Në kërkim të fatit


Nga Xhafer Martini

Dy vëllezër jetonin bashkë. I vogli punonte shumë, kurse i madhi jetonte “ku rafsha mos u vrafsha”, dhe nuk prekte punë me dorë. Ditën rrinte nën hije të arrës ose humbiste në ndonjë lojë me shokë si vetja. Në shtëpi kthehej vetëm për të ngrënë dhe për të fjetur. Kishte fëmijë e grua, por ato, i mbante vëllai i vogël. Ky ishte punëtor i madh. Ishte i ndershëm dhe nuk dinte të bënte hile. Vëllai i madh e quante budalla. Këtë e tregonte edhe me veprime, por e thoshte edhe me fjalë. Por vëllai i vogël nuk ishte budalla, si kujtonte tjetri, e duronte të madhin, se e kishte vëlla.
Ajo që e çuditi vëllain e vogël, ishte kërkesa e të madhit për t’u ndarë e për të jetuar secili me vete. I vogli, me atë dashurinë e sinqertë dhe të papërlyer të vëllait për vëllain, i tha:
– Deri më sot gruan tënde, ty e fëmijët, u kam mbajtur unë. Fëmijëve e gruas hallall u qoftë, por ti je barra më e rëndë, se jo vetëm nuk fiton asgjë, por edhe prish. Si do ndahesh ti kur je kështu si thashë?
– Kjo nuk është puna jote. Unë dua të ndahem.
– Mirë, si të duash, por do të pendohesh.
Vëllai i madh u nda duke zgjedhur çfarë i pëlqente në pasurinë shtëpiake. Edhe tokat që mori, qenë me prodhuese. Por e bëri pasurinë për një kohë të shkurtër rrush e kumbulla. Tokën e la djerrë, nuk e mbolli fare. Mori gruan dhe fëmijët, ia çoi në derë vëllait të vogël.
– Amanet gruan dhe fëmijët deri sa të kthehem, – i tha.
– Po ku do të shkosh?
– Do të kërkoj fatin.
– Ç’fat, more!Fatin e ke tek puna, por ti nuk punon.
– Unë jam njeri pa fat dhe, sado të punoj, nuk bëj hair. Pa fat kot mundohet njeriu.
– Rri e verju punës se nuk t’i mbaj më gruan e fëmijët, vetë deshe të ndahesh. Po të kesh ndonjë hall të madh, hadje de, por ti të dalësh me gjezdis dynjanë dhe unë të të mbaj familjen, kjo nuk bëhet.
– Në daç mbaji, në daç hidhi në përrua, – tha vëllai i madh dhe iku.
Kaloi krahinë me krahinë duke kërkuar fatin, por kërkund nuk e gjeti. Një ditë, ndërsa kishte marrë kotsëkoti një udhë malore, takoi një plak shumë të vjetër, të cilin e pyeti:
– Or plak, mos di ku është fati im. Jam njeri pa fat dhe kam dalë ta kërkoj.
– Mos iu ndaj kësaj udhe që të çon në Pyll të Zi. Aty ndodhet Fatthënësi dhe ti do t’i thërrasësh tri herë e do ta pyesësh për fatin. Ai me siguri do të përgjigjet.
Burri falenderoi plakun dhe mori udhën për në Pyllin e Zi. Nuk kaloi shumë kohë dhe në udhë takoi një ujk. Ky ishte kockë e lëkurë.
– Ku po shkon? e pyeti ujku njeriun.
– Në Pyllin e Zi të takoj Fatthënësin të më tregojë ku e kam fatin, se jam njeri pa fat…
– Pyet edhe për fatin tim, – i tha ujku, – se edhe unë pa fat jam. Shiko si jam bërë kockë e lëkurë. Ha sa të dua, por nuk shëndoshem…
– Do të pyes, – premtoi burri dhe u nis për rrugë.
