Adem Islam Hoxha i Çidhnës, heroi i rezistencës ndaj monarkofashistëve grekë


Njëqint vjet më parë, më 9 janar 1917, në Çidhën të Dibrës lindi Adem Islam Hoxha, emri i të cilit hyri në historinë e kombit për aktin e pashembullt heroik në rezistencën ndaj monarkofashistëve grekë, gjatë provokacioneve të njohura të gushtit të ‘49.tës. I mbetur jetim që 6 muash, pasi babai Islami dhe nëna, Lihja i vdiqën nga epidemia e tifos e vitit 1917, Ademi do të rritej dhe edukohej nga gjyshi i tij, Abdurrahmani (Hoxhë Kuta). I njohur me titullin “Hoxha i 12 mijëve” në Shehër të Thatë, njëri ndër udhëheqësit popullor për organizimin e rezistencës të krahinës të Çidhnës e të mbarë Dibrës kundër pushtuesve serbo-sllavë në fillim të shekullit XX (gjatë viteve 1912-1920), do të përkujdesej që këto virtyte t’i mishëronte edhe nipi, Ademi. Edukimin e parë atdhetar me dashurinë për atdhe dhe urrejtjen kundër armiqve pushtues e mori qysh në moshën 3-vjeçare, në vitin 1920, në kohën e pushtimit serb për të shpëtuar nga masakrat e pushtueseve, kur për tre muaj rresht u strehua në një shpellë në Gjalica të Çidhnës, në një kohë që pjesa tjetër e popullsisë së Dibrës u shpërngul drejt Tiranës, ashtu si në vitin 1913. Që nga ajo kohë, dhe sot e kësaj ditë, ajo quhet “Shpella e Hoxhës”.
Në vitin 1940 për veprimtari atdhetare antifashiste, u burgos nga pushtuesit italianë dhe u internua më pas në kampin e përqendrimit nazifashist në Ventotene të Italisë ku u dënua me 2 vjet dhe qëndroi nga janari 1940 deri në dhjetor 1941. Ky fakt vërtetohet edhe nga regjistri që gjendet pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, Tiranë në faqen nr.3 të të cilit me nr.rendor 21, z.Adem Hoxha (atëherë Kuta) figuron të ketë qenë i internuar prej nazifashistëve në kampin e përqendrimit në Ventotene, Itali, prej datës 11.02.1940 deri në dhjetor 1941, duke mos u përfshirë këtu koha e paraburgimit në Peshkopi, para transferimit në Itali dhe ajo e qëndrimit prej 24 ditësh të tjera në burgun e Barit në Itali.
Në kampin nazifashist të Ventotenes Ademi u njoh dhe u miqësua me atdhetarë të tillë, udhëheqës të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve nazifashistë, si Nazmi Rushiti, Sadik Bekteshi, Ibrahim Dervishi, Abdyl Këllezi, Zef Mala etj. apo dhe me nacionalistët Safet Butka, Abas Ermeni, Prof.Isuf Luzaj etj. Shoqëria dhe miqësia e tij me figura të tilla, ia rriti Ademit eksperiencën dhe pjekurinë politike.
Në dhjetor 1947 kur i kishte kaluar 30 vjeç, u mobilizua për të kryer shërbimin ushtarak të detyruar në Qarkun e Korcës, (gjatë viteve 1947-1950), prej të cilëve, dy vjetët e fundit në kufi, në Bilisht. Pra, në kohën kur dha urdhërin luftarak për të hapur zjarr mbi forcat agresive të monarkofashistëve grekë, Ademi i kishte të gjitha cilësitë dhe aftësitë si dhe ngritjen ideo politike dhe përgatitjen ushtarake për të komanduar e për të dhënë një urdhër luftarak me peshë të tillë që ishte vendimtar për fatet e atdheut.

