Të rinj të talentuar

Ida Nurçe: Me punë mund të arrish ku të duash


Është rubrika më e re në gazetë, ideuar nga Samet Zagradi, një nga bashkëpunëtorët tanë më të rinj. Kjo rubrikë e re synon të na njohë me të rinjtë dibranë që me punën e tyre po korrin sukses në fusha te ndryshme, brenda dhe jashtë vendit. Rubrika do të shërbejë për të njohur më shumë vlerat që ato mbartin si dhe për të qenë një shembull për të gjithë të rinjtë me suksesin e tyre. Dibra ka mjaftë të rinj të talentuar, dhe ne shpresojmë që në numrat në vazhdim t’ju njohim me sa më shumë prej tyre. Me qëllimin e mirë që t’u japim mbështetje për të ecur përpara, por edhe për të na frymëzuar me punën me shembullin e tyre.
Këtë numër do t’ju njohim me dy prej tyre, gazetaren e re dhe të talentuar
Ida Nurçe dhe pedagogun e ri, Erduan Kllobuçishta.

– A mendoje që një ditë do ishe e njohur?
– Unë nuk jam aq akoma aq e njohur. Më duket akoma herët dhe padyshim që kam akoma goxha punë për të bërë.

– Kush është Ida larg profesionit të gazetares?
– Është një gocë shumë impulsive, jashtë mase kokëfortë, shumë e shoqërueshme dhe shumë më e ndjeshme nga se duket.

– Ju jeni gazetare në një nga televizionet më të njohur të vendit dhe për më tepër e një emisioni investigativ. Çfarë ndjesie ke për këtë fakt?
– Nëse do të më pyesje dy -tre vite më parë, ndjesia do ishte e papërshkrueshme. Ndërsa tani është një ndjesi krejt normale, sepse kam punuar për të qenë aty. Sigurisht, është kënaqë si të punosh në një televizion kombëtar tepër të njohur. Me punë mund të arrish ku të duash.

– Ti promovon dhe pranon vlerat e Dibrës ashtu siç jeni një “fanatike” e dialektit dibran? Përse e bën këtë?
– Unë e kam shprehur hapur që jam patriote dhe e dua vendin tim. Ai vend është një ndër më të bukurit dhe ka vlera, që jo të gjithë i dinë. Unë gjithmonë do të jem krenare që jam dibrane, pasi mendja fle në atë zonë.

– Cilët kanë qenë vështirë sitë që ti ke hasur në fillimet e tua?
– Në fillim e kam pasur shumë të vështirë, pasi në Tiranë kam ardhur krejt e vetme. Nuk kam pasur askënd që të më japë një dorë ndihmë.
Dy muaj kam ecur rrugëve të Tiranës duke shpërndarë CV-në time nëpër televizione dhe gazeta të ndryshme, dhe pse isha pa asnjë përvojë pune. Pastaj kam punuar në një gazetë pa rrogë, vetëm për të fituar eksperiencë, për afro 6 muaj. Ditë sa të bukura, aq edhe të vështira për mua. Por në fund ja dola, pasi ajo ishte një trampolinë për mua drejt televizionit. Duke filluar me Ora News si gazetare sociale, pastaj ne News 24 tek emisioni “Kaktus” dhe si përfundim tek Tv Klan, emisioni “Stop”.
Të integrohesh në një shoqëri kaq ndryshe nga ajo jemi mësuar ne të rinjtë dibranë, është absolutisht e vështirë, pasi në Dibër është një mentalitet komplet tjetër. Plus, te shohin edhe me atë syrin si “Maloke”. Por është një gjë: duhet të mbyllësh sytë dhe veshët dhe të merresh vetëm me objektivin që i ke vënë vetes. Vetëm kështu mund të ecësh përpara. Në fillim duhet të dish çfarë do, pastaj të dalësh atje jashtë dhe ta marrësh. Është një botë shumë e egër dhe duhet të luftosh shumë.
– Çfarë të mungon nga Peshkopia dhe në qoftë se do të jepet mundësia do të jetoje gjithmonë këtu?
– Nga Peshkopia më mungon qetësia, ajri i pastër dhe njerëzit mikpritës. Nëse do mundesha të ndiqja ëndrrën time, atje sigurisht që do jetoja. Unë jetoj atje ku janë ëndrrat e mia.

– Në qoftë se do të kishe shkopin magjik, cilat do të jenë 3 gjërat që do të bëje për vendlindjen?
– Gjëja e parë që do të bëja është “Rruga e Arbrit”, sepse është një mankth i vërtetë të ndash mendjen të vish në vendlindje dhe të mendosh që do të ecësh katër orë sipër një rruge të shkatërruar. Do i kisha kushtuar shumë rëndësi turizmit malor, pasi vendi jonë ka malin më të lartë në Ballkan, Korabin që është pak i promovuar. Dhe së fundi, do të kisha ndryshuar mentalitetin që ndrydh shumë femra për të ndjekur ëndrrat e tyre.

– Cili është mesazhi juaj për të rinjtë e Dibrës?
– Mendoj se të rinjtë dibranë janë më të zgjuarit e moshës së tyre dhe kanë edukatën, që nuk e ka rinia e shumë vendeve të tjera.
Gjithashtu, më pëlqen edhe fakti, që nuk janë të ç’thurur, siç janë të rinjtë e qyteteve të mëdha, por janë familjarë. Unë do t’u thoja vetëm një gjë: Fatkeqësia më e madhe është talenti i çuar dëm, ndaj zbukurojeni atë dhe punoni fort për të. Mos nguroni të guxoni sepse mund të fitoni ose të humbisni. Po nuk guxuat të humbur jeni, gjithsesi.