“Rruga e Arbrit” apo “Rruga e Sizifit”?!


Kanë kaluar tashmë 20 vjet, që nga peticioni i parë i intelektualëve dibranë drejtuar qeverisë së Shqipërisë, ku argumentohej nevoja e domosdoshme e ndërtimit të «Rrugës së Arbrit», në kontekstin e zhvillimeve gjeo-strategjike të vendit dhe rajonit. Gjatë këtyre 20 viteve, është bërë studimi i fizibilitetit dhe projekti (jo i plotë) i rrugës, është mbajtur në Tiranë një Kuvend Kombëtar mbi Rrugën e Arbrit (2007), janë shkruar dhjetra artikuj mbi këtë rrugë dhe potencialet e saj, janë bërë emisione në Radio&TV dhe janë sjellë argumente të shumtë mbi domosdoshmërinë historike të ndërtimit të saj! Megjithatë, duke e parë se përpjekjet e dibranëve për ndërtimin e «Rrugës së Arbrit», i ngjajnë «mundimeve të Sizifit», po e rishtroj këtë çështje, duke e plotësuar atë edhe me një vështrim të shkurtër arkeologjiko-historik, me shpresën për të ndikuar sadopak tek organet vendimarrëse dhe dëshirën për t’i ndihmuar njerëzit të kuptojnë se në një sistem demokratik, janë vetë ata që e kanë në dorë fatin e tyre dhe të rrugës së tyre dhe jo «Sizifët» që vijnë e shkojnë!
Tek të gjithë ato që nuk kanë shkelur në Dibër, ekziston mendimi se ajo përfaqëson një krahinë të thellë e të izoluar malore. Ky mendim pati mbizotëruar edhe në qarqet më të larta shtetërore të diktaturës, të cilët e trajtuan Dibrën si një provincë të thellë e të prapambetur malore dhe e izoluan atë në mënyrë sistematike. Ky izolim, për fat të keq, vazhdone ende, përderisa politika po e shtyn për në kalendat greke, ndërtimin e „Rrugës së Arbrit“, kërkesës së vetme të dibranëve të të dy Dibrave në këto 25 vjet!. Por për ne që jetojmë në Dibër, dhe për të gjithë ata që origjina i lidh me këtë krahinë, mendimi i mësipërm nuk është krejtësisht i saktë. E vetmja e vërtetë e tij, është fakti, që në këtë krahinë mbizotëron relievi malor. Por me një frymëmarje të lirë komunikuese. Megjithëse malet zënë ¾ e sipërfaqes krahina e Dibrës nuk është e izoluar nga viset fqinje e ato më të largëta. Kjo gjë i detyrohet përshkimit të saj nga lumi i Drinit të Zi dhe bashkërrjedhësit e tij, që kanë përthyer prevalencën malore të terrenit, kanë krijuar dy pellgjet më të mëdha dhe të begatë të tij, atë të Dibrës dhe të Peshkopisë, dhe kanë përcaktuar vetitë komunikuese të rajonit tonë me viset fqinje e ato më të largëta. Duke pas atributet e një arterie me aks thuajse meridional, së bashku me degëzimet tërthore të Radikës, Drinit të Bardhë e afluentëve të tjerë, ky depresion lumor mori që në prehistori funksionin e një tranversaleje të rëndësishme ekonomike e kulturore me përmasa ballkanike. Nëpërmjet luginës së këtij lumi, rajoni ynë lidhej me pellget e Ohrit dhe të Korçës në jug dhe atë të Kukësit në veri, ndërsa përgjatë luginës së Drinit të Bardhë në verilindje me Rrafshin e Dukagjinit, Fushë Kosovën dhe më tej me Ballkanin Qëndror. Në lindje lumi i Radikës e lidh atë me sistemin Moravë-Vardar dhe rrugët që hapen përgjatë tyre deri në Pelagoni, Maqedoninë Egjeane, Ballkanin Lindor e Thesali, ndërsa në perëndim, nëpërmjet Qafës së Buallit dhe asaj të Murrës, ai lidhet me pellgun e Matit dhe viset bregdetare. Është pikërisht ky pozicion gjeo-hapsinor i rajonit të Dibrës, që ka përcaktuar edhe rrugët tradicionale të tij nga jugu dhe veriu, nga lindja dhe perëndimi. Që nga viti 1913, kur Dibra, ashtu si dhe Shqipëria ishte ndarë më dysh nga të fuqishmit e Europës, porta e vetme perëndimore e Dibrës londineze ishte rruga që kalonte nëpër Qafën e Buallit. Në drejtimin Qafa e Buallit-Peshkopi, kjo rrugë kalonte kryesisht nëpër trasenë e dikurshme të “Rrugës së Arbrit”.
