Liri Rasha, këngëtarja me zërin unik


Intervistë

“Më pëlqejnë shumë këngëtarët që kanë kënduar këngët e mia, por nuk më pëlqejnë kur thonë se po e këndoj këtë këngë sepse është këngë e popullit. Këto artistë duhet ta dinë se edhe në atë kohë kur këto këngë kanë mbetur të popullit, ka pasur emra të përveçëm sepse dikush i ka krijuar tekstin dhe muzikën. Kështu që këta artistë duhet të kenë respekt për krijuesin e këngës”.

Me emrin e këngëtares së shquar dibrane Liri Rasha është e lidhur kënga lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Në rrugëtimin e saj skenik, ajo asnjëherë nuk ka deformuar këngën e bukur popullore. Të gjitha këngët e kënduara prej saj janë bërë hite dhe kanë udhëtuar e udhëtojnë me kujtesën e njerëzve, që e duan këngëtaren e shquar dhe impresionohen nga magjia e shpirtit të saj të bukur artistik. Në një intervistë për Radio Ejani këngëtarja Liri Rasha tregon për karrierën e saj artistike si dhe produksionet e fundit muzikore që ka realizuar.

– Jeni një artiste me karrierë mbi 50 vjeçare në skenë. Si i kujtoni ato vite të kontributit tuaj në muzikën popullore dhe emocionet që keni përjetuar në karrierë?
– Sa më shumë kalon mosha, aq më shumë rriten emocionet kur kujton vitet në skenë, emocionet që je lidhur me publikun si dhe emocionet që ke marrë. Të gjitha këto vjen një ditë dhe ngarkohesh shumë me emocione.

– Ka pasur momente që keni thënë se jam lodhur me këngën?
– Asnjëherë! Mua çdo gjë mund të më lodhë, por vetëm kënga nuk më lodh kurrë.

– Ju keni përfunduar studimet për mësuesi, si u gjendët te kënga?
– Unë që e vogël jam marrë me këngën dhe shkollën pedagogjike e kam filluar për arsye të këngës, sepse në atë moment ishte shansi im festivali i Gjirokastrës. Unë u paraqita në zonën time me një këngë e cila pati shumë jehonë dhe nga aty kalova në shkollën e mesme në Peshkopi, ku më dhanë bursë dhe bashkë me shkollën vazhdova edhe këngën, ku jam aktivizuar vazhdimisht me Estradën profesioniste të Peshkopisë.

– Disa prej këngëve tuaja edhe sot janë hite dhe këndohen nga të gjithë. Keni ndonjë nga interpretimet tuaja më të veçanta për ju dhe publikun?
– Të them të drejtën mua më pëlqejnë të gjitha, por e shoh edhe vetë që kur interpretoj një këngë përpara publikut nuk e shoh se sa e duartroket. Unë e shoh se sa ja bëj unë qejfin vetes me atë këngë në atë moment. Nëse unë jam e kënaqur me veten, atëhere jam e bindur se publiku e ka pëlqyer këngën. Përndryshe edhe nëse më ka dhënë duartrokitjet për respekt publiku, unë e kuptoj se diçka nuk ka shkuar ashtu si duhet.

