Liri Rasha: “Kënga ime” në pesëdhjetë vite


Mbi 700 artdashës nga Lezha, Dibra, Tirana, Prishtina e trojet shqiptare ndoqën drejtpërdrejtë koncertin recital “Kënga ime” të artistes së madhe Liri Rasha, ku përfshihej repertori artistik i 50 viteve jetë artistike

Të gjitha këngët e kënduara prej saj janë bërë hite dhe kanë udhëtuar e udhëtojnë me kujtesën e njerëzve, që e duan këngëtaren e shquar dhe emocionohen nga magjia e shpirtit të saj artistik, që dallohet jo vetëm në interpretimin e lirikave dibrane, por duke u shfaqur në këtë skenë edhe si orteku i këngës epike shqiptare.

Nga: Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Pesëdhjetë vjet të jetës së saj artistike, Liri Rasha – e dekoruar me titujt “Artiste e Merituar”, “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”; “Qyetare Nderi e Dibrës” dhe “Nderi i kulturës dibrane”, si dhe me disa certifikata e trofe për çmime të para në dhjetëra festivale kombëtare e ndërkombëtare, i ka finalizuar me koncertin recital “Kënga ime”, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri”, Lezhë.
Artistja famoze që me zërin brilant e performacën e shkëlqyer artistike ka ngritur peshë zemrat e artdashësve në skenat e mëdha të Parisit, Berlinit, Brukselit, Zyrihut, Stambollit e Nju Jorkut, jo rastësisht zgjodhi Lezhën në këtë jubile të jetës së saj artistike. Sepse këtu jeton një komunitet i madh artdashës, jo vetëm lezhjanë e dibranë, por edhe nga trevat e tjera të veriut, që e duan dhe e respektojnë Liri Rashën, si pasaportën artistike të Dibrës.
Të ftuar në këtë mbrëmje të madhe ishin edhe Ilir Shaqiri – Nderi i Kombit, humoristët e mirënjohur Behar Mera e Genc Lleshi, këngëtarja Ingrit Jushi, të cilët ia rritën madhështinë me interpretimet e tyre këtij koncerti recital.
Ky event i veçantë kulturor ishte ideuar dhe u moderua mjeshtërisht nga Defrim Methasani.
Protagonistja Liri Rasha s’kishte pse të “zhgënjehej”, kur mbi 700 artdashës ndoqën me interesim të veçantë koncertin e saj recital me titullin kuptimplotë “Kënga ime”. Mbretëresha e këngës popullore dhe qytetare dibrane prezantoi biografinë e saj krijuese, jo vetëm si këngëtare e shumëtalentuar, por edhe si kantautore, me repertorin e saj mjaftë të pasur.
Në pesë dekada të jetës së saj artistike, Liri Rasha ka formuar profilin e një artisteje profesioniste, duke interpretuar, fillimisht në moshën rinore, 13 vjeç, me ansamblin e Zall-Dardhës, e më pas në Peshkopi, deri në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës (1978), për të vijuar për 40 vjet edhe në skena të mëdha botërore.
Koncertin recital e moderoi Defrim Methasani – Mjeshtër i Madh, i cili, fill pas një performace të shkëlqyer të grupit të valltarëve të Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – Nderi i Kombit, e ftoi artisten në skenë, mes duartrokitjeve të artdashësve të shumtë.
Kënga e saj e parë në këtë recital ishte kolazhi i përzgjedhura në “100 këngët e shekullit”, me “Oj fusha e Korabit”, për të vijuar me “Vijnë pamporrat” të të madhit Hazis Ndreu.
Me zërin e saj unik, Liri Rasha interpretoi në këtë koncert recital edhe këngët: “Liqenet e Lurës”, “Amaneti”, “Ndalu shkja me m’shkel në prag”, “Na çeli prapë thana”, “Cucë dibrane” etj., duke dëshmuar se me emrin e saj është e lidhur kënga lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Kjo për faktin se, në rrugëtimin e saj skenik, ajo asnjëherë nuk ka deformuar këngën e bukur popullore.
Kësisoj, nëse të “7 liqenet e Lurës” duket sikur sjell, jo vetëm freskinë dhe bukurinë e tyre të rrallë natyrore, por edhe jehonën e qëndresës së lurjanëve ndaj okupatorëve të huaj, me interpretimin e vargjeve: “Ky liqeni luleve nën malet me borë, dëshmorëve të Lurës ju qëndron kurorë…”; tek “AMANETI” identifikohet si “zëri i lavdisë shekullore shqiptare”, duke përcjellë mesazhin e bashkimit. Kështu zëri i saj kumbon fuqishëm në refrenin “Ju që vini nëpër breza,/ vit për vit e mot për mot/ Ju bekoftë Nënë Tereza,/ Ju bekoftë i madhi Zot….”.
Të gjitha këngët e kënduara prej saj janë bërë hite dhe kanë udhëtuar e udhëtojnë me kujtesën e njerëzve, që e duan këngëtaren e shquar dhe impresionohen nga magjia e shpirtit të saj të bukur artistik, që dallohet jo vetëm në interpretimin e lirikave dibrane, por duke u shfaqur në këtë skenë edhe si orteku i këngës epike me vargjet e këngës: “Ndalu shkja me m’shkel në prag/ Ti je serb e unë jam arb’”.

