Ide për biznesin – qeveria britanike mbështet të rinjtë e Dibrës


Po kërkohen partnerë nga institucionet publike dhe private që ofrojnë mbështetje profesionale në fushën e turizmit, agroturizmit, agripërpunimit, ndërtimit dhe teknologjisë së informacionit

A jeni një djalë apo vajze në moshën 17-22 vjeç? Keni ndonjë të njohur në këtë moshë? Keni pasion apo një ide biznesi? Jetoni në territorin e bashkisë Dibër? Atëherë keni një mundësi që dikush t’ju ndihmojë në ëndrrën tuaj.
Projekti “Perspektiva të Reja”, i cili zbatohet nga Sëisscontact në bashkëpunim me TAG International dhe që financohet nga Qeveria Britanike nëpërmjet Ambasadës Britanike në Shqipëri, ju fton të bëheni pjesë e një kampi tre-ditor.
“BOOTCAMP PËR IDE BIZNESI” do të zgjasë tre ditë dhe grupi i trajnimit do të përfshijë një numër maksimal prej 25 persona, të rinj që pëlqejnë sipërmarrjen dhe e shohin veten me një të ardhme si sipërmarrës.
Në përfundim të kampit, dy pjesëmarrësit me idetë më të mira do të mbështeten financiarisht nga projekti për realizimin e idesë së tyre të biznesit.
Projekti do të jetë i hapur për adresimin dhe përgjigje ndaj pyetjeve tuaja (ekskluzivisht me email) deri në datë 23 gusht 2023. Aplikantët e interesuar duhet të aplikojnë përpara datës 27 gusht 2023.
Gjithashtu, projekti “Perspektiva të Reja” po kërkon partnerë nga institucione publike apo private si qendra të formimit profesional, kompani private apo universitete, me përvojë në ofrimin e kurseve profesionale në sektorët e mëposhtëm: Turizëm, Agroturizëm, Përpunim agro-ushqimor, Ndërtim dhe TIK.
Nëpërmjet dhënies së bursave të studimit për të rinjtë, projekti dëshiron të zgjerojë mundësitë në profesione në lidhje me sektorët me potencial të lartë zhvillimi në Qarkun e Kukësit dhe Bashkinë Dibër.
Nëpërmjet bashkëpunimit më këto institucione partnere, projekti synon të rrisë numrin e të rinjve që dëshirojnë të hapin mikro-biznesin e tyre, si rezultat i zhvillimit të tyre profesional nga ndjekja e një kursi trajnimi profesional në sektorët e përmendur më sipër.
Për nënshkrimin e bashkëpunimit mes organizatës Perspektiva të Reja dhe Bashkisë së Dibër, ishte në fillim të korrikut në Peshkopi ambasadori Britanik në Shqipëri Alastair King-Smith, i cili mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes.
“Takimi shënoi shtrirjen e projektit “Perspektiva të Reja” në rajonin e Dibrës, duke vazhduar bashkëpunimin me qytetarët, si pjesë e angazhimit dhe mbështetjes më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për veriun e Shqipërisë”, thuhej në njoftim për shtyp të organizatës.
Takimi konsultues bëri bashkë të gjithë aktorët kryesorë vendas si bizneset, institucionet publike, organizatat dhe rininë, në një diskutim të hapur mbi nevojat prioritare të qytetarëve, ideve të reja dhe mënyrat e bashkëpunimit.
Për më shumë informacion mbi veprimtarinë e projektit Perspektiva të Reja ndiq faqen në Facebook PerspektivateReja ose në instagram perspektiva_te_reja.