Vera – stina e zjarreve dhe njeriu pa “Zot”


Pikërisht në mugëtirën e mbrëmjes, kur gjallnesat e Zotit, të ngopura apo të pangopura, struken në folezën e tyre, në habitatin e vet bashkë me të vegjëlit e tyre, rrethuar me dashurinë që edhe atyre ua fal Zoti Bujar, i dorëzohen natës në qetësinë e saj. Dremisin a rënkojnë, kuisin a lëngojnë, luten e falen sipas mënyrës së tyre duke marrë e dhënë sinjale që njerëzit nuk i kuptojnë.

Nga prof. Bajram XHAFA

Njëherë Sulejmani a.s. (alias Solomoni) e kishte nxjerrë popullin për të bërë duanë e shiut. Atje ishte një milingonë e cila bënte dua dhe lutej në këtë mënyrë: “O All-llahu im! Unë jam një krijesë nga krijesat e Tua. Edhe po të na vadisësh me shiun tend, edhe po të na shkatërrosh me thatësirën tënde, ne përsëri jemi nevojtarë për rriskun tend…”.
Pasi e dëgjoi këtë, Sulejmani a.s. iu drejtua popullit duke i thënë: “Kthehuni mbrapsht. Patjetër që juve ju dërgua shi me anë të duasë së dikujt tjetër (milingonës). Të bindur se duaja e tyre para Zotit Xh Sh, ashtu siç u kuptua nga Hazreti Sulejman, është njëllojë e vlefshme sa dhe ajo e milingonës, u kthyen. Dhe ashtu ngjau.

