Unë zgjedh të jetoj pa dhunë


“Një britmë shurdhuese,disa tinguj të një frymëmarrjeje të lodhur ,fytyrë e saj që mbytet në det lotësh dhe guaskë e krenarisë që i humb në shkretëtirën e mëkatit të tjetrit pasohen nga zhurmë hapash të një kolonizatori jetësh, nënqeshje djallëzore dhe vështrimi ulkonjar i atij,që është dhe burgu shpirtëror i asaj.” Këto janë vetëm disa detaje nga qoshet e errëta të situatave ndërmjet çifteve shqiptare ,të cilat vazhdojnë të përbalten dhe në rrethanat e ditëve të sotme nga llumi i injorancës, që i ka përlyer tashmë mendimet e shumë meshkujve të prangosur nga padija.
Këta njerëz janë krijuar nga tallazet e pamëshirshme të jetës për të qenë dhe mbetur armiq të vetvetes saqë edhe në rastin kur nga qielli në vend të shiut do të binte dituria ,ata duke përdorur atë mprehtësinë “ e adhurueshme” të logjikës së tyre do të nxirrnin edhe këtë herë çadrën. Ky reagim, si prej një të sëmuri psikik, meriton ngritjen e një dollie në shëndet të shkatërrimit të tyre, vetëm e vetëm për shkak të aureolës së saktësisë dhe qartësisë së padukshme dhe të paqenë që mbartin këto sjellje. Gjykimi i tyre u hyn thellësive të paeksploruara për ta trazuar edhe më tepër të vërtetën e gënjeshtërt ,që i mashtron duke u vënë frerët e arsyetimit të saktë dhe duke i endur udhëve ,që verbojnë nga errësira. Mos ndoshta ata vërtet nuk e dinë akoma se nuk ka perde ,që mbulon te vërtetën ,sepse ekzistenca e saj është kurdoherë e dukshme?
Rrota e mekanizmit shkatërrues i ka marrë me vete këto qenie duke u eliminuar elementet primarë , që përbëjnë binomin e të qenurit njeri . Duke menduar në breg të lumit ,por duke u futur edhe nëpër dallgët e këtij fenomeni si dhuna u mbërtheva pas lumit ,që solli këtë proces kaotik në shoqëri. Ky lum fryhet e merr me revan :lot,mallkime,lutje dhe falje duke metamorforizuar ligjin natyror. Kur do të kuptohet se gjërat janë krijuar për t’u shfrytëzuar ,ndërsa njerëzit janë bërë për t’u dashur? Ndaj duhet bërë kujdes ,se nuk mund të luajmë një lojë në të cilën i kemi të paqarta rregullat e saj.Teksa po u vishja mendimeve kostumin e abstraksionit duke e derdhur hijshëm në detin krijues ,iu drejtova vetes dhe i pohova “Mashkulli duhet të vërë dorë mbi femrën…” Janë pikërisht këto fjalë ,që buronin nga marrosja e pashpjegueshme dhe dhënia e pakushtëzuar kundrejt kësaj dukurie që më bënë të arsyetoj si më poshtë:
Së pari,mashkull është ai që vë dorë mbi femrën( i zgjat dorën për ta ndihmuar) tek e cila ajo mund të gjejë arsyen për të buzëqeshur sërish. Ajo dorë e zgjatur shihet nga ato si një shpëtim ,që troket më pas butësisht në derën e shpresës së ngujuar brenda qenies së kësaj femre ,që në fund të fundit gjithçka që ajo lyp dhe do të vazhdojë të lypë është “ dashuria”.
Së dyti,shfaqja më e arrirë e vënies dorë mbi një femër është në çastin kur një kokëfortësi boshe dhe e kotë i ka ndarë për disa kohë dy krijesa duke u thyer pasqyrat ku transkriptohet e vërteta. Është kjo ndarje që hyn kompromis me ndjenjën dhe i bën ata të kuptojnë se lidhja etyre është përligjur për të qenë e pavdekshme . Atëherë po që duhet vendosur dorë mbi një femër për ta shtrënguar ethshëm pas vetes ,në mënyre që të arrish të ndjesh dhe tik- taket e zemrës së saj ,që u varen si medaljon ndjenjave të tua ,që rrahin gjoksin për këtë gur smeraldi, që vezullon nën kraharor edhe nën rrymën e mallëngjimit.
Së treti ,emocioni në çift arrin majat më të larta, kur ai kurorëzohet me një krijesë ,që lartësohet në përmasat e hyjnores. Tingujt e këtyre çasteve janë kolona me e bukur zanore e filmit të jetës dhe në skutat e këtyre momenteve është e drejtë që mashkulli të vërë dorë mbi femrën duke e rrëshqitur lehtazi dhe përkdhelshëm atë mbi flokët e asaj ,që i dhuroi një arsye më tepër për të pritur lindjen e diellit të çdo të nesërmeje.