Pak histori
«Rruga e Arbrit», është rruga e tretë antiko-mesjetare më e rëndësishme në hapësirën shqiptare, pas Via Egnatias dhe asaj Lissus-Naissus, një rrugë e shkurtër dhe mjaft strategjike që lidhte Adriatikun me brendësinë kontinentale të Ballkanit, ose Dibrën me Dyrrahun. I ardhur në portin e Dyrrahut, udhëtarit antik, që duhej të përshkonte këtë rrugë, i duhej të kalonte në linjën Durrës-Tiranë-Zall-Bastar-Zall-Dajt-Tujan- Qafë-Murrize-Guri i Bardhë-Ura e Vashës- Plan i Bardhë-Qafa e Buallit-Bulqizë- Ura e Qytetit (ku gjenden rrënojat e qyetit mesjetar të Geties)-Ura e Çerenecit-Gjoricë-Dibër e Madhe. Vazhdimi i saj në FYROM nga qyteti i Dibrës ndjek luginën e Radikës(Rekë) deri në Qafë-Mavrovë, përshkon Pollogun dhe linjën Gostivar-Tetovë-Shkup, në një distancë të përgjithshme Tiranë-Shkup rreth 210km. Kjo ka qenë rruga tradicionale e Dibrës, e rrahur të paktën që nga shek. V para Kr. siç dëshmojnë zbulimi i dy përkrenareve prej bronzi të tipit ilir si dhe disa enëve me vërnik të zi të Dyrrahut në Sofraçan1, buzë zallit të Bulqizës, nga kalonte kjo rrugë. Ajo mori trajtën e një rruge të vërtetë që në periudhën antike ilire, përkatësisht në shek. II -I para Kr, dhe veçanërisht në periudhën e hershme perandorake (shek. I-II pas Kr.), kur u përdor nga perandoria për qëllime ushtarake. Si dëshmi për këtë është sjellë edhe emri “Mansaj” i një lagjeje në Gur të Bardhë si mbetje toponimike e stacionit rrugor (« mansio ») të periudhës romake2. Rruga i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë në shek. XI pas Kr nga perandoria bizantine, përkatësisht gjatë dinastisë së Komnenëve, të cilët e përdorën atë si rrugën më të shkurtër natyrore, më të mbrojtur dhe më strategjike për të dalë nga Adriatiku në Ballkanin Qëndror e atë Lindor, ku interesat e perandorisë në këtë kohë kërkonin neutralizimin e orekseve ekspansioniste të shtetit mesjetar bullgar. Është shkrimtarja bizantine Ana Komnena, vajza e perandorit Aleksi I Komnen (1081- 1118), që në veprën e saj “Aleksiada”3, përmend për të parën herë rrugën që ndiqnin ushtritë bizantine, pasi zbarkonin në Durrës, për të dalë në trojet e Arbrit. Kjo ishte “Rruga e Arbrit”, që përshkonte viset e Arbrit nga perëndimi në lindje, për të dalë në Ballkanin Lindor. Sipas burimeve historike antike dhe bizantine, viset e Arbrit shtriheshin midis Durrësit dhe Dibrës, ku në shek. II pas Kr. banonin « Albanët » sipas Ptolemeut, dhe në shek. XI pas Kr. « Arbrit » sipas M. Ataliatit. Inxhinierët ushtarakë të perandorisë kishin studiuar me hollësi viset e Arbrit dhe kishin përzgjedhur pikërisht trasenë e kësaj rruge, për vlerat e saj topografike dhe gjeostrategjike. Kanë kaluar mbi 900 vjet nga koha kur u rindërtua kjo rrugë mbi bazën e një traseje më të hershme ilire! Rruga shfytëzohet gjërësisht gjatë mesjetës si rrugë e sigurtë strategjke dhe ushtarake. Nëpër këtë rrugë kaluan ushtri të ndryshme bizantine, madje edhe ushtria normane e Boemundit