Lladimerica, e ndarë përgjysmë nga kufiri, feston


Pamje nga fshati i Lladimericës - Foto: Kadri Dauti

Banorët mbledhin 40 mijë euro kontribute për investime në fshat. Me to u bënë punime në fshat: u sistemuan varrezat e reja, u hap dhe u shtrua rruga e re për të shkuar makina brenda varrezave, u rrethuan me gardh me tela dhe u vendos porta metalike, u vendosën çezma uji për njerëzit etj.; me financimet e tyre Mufit Halili me vëllezërit e tij rindërtuan çezmën e fshatit me gurrë të punuar bukur të sjellë nga Tirana; u rrafshuan dhe zgjeruan rrugët e brendshme të fshatit.

Nga: Kadri Dauti

Më datë 11 maj 2024, Lladimerica e Kalabardhës ishte në festë. Banorët e saj kishte kohë që përgatiteshin për këtë feste të bukur, që organizohet për të dytin vit radhazi. Vitin e kaluar, pas
një komunikimi të gjatë në internet mes bashkëfshatarëve kudo që jetojnë e punojnë, u vendos
fshatçe që të mblidhen një herë në vit, të shtunën e dytë të muajit maj, në fshat dhe të festojnë së bashku. Qëllimi është të ruhen traditat e vyera që kanë banorët e fshatit: dashurinë për vendlindjen, lidhjet vëllazërore, harmonia dhe marrëdhëniet e mira, respekti për të parët e tyre dhe tu transmetohen brezave identiteti dhe kujtesa historike. Dhe mbi të gjitha, të mbahet gjallë jeta në fshat e të mos braktiset.

Më 13 maj 2023, me masa të mira organizative, për herë të parë u organizua festa e Lladimericës, në të cilët morën pjesë gjithë banorët e fshatit dhe shumë familje të ardhura posaçërisht nga qytetet brenda vendit dhe vendet e huaja: Greqi, Kroaci, Itali, Gjermani, Francë, Angli etj. Për organizimin e festës, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të birit të këtij fshati, Sadet Dauti, u ngrit komisioni i festës nën drejtimin e kryeplakut të fshatit, Haxhi Manaj, i cili mori masat e duhura për caktimin dhe përgatitjen e vendit të zhvillimit të festës, sigurimin e orkestrës dhe pajisjeve të nevojshme për uljen e njerëzve etj. Gjithashtu, u caktua një llogari bankare dhe iu bë thirrje gjithë bashkëfshatarëve, veçanërisht atyre që jetojnë e punojnë jashtë vendit, të kontribuonin financiarisht për disa punime infrastrukture në fshat. Si rezultat u grumbulluan rreth 40 mijë Euro, me të cilat u bën punime në fshat: u sistemuan varrezat e reja, u hap dhe u shtrua rruga e re për të shkuar makina brenda varrezave, u rrethuan me gardh me tela dhe u vendos porta metalike, u vendosën çezma uji për njerëzit etj.; me financimet e tyre Mufit Halili me vëllezërit e tij rindërtuan çezmën e fshatit me gurrë të punuar bukur të sjellë nga Tirana; u rrafshuan dhe zgjeruan rrugët e brendshme të fshatit.

Do të vijë dita, do të merren, padyshim, disa masa social-ekonomike që ky fshat të ketë zhvillim e gjallëri, edhe në saj të pasurive të saj. Një ditë do të asfaltohet rruga nacionale e ndërtuar që në fillim të viteve ‘30 të shekullit të kaluar; do të rihapet dhe ish-pika doganore në Miresh, që banorët e zonës të mos jenë të ndaluar të shkojnë lirshëm në kryeqytetin e tyre, Dibrën e Madhe; do të merren të paktën në përdorim tokat e lladimericasve në anën tjetër të kufirit, duke iu krijuar mundësia për përfitime ekonomike etj.