ILIR SHAQIRI – NDERI I KOMBIT: LIRI RASHËS I BURON MAGJI ARTISTIKE TËRË QËNIA E SAJ

Këngëtari Ilir Shaqiri ka udhëtuar qindra kilometra që nga Prishtina, për të respektuar ftesën e Liri Rashës, që të përshëndeste në koncertin e sa recital. Këngëtari, i cili mban edhe titullin Nderi i Kombit, para se të niste këngën, është shprehur se “Liri Rashës i buron magji artistike tërë qenia e saj.
“Liri Rasha është një zë brilant dhe interpretuese e talentuar e këngës popullore e qytetare. Këngët e saj janë të veçanta në shumë segmente krijuese dhe interpretuese. Ajo i përket plejadës së artistëve të mëdhenj të vendlindjes së saj Zall-Dardhës, si: Muharrem Xhediku e Hazis Ndreu, me të cilët ndjehet krenare, sepse kanë bërë historinë e këngës popullore shqiptare. Ajo dallohet për origjinalitetin e këngës së saj, që është tej mase i veçantë, qoftë me zërin brilant, të lindur apo të trashëguar (por edhe të kultivuar), qoftë me përzgjedhjen e këngëve, qoftë me forcën e brendshme shpirtërore, mobilizuese, që iu ka dhënë këngëve”, – shprehet Ilir Shaqiri.
Ndaj dhe me të drejtë në këtë event Liri Rasha shpallet “Krenaria e Ansamblit Artistik ‘Hazis Ndreu’- Nderi i Kombit” nga Presidenti i këtij ansambli Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh dhe “Qytetar Nderi” i Qarkut Dibër.
“Udhëtimi drejt këngës së këngëtares së mirënjohur dibrane Liri Rasha është një udhëtim drejt një magjie, që sa më shumë të shtyhesh në morinë e tingujve dhe trajtave të saj, aq më shumë ndihesh i pushtuar nga magjia e një arti muzikor elitar. Me emrin e këngëtares së shquar dibrane Liri Rasha është e lidhur kënga lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Fuqia e mesazhit të saj, tonaliteti i spikatur lirik, ëmbëlsia dhe finesa e një zëri unik, magjia e një interpretimi të thjeshtë dhe komunikues gjer në detajet më të imëta, e bëjnë atë një këngëtare të preferuar jo vetëm në trevat e Dibrës dhe të veriut, por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në gjithë hapësirat etnike shqiptare, si dhe në diasporën e vjetër dhe të re”, shprehet Muharrem Gjoka, i cili nuk e fsheh krenarinë si nip i familjes Rasha të Zall Dardhës.

TË FTUARIT VIP NË “KËNGA IME”

Artisti shqiptar me famë botërore Ilir Shaqiri, i ftuar nga mikja e tij Liri Rasha, e flakëroi sallën e pallatit të kulturës “Dedë Ndue Lazri” të Lezhës, kur zëri i tij vetëtimë ushtoi me vargjet e këngës: “Poçari – sërish vjen pranvera”. Kjo këngë, vargjet e saj mbresëlënëse të interpretuara aq mjeshtërisht nga një zë kumbues si i Ilir Shaqirit, ndez në zemrat e çdo shqiptari ndjenjën e madhe të shqiptarizmës.
Njëlloj ndodhi edhe me Liri Rashën, teksa interpretoi këngën e bashkimit, vargjet e së cilës: “O shqiptar kudo ku jeni / Njëri-tjetrin mos urreni / Mos e lini mollën t’thahet /, mos e lini gurin t’çahet…./ se ma shumë vlen shqiptaria”, janë jo vetëm mesazh, por edhe sintezë e qëndresës shumëshekullore të shqiptarëve në luftërat legjendare ndaj pushtuesve serbë.
Të kombinuara aq bukur, nënë e bijë, Liri Rasha e Ingrit Jushi, u mirëpriten nga spektatori në këtë koncert, jo vetëm në potpuritë dibrane, por edhe kur zëri i tyre tingëllon ëmbëlsisht në vargjet e këngëve qytetare “Nga sevdaja jote moj Xhemile”, “Ç’është më e bukura në këtë botë…”etj.
Më të larmishëm e bënë këtë spektakël madhështor edhe humoristët Behar Mera dhe Genc Lleshi, me interpretimin mjeshtëror të grimcave humoristike “Alo policia e shtetit…”, “N’klas t’pestë tuj pi cigare” etj.
Zëri brilant i Liri Rashës, që ka ngritur peshë platetë e shumë vendeve të botës, kudo ku ka emigantë shqiptarë, në të katër anët e globit, kumboi fuqishëm edhe në këtë skenë të Pallatit të Kulturës, Lezhë. Një këngëtare e veçantë e traditës së këngës popullore dibrane e asaj qytetare, si edhe vetë emri që mbart, edhe në atë natë të 30 prillit 2024, la përshtypje të mira për publikun me këngët e saj, e lirë, e ëmbël, duke ruajtur me fanatizëm traditën, por duke hedhur dhe sytë drejt së resë përmes këngëve popullore shqiptare.
Gëzimi i saj më i madh, vajza Ingrit Jushi, u shfaq në këtë koncert si një këngëtare e afirmuar, me po atë dinamizëm, elegancë dhe përkushtim në rrugën e nënës, duke lënë hapur shtigjet e fluturimit brenda familjes në këtë profesion kaq të bukur dhe magjik.
Në këtë koncert ishin të pranishëm Pjerin Ndreu, kryetar i Bashkisë së Lezhës; Lavdrim Krashi, deputet i Dibrës; Ulsi Manja, Ministër i Drejtësisë; Nexhbedin Shehu, Prefekt i Dibrës; Bujar Kapexhiu, Kryetar i Shoqatës Bashkësia Dibrane etj.
Këtë koncert recilat e mbështeti edhe Shoqata Lidhja e Intelektualëve Dibranë, anëtarët e së cilës ishin me shumicë në sallë, duke filluar nga Shpëtim Cami, kryetar i Shoqatës; Lidhja e Intelektualëve Dibranë, nënkryetarët Latif Miha, Musa Riçku dhe Elsa Bitri, si dhe anëtarët e kryesisë Nazmi Koçi, Elmaz Lala, Irfan Zebi e shumë të tjerë. / H.Rama