për pushtimin e tokave të rajonit të Dibrës, Pollogut dhe Shkupit (viti 1107)4, ndërsa në vitin 1257 ushtria bizantine nën drejtimin e Gjergj Akropolitit5, marshoi nëpër këtë rrugë për të shtypur kryengritjen e popullësisë arbëreshe të zonës së Dibrës. Gj. Akropoliti ka shënuar se “duke u nisur nga Durrësi dhe duke kaluar nga vendet e Kunavisë si dhe duke kaluar malin, të cilin vendasit e quajnë Kaqi Petra shkova në krahinat e Matit dhe prej këndej arrita në Dibër”6. Ajo pasqyrohet si rrugë e rëndësishme edhe në regjistrin kadastral osman të marsit 1467 dhe atë të vitit 1583, ku përmenden disa fshatra të quajtura “dervenë”, që kishin detyrim ruajtjen dhe mirëmbajtjen e rrugës. « Rruga e Arbrit » vazhdon të përdoret gjatë gjithë periudhës së mesjetës, asaj të Rilindjes dhe të Pavarësisë deri në kohën e mbretërisë së parë shqiptare, madje ajo është përdorur deri vonë për qëllime ushtarake. Aksi i kësaj rruge ruan trakte të shtruar me kalldrëm, si dhe disa ura, prej të cilave vlen të përmendet Ura e Vashës (Klos). Në funksion të saj ishin ngritur edhe hane për të kaluar natën, të ngjashme me stacionet rrugore romake, si Hani i Toskës tek Ura e Qytetit në hyrje të Fushë-Bulqizës, Hani i Murrizit në Gur të Bardhë, Hani i Zall-Dajtit në Malësinë e Tiranës etj. Në Tiranë ajo njihet edhe sot me emrin “Rruga e Dibrës” dhe përfaqëson një nga 4 rrugët kryesore të kryeqytetit. Me ndërtimin e rrugës së re interurbane në vitet 30’ të shekullit të kaluar, që lidhte Tiranën me Dibrën, e cila ndjek tjetër linjë, rruga e mësipërme e humbi gradualisht funksionin e saj. Megjithatë « Rruga e Arbrit » mbetet rruga më e shkurtër dhe më strategjike, që lidh Dibrën dhe viset e Shqipërisë Lindore me Tiranën dhe Adriatikun Lindor dhe përfaqëson tranversalen më të rëndësishme ballkanike ose koridorin që lidh Adriatikun me Detin e Zi. Ndërtimi i rrugës së re Tiranë-Dibër, ose « Rrugës së Arbrit », përbën një imperativ të zhvillimeve të sotme integruese. Nëpërmjet kësaj rruge erdhën në Tiranë me mijëra dibranë, të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre në Dibrën Madhe e rrethinë prej politikës genocidiste dhe masakrave çnjerëzore serbe gjatë luftrave Ballkanike (1912-1913) dhe Luftës I Botërore (1914-1918). Deri në mbarim të Luftës I Botërore dhe çlirimit të Dibrës londineze(1921), kanë ndodhur dy valë të mëdha migruese të dibranëve, të lidhura me vitet 1913 dhe 1918-1921, të njohura në tradicionin popullor si “Muhaxhirllëku i parë” dhe “Muhaxhirllëku i dytë”. Dibranët u vendosën në disa zona të Tiranës, por pjesa më e madhe e tyre krijuan “Mëhallën e Dibranëve”, të lokalizuar aty ku sot është “Shkolla e Kuqe” dhe në afërsi të “Xhamllëkut”. Sipas të dhënave të shtypit periodik, nga “Mëhalla e Dibranëve” sot në Tiranë jetojnë afro 80.000 banorë me prejardhje nga Dibra7. Ende mbahen mend shtëpitë e tyre karakteristike një ose dykatëshe, me oxhaqe, me puse dhe obore të pastër dhe të mbushur me