Ngjarja e 2 gushtit 1949 në Vidohovë

Më 2 gusht 1949, do të ishte një centralist i thjeshtë nga Çidhna e Dibrës urdhëruesi i hapjes së zjarrit ndaj provokatorëve monarkofashistë grekë në kufirin shqiptar të Kapshticës. Adem Hoxha, çentralist i postës kufitare në Kapshticë të Devollit, kishte radhën e shërbimit të gatishmërisë luftarake në natën e datës 1 (një) gusht duke u gdhirë 2 (dy) gusht i vitit 1949, kur rrreth orës 02:00 të mëngjesit të datës 2 gusht 1949, ra zilja e telefonit. Mori receptorin dhe nga ana tjetër, personi që i fliste, u prezantua se ishte komandanti i Postës kufitare të Vidohovës.
Për momentin emri i tij nuk më kujtohet, – tregonte Ademi, – por mbaj mend se ai ishte një djalë i ri rreth të njëzet e dy-tre vjetëve, të cilit, sapo kishin filluar t’i dirsin mustaqet. (Sipas bashkëkohësve, ai duhet të ketë qenë Memo Nexhipi Bejko, – pak çaste para se të binte dëshmor, i cili më pas është shpallur “Hero i Popullit”).
Kur Komandanti i postës së Vidohovës, z.Memo Nexhipi Bejko i ka kërkuar centralistit Hoxha që ta lidhte me komandantin e regjimentit, Ademi, iu përgjigj se “Komandanti i regjimentit në këtë orë është në shtrat, duke fjetur në shtëpinë e tij, në Korçë. Ai nuk ka telefon në shtëpi.” Më pas Komandant Memoja i ka kërkuar kufitarit nga Dibra që ta lidhte me Ministrinë e Mbrojtjes, por sërish ka marrë përgjigje refuzuese! “Përderisa nuk mundem me të lidhur me Korçën, si mundem me të lidhur me Ministrinë në Tiranë?! Ne nuk kemi lidhje me radio, por vetëm një central të thjeshtë, me tel !”,-i është përgjigjur Adem Hoxha. Dhe në kushtet kur forcat greke kishin shkelur 500 metra në territorin tonë kufitar, komandant Memoja, i zënë ngushtë i ka kërkuar një mendje centralistit nga Dibra se si duhej të vepronte.
-Zjarr!, – i është përgjigjur Ademi.
-Si të hap zjarr?! Me urdhër të kujt të hap zjarr?!, – i tha komandanti i postës së Vidohohëvs.
-Me urdhërin tim! – i është përgjigjur rrufeshëm kufitar Ademi.
-Si me urdhërin tënd?! – ka vijuar komandanti?!!
-Po të them: Me urdhërin tim! Kur forcat greke do të të vijnë te posta, ti a do t’u japësh cigare e duhan dhe t’ua ndezish me shkrepse me dorë në zemër?! Zjarr mbi agresorët, se vetëm kështu mbrohet Atdheu! Vetëm këto ishin fjalët e fundit që këmbyen komandant Memoja dhe centralisti Adem Hoxha ndërmjet tyre, në mëngjesin e 2 gushtit 1949, para se të fillonte lufta mbrojtëse në Vidohovë kundër agresionit të monarkofashistëve grekë të 2 gushtit 1949.
Pra, e thënë ndryshe, urdhërin luftarak për fillimin e zjarrit të parë, të pushkëve të para në Vidohovë me 2 gusht 1949 e ka dhënë, me inisiativën e vet, një ushtar i thjeshtë dibran, Adem Islam Hoxha, ish-centralist i postës kufitare të Kapshticë -Vishocicë-s. Më saktë, me atë arsyetim logjik të pjekur, tepër bindës, në ato rrethana të jashtëzakonshme bindi me të drejtë komandantin e Postës së Vidohovës për të hapur zjarr mbrojtës kundër agresionit të monarkofashistëve grekë, më 2 gusht 1949, në atë situatë të nxehtë luftarake.
Një arsyetim i tillë, si ai i Adem Hoxhës, është tepër bindës dhe i drejtë edhe tani, pas më shumë se gjashtë dekadash, në kohë paqeje dhe në një situatë tjetër marrëdhëniesh krejt të ndryshme nga ajo e asaj kohe. Nuk mund të kishte asnjë zgjidhje tjetër, përveç asaj të Adem Hoxhës, të mëngjesit të 2 gushtit 1949: për të hapur zjarr mbi agresorin.
Kjo është një e vërtetë historike, ndonëse e pashkruar ndokund, ashtu si shumë të vërteta të tjera të pashkruara të historisë së popullit shqiptar, e rrëfyer qartë nga protagonisti i kësaj ngjarjeje në vitin 1993, kur ishte në moshën 76 vjeçare.