Këto punime e shtuan shumë gjallërinë e fshatit dhe shtuan besimin te banorët e Lladimericës që jeta këtu bëhet e bukur, jeta këtu në këtë fshat do vijojë. E rëndësishme është të mos braktiset fshati në këtë situatë të mungesës së dorës së shtetit dhe të vështirësive të social-ekonomike që po kalojnë mbi 40 familjet e banorëve rezidentë të përhershëm, siç po ndodh në krahinën tonë dhe në shumë fshatra të Shqipërisë, ku janë braktisur dhe po zhduken edhe fshatra të tërë. Se do të vijë dita, do të merren, padyshim, disa masa social-ekonomike që ky fshat të ketë zhvillim e gjallëri, edhe në sajë të pasurive të saj. Një ditë do të asfaltohet rruga nacionale e ndërtuar që në fillim të viteve 30 të shekullit të kaluar; do të rihapet dhe ish-pika doganore në Miresh, që banorët e zonës të mos jenë të ndaluar të shkojnë lirshëm në kryeqytetin e tyre, Dibrën e Madhe; do të merren të paktën në përdorim tokat e lladimericasve në anën tjetër të kufirit duke iu krijuar mundësia për përfitime ekonomike etj.
Edhe sivjet, të shtunën e 11 majit, që në orët e para të mëngjesit, në rrugën nacionale Shupenzë – Librazhd udhëtonin shumë makina që i drejtoheshin fshatit Lladimericë. Ishin bijtë e bijat e këtij fshati të vogël piktoresk që shkonin në vendlindje të përmalluar. Sepse aty është vendlindja, aty kanë të parët e tyre, rrënjët tyre, ajo tokë është e tyre dhe çdo gjë është e lidhur me këtë hapësirë të bukur e të pasur me plotë burime natyrore për jetesë.
Takoheshin me njëri-tjetrin vëlla me vëlla dhe motër, kushërinj e kushërira, nipër e mbesa, miq e shokë dhe fytyrat u qeshnin. Gëzoheshin për lajmet e mira por edhe ndjenin keqardhje edhe për ndonjë lajm jo të mirë, se jeta i ka të gjitha, gjithësi. Por kur ke pranë dhe ngushëllohesh me njerëzit e tu, me njerëzit e dashur, të gjitha kalohen më lehtë, ndjehesh e vlerësuar dhe mbështetur, për të cilat kemi shumë nevojë të gjithë.
Vendi për festën është zgjedhur një livadh pak para se të në hyrje të fshatit, në anë të rrugës nacionale Shupenzë – Librazhd, në buzë të kufirit politik Shqipëri-Maqedoni e Veriut të caktuar padrejtësisht në 1913, i cili kalon përmes përroit të fshatit dhe ndanë territorin e fshatit tonë, Lladimericës në dy gjysma, duke ndikuar shumë në rrënimin e ekonomisë së fshatit. Aty ku në vitet e sistemit socialist, për shkak të regjimit kufitar, nuk mund të qëndroje vetëm dhe vrojtoheshe pandërprerë nga ushtarët e kufirit, që qëndronin te pika e vrojtimit në kodrën verilindore. Por sot, falë kalimit në sistemin demokratik, kufiri këtu është inekzistent, nuk gjendet asnjë shenjë kufiri shtetëror, si në vitet 1948-1992. Ndonëse lladimericasit e shkulën vetë kufirin dhe klonin sipër fshatit në 1991, që të fitonin të drejtën e lëvizjes si autokton që janë, të shkonin te tokat e tyre në anën lindore të kufirit deri te lumi Drin i Zi si pronë e lladimericasve, të cilën askush nuk mund ta prek, ndonëse është në shtetin politik Maqedon.
Nga komisioni i festës ishin marrë masa të plota organizative për zhvillimin sa më të mirë të saj. Ishin porositur dy restorante për tu shërbyer pjesëmarrësve me ushqime dhe pije, ishin sjellë tavolina dhe karrige, ishte stolisur vendi me flamuj kombëtar, që valëviteshin nën puhizën e lehtë pranverore. Në saj të kontributit financiar të djemve lladimericas në emigracion janë është bërë rrethimi i vendit të festës, është ndërtuar fasada e hyrjes me murr dhe portë metalike, janë ndërtuar dy tualete, janë instaluar disa çezma uji të pijshëm etj., që pjesëmarrësit të festonin sa më mirë.

* * *

Vendi për festën është zgjedhur një livadh pak para se të në hyrje të fshatit, në buzë të kufirit politik Shqipëri-Maqedoni e Veriut, të caktuar padrejtësisht në 1913, i cili kalon përmes përroit të fshatit dhe ndanë territorin e fshatit tonë, Lladimericës në dy gjysma, duke ndikuar shumë në rrënimin e ekonomisë së fshatit. Sot, falë kalimit në sistemin demokratik, kufiri këtu është inekzistent, nuk gjendet asnjë shenjë kufiri shtetëror, si në vitet 1948-1992. Lladimericasit e shkulën vetë kufirin dhe klonin sipër fshatit në 1991, që të fitonin të drejtën e lëvizjes si autokton që janë, të shkonin te tokat e tyre në anën lindore të kufirit deri te lumi Drin i Zi si pronë e lladimericasve, të cilën askush nuk mund ta prekë…