– Disa prej këngëve tuaja këndohen sot nga shumë këngëtarë të rinj. Si ndjeheni kur i dëgjoni ato?
– Më pëlqejnë shumë këngëtarët që kanë kënduar këngët e mia, por nuk më pëlqejnë kur thonë se po e këndoj këtë këngë sepse është këngë e popullit. Këto artistë duhet ta dinë se edhe në atë kohë kur këto këngë kanë mbetur të popullit, ka pasur emra të përveçëm sepse dikush i ka krijuar tekstin dhe muzikën. Kështu që këta artistë duhet të kenë respekt për krijuesin e këngës. Ata shprehen që është këngë e popullit se është bërë para viteve 90-të, ku çdo këngë mund të këndohet nga gjithkush sepse është këngë e popullit. Kjo gjë është gabim, sepse kënga është e popullit dhe ne këndojmë për popullin si atëhere ashtu edhe sot, por ka krijues muzike edhe teksti.
– Ju përveçse një interpretuese e denjë e këngës popullore keni krijuar edhe vetë muzikë dhe tekste të këngëve tuaja. Flasim për këtë pjesë të jetës suaj artistike.
– Aktivizimi im në Estradën profesioniste të Peshkopisë gjatë viteve të shkollës më ka ndihmuar në ecurinë time si artiste. Në atë periudhë Estrada kishte një plan dhe duhej repertor, sepse kishte tre premiera në vit ku duheshin këngë të reja. Kështu që mua më është dashur të krijoj vetë. Fillimisht më dukej vetja e pafuqishme për të krijuar dhe u zhvillua një festival i këngës popullore të rrethit të Dibrës kur udhëheqësi artistik më tha të gjeja një këngë për ta kënduar në festivalin e këngës popullore. Unë u mundova të merrja një këngë nga trevat e tjera, por edhe pse këngët ishin shumë të bukura nuk po më pëlqente kjo gjë.
Në fillim krijova muzikën se më erdhi një motiv dhe atij motivi i vendosa një tekst dasme. Kjo është kënga “Oj Zogo”, që unë e paraqita në festival. Kënga ishte shumë e bukur dhe u prit nga komisioni që pa gjithë aktivitetin, por dikush u ngrit dhe diskutoi që kënga ka nuanca sllave dhe nuk duhet të paraqitet në konkurim. Kështu që ra si këngë për momentin edhe pse më vonë unë e këndova nëpër turnetë që bënte estrada në fshatrat e Dibrës. Këtë këngë e kanë kënduar shumë këngatarë dhe normal që e humbet pak orientimin për autorësinë.

– Pse pikërisht kjo këngë është bërë hit në muzikën popullore?
– Kjo është një këngë e thejshtë, sepse edhe kur krijohet kënga nuk duhet ta bombardosh me shumë tekst, por duhet një tekst i thjeshtë që ta kuptojnë njerëzit dhe mos të përtypet fjala në këngë, por të thuhet fjala pastër. Gjithashtu edhe vija melodike e kësaj kënge rastisi mirë dhe u pëlqye e u këndua në të gjitha trevat shqiptare.

– Në këto 50 vite karriere jeni vlerësuar me mjaft çmime dhe medalje për kontributin tuaj në muzikën popullore. Çfarë janë vlerësimet për një artist?
– Kur vlerësohet artisti e quan si kurorëzim të punës që ka bërë. Të them të drejtën kur kam filluar të këndoj nuk kam menduar për tituj, por kam menduar vetëm të këndoj deri aty sa lutesha që ta merrte vesh udhëheqësi artistik i zonës se unë këndoja. Nuk më shkonte mendja se unë do isha këngëtare me tituj, por filluan vlerësimet. Filloi Festivali Folklorik i Gjirokastrës dhe mora medaljen “Naim Frashëri”, shkova në festivalin tjetër dhe mora Urdhërin e klasit të tretë dhe më vonë edhe të klasit të dytë. Pastaj kam marrë dhe shumë vlerësime me Estradën profesioniste të Peshkopisë. Në vitin 1988 mora titullin “Artiste e Merituar”, pastaj titullin “Mjeshtër i Madh” dhe më vonë edhe titullin “Kalorësi i Skënderbeut”.

– Këngën në familjen tuaj e ka trashëguar edhe vajza juaj Ingriti, e cila tashmë është një këngëtare e afirmuar në muzikë. Sa keni ndikuar ju në formimin e saj artistik?
– Në hapat e para kur ka filluar të këndojë dhe ta pëlqejë muzikën ajo ka pasur idhull dikë tjetër. Njëherë kishte si idhull këngëtaren Afërdita Zonja, ndërsa më vonë kur doli Parashqevi Simaku ajo kishte idhull këtë këngëtare në pjesën e lëvizjeve në skenë. Pastaj më ka ndjekur mua hap pas hapi në skenë dhe nëpër turne sepse e kam marrë vazhdimisht me vete. Unë nuk e kam detyruar asnjëherë, përveçse në nuanca që kam ndërhyrë kur këndonte ndonjë këngë. Aty më pëlqente që t’i kishte nuancat sinkron, ndërsa që t’i them të këndojë apo mos të këndojë, nuk e kam bërë. Ajo ka ecur vetë shumë mirë dhe këndon, por ka edhe një punë tjetër sepse ka përfunduar studimet për drejtësi me rezultate të shkëlqyera dhe vazhdon punën si juriste pranë një institucioni.

