Ndahet nga jeta biznesmeni i familjes Doçi të Lurës, Preng Llesh Doçi


Më 6 shkurt të vitit 2017 u nda nga jeta njeri nga shokët më të mirë të Gjeologjisë së Tiranës, biznesmeni i familjes Doçi të Lurës, Preng Llesh Doçi. Me ndarjen nga jeta të Prengës familja Doçi, humbi njeriun më të shtrenjtë të familjes së tyre, kushurinjtë, të afërmit, miqtë e shokët e punës humbën kushuririn, mikun e shokun e tyre më të mirë, Preng Llesh Doçin.
Prenga lindi në lagjen Sumaj të Arrmollës së Lurës në familjen Doçi të Lurës. Rrjedh nga një familje e fis me zë për zgjuarsi, veprimtari të herëshme patriotike, besë e bujari në krahinën e Lurës, Dibrës e Mirditës, nga fisi Doçi i Lurës. Historia e këtij fisi fillon me Llesh Nikoll Doçin e “300 duvakëve” të Lurës që mposhti e sfidoi hordhinë turke në Fushë të Kastriotit me 300 djemtë e rinj të Lurës të hypur mbi kuaj, të armatosur e të mbuluar me duvakë si nuse, betejë të cilën populli e përjetësoi në këngë :
“Llesh Nikoll Doçi i tha Sulltanit,
Nusja u nis por çoi fjalë dhëndërrit…
… Vesh si nuse janë 300 burra.
Për tek Pasha i ka nis Lura…
… Prej duvakëve rruga skuqet,
Dil or pashë e priti nuset…
…Jam Llesh Doçi djal Bajraku,
Erë baruti ka duvaku,
300 nuse e 300 krushq ,
Kanë la në gjak mbi 1000 turq”
Nga ky trung kanë dhënë jetën Kol Bib Doçi kundër ushtrisë austriake, Dod Doçi e Zyber Doçi në vitet 1916,1917 dhe heroi i popullit Gjok Doçi në vitin 1944 në luftë për çlirimin e vendit. Në këto troje e kushte duke ndjekur gjurmët e të parëve lindi edhe mësuesi i urtë e patriot, pushtetari trim e i zgjuar, punëtori i palodhur, figura fisnike e Lurës, Dibrës dhe Mirditës, Llesh Zef Doçi, i cili me zgjuarësi e burrëri qëndroi në këmbë e i palëkundur duke punuar me devotshmëri e duke sfiduar furtunat e sistemit të kaluar. Në këto kushte e troje kryetari i kësaj familje të madhe rriti dhe edukoi djemtë e tij, Gjetën, Prengën, Dodën, Dedën e Gjonin të cilët ecën në gjurmët e prindërve të tyre.
Prenga, arsimin fillor e 7 vjeçar i kreu në vendlindje, në Arrmollë të Lurës. Shkollën e mesme e kreu për markshejderi në Teknikumin e minjerave e të Gjeologjisë në Prrenjas të Librazhdit, me rezultate shumë të mira. Pas mbarimit të shkollës së mesme filloi shkollën e lartë në Fakultetin e Gjeologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, të cilin e ndërpreu në vitin e dytë për arësye se filloi punë në Gjeologjinë e Tiranës për të mbajtur e arsimuar vëllezërit e tij më të vegjël që kishin filluar punën që fëmijë në Hidrocentralet që ndërtoheshin në veri të vendit. Kështu Prenga sapo mori shtëpi nga gjeologjia në Kodër Kamëz, tërhoqi në Tiranë tre vëllezërit më të vegjël, Dodën, Dedën e Gjonin të cilët i strehoi në shtëpinë e tij të vogël 1 dhomë e një guzhinë ku jetonin bashkë me bashkëshorten Lezen e fëmijët e tij të vegjël, duke i ndihmuar deri sa mbaruan arsimin e lartë.
Në gjeologjinë e Tiranës Prenga ishte një nga topografët më të mirë të grupit të topografisë së kësaj ndërmarje ku ka punuar në ekipet më të vështirë si, në Gjazuj e Kthellë të Mirditës, Shebenik e Babje të Librazhdit, Polis e Shpat të Elbasanit, etj. Kudo ku punoi ai u dallua për punë me devotshmëri e cilësi të lartë. Ai me punën e sjelljet e tij fitoi respektin e ndërmarjes dhe kolegëve me të cilët punoi deri kur doli në pension të parakohshëm në vitin 1992. Ai si pasardhës i një familje arsimdashëse e patriotike, që kur ishte në punë në ekipe mbante me vehte “Lahutën e Malësisë” të Gjergj Fishtës, duke arritur të recitonte përmendësh pjesën më të madhe të vargjeve të kësaj kryevepre të të madhit Fishta.
Në fillimet e viteve të demokracisë vëllezërit Doçi, me ne krye Prengën e Dodën, me inisiativën e Dodës që kreu edhe një trajnim në fushën e ndërtimit në Danimarkë, krijuan kompaninë e ndërtimit “Lura” e cila nga viti në vit e shtoi aktivitetin e saj në fushën e ndërtimit të banesave, rrugëve, urave , tuneleve e objekteve të tjera ndërtimore. Në vitin 1996 kjo kompani filloi ndërtimin e kompleksit turistik “Lura 1” në gjirin e Lalzit dhe tani vazhdon ndërtimin e kopleksit turistik “Lura 2”.
Prenga ka qenë edhe aktivist i dalluar shoqëror në ndihmë të aktiviteteve të shoqërive civile. Ai ka qenë anëtar i Komisionit organizativ të Kuvendit Tekniko Shkencor të Rrugës së Arbërit të organizuar nga Shoqata “Lidhja e Intelektualëve Dibranë” në maj të vitit 1997, ku kompania “Lura” sponsorizoi edhe një pjesë të këtij aktiviteti.
Djemtë e Llesh Zef Doçit, pavarësisht se u stabilizuan në Tiranë, nuk e harrojnë vendlindjen e tyre dhe paraardhësve të tyre, ato sytë dhe mendjen vazhdojnë t’i kenë nga Lura. Kështu u krijua shoqëria “Erdat” Shp.k. me drejtues Preng Doçin e cila në baashkëpunim me një shoqëri italjane në 6 mujorin e parë të vitit 2012 përfunduan dhe vunë në funksionim tre hidrocentrale , “Lura 1, 2 e 3” me fuqi energjitike 17 MW që i japin energji jo vetëm Lurës por janë të lidhur edhe me sistemin energjitik unik të Republikës.
Me ndarjen e parakohëshme nga jeta të Prengës, në kohën kur kishte akoma mundësi për t’i dhënë familjes e shoqërisë, familja e të afërmit humën njeriun e tyre më të shtrenjtë e të dashur, ndërsa shoqëria biznesmenin dhe njerin nga shokët më të mirë të tyre.
Bashkim Lleshi
Tiranë 20 shkurt 2017