Në hyrje të vendit të festës i priste bashkëfshatarët e tij kryeplaku i fshatit, Haxhi Manaj, si gjithmonë i mirësjellshëm, qetë dhe i qeshur me të gjithë dhe u uronte mirëseardhjen.
Erdhën për të gëzuar së bashku me vëllezërit e motrat e tyre në këtë festë të bukur pranverore nga Tirana, Maminasi, Sukthi, Durrësi, Fushë Kruja, Mamurasi, Elbasani etj. shumë burra dhe gra, bijë e bija të këtij fshati me nur e me emër në Kalabardhë: Skënder Halili me të bijën e tij ish-deputeten e Parlamentit Shqiptar, Majlindën, Destan Lika, Sabedin Bala, Veis Bala, Kadri Dauti, Ruzhdi Dauti, Isuf Halili, Fiqiri Dauti, Bedri Dauti familjarisht, Haxhi Sahiti, Bukurosh Halili etj. Erdhën familjarisht apo personalisht Sadet Dauti, Adriatik Dauti, Festim Halili nga Anglia; Dashamir Dauti, Ndriçim Dauti, Servet Dauti, Ndriçim Adili nga Italia; Polikron Dauti nga Gjermania; Vladimir Sahiti dhe Shkëlzen Dauti nga Kroacia etj. Kishin ardhur shumë nga bijat e fshatit të martuara në fshatrat fqinje e kudo. Kishin ardhur plotë miq e të afërm të tjerë nga fshatrat e tjerë fqinj, nga zona, por edhe nga Tirana. E të gjithë, lladimericasit me shpirt kanë dashur të ishin këtu në këtë festë, bashkë me vëllezërit e motrat e tyre, por ja që të tilla i kanë rrethanat që nuk mund të vinin sivjet, por me siguri do të vijnë vitin që vjen, më 10 maj 2025. Dhe këtë hijeshi dhe harmoni në këtë festë i kemi dhuratë të bukur nga të parët tanë, që kanë pasur një solidaritet dhe bashkëjetesë vërtet vëllazërore si fshat.
Grupi muzikor “Kodra”, tashmë i mirënjohur i krahinës, me djemtë e hijshëm e të talentuar, kishte zënë vend në anë të sheshit të kërcimit. Këngët e kënduara nga zëri i ëmbël i këngëtarit të mirënjohur të krahinës sonë Kalabardhës, Hajredin Gjeta, i dhanë atmosferë hareje dhe gëzimi festës.
Festa u hap me vallen e vajzave të fshatit, veshur gjithë me kostumin tradicional të zonës, të cilët me bukurinë koreografike dhe elegancën e tyre shkëlqyen më shumë nga rrezet e arta të diellit pranveror që rrezatonin mbi qilimin e gjelbër në tokën përreth.
Vallet e stërzgjatura me nga 50-60 veta a më shumë, me flamurin në krye të valles, si dikur kur stërgjyshërit e gjyshërit tanë shkonin luftë me flamurin kuq e zi që u printe, dhe këngët lirike e patriotike nuk mbaruan deri në orët e vona të pasdites. Nën qiellin e kaltër, nën rezet e arta të diellit, në petkun e gjelbër të natyrës, përzier me cicërimat e zogjve të shumë nëpër pemët përreth kërcenin dhe këndonin bashkë vëllazërisht lladimericasit, si s´ka më bukur, në një harmoni të mrekullueshme. Se harmona dhe bashkëjetesa me njëri-tjetrin është traditë fisnike dhe e vyer e lladimericasve, ku historikisht në ka sunduar respekti dhe dashamirësia për njëri-tjetrin. Lladimericasit nuk e kanë njohur kurrë hasmërinë, vëllavrasjen, përkundrazi.
Në këtë atmosferë gëzimi nuk mund të rinin pa kërcyer edhe të moshuarit. Destan Lika, në moshë të thyer, nuk duroi më dhe i ndihmuar edhe nga djemtë e rinj kërceu bukur vallet e burrave që e kanë traditë dibranët, duke na kujtuar burrat e moçëm të fshatit, veshur me kostumin tradicional dibran, me qeleshen e bardhe në kokë, që kërcenin bukur, me elegancë valle të rëndë burrash nëpër dasma e gëzime. Ndërsa pëllumbat dhe pëllumbeshat, fëmijët si engjëj të lladimericasve, me brishtësinë fëmijërore dhe dëshirën e madhe gëzonin, kërcenin nëpër vallet dhe vraponin duke tundur flamuj nëpër duar. Ata që nuk kishin, përpiqeshin tua rrëmbenin flamurin nga duart të tjerëve që edhe ata të kërcenin me flamur në dorë.
Kur u këndua kënga himn e Dibrës, e Hajredin Pashës, siç është bërë stil tani, u mblodhën gjithë djemtë e rinj lladimericas bashkë dhe ulur në rreth përtokë e me shishe a gota rakie në duar këndonin e brohorisnin gëzueshëm, rrethuar nga burra e vajza tek i gëzoheshin haresë dhe hijeshisë së këtij çasti dhe mundoheshin të fiksonin në aparatet e tyre çdo moment. Në mes qëndronte flamuri kombëtar kuq e zi, siç e kanë traditë dibranët kur shkonin në luftë dikur. E ku kish më bukur ku të gjithë si në një korr këndonin me sa zë kishin për të kujtuar me krenari e dhimbje bashkë luftërat dhe sakrificat e të parëve për lirinë e trojeve të tyre. Për të nderuar gjakun e derdhur kundër serbëve, bullgarëve, osmanëve, italianëve e gjermanëve që kanë ardhur këtu për t´i vrarë, masakruar, grabitur e djegur. Këngët dibrane e patriotike të këngëtarëve të mirënjohur dibran Hazis Ndreut, Lirie Rashës, Vera Laçit, Qerim Sulës, Dritan Jasharit apo Hajredin Gjetës, nuk rreshtën së kënduari.
E s´ka se si të mungonin edhe ushqimet bio të fshatit të përgatitura nga amvisat duararta, që mbushnin plotë tavolinat, aq sa nuk kishe edhe ku t´i vendosje. Shumë bashkëfshatarë, që vinin nga jashtë, kishin porositur pronarin e restorantit të bukur të fshatit, Vinar Sahitin, që tu gatuante shumë ushqime, veçanërisht mish qengji apo keci në hell. E shikoje Vinarin duke vrapuar dhe çuar në tava, tepsia apo tenxhere ushqimet e porositura në çdo tavolinë. Dhe kur e pyesnin sa kushtojnë, u përgjigjej, ju bëftë mirë e mos u mërzisni për koston.
Festonin kështu dikur lladimericasit, gjithë së bashku. Ne fëmijët i prisnin me shumë gëzim, sepse na vinin edhe prindërit tanë kurbetçinj të gëzonin me ne dhe të na sillin rroba të reja. Festa më e bukur në fëmijërinë tonë ishte ajo e politike e 1 Majit apo ajo pagane e Shën Gjergjit (6 Maj), dhe kjo festë e sotme ngjan më madhështore se atëherë.

