Gazmend Hajdaraga i Dibrës së Madhe


Nga Osman Xhili

Ai tani po u drejtohet të tetëdhjetave, por pamja e fiziku i tij të japin përshtypjen e tre dekadave më pak. Ndoshta dhe faqet e një libri nuk do të mjaftonin për të treguar e përshkruar jetën e tij të gjatë, të mbushur plot e përplot me ngjarje, disa të bukura e të këndshme, të tjera të dhimbshme e të trishta.
Babai i tij, Miftari, ishte nip i Gropajve dhe më vonë i Qokeve të njohur të Kllopçishtit. Gjatë kohës së luftës së dytë botërore ai kishte një hotel të vogël në Zerqan, që aso kohe ishte nënprefekturë dhe një qendër e rëndësishme dije dhe ekonomie.Hotelin e dogjën dhe Miftari u largua për në Dibër të Madhe, me idenë për tu rikthyer më vonë.Dikush me përvojë në këto çështje e këshillon të mos kthehet, pasi pasojat mund të ishin fatale. Kështu, Miftari ju përvesh bujqësisë,një sektor që e njihte mjaft mirë.
Në vitet 1949-1952, u krijuan kooperativat e para në ish Jugosllavi dhe Miftari caktohet brigadier i vreshtarisë. Por kjo nuk zgjati shumë dhe fermerët u kthyen sërish në sistemin privat. Prodhimet e tyre taksoheshin dhe ata detyroheshin t’i paguanin shtetit grurë, misër, mish, qumësht, vezë, në bazë të një sistemi pikësh, me të cilat blinin mallra në dyqanet e shtetit. Familja e Miftarit punonte tre hektarë tokë, mbillte kultura të ndryshme bujqësore dhe mbante dy tre lopë.

RRUGETIMI NE SHTIGJET E DIJES

Lindur e rritur në një familje të tillë punëtore, Gazmendi do të shquhej më vonë, jo vetëm për punë, por dhe rezultate të shkëlqyera në mësime. Në vitin 1957, mbaron tetëvjeçaren në qytetin e tij të lindjes dhe për një vit, nuk shkon në shkollë të mesme, pasi asaj kohe nuk kishte një të tillë në Dibër të Madhe. Gjimnazi do të hapej këtu tre vjet më vonë, në vitin 1960. Do të ishte ky një kontribut i gjithë qytetarëve të etur për dije e arsim, por dhe i mësuesve që punuan gjashtë muaj, në mënyrë vullnetare, pa marrë paga nga shteti.
Në të tilla rrethana, Gazmendi vazhdon shkollën e mesme profesionale për agronomi në Tetovë, mësimet e së cilës zhvilloheshin në gjuhën maqedone. Dhe këtu rezultatet ishin të shkëlqyera. Sërish një shkëputje, tashmë dy vjeçare dhe djaloshi i ri kthehet në qytetin e lindjes, duke punuar ca kohë në komunë. Studimet e larta i kryen në qytetin e Zagrebit, pasi Shkupi ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 1963. Pesë vite studimi, ku nuk munguan rezultatet shumë të mira, që e kishin ndjekur në çdo hap. Para tij u hapën disa mundësi për të projektuar të ardhmen. Profesori, me të cilin kishte pasur temën e diplomës, i propozon të qëndrojë si asistent. Më tej hapat do ti ngjiste gradualisht në tempullin universitar të dijes, të bëhej doktor e profesor në shkencat agronomike. Një tjetër mundësi ishte të ingranohej në ministrinë e bujqësisë, në Shkup. Gazmend Hajdaraga nuk zgjodhi as njërën as tjetrën, por sërish u kthye në Dibër, për të kontribuar me dijet që kishte fituar deri atëherë.

