ZGJEDHJET VENDORE NË MAQEDONINË E VERIUT


Nga SHUAIP MARKU

“If you win, you will be happy, if you lose, you will be wise” (Në qoftë se fiton, do të jesh i gëzuar; në qoftë se humb, do të jesh i mençur).

Me këtë fjali do e filloja këtë shkrim lidhur me këtë fushatë zgjedhore.
Le të jetë kjo fushatë një arenë idesh, që pa marrë parasysh se cili do të fitojë, idetë do të jenë një bazë e mirë për zhvillimin e Dibrës. Njëri do gëzohet, tjetri do të përfitojë
eksperiencë e Dibra do të fitojë ide të reja, vullnet dhe optimizëm. Pra ja vlen!
Ja çka duhet të bëhet sipas meje:

1. Që të ketë ujë duhet së pari të rritet arkëtimet e pagesave të ujit nga ana e familjeve, bizneseve dhe institucioneve lokale. Nëse rritet përqindja e arkëtimeve, shumë lehtë
mund të gjesh mbështetje për projekte të tjera. E kam fjalën këtu për pagesat e papaguara të faturave të ujit, jo për rritjen e çmimit të ujit.

2. Qyteti duhet të jetë i pastër, dhe për këtë duhet që qytetarët, bizneset, institucionet, fshatrat të paguajnë për mbledhjen e mbeturinave. Duhet që inspektorët të ndjekin
pastërtinë në qytet dhe ti dënojnë ndotësit. I madh e i vogël e dinë se nuk duhet ti hedhin mbeturinat kudo, por përsëri i hedhin. Vetëm gjobat ndaj shkelësve do të çojë në
ndryshimin sjelljes. Gjithashtu, duhet të fillojë të selektohen mbeturinat, së pari plastikën dhe letrën. Duhet të nxiten qytetarët që të denoncojnë ndotësit. Komuna të rifreskojë
planet për veprim në mjedis dhe strategjinë për biodiversitetin”.

3. Që të ndërtohet e të mirëmbahet qyteti duhet që komuna ti mbledh taksat komunale nga banesat, kompanitë. Duhet që ti mbledh koncesionet, tatimet nga shitblerjet,
legalizimit, taksat komunale sipas vlerave reale.

4. Për të pasur komunikacion dhe parkingje duhet që parkimi në rrugën kryesore të bëhet me pagesë (deri në 20 min pa pagesë) me çka do të ketë gjithmonë vendparkime të
lira dhe klientët do të kenë vend për të kryer shërbimet e për të bërë pazar.

5. Për tu zhvilluar ekonomia lokale, së pari duhet të freskojë strategjinë lokale të zhvillimit ekonomik lokal. Komuna duhet tu ofroj lokacion pa pagesë për ndërtime të objekteve
prodhuese, tu sigurojë rrymë, ujë…. Të krijojë një ekip profesional, të cilët do t’u vijnë në ndihmë kompanive, bujqve e të rinjve në përgatitjen e planeve të biznesit, aplikimeve në
fonde, grante e burimeve të tjera. Për investime nga diaspora komuna ta marrë përsipër kryerjen e të gjitha formaliteve administrative. Të nxisë zhvillim e turizmit e të investojë në
markimin e vendeve turistike e aktivitete tjera për zhvillimin e turizmit (siç po bëhen në Peshkopi).

6. Për të zhvilluar sektorin e shoqërisë civile, komuna duhet t’u sigurojë një hapësirë të përbashkët, ku ata do të punonin, të mbështes me bashkëfinancime projektet, të aplikojë
në projekte në partneritet me shoqata dibrane.

7. Për të qenë transparente dhe e hapur për qytetarët komuna duhet ta planifikoj buxhetin së bashku me qytetarët. Duhet që seancat e këshillit të jepen online në internet dhe
live në televizionin lokal. Për çdo punë që bëhet të vendosen tabela me informata mbi punën si: vlerën, kohën e punimit, financimi, mbykqyrësi etj.

8. Që të zhvillohet kulturën, duhet që Pallati i Kulturës të kalojë në varësi dhe pronësi të komunës, siç kanë bërë shumica e qyteteve tjera. Në këtë mënyrë do të tërhiqen edhe
financimet për kulturën.

Këto janë disa nga problematikat që duhet të dëgjohen gjatë një fushate si dhe mbeten për zgjidhje për fituesin e zgjedhjeve lokale në Dibër.

* Autori është aktivist i shoqërisë civile