trëndafilë, me avlli të lyera me gëlqere, dhe rrugica të shtruara me kalldrëm, të cilat çdo mëngjez herët, spërkateshin me ujë dhe pastroheshin nga vashat e reja apo nuset e shtëpisë. Banorët autoktonë të Tiranës i pranuan me lehtësi dibranët migratorë, jo vetëm pse ata ishin mjaft korrekt dhe e paguan me flori çdo pëllëmbë toke të blerë, por edhe pse sollën një kulturë të re jetese, që gradualisht u përqafua edhe prej vendasve. Dibranët e ardhur në Tiranë u dalluan si njerëz të thjeshtë, të ndershëm dhe bujar, të përkushtuar ndaj punës dhe familjes, tipare që ua lehtësuan integrimin në vendbanimin e ri. Aq i plotë ishte ky integrim, sa që shumë shpejt miqësitë u përforcuan me anë martesash midis migratorëve dhe vendasve, ndërsa brezi i dytë dhe i tretë i dibranëve, në shumicë janë të martuar me banorë autokton të Tiranës. Duke folur për dibranët e Tiranës, Prof. dr. Aran Fuga, ka postuar në rrjetet sociale shënimin: «Dibranët e meritojnë të afrohen me Tiranën, se familjet e tyre e kanë mbajtur gjallë kulturën tiranase, duke qenë banorë të hershëm të saj, çfarë populli, çfarë familjesh, çfarë miqsh! Pa zë, plot mençuri, të thjeshtë, besnik, pastërtorë, familjarë të mirë, solidarë, besimtarë në vlera. Nuk thoshin kot »Ke dibranët!». »Mëhalla e Dibranëve» dhe «Rruga e Dibrës» janë dy toponime aq të njohura prej më se 100 vjetësh në Tiranë dhe janë pjesë organike e kryeqytetit shqiptar.
Periudha komuniste (1944-1991) : Bulqiza dhe kromi
Bulqiza është e identifikuar me kromin dhe minierën e tij, fillimet e të cilës datojnë në 18 shkurtin e vitit 19488, kur shënohet edhe lindja e qytetit të Bulqizës. Miniera e Bulqizës, më e madhja e këtij lloj në Shqipëri, deri në vitin 1990 jepte 32-37% të GDP9. Ajo njihet në literaturën botërore si një nga vendburimet më të pasura të kromit, që e rradhisin Shqipërinë në vendin II në botë për rezervat e kromit. Nga miniera e Bulqizës kromi dërgohej në portin e Durrësit, prej ku eksportohej nëpër botë! Pasi “kromi çante bllokadën”, dhe sillte të ardhurat më të mëdha të buxhetit të shtetit shqiptar! Atëherë Bulqizës dhe kromit i qe kushtuar dhe një këngë, e kënduar mjeshtërisht nga virtuozi Qemal Kartusha: “Që nga Durrësi në Bulqizë, rrugë e gjatë gjarpëron, më ngadalë se bagëtia, i ka mbushur rrugët plot!” dhe refreni: ”Tý tý tý, bie boria, skoda ime fluturon, mos u trembni dhent’ e mia, skoda ime ju don fort!”. Megjithëse nga Bulqiza nxirrej krom pa pushim në 24 orë dhe miniera u shfrytëzua në mënyrë barbare, askush nga qeveria nuk u kujtua që kjo zonë të paktën e merritonte një rrugë për të qenë! Askush nga qeveria nuk u kujtua për t’ua lehtësuar rrugën e vështirë, të paktën shoferëve heronjë të skodave, që udhëtonin ditën dhe natën nga Bulqiza në Durrës dhe anasjelltas! Në rrugë të ngushta, gjithë kthesa, plot humnera dhe rreziqe! Në një shkrim brilant mbi Rrugën e Arbrit, shkrimtari Agron Tufa ka shënuar se “të gjithë ata që i kanë rënë kryq e tërthor