Çfarë shkruante “ZP” më 6 shtator 1949

Akti heroik i çidhnakut Adem Hoxha jepet fare qartë, qoftë dhe nga një fragment i reportazhit të të dërguarit të posaçëm të “Zërit të Popullit”, Dhimiter Tona, me titull: “Në piramidën 33, në sektorin e Bilishtit”, botuar më 6 shtator 1949. Ndër të tjera në të shkruhet: “…Centralisti ndërlidhës, Adem Islam Hoxha nga Çidhën e Poshtëme i Dibrës, në mes mijëra predhash të artilerisë armike, ku s’mbeti pëllëmbë toke pa u qëlluar, ka kryer me heroizëm detyrën e tij: tri herë natën u këput linja, por të tri herët ai e lidhi përmes zjarrit të artilerisë dhe breshërit të plumbave të mitralozit. “Në luftën NCÇl-thotë ushtari Adem Hoxha, i dekoruar me Medaljen e Trimërisë,-nuk pata fat të luftoja kundër armikut, tashti jam edhe unë kryelartë midis shokëve të mij se kam luftuar ashtu si vëllezërit e mij dje për çlirimin e Atdheut; sot unë luftova për mbrojtjen e tij nga monarkët që duan ta skllavërojnë popullin tonë dhe të sjellin në fuqi armiqtë tanë….”.

Kush ishte Adem Hoxha?
Po kush ishte ky ushtari, Adem Hoxha, që mori një nisiativë të tillë për të dhënë një urdhër luftarak të tillë, për fillimin e një lufte frontale si ajo e 2 gushtit 1949?! Çfarë përgatitje ideo-politike e ushtarake kishte ai person që paska marrë një inisiativë të tillë për të dhënë një urdhër luftarak të tillë si ai, për të hapur zjarr kundër provokacioneve të një ushtrie të një shteti tjetër, si Greqia?
Adem Hoxha, i biri i Islamit dhe i Lihes (1917-1993), nga Çidhna, Dibër, veterani i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, i internuar në kampin e përqëndrimit nazifashist në Ventotene, Itali, në periudhën janar 1940 – dhjetor 1941 dhe luftëtari i vijës së parë të frontit të luftimeve për mbrojtjen e kufijve të Atdheut tonë nga provokacionet e monarkofashistëve grekë në gusht të vitit 1949, ishte tepër modest, ndaj nuk ka lënë kujtime të shkruara, por vetëm këto rrëfime gojore që nuk na shqiten lehtë nga kujtesa.
Për aktin heroik ish centralisti dibran i postës kufitare “Guri” në Kapshticë të Devollit, Adem Hoxha është dekoruar me “Medaljen e Trimërisë”. Kjo vërtetohet me çertifikatën e lëshuar nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor të RSH me nr.6749 dhe nr.i Dekretit 911, datë 23 gusht 1949 që mban nënshkrimin e ish-Presidentit Dr.Omer Nishani dhe të ish-Sekretarit Sami Baholli. Në këtë Medalje është shënuar ky motivacion: “Gjatë luftimeve për mbrojtjen e kufijve t’Atdheut në sektorin e Trestenikut nga agresioni i monarko-fashistave grekë, është dalluar për trimëri, vendosmëri e besnikëri”. Kjo çertifikatë është një argument tjetër më shumë që vërteton katërcipërisht se Adem Hoxha ka qenë i saktë në rrëfimet e tij të para dy dekadave. Përpos kësaj, autoriteti i tij i padiskutueshëm në jetën civile, kur ka shërbyer mbi 60 vjet si imam, drejtues fetar dhe shoqëror, nuk lë asnjë shteg për asnjë fije dyshimi mbi të vërtetën e tregimeve të tij për organizimin e rezistencës ndaj provokacioneve të monarkofashistëve grekë të 2 gushtit 1949.
Si bashkëbisedues i para dy dekadave ruaj në memorien episode të rrëfyera mjeshtërisht nga Ademi për Provokacionet e 2 gushtit 1949. Shpesh herë ai thoshte se jetën në atë luftë ia ka shpëtuar ish- Komandanti i Regjimentit, z.Baki Starja. “Gjatë luftimeve unë kisha detyrë që të mbaja ndërlidhjen me central fushor, të lëvizshëm, atje ku zhvilloheshin luftimet. Pozicioni i centralit nuk mund të ndryshohej pa urdhërin e komandantit. Në një moment të caktuar, gjatë luftimeve ra një predhë murtajë e armikut vetëm disa metra larg, ngjitur me pozicionin ku unë kisha vendosur centralin. Pranë meje ndodhej edhe z.Baki Starja, më vonë gjeneral. Fill pas atij momenti, komandant Bakiu më urdhëroi: Adem, shpejt spostoje centralin mu në gropën që hapi predha e murtajës së armikut. Sapo unë instalova aparaturën e telefonit në vendin e caktuar, vetëm disa sekonda më pas, ra predha e murtajës së armikut, pikërisht në vendin ku unë pata më parë pozicionin e centralit. Po të mos kisha ndërruar pozicionin e instalimit të centralit, unë do të isha vrarë në atë luftë,” – tregonte Ademi, duke shprehur njëherësh edhe respektin dhe mirënjohjen për Gjeneral Baki Staren që ka qenë oficer madhor në Provokacionet e gushtit 1949. Gjatë një takimi të rastësishëm, gjenerali në pension, Baki Starja, jo vetëm ma konfirmoi plotësisht atë çka treguam më sipër, lidhur me spostimin e centralit fushor, por pasi më shprehu edhe konsideratën e lartë dhe kujtimet që ruante për ish-ushtarin e tij 32-vjeçar, nga Dibra, bashkëmoshatarin Adem Hoxhën, më tregoi edhe arsyen e dhënies së atij urdhëri, d.m.th. eksperiencën e tij luftarake.

