Udhëtim me BIÇIKLETË maleve të Dibrës


Në foto: Pamje nga një udhëtim me biçikleta gjatë shtegut Golema Planinë - Zhirovnicë në kuadër të projektit Cross-Border Biking, zbatuar nga ALCDF - Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokala, financuar nga Bashkimi Europian. Fotot poshtë ilustrojnë shtigjet me biçikleta sipas titullit. © Andi Qyqja

 Andi Qyqja është një çiklist që promovon udhëtimet me biçikleta maleve të Shqipërisë.

Muajt e fundit, në kuadrin e projektit Cross-Border Biking, ai ka udhëtuar në Dibër, dy anët e kufirit me Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke zbuluar disa shtigje të reja të udhëtimeve me biçikleta malore.

“Cross-Border Biking” është një projekt ndërkufitar, që ka pasur evidentimin e shtigjeve turistike me qëllim rritjen e turizmit të aventurës në rajon.

Andi Qyqja ka udhëtuar dy muajt e fundit në këtë rajon dhe shënimet e tij për këto shtigje aventure me biçikleta I ka hedhur në faqen e tij në rrjetet sociale, ndërsa videot e udhëtimit në këto shtigje gjenden në Youtube.

Ne po përcjellim për lexuesit shënimet e tij. Për të provuar udhëtimin në këto shtigje, mos hezitoni të kontaktoni një nga guide lokale në terren.

Nga ANDI QYQJA

30 maj: Kanë kaluar 7 vite nga hera e fundit që kam qenë në Peshkopi. Atëherë bëhej promovimi i një aktiviteti në natyrë komplet i ri për këtë zonë, rafting në Drin të zi!

Ashtu si 7 vite më parë, jam përsëri në Peshkopi për promovimin e një aktiviteti tjetër në natyrë, Mountain Biking në bjeshkët e Dibrës.

Për mua është hera e parë që bëj mountain biking në këtë zonë dhe është kënaqësi të bëj 3 nga shtigjet kryesore të ndërtuara nga ALCDF.

Cross-Border Biking është një projekt i financuar nga EU dhe ka si qëllim promovimin e zonave të Mavrovës – Rostushës dhe Dibrës, gjithashtu ka të bëj me përmirësimin e infrastrukturës për zhvillimin e turizmit të aventurës.

Le të fillojmë eksplorimin e shtigjeve!

  1. SHTEGU HINOSKË-RABDISHT

1 qershor: Hinoskë-Rabdisht është një nga shtigjet kryesore të projektit Cross-Border Biking.

Padyshim, një shteg me një panoramë fantastike me një gjatësi prej 6.2 km, ku përveç adrenalinës së shtegut, mund të shijoni dhe natyrën e egër të kësaj bjeshke.

Një shteg me një nivel vështirësie mesatare, i cili mund të bëhet nga të gjithë personat që kanë një aktivitet të rregullt në Mountain Biking.

Fillimi i shtegut duket paksa i frikshëm, por është thjesht një iluzion optik, sepse sapo fillojnë metrat e para të zbritjes, bëhet shumë i sigurt dhe me hapësirë të mjaftueshme për ta shijuar këtë pjesë të shtegut që është dhe më e bukura.

Segmenti i dytë kalon në pyll dhe bëhet me i egër, më teknik dhe më impenjativ.

E gjithë linja e shtegut ka sinjalistikë dhe tabela alpine. Shtegu përfundon në fshatin Rabdisht, shumë afër Guest House Sabriu.

Për arsye se shtegu ndodhet në lartësinë 1960 metra, gjatë pranverës ka akoma borë në disa segmente të vogla që janë të bllokuara. Do t’jua sugjeroja ta bënit prej muajit qershor deri në fund të vjeshtës. (Ndiq videot këtu: https://www.youtube.com/watch?v=-unrSpSvsyc )

  1. SHTEGU HINOSKË-ILNICE-MELAN

3 qershor: Shtegu Hinoskë-Ilnicë-Melan ka një gjatësi prej 6 km dhe fillon në lartësinë 2028 metra.

Shtegu ndahet në dy segmente: Hinoskë -Ilnice 3.7 km dhe Ilnicë-Melan 2.3 km.

Janë dy segmente totalisht të ndryshme si në terren ashtu dhe në nivel vështirësie.

Padyshim segmenti Hinoskë-Ilnicë eshte pjesa me impenjative e ketij itinerari.