DREJTOR I KOMBINATIT BUJQËSOR “PROGRESI”

Ky ishte emërtimi i një ndërmarrje bujqësore, shumë e madhe e asaj kohe. Kombinati Bujqësor “Progresi” zotëronte 400 hektarë tokë bujqësore, 7000 hektarë kullota dhe mbi pesë mijë kokë dhen. Gazmendi u emërua të punojë pikërisht në këtë kombinat. Dy vitet e para si punonjës i thjeshtë, por që i shërbyen mjaft në njohjen e punëve e problematikave, në njohjen e njerëzve dhe karaktereve. Kjo ndërmarrje gjigante me 220 punonjës asaj kohe rezultonte me humbje të mëdha, si pasojë e një drejtimi jo korrekt. Dy vite më vonë, në vitin 1972 drejtor i këtij Kombinatit “ Progresi” u emërua Gazmend Hajdaraga. Ishte një nder i madh dhe një përgjegjësi e madhe për të. A do të mundej ai të sillte një frymë dhe një model tëri drejtimi? A do të mundej ta përligjte emrin “Progres”, që kishte ky kombinat bujqësor
Krahas disa drejtuesve të mirë dhe me përvojë, Gazmendi angazhoi dhe kuadro të rinj e të shkolluar, për ti dhënë gjallëri e vitalitet ndërmarrjes. Ai kërkonte tregjet, përpiqej të rriste sasinë e produkteve, por dhe cilësinë e tyre, në mënyrë që çmimet e shitjes të ishin sa më të larta. Në vetëm pak vite ai ngriti një mensë gjigante për gjithë punonjësit e “Progresit”. Nuk e hapi këtë, deri sa u sigurua se i kishte mundësitë e mjetet për t’ua dërguar drekën punëtorëve, aty te parcela ku ata punonin. Të plotësuar nga ana fiziologjike dhe të kënaqur nga pikëpamja psikologjike, punonjësit u mobilizuan akoma më shumë, duke e ndjerë veten si një familje e madhe.
Gazmendi e shihte vërtet kështu kombinatin bujqësor, që drejtonte, si një familje e madhe. Hallet dhe shqetësimet e tyre ishin dhe të tijat. Krejt rastësisht në dyqanin e tij bujqësor në qendër të qytetit, u ndodh dhe një nga ish punonjësit e tij nga fisi Kukale. Ai tregoi se drejtor Gazmendi kishte ndërtuar mbi dhjetë banesa me kontribut vullnetar për punonjësit e tij, duke u përveshur dhe vetë si punëtor në punë të rëndomta.
Ndër kujtimet e tij të shumta, lidhur me punën si drejtor I kombinatit “ Progres”, në harkun kohor të 15 viteve, ai nuk mund të lejë pa përmendur mbjelljen e 50 hektarëve me vreshta, ngjitur me doganën e Bllatës. Ishte pranvera e vitit 1981 dhe deri në prill duhej të përfundonin mbjelljen e 25 hektarëve të parë. Ritmet e ditëve të para ishin shumë të ngadalta 300 deri 500 rrënjë në ditë. Jashar Kllopçishta,një nga punëtorët e vjetër, që nuk jeton më, i thotë i pezmatuar se nuk do ti arrinin objektivat. Drejtori energjik do bënte të pamundurën. Ai kap vetë veglat e punës dhe bën garë me punëtorët. Në ditët në vazhdim i bën kërkesë shkollës tetëvjeçare dhe asaj të mesme, duke u sjellë te parcela vaktin e drekës. Falë këtyre masave u arrit që fidanat të mbilleshin në kohë dhe të garantohej zënia e tyre gati 100 %.
Varieteti i rrushit të mbjellë ishte kryesisht Rieslig Italian, me një përqindje shumë të lartë sheqeri, deri 26 %.Që në vitin e parë të prodhimit u mblodhën 250 ton, që u dërguan në qytetin e Manastirit për tu përpunuar. Çmimi i tij ishte mjaft i leverdishëm, duke sjellë mjaft të ardhura për punonjësit. Vitin tjetër u mbollën dhe 25hektarë të tjerë, duke shkuar në 50 hektarë në total, aq sa ishte objektivi.

BIZNESI PRIVAT, FARMACIA BUJQESORE.