Rrëfimi i gjeneral Baki Starjes
Gjeneral Baki Starja që kishte kryer shërbimin e detyruar ushtarak në kohën e luftës Italo-Greke, kujton gjithashtu kohën kur ka qenë i mobilizuar në repartin e ushtrisë shqiptare dhe shoqërinë me bashkëushtarin Vesel Bushi (Spata) nga Blliçja e Peshkopisë nga. Nga përvoja e asaj lufte ata kishin mësuar se ushtria greke, artilierët i kishte ushtarë të karrierës me rrogë dhe jo rekrutë të shërbimit të zakonshëm të detyruar. “Artilierët grekë, si profesionistë të kualifikuar, predhat e artilerisë nuk i shpërdoronin, prandaj ata nuk shenjonin me gjuajt dy herë në të njëjtin vend, por për çdo qitje e lëviznin gradimin e shenjimit, për të mos rënë dy predha radhazi në të njëtin vend. Duke ditur këtë eksperiencë, unë e urdhërova Ademin që menjëherë të spostonte instalimin e aparaturës së centralit pikërisht në vendin kur ra predha e mëparshme, pasi e dija se aty ishim të sigurtë nga goditjet e armikut”,-tregon gjeneral Starja. Ndërsa centralisti Adem Hoxha, me krenari pohonte faktin që të gjithë ushtarët dibranë që morën pjesë në luftimet kundër provokacioneve të gushtit, shkëlqyen, duke u dalluar ndër të tjerët. Kjo sipas tij edhe për faktin se asnjë ushtar dibran nuk u largua nga pozicioni i luftimeve, ku e kishte caktuar komanda, por të gjithë ata, në përfundim të luftimeve u gjetën në vijën e parë të frontit. Kjo, ndoshta, u bë shkak që më pas dibranët të shiheshin me një sy tjetër më të mirë, nga komanda, ndryshe nga më parë, pasi deri para provës që dhanë në luftime, ata shiheshim si të dyshimtë, për shkak të luftës që qe bërë në Fushalie të Dibrës, në korrik të vitit 1944. E thënë ndryshe, luftimet e provokacioneve të gushtit 1949 u bënë shkak që të rehabilitoheshin dibranët. Në këtë aspekt, ndër më të dalluarit, përveç oficerëve Bajram Hysen Kovaci e Isuf Daci, nga Grykë-Noka, ai kujtonte edhe Arfi Pitarkën po nga Grykë-Noka, që shërbente në postën e Vidohovës, si dhe të tjerët nga reparte të tjera si Fali Konozi nga Grykë-Noka, i plagosur, Sulë Daci po nga Grykë-Noka, Sali Pana nga Kodër-Leshej që ra dëshmor; të gjithë të dekoruar me “Medaljen e Trimërisë” etj.
Ndër shokët dhe kuadrot drejtues të rezistencës kun dër agresionit të provokacioneve greke të 2 gushtit ’49, Ademi ruante respekt të veçantë për kolonel Skënder Malindin që jeton edhe sot. Kjo edhe për fakktin se kolonel Malindi, i sapo kthyer nga Akademia Ushtarake e Bashkimit Sovjetik, në vitin 1947, e konsideronte Ademin jo si ushtar të thjeshtë, por si shok, të barabartë me të. Ndaj dhe organizatorët dhe pjesëmarrësit e asaj rezistence të pashembullt ndaj agresionit të monorkofashistëve grekë, meritojnë nderim të veçantë.