– Do të dëshironi ta shikoni Ingritin si këngëtare të muzikës së lehtë apo asaj popullore?
– Faktikisht muzikën e lehtë ka filluar ta këndojë shumë bukur, por këndon shumë bukur dhe muzikën popullore dhe kjo më pëlqen.

– Si kanë qenë përshtypjet e publikut kur ju kanë parë të këndoni në duet?
– Kur hapa telefonin një ditë te kanali YouTube dhe pashë komentet tek një duet që kemi bërë bashkë, njëra shkruante “sa bukur kjo vajza” dhe ishte habitur se si ka mundësi ky zë më i bukur se i Liries, por kur mora vesh që është e bija aty nuk kam se çfarë të them, kishte shkruar në koment.

– Cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore, dhe nëse ka prurje apo devijime më tepër?
– Momentalisht ka shumë prurje dhe nuk ka devijime. Ishte një moment kur hyri tallavaja që ndikoi edhe tek ne dhe gati na u prish e kënduara, por tani është një brez që po merret me këngën folk dhe janë rikthyer te tabani.

– Pse keni preferuar që të realizoni duete vetëm me këngëtarë të rinj?
– Unë kam parë këngëtarët që janë me emër dhe vazhdimisht bëjnë duete me një këngëtar të nivelit të vet dhe kjo më pëlqen se tek ata është një këngë e arrirë dhe e dëgjon me kënaqësi. Ndërsa unë kam zgjedhur të këndoj me një këngëtar që nuk është në nivelin tim dhe pse më vonë mund të bëhet shumë më i mirë sesa unë, por kam zgjedhur këngëtarë që janë të paafirmuar për t’u dhënë një mbështetje.

– Kohët e fundit keni sjellë disa këngë të reja popullore me tekstet dhe muzikën tuaj. Cilat janë krijimet e fundit muzikore dhe çfarë presim në vijim nga ju?
– Unë këtë vit kam punuar për këngë të reja sepse pata një shtytje nga disa dashamirës dhe u kritikova shumë pse jam e tërhequr nga skena, ngaqë mua më presin adhuruesit e mi. Këto ishin dashamirësit e mi, një krijues tekstesh që unë kam shumë këngë me tekstet e tij dhe ai është Agim Qoku me origjinë nga Dibra, por lindur dhe rritur në Çermenikë. Naim Gjoshi më ka bërë dy këngë, që janë të dyja perla për mua. Gjithashtu kam realizuar dhe një këngë tjetër që e dua shumë, e kam krijuar para shumë vitesh dhe sivjet mu mbush mendja që ta inçizoja. Unë isha duke parë një emision pleqsh, unë pleqtë i dua shumë dhe po fliste dikush që i kishin ikur fëmijët jashtë. Unë duke parë emisionin më vinte një muzikë në vesh, ku dhe dy strofa të tekstit më lindën në atë moment. Kjo ka dalë një nga këngët që unë e dua shumë dhe titullohet “Loti i vetmisë”.

– Keni pasur një lidhje të ngushtë me artisten e madhe Luçije Miloti, e cila ju ka dashur dhe ju e keni dashur shumë.
– Unë e kam dashur si artiste sepse ajo ka qenë një artiste e madhe. Unë jam falenderuese vazhdimisht që më ka dhënë dorën dhe më ka vlerësuar si këngëtare. Unë këndoj këngën “Çuçurushja”, që ajo vetë më tha se e kishte ruajtur këtë këngë për ta kënduar unë. Ajo më tha që gjithë ato vite që ka qenë sëmurë i kishte pëlqyer vokali im dhe e kishte ruajtur këtë këngë që ta këndoja unë. Unë edhe sot kur e këndoj këtë këngë më duket sikur e kam Luçijen aty afër.

– Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe adhuruesit tuaj të shumtë.
– Është e vërtetë që kam shumë adhurues sidomos përtej kufijve. Unë ju premtoj që këngën nuk do ta le kurrë, derisa të kem frymë.
Intervistoi: Gazmend Agaj / Marrë nga albanian.cri.cn