SHKURT


Përkujtohet Ploja e Madhe
Çidhën, 20 gusht 2023 – Më 20 gusht 2023, në Çidhën u përkujtua masakra e madhe e vitit 1466. Sulltan Mehmeti i dytë, pas humbi betejën për marrjen e Krujës, u ndërmorri një ekspeditë ndëshkimore ndaj popullsise së pafajshme, duke vrarë mbi tetë mijë banorë të pafajshëm.
Në veprimtarinë e zhvilluar në Çidhën morën pjesë përfaqësues të Prefekturës së Dibrës, Bashkisë së Dibrës, si dhe nga shoqatat e krahinës dhe banorë të zonës.
Gjatë fjalës së rastit, Ali Hoxha, – historian, tha se “studiues të besueshëm tregojnë se Çidhna ka qenë dikur një qytet i zhvilluar, me shumë banore dhe ka pasë zejtarë e tregtarë të shumtë’.
Mustafa Tola, kryetar i shoqatës “ Çidhna dhe Kastriotet”, tha në fjalën e tij se “vlerat dhe kontributet e kësaj treve janë të mëdha. Këtu kanë qënë disa prej sheshbetejave të Skënderbeut. Këtu zë fill kryengritja e madha kundër turqve e më vonë ndaj sebve. Jo rastesisht, këtu pranë u mbajt Kuvendi i Arasit me 1920 dhe me 1921 u bë në krahun tjeter beteja e Lan Lurës”.
Në këtë veprimtari përshëndeti edhe deputeti i Dibrës, Lavdrim Krashi, kryetari i “Aleancës për Mbrojtjen e Dibrës”, Zenel Hoxha, nënkryetar i bashkisë Sajmiri Kojnozi dhe përfaqësuesja e Prefekturës, Donika Hyseni.

Shpërthim në minierën e Bulqizës, tre minatorë të plagosur
Bulqize, 14 gusht 2023 – Tre minatorë u plagosën në mesditën e datës 14 gusht 2023, pas një shpërthimi gazi në pusin 17 të minierës së Bulqizës. Shpërthimi i gazit ndodhi ndërsa minatorët po punonin në pusin që zotërohet nga Albchrome. Policia bëri me dije se minatorët kanë pësuar djegie trupore. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, deklaroi se nivelet e thella të Minierës së Bulqizës, janë një “bombë me sahat”, duke identifikuar minatorët e plagosur si Rrahim Karaj, Asllan Çakalli dhe Trifon Snalla. “Kjo minierë, në të cilën janë zbuluar rezerva të mëdha të gazit metan, rrezikon çdo moment jetën e qindra minatorëve, ndaj duhet të merren masa urgjente që raste të tilla – që mund të rezultojnë shumë më fatale – të mos përsëriten më.” thuhet në deklaratën e SMBB-së. Minatorët e aksidentuar në punë janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranës.

Aplikohet për parkun e parë fotovoltaik në Bulqizë
Bulqize, 14 korrik 2023 – Për herë të parë në zonën e Bulqizës është aplikuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e një impianti fotovoltaik. Bëhet fjalë për një impiant me kapacitet të instaluar 10 MË për t’u zbatuar në zonën e Shupenzës. Referuar të dhënave zyrtare, aplikimi është kryer nga shoqëria “GERTI” SH.P.K zotëruar nga Jeton Dani. “Shoqëria “GERTI” SH.P.K. ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 10 MË, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Vlashaj, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë” thuhet në aplikimin e bërë publik nga MIE.

Kërçisht, banorët kundërshtojnë ndërtimin e ujësjellësit
Maqellarë, 14 gusht 2023- Banorët e fshatit Kërçisht i Epërm në Maqellarë I kanë vazhduar protestë, duke bllokuar mjetet e punës së kompanisë që ka fituar tenderin për ndërtimin e një rrjeti ujësjellësi, që shfrytëzon burimet ujore të këtij fshati. Pas disa orë qëndrimi në rrugë, forca të shumta policie, shoqëruan disa prej banorëve, ndërsa forcërisht larguan të tjerët. Disa ditë më parë, Policia dërgoi në Prokurori, thuajse të gjithë kryefamiljarët e fshatit Kërçisht i Epërm, nën akuzën për kundërshtimin e shërbimeve të Policisë Bashkiake dhe punonjësit e ujësjellësit të Dibrës. Banorët prej muajsh protestojnë, duke pretenduar se burimet ujore nuk plotësojnë nevojat e tyre dhe nuk mund të përdoren për ujësjellësin e Maqellarës. Pak javë para zgjedhjeve vendore, punimet ishin ndërprerë; prej ditësh, sipas banorëve, projekti po avancon me justifikimin se po rehabilitohet rruga. Referuar të dhënave në Agjencinë e Prokurimit Publik, tenderi për ndërtimin e rrjetit kryesor të ujësjellësit në Maqellarë do kushtojë 97,834,497 fituar nga kompania “Selami”. Autoriteti kontraktues është Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve./Bulqizaime.com