Ballkanit e dinë se nuk gjendet kund mbi faqe të dheut rrugë më e rrezikshme, rrugë më e keqe, më e gjatë e më e vështirë se rruga torturuese Tiranë-Peshkopi”10. Pa frikë teprimi, mund të thuhet se kjo është rruga më e vështirë dhe më e rrezikshme në Europë! Megjithatë, gjatë 50 viteve të regjimit komunist, për Bulqizën dhe Dibrën nuk u ndërtua asnjë rrugë për të qenë! Qeveria komuniste e trajtoi Dibrën dhe Bulqizën gati si koloni, duke i shfrytëzuar deri në palcë, duke u marrë gjithçka duke u dhënë fare pak, vetëm “bukën e përditshme” sa për të mbajtur frymën! Sipas të dhënave të shtypit sasia vjetore e xeherorit të kromit të nxjerrë nga Bulqiza ka arritur në 250.000 ton/ vit11, ndërsa sipas burimeve të tjera kjo sasi shkonte deri në 1 milion ton/vit12. Absurdi shtohej nga fakti se ndërsa ndërtoheshin rrugë të gjëra në vise të tjera të Shqipërisë, me fondet që buronin në shumicë nga kromi i Bulqizës, për rrugën e Bulqizës dhe të Dibrës nuk jepej asnjë cent! Dhe vargu i skodave udhëtonte çdo ditë dhe natë nga Bulqiza në Durrës dhe anasjelltas! Me miliona ton krom janë marrë nga Bulqiza dhe janë eksportuar nëpër botë! E ndërsa kromi konvertohej në florinj për shtetin shqiptar, minatorët e Bulqizës vuanin (dhe vazhdojnë të vuajnë)(!) nga skamja! Po ashtu, janë marrë nga Dibra me mijra ton mermer, me mijëra ton mollë, kumbulla, qershi, fruta të konservuara, reçelna të shumëllojshme, me mijëra ton patate, fasule, mish, gjalpë, djath etj! I gjith ky mall i Dibrës transportohej në rrugë pa rrugë, gjithë kthesa e rreziqe, që jo pak herë kanë marrë jetë njerëzish! Edhe pse Dibra përfaqësonte një nga rajonet me potenciale të fuqishme natyrore, dhe një vend i begatshëm për jetesë, ishte izoluar qëllimshëm nga regjimi komunist!. Edhe përpjekja e viteve 70’ të shekullit të kaluar, për zgjerimin e rrugës Bulqizë-Peshkopi, me nismën e Ministrit të Ndërtimit, dibranit të mirë, z. Rahman Hanku, ishte ndërprerë nga hakërrimi i vrerosur i Kryeministrit të atëhershëm! Vetëm në vitet e fundit të komunizmit, qeveria u kujtua se duhej investuar diçka në këtë drejtim, me fillimin e punimeve të hekurudhës së papërfunduar “Milot-Rëshen-Klos”. Lugina e Bulqizës ka shërbyer që kur u krijua jeta mbi tokë si koridor i rëndësishëm natyror për të lidhur pellgun e Dibrës me Adriatikun, përgjatë vijës ku është ndërtuar nga Bizanti “Rruga e Arbrit”. Ndërsa nga Qafa e Buallit në Peshkopi, rruga ndjek përgjithësisht trasenë e rrugës antiko-mesjetare të Arbrit, në pjesën tjetër të rrugës në perëndim të kësaj qafe, pra në rrugën nga Qafa e Buallit në Tiranë, rruga ndjek tjetër kahje. Në 70 vitet e fundit, dibranët duhej të bënin një trajektore të gjatë, të pakuptimtë dhe rraskapitëse, duke përshkuar mes për mes rrethet e Matit (Qafë-Buall-Klos-Burrel-Baz-Bushkash-Ulëz- Shkopet), Kurbinit (Milot-Laç-Sanxhak), Krujës (Thumanë-Fushë Krujë,Tapizë) për të arritur më në fund pas 6-7 orësh të lodhshme në Kamëz, Laprakë dhe Tiranë!