Pak Biografi: jeta artistike e Liri Rashës

Liri Rasha – Jushi u lind në një familje me tradita dhe talent muzikor. Shkollën fillore e kreu në fshatin e saj, Lashkizë, ndërsa të mesmen në Peshkopi. Ka mbaruar shkollën pedagogjike dhe specializimin për kanto. Talentin e saj e zbuloi mësuesi i matematikës, kur ishte vetëm 13 vjeç, teksa ajo këndonte në shtëpinë e saj. Më pas u shfaq si dritë shkëlqimtare në skenën e Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi dhe si profesioniste me Estradën Profesioniste të këtij qyteti, ku vijoi për afro dy dekada, që nga viti 1973.
Në Festivalin e Gjirokastrës të vitit 1978 ka kënduar këngën “Oj syzeza vetull hollë”.
Pas disa vitesh karrierë në skenë, rreth viteve të ‘80, ka edituar një album me titull “Këngë të zgjedhura nga Liri Rasha”, dhe një album tjetër në vitin 2001, me titull “Nusja me të bardha”.
Në vitin 1988 ka marrë titullin “Artiste e Merituar”. Në vitet 2013 dhe 2020, dekorohet nga Presidenti i Republikës, përkatësisht me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”.
Lirie Rasha njihet edhe për talentin e saj krijues, ndaj dhjetëra këngë të saja, tekstin e ka shkruar vetë, si p.sh.: “Nusja me të bardha”, “Oj zogo”, “Oj syzeza vetullhollë”, “Cucë dibrane” etj.
Ka marrë pjesë me disa kolazhe në “Këngët e Shekullit”. Ajo ka dy fëmijë: një vajzë e një djalë. Vajza e saj, Ingrid Jushi, ka talent për të kënduar këngën popullore dhe bashkë me të Lirien kanë punuar disa kolazhe. Aktualisht jeton në Tiranë, ku mban koncerte e manifestime të ndryshme familjare.
Më 20 mars 2018, më bashkëpunim me Blerina Braka publikojnë videoklipin “Le të tundet vendit”. Videoklipin “Ndalu shkja me m’shkel në prag” e publikoi më 24 prill 2023, me tekst, muzikë dhe orkestrim nga Naim Gjoshi. Katër ditë më vonë, në bashkëpunim me këngëtarin Hysni Hoxha publikojnë videoklipin “Labinot, si ti s’ka tjetër”, kompozuar nga Hysni Hoxha, me orkestrim nga Luan Dagistani. “Shqiptari, ja sot, ja kurrë”, me muzikë dhe orkestrim nga Naim Gjoshi e publikoi më 7 qershor 2023, ndërsa “Cuc Dibrane”, me orkestrim nga Alfred Qemalja e publikoi më 1 tetor 2023. Në fillim të këtij viti, më 7 shkurt 2024, Liri Rasha publikon videoklipin “Loti i vetmisë”, ku muzika dhe teksti janë të vetë këngëtares, ndërsa për aranzhimin muzikor u kujdes Alfred Qemalja. Të gjitha videoklipet janë prodhuar nga kompania “Domi Production”.