A do të shkojnë lurasit të vendosin një kurorë në Symizë të Mallakastrës?


* Në vendin ku ka një lapidar në kujtim të heroit të popullit Gjokë Doçi?
* Në shkollën 9 vjeçare të Damësit në Mallakastër që mban emrin e Djalit të Lurës që u bë Djalë i Mallakastrës?
Për të parë si e nderojnë Gjokën e Lurës, Gjokën e tyre: “Mallakastra i nderon dhe i kujton me nostalgji bijtë e saj që janë heronj të popullit si Gjok Doçi. Ai është nga Lura, por nga momenti i Rënies dhe brez pas brezi është djali i Mallakastrës, sepse ai ra si trim dhe iku në moshën e rinisë 21 vjeç.”

Në Symizë, në qoftë se nuk gaboj adresë, djali e ndalon makinën duke ma bërë me dorë drejt një lapidari. E kishte mbajtur mend herën e kaluar kur u mërzita pse nuk i bëra një fotografi. Zbrita dhe bëra disa shkrepje mbi atë vend ku ra biri i Lurës Gjokë Doçi, në atë vend ku banorët e fshatit e kishin lënë barin të paprekur që nga koha e rënies. Pllaka e lapidarit ishte me të gjitha shenjat e shkronjat e ditës kur dekada më parë ishte vënë. Ishte një nder që populli i bënte një heroi të Luftës Antifashiste, një vlerë e kulturës së popullit të thjeshtë.
Asaj rruge nuk kaloj më, kokën majtas apo djathtas dhe ngritjen paksa në këmbë nga ndenjësja e autobusit në nderim të Heroit, nuk do ta përjetoj më. Koha e la në harresë rrugën drejt Gjirokastrës nëpërmjet Ballshit, kodrave të Mallakastrës…
Rrugë të reja hapen, zgjerohen e asfaltohen çdo ditë…
Veç rruga për në Lurë, nga Peshkopia apo Rrësheni, po ajo është…
Në Lurë mbase më bie përsëri rruga.
E dua dhe e ndjej si pjesë e shpirtit tim.
Bustin që i qëndron Fushë-Lurës si degë ari, mbase e fotografoj përsëri. Jo bardhë e zi siç e kam fotografuar dekada më parë, por me ngjyra…
Ajo që më ka ngelë brengë e mbase nuk e gjej ta fotografoj, është një rrënojë, mure që të ftohtit e Lurës i ngrin dimrit për ti shkrirë e thërrmuar verës. Tash gurët e asaj ndërtese në odën përdhese të së cilës tundi themelet zëri i Gjokë Doçit, janë bërë muranë, si muranat pa emër e pa zë, veshur nga myshku i heshtjes…
Ato mure nuk u ngritën në këmbë, ato kthina nuk u mbushën me reliktet e Gjokë Doçit dhe të familjes së tij, mbase në një muze që do ti bënte nder jo vetëm Lurës.
Nuk i bëri ajo kohë…
Nuk do ti bëjë kurrë as kjo kohë…
Ata që bashkë me gjermanët i derdhën plumb në gjoks Gjokë Doçit, tash kryeministri ynë bir e nip komunisti, partizani, i ka ulur në krye të vendit me nderimet më të mëdha…
Gjokë Doçi përsëri mbeti jetim jo vetëm pa babë e pa nanë, por pa Atdhe…

* * *

Kisha medituar një vit më parë, në 20 nëntorin e shtatëdhjetë e pestë të rënies së Heroit…
E kisha përcjellë në facebook në një bisedë me një Luras, Nin Rajtën- autor i shkrimit “Në ballë të sulmit” botuar vite më parë në gazetën lokale të Dibrës “Ushtima e maleve”, kushtuar Gjokë Doçit.
Më tërhoqi vëmendjen një shënim, shoqëruar me një fotografi…
“Mallakastra i nderon dhe i kujton me nostalgji bijtë e saj që janë heronj të popullit si Gjok Doçi. Ai është nga Lura, por nga momenti i Rënies dhe brez pas brezi është djali i Mallakastrës, sepse ai ra si trim dhe iku në moshën e rinisë 21 vjeç. Ja si përkujtohen heronjtë e popullit. Kjo fotografi i dedikohet këtij djali, këtij heroi. – Ylli Filaj – 23 Nëntor 2018”
Fotografia (po e bashkëngjis) flet më shumë se faqe të tëra shkrimi…
Dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë, nxënës të shkollës 9-vjeçare të Damësit në Mallakastër, me kurora lulesh të freskëta poshtë bustit, nderojnë Djalin e Lurës, Djalin e Mallakastrës…
* * *
Do të desha që këto radhë ti lexonin Lurasit, të mëdhenj e të vegjël.
Do të desha që një autobus me djem e vajza të shkollës 9 vjeçare të Lurës të bëhen mysafirëtë djemve dhe vajzave të shkollës 9 vjeçare të Damësit, të lidhin me ta miqësi, vajtje e ardhje siç i thonë në Lurë, të venin së bashku një kurorë me degë bredhi e lule vjeshte të Lurës në lapidarin e Djalit e Heroit Gjokë Doçi…
Damësi, bashkëkohësit e Gjokë Doçit, e kanë ruajtur dhe e ruajnë si gjë të shtrenjtë kujtimin e Djalit të Lurës…
Brezi i ri, më i riu që ngjitet vit pas viti shkallëve e vështron me admirim Djalin e Damësit, Djalin e Lurës e ka në shpirt dhe e ruan në kujtesë si një Hero të Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, më të madhes betejë që bëri vend e hodhi themele në historinë e popullit shqiptar…
A do të shkojnë Lurasit, të moshuar e nxënës shkolle, të pinë një kafe më 20 nëntor në Damës, tek busti i Djalit të tyre, në shkollën e Djalit të Mallakastrës, Gjokë Doçi?
I bëjnë nder vetes…
I bëjnë nder birit të tyre…
Është koha më e përshtatshme për qoka, koha e 75 vjetorit të Çlirimit të Atmëmëdheut nga pushtuesit fashisto-nazistë…
Athinë, 13 nëntor 2019