në Dibër të Madhe e prej aty në Tiranë. Me gjithë kujdesin e Irfan Pustinës (si mjek i kishte bërë një shërbim të madh lëvizjes Nçl)7, me 24 tetor Ahmet Cami ndërroi jetë. Ditën e fundit të luftimeve më 19 tetor u kapën shumë robër nga mercenarët e parë që deklaronin se janë gënjyer e mashtruar.

Vetë Haxhi Lleshi pohon se “Paria e Dibrës në dallim nga reaksionarët e tjerë, kishte me vete njerëz të gabuar, por trima: Megjithatë kundër nesh nuk e tregonin këtë trimëri sepse nuk kishin bindje se duhej luftuar kundër partizanëve, të cilët ishin vëllezërit e tyre të një gjaku”. Dhanë jetën dëshmorët Aqif Zeneli, Halil Hasa, Idriz Kaba, Nesim Kaza, u plagosën Riza Doda, Sadik Hazizi, Bajram Toçi, Esat Cami, Hidër Manjani, Mersim Mura, Murat Vezi dhe Qazim Xheleshi. Atë ditë u vra partizani Vllado Rakoceviç i çetës së Sharrit. Më 28 tetor me qëllim që të përkujtohet komandanti i çetës së Gollobordës iu dha emri çeta “Ahmet Cami”8. 

Fitorja e forcave partizane në Peshkopi është e një rëndësie të veçantë Jehona ishte e madhe në Dibër e jashtë saj. Ajo tregoi se forcat tradhtara e reaksionare punonin prapa krahëve dhe nën rrogoz kundër lëvizjes Nacionalçlirimtare. Ata bashkëpunonin me qeverinë kuislinge shqiptare dhe pushtuesit gjermanë. Për këtë Abas Kupi u përjashtua nga Këshilli i Përgjithshëm dhe Shtabi i Përgjithshëm i UNÇl.

Goditje të pakorrigjueshme mori Balli Kombëtar. Krerët e tij ishin ndër faktorët kryesorë dhe nxitës të reaksionit. Ata mendonin se në Dibër mund të krijonin një bashkim të fuqishëm të frontit të Ballit Kombëtar me Lumën, Kosovën, Tropojën në Shqipërinë Verilindore. Dështoi përfundimisht organizimi dhe zgjedhja e organeve udhëheqëse. Influenca e parisë u venit në sytë e popullit, u demaskuan bashkë me propagandën për qëndrimin ndaj pushtuesve italo-gjermanë.

Disa oficerë të misionit ushtarak anglez jo vetëm dështuan, por edhe u zhgënjyen mbasi bënë shumë përpjekje për të ndarë pushtetet me imponim ndërmjet Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe parisë e cila nuk kishte hedhur asnjë pushkë kundër pushtuesve, përkundrazi e nxitën parinë për t’u vënë në shërbim të nazistëve gjermanë.

Çeta e Gollobordës pas luftës së Peshkopisë luftoi në Radostushë e Kërçovë, kundër forcave gjermane dhe atyre të Xhem Hasës, Ali Maliqit e Ukë Camit, prej aty erdhën në Dibër të Madhe. Epopeja e luftës (31 tetor – 3 nëntor) në Dibër të Madhe ishte një fitore tjetër e rëndësishme ku çeta e Gollobordës dhe luftëtarët e saj të mbështetur nga qytetarët luftuan rrugë më rrugë, derë më derë e dritare më dritare 4 ditë rresht, krahas çetës Grykës së Madhe dhe Batalionit të Martaneshit. U shquan me skuadrën e tij, Thoma Harito me grupin e Zerqanit, të cilët mbrojtën me heroizëm ndërtesën e ish Federatës. Gafur Mehmeti me mortajën e lehtë nxori jashtë luftimit një pjesë të forcave gjermane bashkë me ato të Xhem Hasës.

Komanda gjermane u bind se me reparte të kufizuara në mbështetje të forcave të reaksionit të brendshëm nuk merrej Dibra e Madhe që mbrohej nga Ushtria Nacionalçlirimtare. Prandaj vendosi të grumbullojë forca të mëdha nga Tirana, Struga, Gostivari, Qaf-Murra, rreth 7000 forca ushtarë oficerë e Teknikë luftarake. Reaksioni përsëri u gjallërua, filloi përgatitjet për bashkëpunim me parinë e Kërçovës, Tetovës-Gostivarit etj. Ndërlidhës mes tyre dhe ushtrisë gjermane ishte Hysni Dema. Filloi lufta e dytë e Dibrës së Madhe.

Gjermanët më 16 nëntor përsëri bashkë me parinë si Ali Maliqi, Fiqiri Dinja, Miftar Kaloshi, Cen Elezi, Xhem Gostivari, Mefail Ajazi, Uke Cami etj., me forcat e tyre sulmuan Dibrën e Madhe në shumë drejtime: Çeta e Gollobordës me atë të Grykës së Vogël mbronin frontin nga Lagjja Vakuf deri në Varosh. Në drejtim të Urës së Spiles sulmoi me autoblind Hamdi Lleshi, Mete Duka, Irfan Qylafku bashkë me një partizan italian që drejtonte autoblindën. Hamdiu përdorte me mjeshtri shumë lloj armësh.