Janë këto tre situata brenda të cilave çdo mashkull duhet ta gjejë arsyen për të vënë dorë mbi një femër dhe askund tjetër. Një veprim ndryshe do t’i kthente në hipokritë ,që e kërkojnë veçantinë te veset.
Të hulumtuarit në thellësitë e së vërtetës së kësaj dukurie të ashtuquajtur dhuna ,që po kalb pjesën më të madhe të mendjeve mashkullore ,kërkon pajisjen me të tjera mjete, që i bëjnë jehonë së vërtetës. Fatmirësisht, pronësia e tyre bën që në fund të çdo fillimi të feks si xixëllojnë shpresa hijerëndë për t’u bërë autodidaktë të ndryshimit të procesit tonë të të menduarit.
Jam lindur nga një nënë ,që më ka ndihmuar të kompozoj jetën vetëm mbi drejtësinë ,jam ushqyer dhe veshur nga duart e saj, të papërtuara ,që më kanë mësuar të mos e humbas kurrë toruan përballë hovit të të tjerëve ,jam maturuar nën kujdesin e saj të pamasë dhe e kam parë veten tek zgjohesha dhjetëra herë në kraharorin nga i cili buronte aromë “nëne” dhe kurrsesi nuk do të doja që albumit te jetës time t’i shtoheshin foto të lotëve të saj. Them me bindje se shija e atyre lotëve do të më shndërronte në një kalë që harliset si i tërbuar drejt shkaktarit të tyre.
Pyes veten: Po sikur ai shkaktar të jetë ai që…
Përgjigja : Ky fakt nuk e kacafyt aspak qëndrimin tim.
Ndaj “burrë dhe baba” është ai që nuk bëhet marionetë e instinkteve kafshërore, por pre e arsyes që qëndron në thelb të njeriut.
Për fatin e mirë të nënave dhe femrave dhe për fatin e keq të atyre meshkujve ,që mundohen ti thyejnë ,ekziston një e vërtetë e pamohueshme , që konsiston në faktin se edhe përballë goditjeve të pamëshirshme të jetës,ato kanë ditur dhe do të dinë gjithmonë, sesi të jenë edhe më të forta, madje edhe në vendet ku janë thyer. Të gjithë familjet në përgjithësi dhe femrat në veçanti, që jetojnë me ndjenja të krisura nga fenomeni “dhuna” ,nuk duhet të kërkojnë fajin te pafajësia e tyre ,por të veprojnë lirshëm në klonimin e sjelljeve ,që i bëjnë rezistencë shtypjes së ushtruar mbi to dhe kërkimit të ndëshkimit ligjor dhe moral tëshkaktarëve. Gjithçka e kaluar ,që sillet si makth në të tashmen,bën mirë ti shitet të shkuarës pa çmim ,sepse çdo gjë e kaluar me ata që na vodhën pjesë nga lumturia nuk meriton as të mbetet ,e jo më të kujtohet.
E gjej veten shpesh të rrethuar nga mozaikë mendimesh dhe ndjenjash ,që vijnë si pasojë e fragmenteve të përditshme ,që më zë veshi dhe syri ,autorë të të cilave janë femra me të cilat abuzohet. Një i tillë është dhe ai që vijon: “Një herë e një kohë fjalët nuk më lëndonin, ndryshimi nuk më vriste, dashuria nuk më thyente,frika nuk më shokonte dhe shpresat nuk shuheshin kurrë. Eh,një herë e një kohë… E ndërsa sot kërkoj e gjunjëzuar që në vendvdekjen time të jetë veç një gur i shkruar: Këtu prehet një udhëtare e huaj ,e arratisur në kërkim të ëndrrës, që iu vodh në Tokë nga njerëzit.” Pas një odiseje të lodhshme dhe të gjatë brenda vetes dhe të tjerëve për të iluminuar kuptimin e këtyre rreshtave, të cilët thoshin asgjë dhe gjithçka ,ndihesha pelegrin i vetmuar në këtë përpjekje të gjithëkohshme dhe të përjetshme për t’i siguruar femrës respekt dhe mirëqenie .
Të gjunjëzuarit e lirisë së një qenieje njerëzore, të shkelurit përdhunisht mbi plagët e hapura e të mëdha të pafajësisë dhe shuarja e dritës së shpresës së një shpirti të paqtë.A nuk janë këto gjithçka ata bëjnë? Kush i ka lejuar ?Kush po i lejon?Unë ,ti dhe të gjithë. Ndaj për të realizuar misionin ,që do ti çlirojë ato dhe ne nga të qenurit të plagosur nga shtiza e veprimeve shtazarake të tyre duhet të pohojmë që të gjithë njëzëri se: “Një herë e një kohë është sot dhe e sotmja është e vetmja mënyrë për të rigjetur dhe zëvendësuar orët e lirisë së humbur.”
Punoi: nx.Armanda Gjoka