* * *
Një pasdite gushti të 2021, nga Shkodra shkova familjarisht për të pirë një kafe në Velipojë, për t’i bërë “ibadet” votrës sonë familjare. Në kthim për Shkodër, aty në buzëmbrëmje, që nga makina vura re se në kodrat e Velipojës përballë nesh, një vatër tymi, e cila shpejt u shndërrua në zjarr. Pastaj një vatër e dytë e më pas një e tretë. Midis gjelbrimit të dendur të pyllit tre vatra zjarri. Zjarri i sapovënë dukej qartë se ishte dora e njeriut.
Para se të niseshim, në televizor pamë një kronikë për zjarret që kanë pushtuar botën dhe lindi një diskutim. Djali im, i cili ka një shkollim juridik dhe ndjeshmëri të lartë për të drejtën thoshte me një shpirt revolte se këta që vënë zjarrin duhen dënuar jo vetëm për djegien e pyllit, por dhe si kriminelë për masakrat ndaj gjallnesave të tij. Krimi është i shumëfishtë. Kafshët e pyllit nuk mund të orientohen në përpjekjen për t’i shpëtuar rrezikut të shfarosjes. Në gjuhën gazetareske thuhet se nga zjarret prishet ekuilibri biologjik, ekosistemi i natyrës etj etj. të cilat janë terma abstrakte dhe kështu ulet shumë ndjeshmëria dhe përgjegjshmëria njerëzore për dëmet nga zjarret dhe e pasojat e tyre.
Pikërisht në mugëtirën e mbrëmjes, kur gjallnesat e Zotit, të ngopura apo të pangopura, struken në folezën e tyre, në habitatin e vet bashkë me të vegjëlit e tyre, rrethuar me dashurinë që edhe atyre ua fal Zoti Bujar, i dorëzohen natës në qetësinë e saj. Dremisin a rënkojnë, kuisin a lëngojnë, luten e falen sipas mënyrës së tyre duke marrë e dhënë sinjale që njerëzit nuk i kuptojnë. Në suren Ihlas, ajeti 2, Allahu urdhnon e thotë: Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amëshim (çdo krijesë i drejtohet, i mbështetet Atij) për çdo nevojë, dhe,… “Kërkoj mbështetje te Zoti i Agimit, që të më mbrojë nga sherri i natës, kur kaplon terri (Felek-3).
Kështu ndodh si me organizmat e vogla: thneglat, bubrrecat, bubajgat, fluturat, karkalecat, zogjtë e deri me ujkun dhe ariun që ndjehet i plotfuqishëm e sovran në strofullën e tij. Kur papritmas, në stroful ia beh një avull i nxehtë e më pas flaka përveluese e zjarrit, të gjitha këta e shohin veten të rrethuar nga një armik që nuk i ikin dot. Së pari gjallnesat lëshohen në mbrojtje të klyshve e të zogjve të sapolindur, por flaka nuk u jep kohë dhe mundësi, i kap paniku kur shohin fundin e tyre tragjik, klithin, ulërasin, rënkojnë, mallkojnë për gjëmën, gjëmëtarin, shkaktarin. Ariun që ndjehej më i sigurtë e më i plotëfuqishëm, kur flaka fillon t’ì lëpihet pas lëkurës me leshin e saj të ashpër e të dendur, braktis këlyshët e vet dhe e pushton tërbimi. Atëherë lëshon drejt qiellit një klithmë të fuqishme gjëmimtare mallkimi për t’i thënë Zotit se ç’farë po bëhej me të. Mallkimi është në adresë të njeriut. I Plotëfuqishmi e dëgjon njëlloj, si mallkimin e milingonës, ashtu edhe për atë të ariut. Ashtu siç dëgjoi duanë e shiut të milingonës kur e pa Hazreti Sulejman, ashtu dëgjon edhe mallkimin për ata që mbi ta lëshuan zjarrin. Melekët e Allahut regjistrojnë me përpikmëri çdo gjë.
Megjithë flakët e nxehta e përvëluese që kanë përfshirë globin, kronikat televizive janë të ftohta dhe me sens ateist. Njeriu është bërë “bishë” e përtej bishës. “…Ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët” (Bekare, 24). Kur Zoti u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!”. Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini” (Bekare – 30). Mëkëmbësi që caktoi në tokë Zoti Xh. Sh. ishte njeriu.
“Ska gjë mbi dhé që nuk tregon mjerimin e njeriut dhe njëkohësisht edhe mëshirën e Zotit; sa pafuqinë e njeriut pa Zot, aq edhe fuqinë e njeriut me Zot”, shkruan kimisti francez Blaise Pascal (1623-1662). Zjarret i vënë vetëm “njerëzit pa Zot”. Ata kanë “trimërinë” dhe papërgjegjësinë.
Edhe Albert Einstein në një mbledhje shkenctarësh në Shtutgart më 1948 ka thënë: “Problemi i vërtetë qendron në zemrën dhe në mendjen e njeriut. Ajo që ne na tremb, nuk është fuqia e eksplodimit të bombës atomike, por fuqia e ligësisë së zemrës së njeriut, fuqia eksplozive e saj për të keqen. Në emrin e Zotit, (në arabisht: = “Bismilahi”) nëse ju ATIJ i besoni, merreni ju ATË me seriozitet, zotëroni dhe zbutni zbulimet shkencore; nëse jo, ne jemi të humbur”. Fuqia e ligësisë së zemrës së njeriut, fuqia eksplozive e saj në të keqen është në limitet e katastrofës planetare. Me këtë revan që ka marrë njeriu “pa Zot”, një ditë do të gjendet një “i krisur” që ta shkrepi edhe makanizmin e bombës nukleare, sepse atë sekret tashmë e kanë në dorë shumë duar dhe nuk është e vështirë të përgatitet edhe një alibi për krimin e parë e ka e bërë “dikush tjetër”. Në fakt, punën e bombës atomike po e kryejnë njerëzit me zjarret që po i venë planetit.
Tashmë çdo verë zjarret u bënë rituale të zakonshme. Vera e vitit 2023 qe kampione. Jemi në fund të gushtit 2023. Zjarret vazhdojnë shkrumbojnë e të përzhisin glogin. U dogj edhe Kanadaja (dhe vazhdon të digjet) që mbushi atmosferën me tymrat dhe gazrat e helmatisur. SHBA – ja po e po, si çdo vit. Edhe ishujt Havaj mes Oqeanit të Madh u shkrumbuan. Spanja, Greqia e “Zotit” sivjet la nam me zjarret. U tha se mbi 80 % e tyre ishin të vëna nga dora e njeriut.
Mirë se ne shqiptarët po korrim frutet e ateizmit e të shejtanërisë dhe nuk kemi frikë as nga Zoti dhe as nga mbreti, por grekët e kulturuar e besimtarë të fortë të “Jezusit” pse nuk frenohen ndopak nga mëshira ndaj gjallnesave të pavetëdijshme dhe ndaj viktimave besimtare. “O populli im, ç’është kjo, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni në zjarr?! (Kuran, El-Gaâfir – 41).
Im atë “rahmet pastë”, ishte punëtor i madh. Pak, edhe tamahqar. Dikur ishte zakon që drutë e dimrit t’i siguronim pasi mblidhej vjeshta, kryheshin edhe dasmat dhe njerëzit futeshin në dimër. Punët bëheshin me rend e me sirá. Por baba im ndërroi rendin, mbase imitoi “lëvizjet revolucionare. Filloi t’i bëjë drutë qysh në pranverë. Grumbullonte kërcunj e dru në një anë të avllisë dhe priste dimrin serbes. – O njeri (në Dibër gratë nuk i thërrasin burrat në emër), ndërhynte nana me një llojë zemërate të përmbajtur! Mos i pre drutë tash në pranverë kur ata çelin, shpërthejnë llastarë e lëngëzojnë se ngarkohesh me gjynah. Edhe bimët qajnë si njerëzit, do të të shpjakin (paralizojnë). Ç’do punë ka vaktin e vet, o njeri.
Kur engjelli i asaj dynjaje ia dërgoi selamet, im atë e gjykoi si të padobishme atë praktikë për sigurimin e druve. Vëllau porositi një makinë dru, të cilat i sollën në oborr. – Më mbani pak për krahësh dhe më nxirrni në oborr t’i shohë pak ato dru. Kur i pa trupat e ahut të sharruar bukur që mund të çaheshin lehtësiht e të gatshëm për tu future në sobë, pati një refleksion të dhimbshëm: – Ah, paska qenë gabim. Siç duket iu kujtua fjala e urtë turke “Tamaqari, çuk zarari”, e përdorur edhe në Dibër. Apo ndoshta ajo shprehja tjetër orientale, aq e bukur dhe e saktë: “Pak tamah, shumë zian, shumë tamah, krejt viran”.
Virani më i madh dhe më i rrezikshëm për njeriun është “njeriu pa Zot”, siç u bënë shqiptarët ateistë, “zotat e rrejshëm”, qafirët e kriptobesimtarët që me aq mendjelehësi i vënë zjarrin planetit.
Shkodër, 20. 08. 2023