Në afërsi të varrezave italiane në pjesën jugore të qytetit, tre mitralozë i korrën forcat gjermane nga frëngjitë e autoblindës, por një top e goditi autoblindën e cila mori zjarr. Ra heroikisht Hamdi Lleshi dhe ushtari italian, u plagos Irfani, ndërsa Mete Duka nën breshërinë e plumbave mundi të bashkohet me shokët. Në kullën e Dacit luftonte i ati i Metes, Çup Duka. Rreth mesnatës së 3 nëntorit, ritmi i luftimeve nga ana e gjermanëve ra. Komanda e batalionit mendonte se gjermanët nuk mund të pajtoheshin me humbjen, me bindjen se do të grumbullonin forca të reja të freskëta.

Duhej shpëtuar qyteti nga masakrat gjermane, por edhe vetë forcat partizane, për këtë arsye ato u tërhoqën nga Kazermat (Kërshlla) në Tabakhane gjatë luginës që del në Sollokiç, nën mbrojtjen e forcave të Aqif Lleshit. Tërheqja kësaj rruge u bë pa shqetësime. Gjermanët mendonin se forcat partizane, ishin futur në rrethim. Drini ishte një pengesë për shkak të shirave, por u kalua me sukses. Grumbullimi u bë në Kovashicë të Grykës së Vogël, prej këtu në Grykë të Madhe në Vorre të Vrame (Tërnovë). Përgatitja për mësymjen e madhe prej nazistëve gjermanë në Dibër të Madhe e Qarkun e Dibrës ishte pragu i fillimit të operacionit të Dimrit. Emergjente ishte riorganizimi i forcave partizane, sepse në luftime kishin rënë dëshmorë disa partizanë, ishin plagosur disa të tejrë, një pjesë kishin nevojë për pak pushime. Vullnetarë të rinj partizanë kishin shprehur dëshirë për të ardhur në formacionet partizane. Çeta e Gollobordës humbi komandantin, zv.komandantin, komisari Spiro Velko u shtrua në spitalin e Tiranës, doli në ilegalitet, u arrestua dhe u dërgua në kampin e Prishtinës, në moshën 23-vjeçare u pushkatua, Heroi i Popullit.

Gafur Korça u caktua komandant i Çetës së Gollobordës, zv.komandant Lutfi Skuka, Komisar Prokop Murra. Ajo vazhdoi luftën për çlirimin e tokave të banuara prej shqiptarëve në Maqedoni. Dëshmorë të çetës së Gollobordës janë Ahmet Cami, Halil Hasa, Hamdi Lleshi, Spiro Velko.

Ndër faktorët e fitores së luftës Nacionalçlirimtare ishte mbështetja e grave dhe përkushtimi për pritjen, përgatitjen e ushqimit, fjetjes, veshmbathjes, shërbimi ndaj partizanëve të plagosur, kryerja e detyrave si korrierë e deri pjesëmarrja direkte në formacionet e ushtrisë partizane. Gratë e Okshtunit pritën e strehuan Shtabin e Përgjithshëm të UNÇL Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Haxhi Lleshin, Baba Fajën, Haki Stërmillin. Mund të përmendim, Fatime Koçi, Gjyle Alla, Qamile Koçi, Hajrie Koçi, Zoje Koçi, Laje Lika, Hava Lika; në Ostren: Hajrie Isaku, në Trebisht: Hajrie Kasa, në Viçisht: Bejaze Cami, Nazmije Cami, Peme Cami, Razie Cami bashkë me gratë e familjes Uruç Karasani, Hysen Koçi, Hoxhë Murgu, Maliq Qazimi, Haxhi Hoxha, Ibrahim Radoveshi, Ibrahim Hysa, Zylfi Hasani etj.

Gjatë vitit 1944 në Dibër erdhën brigada I, dhe brigada IV Sulmuese. Ato kaluan nëpër Gollobordë. Shumë vullnetarë nga fshatrat e Gollobordës u bashkuan në radhët e brigadave partizane deri në çlirimin e Shqipërisë. Kështu nga Trebishti u bashkuan 200 partizanë, Gjinoveci 12, Stebleva 70, Okshtuni 40, Ostreni 60 etj. 

 

Referenca:

1 Lleshi, H. Tiranë 1996, f. 117-118

2 Kristo Frashëri 2014, faqe 142.

3 Bendo, R. Tiranë 2014, “Ballëndriturit VII”, f. 72

4 Agolli E., grup autorësh 2009, faqe 110

5 Agolli E., grup autorësh 2009, faqe 110

6 Lleshi H., Tiranë 1996, faqe 81

7 Lleshi H., Tiranë 1996, faqe 181

8 Stërmilli H., Tiranë 1979, faqe 100