Shemsi Manjani – njeriu universal i sportit


Pasioni për sportin ka sfiduar vitet mbi supe, duke shënuar rekorde të jetës, si pjesëmarrës i turneve kombëtare dhe ndërkombëtare në moshën madhore…

Në vitin 1957 Shemsi Manjani pasi mbyll me sukses studimet e shkollës së lartë, rikthehet në vendlindje në qytetin e Peshkopisë.
Në vitin 1958, ai nis të riluajë me Korabin e atyre viteve, duke koleksionuar edhe suksesin e parë, pasi skuadra shpallet kampione duke fituar në Himarë dhe fiton të drejtën të luaj në kategorinë e dytë.

E kujtoj si një njeri serioz dhe tepër të përkushtuar, veçmas në rastet kur ishte protagonist në formacion dhe i besohej një përgjegjësi e tillë. Kështu e kam njohur edhe vite e vite më vonë, në punën e tij titanike për arsimin dibran, deri në ditët e sotme”…

Manjanët përfaqësojnë një nga trungjet më të mëdhenj të Homeshit e njëkohësisht një “dinasti sportive” më vete dhe me emra tepër të spikatur…
Mbi gjithçka ata kanë mbetur njerëz me virtyte e cilësi të larta, të nderuar e të respektuar si në profesionin e tyre të arsimtarit ashtu dhe në sport”.

Me Shemsi Manjanin, takimin e kishim lënë në orën 10, por ai si një prej atyre njerëzve që binjak në jetë kanë korrektesën, erdhi disa minuta më shpejt. Fillimisht nuk e njoha, sepse me një motor “Vespa” ecte shpejt dhe bukur, a thua se ishte në një moshë të re. Është 83-vjeç dhe është shpallur vespisti më i mirë në Shqipëri, prej shoqatës së motoristëve të motorit “Vespa” në 70-vjetorin e kësaj shoqate. Një lajm vërtet që të bën përshtypje, kur mëson prej tij se mosha aktuale është 83 vjeç. Një formë fizike për t’u admiruar, por edhe një kujtesë fenomenale që ja kisha zili. Ai rrëfen saktë, sikur gjërat kanë ndodhur vetëm para pak ditësh, ose muajsh dhe jo para gjashtë, apo shtatë dekadash. Në fakt qëllimi im, ishte rikthimi në vite dhe gjuha e fakteve të historisë së futbollit dibran, veçmas në vitet 60-61, kur ngjiste shkallët e cilësisë dhe Korabi bëhet pjesë e elitës së asokohe, pra brenda ekipeve të kategorisë së parë. Kjo për një arsye të thjeshtë, sepse për fatin e mirë, Shemsiu jeton dhe është një muze i gjallë i asaj historie, si një prej ish futbollistëve cilësore të formacionit të Korabit në vitet kur skuadra ishte në kategorinë e parë. Por cili është Shemsi Manjani, për ata që nuk e njohin pjesën sportive të tij, por kanë njohur më shumë atë pedagogjike dhe të drejtimit, si në seksionin e arsimit të dikurshëm, ashtu edhe në gazetën lokale “Ushtima e Maleve”.

Fillimi i një jete sportive

Zanafilla e tij me sportin, nis që në vitin e 3-të kur ishte nxënës në shkollën pedagogjike. Ishte viti 1951 dhe Manjani futet në ekipin përfaqësues të Dibrës në futboll, ekip që ishte krijuar vetëm një vit më parë. Një futbollist ndoshta jo shumë shtatlartë, por një mesfushor dhe gjysmësulmues tipik.
Pas dy vitesh, pra në vitin 1953, Shemsi Manjani shkon në shkollën e lartë në Tiranë. Dega e tij ishte gjuhë-letërsi, por pasioni për sportin, bënte që të luante njëherësh në disa lloj disiplinash sportive. Kësisoj ai bëhet pjesë e ekipit të shkollës, duke kontribuar njëherësh në futboll, volejboll dhe ping-pong. Manjani kujton sot me nostalgji, dy miqtë e mirë të tij, njëherësh dy emra personalitetesh të sportit shqiptar, Pandi Gëllçin dhe Pëllumb Pelivanin.

Rikthimi në Dibër dhe shpërthimi te Korabi

Në vitin 1957 Shemsi Manjani pasi mbyll me sukses studimet e shkollës së lartë, rikthehet në vendlindje në qytetin e Peshkopisë. Në vitin 1958, ai nis të riluajë me Korabin e atyre viteve, duke koleksionuar edhe suksesin e parë, pasi skuadra shpallet kampione duke fituar në Himarë dhe fiton të drejtën të luaj në kategorinë e dytë.
Por njëkohësisht Shemsiu kujton edhe duelet në volejboll, veçmas një ndeshje me Butrintin, ku dibranët humbën vetëm me një pikë diferencë. Mjaftoi ajo pikë, që Butrinti të ngjitej në elitë dhe të bënte ligjin për vite e vite me radhë edhe me Dinamon e famshme. Shemsiu kujton që lojtari i ndeshjes në atë ditë ishte Lutfi Manjani, një sportist shume cilësore që i kalonte kufijtë e parashikimit.