Gazmendi kujton se pas vitit 1985 filloi një politikë e spastrimit të kuadrove, kryesisht të atyre shqiptar. Nuk i donin njerëzit e punës dhe profesionistët, donin servilët. Si dhe shumë të tjerë, ai largohet nga puna si drejtor i kombinatit, ku kishte shërbyer për 15 vjet dhe fillon punë në komunë. Pas dy tre viteve lëvizje nga një vend në tjetrin, më 25 shkurt të vitit 1989, ai përfundimisht shkëputet nga puna e shtetit dhe hap të parën farmaci bujqësore në Dibër.
Në ata kohë, sapo ishte miratuar punësimi në sektorin privat të ekonomisë dhe Gazmendi ishte ndër të parët, që e hodhi këtë hap. Ishte i sigurt që do të kishte sukses, për shumë e shumë arsye. E ku pati shkuar deri atëherë e nuk shkëlqeu?A nuk kishte qenë model në shkollë e në studime?A nuk e nxori kombinatin “Progresi”, nga humbjet e defiçitet, në një bilanc tejet pozitiv e me një model të përsosur drejtimi?A nuk kishte krijuar te shtëpia një bahçe model me mollë, vishnja, qershi, vreshtë e plot të tjera si këto? E përse të kishte frikë tani, aq më tepër që këtu rezultatet do të vareshin vetëm prej punës dhe sjelljes së tij? Gjatë punës së tij deri tani, ai kishte krijuar shumë njohje dhe eksperienca, që do ti shërbenin në këtë sipërmarrjen e re.
Vërtet nuk u gabua në parashikimet e tij.Nuk u lodh shumë për të krijuar klientelën, pasi ai e kishte ngjizur besimin dhe respektin e njerëzve, që kurse ishte drejtor dhe përvishte llërët, si një punëtor I thjeshtë. Qëkurse shihte disa familje që ishin ngushtë për banim dhe ai vraponte të gjejë rërën, lëndën, tjegullat dhe në përfundim lotë gëzimi i buronin nga thellësia e zemrës dhe shpirtit.
Ishin vite kur fermerët kishin shumë nevojë për farëra, për fidana, për konsulencë teknike e profesionale.Ai u shërbente, pa pushuar, gjithë ditën në këmbë, në lëvizje. Vinin shumë dhe që këtejkufiri nga Maqëllara, Peshkopia dhe më larg akoma. E ndihmonte e shoqja, e ndihmonte Aveniri, djali i tij, por dhe njerëz të tjerë i punësonte aty, që shërbimi ndaj klientit të bëhej sa më i mirë.

DEPUTETI I DIBRES

Nuk vonoi gjatë dhe populli i mrekullueshëm i Dibrës së Madhe i kërkoi sërish shërbimet e tij, por këtë radhë në një stad akoma më të lartë. E kërkuan që t’i përfaqësonte në foltoren e parlamentit të parë demokratik të Maqedonisë. Do të ishte zëri i tyre atje, veshi dhe syri i tyre, do të çonte atje hallet dhe shqetësimet e tyre. Plot 12 mijë vota mori në zgjedhjet e vitit 1990 dhe ishte kjo një votë plebishitare, një suport i madh, një besim i padiskutueshëm. Nuk u zhgënjyen, pasi e votuan sërish katër vite më vonë. Ai e ndjente peshën dhe përgjegjësinë e madhe të njerëzve, në emër të të cilëve, ai do të fliste në parlament. Dy do të ishin kolonat, ku ai do të mbështetej dhe për të cilat ai do të punonte fort, arsimi dhe bujqësia.
Bashkë me kolegët shqiptarë në parlament, dhe pse mund të ishin të partive të ndryshme, ai punoi fort, që shqiptarët e Maqedonisë të ishin më të ditur, më të shkolluar dhe të kishin në finale Universitetin e tyre. Së fundi populli dhe deputetet, si një trup i vetëm e morën atë që u takonte, Universitetin e Tetovës, për ta gëzuar në shumë e shumë breza.
Po kështu Gazmend Hajdaraga u angazhua fort në çështjet e bujqësisë, pasi bënte pjesë në komisionin e bujqësisë dhe ishte ekspert i kësaj fushe. Do të kërkonte fort që të shtoheshin fondet për bujqësinë, të shtohej ndihma e shtetit për fermerët, të mundësoheshin për ta tregje të jashtme me interes.
Kanë kaluar shumë vite që atëherë dhe Gazmendi është rikthyer tek dyqani i tij, te biznesi i tij familjar, te farmacia bujqësore. Jo se e bën për pak para që fiton aty, por i duket vërtet si një dritare komunikimi me njerëz, pa të cilët nuk e koncepton jetën. Të flasë me ta, ti përshëndesë e ta përshëndesin, ti respektojë e ta respektojnë dhe të pijë një kafe, apo çaj me mysafirë, në tavolinën bujare, tek dera e dyqanit të tij. Në dekadën e tetë, që po përmbyll jeta e tij, ne i urojmë dhe shumë vite të lumtura, bashkë me familjen, që i do dhe e duan aq shumë!