Periudha postkomuniste (1992-2016)
Periudha e diktaturës komuniste dhe ajo postkomuniste dallohen nga dy koncepte të ndryshme lidhur me infrastrukturën rrugore. Ndërsa gjatë periudhës së parë, synohej përshkimi i sa më shumë qendrave të banuara nga rruga nacionale ose kalimi i saj afër tyre (karakteristikë e vendeve të varfëra të botës), gjatë periudhës së dytë, synohet që rruga nacionale apo ndërqytetëse të kalojë nëpër linja të drejta, në distancat më të shkurtëra të mundshme! Ky koncept modern, që kursen kohë, karburant dhe mjete të tjera, kthehet në një mundësi potenciale që pret të materializohet, sidomos në rastet kur egziston një trase e kahershme e rrugës, siç është në rastin tonë, traseja e Rrugës së Arbrit. Duke marrë si pikë referimi kohën e sundimit të Aleksit I Komnen (1081-1118), kur kjo rrugë u rindërtua dhe u bë një nga arteriet më të rëndësishme dhe strategjike të perandorisë në Ballkan, rezulton se ajo tashmë i ka mbushur plot 900 vjet të egzistencës së saj!
Për të parën herë çështja e ndërtimit të Rrugës së Arbrit, është shtruar mediatikisht nga publiçisti Hysen Uka, një nga mbështetësit më energjik të saj, në një kronikë për Radio Tiranën, me 8 tetor 1995!
Ishte janari i vitit 1996 kur një grup prej 46 intelektualësh dibranë, i dërguan qeverisë peticionin e parë për ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”, një faksmile e të cilit është botuar kohët e fundit nga Abdurahim Ashiku edhe në shtypin periodik . Fillimi qe shpresëdhënës, pasi disa muaj më vonë qeveria Meksi miratoi një vendim për nisjen e studimit të fizibilitetit për 5 rrugë kryesore në vend, përfshirë dhe atë të Dibrës, por pa e cilësuar atë me përcaktorin “Rruga e Arbrit”! Duhet thënë se në atë kohë, kishim një dozë të lartë idealizmi dhe besimi se qeveritë e zgjedhura demokratikisht e kanë për detyrë të orientojnë politikat zhvillimore të vendit në drejtimet më të rëndësishme, ku pa asnjë dyshim, duhej përfshirë ndërtimi i “Rrugës së Arbrit”! Por viti i mbrapshtë 1997 përmbysi gjithçka, aq sa ndërtimi i kësaj rruge dukej atëhere si një luks i paarritshëm! Megjithatë, ëndrra e dibranëve vazhdon, presioni rritet dhe më 18 mars 2013, inicohet edhe një peticion online nga profesori dibran Gëzim Alpion (Londër), menjëherë i mbështetur nga dhjetra mijëra dibranë, brenda dhe jashtë Shqipërisë! Ndërkaq projekti i kësaj rruge në shumicën e gjatësisë së saj, është hartuar nga ing. dibran z. Faruk Kaba. Ndërsa rruga aktuale Peshkopi-Tiranë (megjithë shkurtimet nga rruga Tiranë-Shkodër) është 174km dhe zgjat 4-5 orë, rruga e re Tiranë-Dibër përgjatë Rrugës së Arbrit do të jetë 72.6-75km, dmth 100km më e shkurtër dhe udhëtimi do të zgjasë vetëm 1.5 orë!