Suksesi i parë, ngjitja në kategorinë e dytë

Përmes një fotografie të ruajtur me shumë kujdes, Shemsi Manjani rikthen sot nostalgjinë e vitit 1958, kur ekipi i Korabit siguroj të drejtën për të luajtur në kategorinë e dytë. Në këtë foto, ai flet me respekt për emra konkret që nisen të gdhendin historinë e suksesit. Fiqiri Deliallisi, Sefedin Juniku, Xhevdet Tusha, Musa Bordulla, Hysen Biçaku, Shefki Hafizi, Xhemal Graceni, Mufit Begu, Hiqmet Elezi dhe Uran Besatari, janë protagonistët e një Korabi të ri, që ngjitet në kategorinë e dytë dhe më pas vijon udhëtimin tjetër, atë drejt kategorisë së parë. Shumë prej futbollistëve, bashkë me Shemsi Manjanin, ishin dibranë, por kishte edhe mjaft të ardhur, që përshtateshin bukur mes dibraneve të mirë dhe mikpritës.

Ngjitja në elite
dhe kujtimet e tij…

Në vitin 1960 skuadra e fitoi të drejtën të hyjë në një kategori më lart, por sipas tij ai kampionat u shty dhe u luajt më vonë, në vitet 1961-1962.
Duke i rikthyer në ato vite, Manjani kujton që asokohë kishte kundërshtarë mjeshtra të mëdhenj të futbollit, dy prej të cilëve kërkon t’i kujtojë edhe sot, veçmas Refik Resmën dhe Bert Jasharin. Madje me këtë të fundit, ai krijoi një raport të ngushtë shoqëror dhe miqësor, saqë e ruan akoma edhe sot. Korabi në kategorinë e parë rezervon kujtimet më të bukura të jetës së tij. Ditët e ndeshjeve ktheheshin në festë për gjithë Dibrën. Vinin edhe nga fshatrat dhe në qafën e pazarit Haxhi Gjapi, bashkë me disa dashamirës e tregtarë të tjerë, mblidhnin fonde dhe na bënin dhurata në rast fitoreje. Sidomos kur vinte “Partizani” e “Dinamo”, bëhej nami. S’kishe ku të hidhje as kokrrën e mollës.
Gjatë gjithë rrugës deri te fusha, shoqëroheshim nga qindra e mijëra njerëz. Populli sportdashës i Dibrës i gëzohej edhe ardhjes së yjeve të futbollit, si Panajot Pano. Ikjet e tij në fushën e lojës, ishin të shpejta dhe dinake. Të rrëshqiste si ngjalë. Natyrisht kishin nivel më të lartë se ne, por pasioni dhe sedra jonë ishte e admirueshme. Në skuadër portier kishim Elio Elinin, – kujton Shemsiu, një djalë simpatik nga Tirana që kishte cilësi mjaft të mira, ndërsa kapiten ishte i madhi Lutfi Mjanjani, që vërtet ishte një qendërmbrojtës i pakalueshëm. Nga Shijaku kishte ardhur tek ne Imer Muça, ndërsa dibranë ishim edhe unë, Taxhedin Shehu, Musa Bordulla dhe Islam Kosova. Njëra prej fotove që botohet në këtë shkrim, rikthen sot mallin edhe për emra të tjerë vërtet historik që kontribuan për Dibrën, si Nesti Xoxe, Hysen Biçaku, Tomorr Gjoka, apo Petrit Llagami. Fjalë të mira Shemsiu kërkon të pohojë për trajnerin Vasfi Biçakun, arkitektin e një Korabi të vogël që bëri historinë e madhe.

Ping-pongu, sporti
që edhe sot e ushtron

Të duket disi e pabesueshme, por edhe edhe mbas moshës 75-vjeçare Shemsiu luajti ping-pong, duke qenë pjesëmarrës në turneun ndërkombëtar që shoqata e Pensionistëve realizoi disa vite brenda dhe jashtë vendit. Luajti bukur dhe shpejt dhe ruan me fanatizëm reflekset që ky sport të mundëson. Lëvizjet e tij edhe sot janë si të një djaloshi, duke sfiduar moshën dhe vitet mbi shpatulla. Ka fituar Çertifikata Nderi në Prishtinë, Dibër dhe Korçë. Një sport të tillë, ai e ushtronte edhe kur ishte i ri, veçmas në vitet studentore, por edhe më pas në Peshkopi. Shemsiu, Lutfi Manjani dhe Shkëlqim Hoxha, ishin një treshe shumë cilësore që mateshin në rang kombëtar. Tek i shoh diplomat e fituara vitet e fundit, krijoi bindjen që pikërisht ky mentalitet fituesi dhe ky pasion, kanë mbetur tek Shemsiu, si në rininë e tij, kur ushtronte njëherësh tre sporte, futboll, volejboll dhe ping-pong.

Teuta dhe Andi, dy emra,
që nderojnë një emër!