* * *
Të gjithë dëshironin që kjo ditë, kjo festë të mos mbaronte kurrë. Por ja që koha ikën, por dhe vjen. Sepse kjo festë kaq e bukur, që po kthehet në traditë, dhe do të vijë kjo ditë vitin tjetër përsëri. Dhe kjo festë flet shumë, flet se lladimericasit janë vërtetë të lidhur shpirtërisht me vendlindjen, me fshatin e tyre të bukur, të traditave më të mira dibrane dhe shqiptare.
Të gëzon vërtet fakti që Lladimericasit nuk do e braktisin vendlindjen. Do ta mbajnë dashurinë për të dhe do kujdesen dhe investojnë që infrastruktura e fshatit të përmirësohet nga viti në vit. Lladimericasit, megjithëse nuk janë besimtarë fanatikë, kanë xhaminë e tyre të re, me arkitekturë të kohës, kanë një objekt të ri për shërbime të mjekësore, por nuk kanë një shkollë të mirëfilltë, bashkëkohore, për të cilën po interesohen vetë banorët dhe presin investime nga shteti. Sepse fëmijët e Lladimericës dhe të fshatrave përreth e duan dijen e kulturën, e duan progresin shoqëror dhe duan të jenë qytetarë të denjë për vendin e shoqërinë.
Të jesh lladimericas është krenari. Të jetosh në këtë fshat është shëndet e kënaqësi. Ta duash vendlindjen tënde është fisnikëri shpirti, është atdhedashuri, është detyrim moral.
Vendlindja gjithnjë të thërret e të pret krahëhapur