Loti i parë i kësaj rruge në Fushë-Bulqizë, një lot fare i shkurtër, vetëm 100m, tërësisht elektoral, kishte filluar nga qeveria Nano në qershor 2005, vetëm një muaj para zgjedhjeve parlamentare të korrikut 2005! Por fillimi i vërtetë i saj lidhet me vitin 2007 dhe u intensifikua në vitet 2008- 2009, kur u plotësua loti “Bulqizë-Ura e Qytetit” dhe lotet “Ura e Qytetit-Krajkë”, “Sofraçan-Çerenec” dhe “Maqellarë-Herbel”. Pavarësisht se lotet e mësipërme ishin jashtë parametrave të kërkuara nga një rrugë e këtij standarti, u krijua bindja se qeveria Berisha do të përfundonte ndërtimin e “Rrugës së Arbrit”! Sipas projektit të miratuar nga Këshilli i Ministrave në shtator 2008, parashihej përfundimi i saj në vitin 2013. Në atë kohë të gjithë besonim se sapo të mbarohej Rruga Durrës-Morinë, maqineritë e rënda të kompanisë “Bechtel Enka”, “që e hanin malin si mollë”, do të silleshin në “Rrugën e Arbrit” për të hapur tunelin e Qafë-Murrizit dhe atë të Qafë Buallit, gjë që për fat të keq, nuk ndodhi! Gjatë mandatit të dytë të qeverisë Berisha (2009-2013) u vazhdua me hapjen e trasesë së lotit “Qafë-Buall-Plan i Bardhë-Ura e Vashës”, hapjen e tunelit të Qafë-Buallit (kuota e të cilit u ndryshua padrejtësisht nga ajo e parashikuar në projekt) dhe u punua me lotin “Tiranë-Zall-Bastar”. Kur të gjithë prisnim me padurim të hapej tuneli i Qafë Murrizit, dhe të ndërtohej Ura e Madhe që bashkon kanionin midis Klosit dhe Planit të Bardhë, ndoshta vepra më e vështirë inxhinierike e kësaj rruge, krejt papritur, me një vendim të pakuptueshëm të qeverisë Berisha, të gjitha fondet dhe forcat qeveritare u çvendosën tek tuneli i Qafë-Krrabës dhe rrugës së re Tiranë-Elbasan! Gjithësesi, mosndërtimi i kësaj rruge, shkon në faturën e mosrealizimeve të qeverisë së mëparshme. Qeveria aktuale nuk ka dhënë deri më sot as shenjën minimale se do të mbaj premtimin ndaj dibranëve në vitin 2013 se “sapo të vinte në pushtet do të bënte realitet ëndrrën e tyre dhe do të ndërtonte më në fund “RRUGËN E ARBRIT”! Kryeministri aktual kishte deklaruar se e shihte «Rrugën e Arbrit» «si një projekt kombëtar shumë të rëndësishëm për Shqipërinë» dhe kishte përsëritur tri herë, se në se do të fitonte, prioritet i qeverisë së tij do të ishte: «Rruga e Arbrit, Rruga e Arbrit, Rruga e Arbrit!», të cilën do ta përfundonte «brenda mandatit të parë qeverisës!». Përkundrazi, tani pas më shumë se tre vjetësh, qeveritarët “rilindas” pohojnë se nuk e kanë ndërmend ndërtimin e kësaj rruge, pasi “kushton shumë!” dhe se gjithçka që është thënë, ka qenë thjesht një mashtrim elektoral! Këtë deklaratë cinike, e lexoi në interpelancën parlamentare të 9 qershorit 2016 në Kuvendin e Shqipërisë, me qetësi dhe dashuri, ish ministri i kollarisur i transporteve, mësuesi i anglishtes Haxhinasto! Pa u skuqur dhe pa u zverdhur, pa iu dridhur zëri dhe pa i lëvizuar asnjë nerv në fytyrën e mbushur dhe të lëmuar! Duket se ai e kishte harruar kohën kur udhëtonte edhe vetë në rrugën Tiranë-Peshkopi, si mësues i anglishtes në fshatin Grevë të Peshkopisë.