Vajza dhe nipi, të duket se ruajnë emrin e bukur të krijuar nga babai dhe gjyshi i tyre. Teuta Manjani, mbahet mend prej të gjithëve si një ish kampione e sportit të bukur të shahut. Fillimet e Teutës janë si volejbolliste me ekipin e Korabit, nga viti 1975 deri në vitin 1978. Por në verën e vitit ’78, merr pjesë në kampionatin kombëtar të shahut, duke krijuar kësisoj shkëputjen nga sporti i rrjetës dhe bëhet pjesë e kampionateve të sportit të shahut. Shkëlqimi i saj është i menjëhershëm dhe në dy vite radhas, pra 1978 dhe 1979, shpallet kampione kombëtare në shah për femra. Por të njëjtin sukses thuajse ajo e arriti edhe në vitin 1983, kur me pikë të barabarta me vendin e parë, vetëm për koefiçient, renditet e dyta në Shqipëri. Falë kontributit të saj, ajo bëri që Korabi në vitin 1984 të fitonte medalje bronzi në një veprimtari ndërkombëtare. Por kënaqësia e Shemsiut nuk është vetëm si baba, por edhe si gjysh. Andi, është një djalë i talentuar i cili luan futboll në Shkup, atje ku jeton familja e nënës së tij Teuta Lala Manjani. Nisma që ai të merrej me futboll, kishte emrin e gjysh Shemsiut që vërtet ndihet shumë i lumtur për këtë aktivizim të tij. Duke shkuar me ekipin që stërvitet në Shkup e ndeshur me moshatarët e tij në Holandë dhe vende të tjera.
Tre Mjanjanët!

Duke u rikthyer në historinë sportive të atyre viteve, të bën përshtypje fakti që Korabi, kishte në gjirin e tij dy djem me mbiemër të njëjtë që kishin lidhje gjaku dhe vëllazërie me njëri-tjetrin.
Natyrisht që më i miri, ishte Lutfi Mjanjani, një djalosh tejet i guximshëm, që kishte një sedër të jashtëzakonshme dhe e kishte të vështirë të pranonte humbjen.
Edhe ai ishte një universal në sport, tek e shihje të kontribuonte edhe në sporte të tjera jashtë futbollit, si volejboll, atletike, shah, ping-pong etj. Shemsiu e pohon që Luti ishte ajka e Mjanjanëve të sportit, ndërsa Rizai ishte disi më ndryshe. Gjithsesi treshja e Manjanëve, përbënte një rast unik në sportin dibrane, duke gëzuar respektin e sportdashësve që e respektonin këtë trio simpatike dhe vlerësonin rolin e tyre familjare te Korabi.

Bexhet Shehu: “Ishte serioz
dhe i përkushtuar”!

Njëri nga bashkëkohësit dhe miqtë e tij të afërt, që edhe sporti i lidhi po kaq, është edhe profesor Bexhet Shehu, emri i të cilit në futbollin dibran, është vërtet një emblemë.
Tek e merr në telefon dhe e pyet për Shemsiun, përgjigja e parë jo vetëm është pozitive, por të thotë që kam aq shumë gjëra që dua të kujtoj, saqë e kam të vështirë të zgjedh…
…- “Me Shemsiun njihemi prej kohësh, që kur ishim konviktorë. Ishte disa vite para meje. Kishte një vullnet të admirueshëm, së bashku me dy kushërinjtë e tij, Rizain dhe Lutfiun. Përbënin një treshe nga rrethinat e Peshkopisë, që luanin vërtet një futboll të mirë. Koha është e largët dhe vështirë të mbahen mend saktë të gjitha gjërat. Por pas vitit 1958 kujtoj që ai luante në mesfushë, por mbaj mend që ruante me kujdes edhe në mbrojtje. Lutfiu ishte më i fortë, por Shemsiu e vlerësonte mjaft të qenin lojtar formacioni dhe luftonte shumë në fushë. E kujtoj si një njeri serioz dhe tepër të përkushtuar, veçmas në rastet kur ishte protagonist në formacion dhe i besohej një përgjegjësi e tillë. Kështu e kam njohur edhe vite e vite më vonë, në punën e tij titanike për arsimin dibran, deri në ditët e sotme”…mbyll vlerësimin e tij profesor Bexhet Shehu 80- vjeçari, që në numrin tjetër do të jetë i pranishëm në këtë gazetë me profilin e tij.
Përfundoi duke përmendur me shkurtime një vlerësim të gazetarit sportiv, komentatorit të njohur Ismet Bellova, ish-shok klase dikur me Shemsiun në librin e tij “Dibra sportive”: …. “Sa për sportin Homeshi mund të quhet pa ndrojtje fshat sportiv. Manjanët përfaqësojnë një nga trungjet më të mëdhenj të Homeshit e njëkohësisht një “dinasti sportive” më vete dhe me emra tepër të spikatur…
Mbi gjithçka ata kanë mbetur njerëz me virtyte e cilësi të larta, të nderuar e të respektuar si në profesionin e tyre të arsimtarit ashtu dhe në sport”.