Makineritë e rënda dëmtojnë asfaltin, protestojnë banorët
Bllacë, 24 korrik 2023 – Bllaca është ndër fshatrat më të largët të Bulqizës, ku jetojnë afro 40 familje. Ndër arsyet kryesore për shpopullimin e zonës ishte mungesa e rrugës dhe problemet ekonomike. Pak javë më parë u asfaltua një pjesë e rrugës nga bashkia Bulqizë, me një vlerë prej afro 290 mijë euro. Loti i parë i asfaltimit të rrugës, mbeti afro 1 km larg fshatit. Por pa kaluar pak ditë nga asfaltimi, banorët pretendojnë se rruga po shkatërrohet nga mjetet e tonazhit të rëndë të gurores që ndodhet në këtë zonë. Mermeri i kuq në zonën e Bllacës është e njohur në të gjithë Europën për shkak të cilësisë së lartë. Por gurorja nuk solli asnjë përfitim për banorët, si për punësim por edhe për mirëmbajtjen e rrugës. Kompania që ka në shfrytëzim guroren “PI.OR. QUARRIES” nuk ju përgjigj një kërkese për koment, lidhur me shqetësimin e banorëve. Gjithashtu as institucionet shtetërore nuk kanë bërë asnjë reagim publik për shqetësimin e banorëve të Bllacës. /Bulqizaime.com

Maqellara feston “Ditën e Diasporës”
Maqellarë, 17 gusht 2023 – Maqellara festoi me 17 gusht 2023 “Ditën e Diasporës” në mjediset e një restoranti në brigjet e Drinit. Kjo veprimtari është organizuar për herë të tretë këtë vit, dhe një rol në organizimin e saj mori shoqata Lidhja e Intelektualëve Dibranë dhe dega e saj e Maqellarës.
Në këtë veprimtari kishte të ftuar nga të gjitha trevat shqiptare. Kënga, vallja, prezantimet e të rinjve shoqëruan festën gjatë gjithë kohës.
Në këtë veprimtari, të moderuar nga Defrim Methasani, përshëndetën kryetari i LID, Shpëtim Cami, deputeti Lavderim Krashi dhe mjaft personalitete të zonës.
Grupi i valleve të djemve e vajzave ardhur enkas nga Peshkopia, me veshje të bukura popullore u derdhen rrugëve e shesheve duke ekzekutuar vallet gjithe finesë e hijeshi. Një program i bukur artistik do të mbërthente gjatë të pranishmit.
Kjo veprimtari u mbështet nga z. Musa Riçku nga Big Market, Ibrahim Kolari i ardhur nga Amerika dhe Genti Kromilla nga Instituti i Mbrojtjes se Natyrës.

LID, krijohet dega e Peshkopisë
Peshkopi, 5 korrik 2023 – Në Pallatin e Kulturës “Haki Stërmilli” në Peshkopi, nën drejtimin e z. Faris Cibaku dhe nën kujdesin e Kryesisë së Lidhjes së Intelektualëve Dibranë, u themelua dega e shoqatës për qytetin e Peshkopisë. Në takim morën pjesë intelektualë dibranë të të gjitha fushave dhe konfirmuan për t’ju bashkuar kësaj shoqate rreth 38 intelektualë. Takimin e hapi z. Faris Cibaku i cili prezantoi panelin dhe të pranishmit në sallë si dhe objektin e këtij takimi. Pjesëmarrësit u pajisën me statutin e LID dhe plotësuan formularin e anëtarësimit.
Mbi veprimtarinë 17 vjeçare të shoqatës informoi kryetari i LID, z.Shpëtim Cami, i cili ju dha përgjigje edhe disa pyetjeve dhe kërkesave të pjesëmarrësve mbi statutin dhe veprimtarinë e shoqatës. Në takim morën pjesë edhe anëtari i kryesisë, z. Shaqir Skarra si dhe kryetari i Degës së Intelektualëve Maqellarë, z. Osman Xhili. Në përfundim të takimit u zhvilluan zgjedhjet për drejtimin e degës, ku me votim të hapur dhe me konsensus u zgjodh kryetar z. Faris Cibaku, dy nënkryetarët Ylber Daci dhe Dali Horeshka si dhe sekretar Ilir Elezi.

