“Skavica, një ëndërr që ka nisur për t’u bërë realitet”


Neil Wilkinson, Drejtori teknik i Skavicës: “Në këtë luginë të bukur është vendi ku Skavica do të ndërtohet. Në këto momente jemi në procesin e kryerjes së studimeve, për të përcaktuar se ku do të jetë me saktësi vendndodhja e digës. Përtej kodrave do të kryhen studime të mëtejshme për të kuptuar madhësinë e rezervuarit, por edhe për të kuptuar limitet mjedisore që mund të ketë vetë. Punimet do të kryhen në funksion të mbrojtjes së mjedisit të bukur dhe në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin lokal”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku së bashku me ambasadoren amerikane në vendin tonë, Yuri Kim dhe drejtorin e KESH, Ergys Verdho kanë inspektuar zonën ku është parashikuar ndërtimi i HEC Skavicës, ku tashmë ka nisur puna në terren për përgatitjen e projektit final të kësaj vepre.
Në këtë inspektim ka marrë pjesë edhe një delegacion i nivelit të lartë të kompanisë amerikane Bechtel, i kryesuar nga Shaun Kenny, President global i Bechtel Infrastructure dhe Justin Siberel, President për rajonin e Europës dhe Lindjen e mesme.
Punimet e para në terren janë përqendruar në studimin gjeologjik të zonës dhe më tej do të vijojnë studimet për të përcaktuar vendin ku do të ndërtohet diga dhe elementët e tjerë të veprës.
“Në këtë luginë të bukur është vendi ku Skavica do të ndërtohet. Përafërsisht në gjysmën e luginës është vendi ku do të ndërtohet diga. Në këto momente jemi në procesin e kryerjes së studimeve, për të përcaktuar se ku do të jetë me saktësi vendndodhja e digës. Ne kemi filluar gërmimet e para, por duhet të bëjmë dhe disa gërmime të tjera për të parë dhe vërejtur gjeologjinë e gurit në këtë zonë. Në javët në vijim do të punojmë me Bashkinë dhe autoritetet lokale për të ndërtuar më shumë rrugë kantieri, që të na lejojnë aksesin për tek gryka”, u shpreh gjatë inspektimit Neil Wilkinson, Drejtori teknik i Skavicës.

Belinda Balluku, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë: “Ky investim do të ketë një impakt të madh edhe për zonën ku do të ndërtohet, e cila do të ketë një vëmendje të shtuar përmes zhvillimit të infrastrukturës, si dhe duke rritur mundësitë e zhvillimit turistik. Mbi të gjitha, HEC Skavica garanton për Shqipërinë një siguri energjetike e cila është një element mjaft i rëndësishëm. Zhvillimet e fundit, ku thuajse të gjitha shtetet po përballen me një krizë energjetike, e dëshmon më së miri këtë nevojë”.

Përtej kodrave do të kryhen studime të mëtejshme për të kuptuar madhësinë e rezervuarit, por edhe për të kuptuar limitet mjedisore që mund të ketë vetë. Përfaqësuesi i Bechtel siguroi se punimet do të kryhen në funksion të mbrojtjes së mjedisit të bukur dhe në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin lokal.
Ndërtimi i HEC Skavicës, u shpreh ministrja Belinda Balluku, nuk është thjesht një vepër, por një ëndërr për të cilën tashmë ka nisur puna për t’u bërë realitet. Ndërtimi i kësaj vepre, jo vetëm rrit sigurinë energjetike, por edhe kapacitetet prodhuese të Shqipërisë duke avancuar kështu drejt ambicies për ta bërë vendin tonë në një eksportues të energjisë.
“Shqipëria prej kohësh po mundohet që të rrisë kapacitetet e prodhimit vendas, duke krijuar kështu një mundësi më të madhe të mbulimit të nevojave të tregut dhe duke e kthyer Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë të rinovueshme dhe jo në një vend importues me çmime të mëdha, të cilat krijojnë probleme shumë të rëndësishme financiare në buxhetin e shtetit”, deklaroi Balluku.
Ky investim do të ketë një impakt të madh edhe për zonën ku do të ndërtohet, e cila do të ketë një vëmendje të shtuar përmes zhvillimit të infrastrukturës, si dhe duke rritur mundësitë e zhvillimit turistik. Mbi të gjitha, HEC Skavica garanton për Shqipërinë një siguri energjetike e cila është një element mjaft i rëndësishëm. Zhvillimet e fundit, ku thuajse të gjitha shtetet po përballen me një krizë energjetike, e dëshmon më së miri këtë nevojë.
“Duke ndërtuar Skavicën në këtë zonë ne kërkojmë të arrijmë disa parametra, të cilët kanë të bëjnë me sigurinë energjetike. Në ditët e sotme tek shohim se çfarë po ndodh në tregjet ndërkombëtare, me mungesën e fosileve apo me mungesën e gazit, apo qoftë edhe me masat e reja të cilat janë marrë për të dekarbonizuar situatën e krijuar nga prodhimi energjetik, sot shikojmë që në tregjet ndërkombëtare energjia po shitet me diferencë shumë të madhe nga ajo që shitej para një viti, duke krijuar kështu probleme dhe mungesa të mëdha dhe duke e bërë çmimin të arrijë limite të paparashikueshme deri më sot. Ndaj siguria energjetike është thelbi i këtij projekti të rëndësishëm”, nënvizoi Balluku.
Drejtori i KESH Ergys Verdho sqaroi se tashmë janë më shumë se 50 inxhinierë, të profileve të ndryshme, që bashkëpunojnë me kompaninë Bechtel dhe KESH në të njëjtën kohë dhe se projekti do të shqyrtohet nga tre palë dhe do të ketë oponencën e të gjithë inxhinierëve. (MEI)