Është shumë i shpejtë dhe me një terren shumë të favorshëm për zbritje, ka një shkallë vështirësie mesatare, mund të bëhet nga të gjithë ato që kanë një aktivitet të rregullt në mountain biking.

Ndërsa për të gjithë ato që janë në nivele të avancuara thjesht nuk do t’ju mjaftojë vetëm 1 zbritje nga ky segment.

Pjesa e fundit, Ilnicë-Melan, është më e lehtë dhe me pak impenjative sesa i pari, pasi ka një terren më të butë dhe më pak të pjerrët, ka sinjalistikë në çdo hyrje të shtegut.

Mund të bëhet nga të gjithë ato që kanë një aktivitet normal në mountain biking. (Ndiq videot këtu: https://www.youtube.com/watch?v=dadw3nXMxeg )

  1. SHTEGU PEJKË-HOTESH

6 qershor: Pejkë-Hotesh është dhe shtegu i tretë që zbrita gjatë javës time në Peshkopi ku bëra 3 nga shtigjet kryesore të projektit Cross-Border Biking.

Një shteg i shkurtër, që po të mos të ishte për pjerrësinë dhe terrenin që ka, do ta quaja një shteg të nivelit fillestar, por jo! Është një shteg me vështirësi mbi mesataren dhe kërkon kujdes në disa segmente. Është i pjerrët dhe ka kthesa të ngushta përgjatë gjithë linjës së tij.

Shtegu përfundon tek Butterfly Camping, një oaz i vogël i fshehur buzë Drinit të Zi.

Për të arritur tek Butterfly Camping ka dy mënyra: nëse jeni të nivelit të avancuar në mountain biking do jua sugjeroja Pejkë – Butterfly Camping, por nëse jeni poshtë nivelit mesatar do ju sugjeroja Hotesh – Butterfly Camping. (Ndiq videot këtu: https://www.youtube.com/watch?v=j8rc5086YX4 )

***

Pas 3 shtigjeve kryesore të projektit të Biking Cross-Border nga pala shqiptare, tani është koha për 2 shtigje të tjera kryesore, por këtë herë nga ana e Maqedonisë së Veriut. Ashtu si në Peshkopi, edhe në Maqedoninë e Veriut, është hera e parë që bëj biçikletë malore në këto zona, kështu që jam shumë entuziast për këtë aventurë të re, por edhe për të provuar këto shtigje që ndodhen në fshatrat Zhirovnicë dhe Vrbjana.

  1. SHTEGU VRBJANI – ZHIROVNICË

10 qershor: Shtegu fillon nga maja e malit dhe zbret në fshatin Vrbjani me një gjatësi prej 4.7 km. Segmenti i dytë fillon nga fshati Vrbjani dhe përfundon në Zhirovnicë me një gjatësi prej 5.3 km. Një itinerar me një gjatësi totale prej 10 km.

Pjesa e parë e shtegut nga maja e malit deri në Vrbjanë ka një terren shumë të mirë dhe niveli i shtegut është mesatar.

Pjesa e dytë e shtegut Vrbjani – Zhirovnicë ka një terren të vështirë, sepse kalon nëpër një pyll të dendur midis dy fshatrave dhe niveli i vështirësisë është mbi mesatare. Gjatë rrugës ka shumë shkembinj dhe grumbuj gurësh, që e rrisin vështirësinë e pedalimit. (Ndiq videot këtu: https://www.youtube.com/watch?v=J9IVYkfZYoU)

  1. SHTEGU GOLEMA PLANINË – ZHIROVNICË

13 qershor: Mbi fshatin Zhirovnicë është shtegu Golema Planina-Mala Planina-Zhirovnica që ka një gjatësi prej 10 km.

Kjo shteg në një pikë bashkohet me shtegun Hinoskë – Rabdisht por edhe me shtegun që të çon në Hinoskë – Ilnicë – Melan. Edhe pse jemi në fund të pranverës ka shumë borë që ka bllokuar një pjesë të madhe të shtegut. Ky shteg ka një terren shumë të mirë, por është një shteg i shpejtë, kërkon shumë teknika. Shtegu ka një vështirësi mbi mesatare, për faktin se ka shumë të përpjetë, por edhe shumë segmente të pjerrëta. (Ndiq videot këtu:  https://www.youtube.com/watch?v=3gebm2ED-Fs )

Për më shumë info mbi çiklizmin malor ndiq:

Linktree: andiqyqja

Twitter: AndiQyqja

Instagram: andi_qyqja

Facebook: AndiQyqjaAthlete