“Dibër ishe, Dibër mbete”
Dibër e Madhe, 18 gusht 2023 – Një maratonë muzikore me pjesmarrje të artistëve dibranë u zhvillua në Dibër të Madhe më 18 gusht 2023. Veprimtaria ishte organizuar nga Shoqërisë Kulturore Artistike e Dibrës së Madhe, nën drejtimin e z. Miçe Duka.
Në këtë veprimtari përshëndetën kryetari i Komunës së Dibrës, Hekuran Duka, deputeti i Dibrës në Parlamentin shqiptar, Lavdrim Krashi, Presidenti i Unionit Artistik të kombit Shqiptar Azgan Haklaj,kryetari I shoqatës “Bashkësia Dibrane”, Bujar Kapexhiu, si dhe morën pjesë edhe përfaqësues të pushtetit vendor, miq dhe të ftuar.
Shoqëria Kulturore Artistike e Dibrës së Madhe ka fituar gjatë këtij viti 18 çmime e trofe në veprimtari të ndryshme artistike dhe këtë sukses e reflektoi edhe në manifestimin e madh kulturor të 18 gushit 2023, në sheshin para Pallatit të Kulturës në Dibër të Madhe, me një repertor të larmishëm, me këngë valle e humor, që mbushi krenari zemrat e mijëra artdashësve.
Një maratonë muzikore që zgjati katër orë me pjesëmarrje të artistëve të spikatur dibranë si: Haxhi Maqellara, Liri Rasha, Vera Laçi, Ingrit Jushi,Behar Mera, Genc Lleshi, Agim Skarra, Qanije Skënderi Muça, Klea Çutra, Evzi Kaja (Xiu) e shumë të tjerë që performuan dhe interpretuan mjeshtërisht këngën, vallen e humorin dibran.
Me nivel të lartë artistik performuan edhe përfaqësuesit e Ansamblit Artistik “Perparim Tomçini”. Vetë emri i kompozitorit të paharruar që mban ky ansambël, vepra madhore që na la Ai si trashëgimi kulturore-artistike që e veshi atë me pavdekësi, i motivoi këta artistë të ishin në nivelin më të lartë. Pjesëmarrësit më këtë spektaklël madhëshor shijuan gjithashtu humorin e aktorëve më në zë, Behar Mera e Genci Lleshi si të ftuar special.
Koncerti i titulluar “Dibër ishe, Dibër mbete” u mbyll nga grupi i valltarave të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit, i njohur për dhjetra trofe e çmime mbarëkombëtare e ndërkombëtare.
Moderator i këtij koncerti ishte Defrim Methasani ndërsa regjisor Llesh Nikolla.

Bashkia Dibër nderon akademikët Sinani dhe Bunguri
Peshkopi, 23 korrik 2023 – Një ceremoni madhështore, festive dhe një bashkëpunim i shkëlqyer midis Bashkisë Dibër dhe Lidhjes së Intelektualëve Dibranë për dhënien e titujve “Qytetar Nderi” katër personaliteteve dibrane, akademikëve Shaban Sinani dhe Adem Bunguri, artistes së mirënjohur Liri Rasha dhe intelektualit Hasan Leka (pas vdekjes).
Një ceremoni e posaçme u mbaj me këtë rast në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku ceremonia e vlerësimeve ishte e ndërthur me një koncert artistik nga ansambli “Përparim Tomçini”.

Hapet muzeu i traditës në shkollën e Ploshtanit
Kala e Dodes, 18 gusht 2023 – Në mjediset e shkollë së Ploshtanit në Kala të Dodës u përurua muzeu “Histori, Traditë, Kulturë”, një nismë z. Gani Gjorllaku, në bashkëpunim me Bashkinë e Dibrës. Në mjesidet e shkollës janë vendosur disa stenda që nxjerrin në pah historinë dhe traditën e zonës si dhe është pajisur me objekte të vjetra që tregojnë jetën, veshjet tradicionale dhe kulturëne zonës.Shkolla “Ramadan Gjorllaku” festoi këtë vit 101 vjetorin e saj dhe është hapur nga atdhetari dhe deputeti i Dibrës, Hasan Prishtina.