 

Fjala e Ambasadores Yuri Kim në Fillimin e Projektit për Hidrocentralin e Skavicës

Ky projekt jo vetëm që do të krijojë më shumë energji të gjelbër, por gjithashtu do të ndihmojë që Shqipëria të jetë një hap më pranë shndërrimit në një eksportues të qëndrueshëm të energjisë, më shumë se sa importon, dhe që mund të ndihmojë për të zgjidhur ndryshimet klimatike dhe shqetësimet e shëndetit publik, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe brenda një rajoni që është tepër i varur nga fabrikat ndotëse të qymyrit.

Është e mrekullueshme që jam me ju sot pasi do të shënojmë një çast me të vërtetë të veçantë për Shqipërinë, për lidhjet tona të biznesit dhe për të ardhmen e energjsë në Evropë.
Sa rrugë të gjatë kemi bërë në këtë periudhë një-vjeçare! Gati 12 muaj më parë, më 3 tetor 2020, Nënsekretari i atëhershëm për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin Keith Krach vizitoi Shqipërinë dhe nënshkroi një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Ishte një shenjë e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për të thelluar marrëdhënie ekonomike midis dy vendeve tona, çka është gjithashtu një nga tri prioritetet e mia si Ambasadore e SHBA në Shqipëri. Po atë ditë, Ministrja Balluku nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me Bechtel për projektin e Skavicës.
Dhe ja ku jemi një vit më pas! E sotmja është një ditë historike në këtë marrëdhënie me fillimin e projektit për hidrocentralin e Skavicës, midis Qeverisë së Shqipërisë dhe një prej kompanive më të mëdha amerikane të infrastrukturës, Bechtel. Skavica ka qenë një ëndërr në vend, për dekada të tëra, dhe sot është një nga gurët më të rëndësishëm kilometrikë që më në fund po e shohim të bëhet realitet.
Projekti i përfunduar do të ketë një ndikim të thellë në peizazhin energjitik të Shqipërisë, një vend që tashmë mburret me një nga ndërthurjet më të gjelbra të prodhimit të energjisë elektrike në botë. Në fakt, sapo kam qenë në një konferencë ndërkombëtare të energjitikës dhe fola për rolin emocionues që Shqipëria po luan në sektorin e energjisë. Ky projekt jo vetëm që do të krijojë më shumë energji të gjelbër, por gjithashtu do të ndihmojë që Shqipëria të jetë një hap më pranë shndërrimit në një eksportues të qëndrueshëm të energjisë, më shumë se sa importon, dhe që mund të ndihmojë për të zgjidhur ndryshimet klimatike dhe shqetësimet e shëndetit publik, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe brenda një rajoni që është tepër i varur nga fabrikat ndotëse të qymyrit.
Është një nder të jem këtu me Bechtel për të parë nisjen e punës në Skavicë. Ju përgëzoj që të gjithëve dhe mirëpres më shumë projekte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Fjalimi i parapërgatitur, marrë nga https://al.usembassy.gov.