Si kapërceu një të përpjetë të vështirë, i doli para syve një pamje mahnitëse: një lëndinë e rrafshtë, mbuluar me bar jeshil një pëllëmbë, me një ujë të kristalt që i shkonte përmes, plot me hije nga rrapat e mëdhenj që ishin radhitur si nga dora e njeriut në të dyja anët e rrjedhës së ujit. Njëri prej atyre rrapave, më i madhi, kishte filluar të thahej nga trungu deri në majë. Rrapi, sa e pa njeriun, e pyeti tërë shpresë:
– Për ku je nisur, o njeri?
– Do të shkoj në Pyll të Zi të pyes për fatin tim, se jam njeri pa fat. Kam punuar shumë, por bereqeti nuk më jepet, bagëtia nuk shtohet, shkurt jam lodhur kot…
– Të keqe të madhe paske, o njeri, por edhe unë, si e shikon, jam duke u tharë, megjithëse ndodhem në tokë të mirë dhe rrjedhën e ujit e kam tek rrënjët. Pyet edhe për fatin tim, të lutem…
– Do të pyes, do të pyes, – tha njeriu dhe mori udhën për në Pyll të Zi.
Mbas disa orësh mbërriti aty. Pylli i Zi ishte një mrekulli e natyrës. Kishte plot kafshë të egra të të gjitha llojeve, kishte zogj, përrenj me ujëra të kulluar, liqene malorë, rrethuar nga pisha të blerta dhe të gjata, kroje dhe burime. Nga ai vend nuk kishe qejf të largoheshe. Por ai kishte shkuar për të kërkuar fatin dhe thirri:
– O Fatthënës!O Fatthënës!
– Çfarë kërkon nga unë? – u dëgjua një zë i fortë.
– Jam njeri pa fat, kërkoj të di për fatin tim.
– Fatin e ke asaj rruge të cilën more për të ardhur këtu.
Burri e pyeti edhe për fatin e ujkut dhe të rrapit. Fatthënësi ia tregoi. Njeriu mori udhën e kthimit dhe ja ku shkoi tek rrapi. Ky e pyeti:
– Ç’të tha Fatthënësi për mua?
– Ti ke tek rrënjët një kazan të madh me flori. Kush e nxjerr kazanin, të shpëton, ndryshe do të thahesh fare…
– Po ç’prêt!? Nxire!Ti bëhesh i pasur, ndërsa unë gjelbëroj si më parë. Një udhë e dy punë, i thonë kësaj. Nuk ka ku vete më mirë.
– Jo, jo. Unë kërkoj fatin tim.
– Po ku ka fat më të madh se sa të marrësh një kazan me flori?
Po kujt t’i thoshte! Njeriu ishte i vendosur në të vetën. Ujku ishte kaq shumë i interesuar për të mësuar për fatin e vetë sa, qysh kur takoi njeriun, nuk e mbante vendi. Lëvizte me shpejtësi poshtë e përpjetë asaj udhe dhe minuti i dukej orë deri sa të vinte njeriu. Kur burri po bisedonte me lisin, ujku ishte fshehur tek një gëmushë aty afër. Ishte kurioz i madh, por, kur dëgjoi tërë biseden, kur mori vesh se njeriu kërkonte një fat më të madh se një kazan me flori, u çudit. Iku teposhtë, pa e parë burri, se donte të takohej me të në vendin e caktuar e të mësonte për fatin e vetë.
– Mësove gjë për fatin tim? – e pyeti sapo e pa.
– Mësova shumë.
– Po hë, ç’mësove?
– Ti nuk ke ngrënë një njeri budalla. Sado të hash kafshë të egra si sorkadhe e të tjera, nuk do të shërohesh. Duhet të gjejsh një njeri budalla dhe ta hash për t’u shëruar.
– Më budalla se ti nuk kam kë gjejë, – tha ujku dhe iu hodh në grykë e ia shqeu gurmazin.
(Marrë nga Kanuni i Dibrës,
Xhafer Martini, Botimet M&B, 2016.