Erduan Kllobuçishta: zbuloni pasionin dhe bëni ndryshimin!


– Erduan, ju jeni psikolog dhe keni punuar disa vite si pedagog, hartues dhe zbatues i disa projekteve në organizata të mëdha, dhe je vetëm 29 vjeç. Si mundet të korrësh një tërësi suksesesh në kaq pak kohe?
– Po është e vërtetë. Ka të bëj me individin, me faktorin social dhe tek çdo njeri kjo shfaqet në nivele të ndryshme. Personalisht, çdo herë kam nisur me idenë se çfarë duhet të ndryshoj tek vetja dhe cilat janë nevojat në rrethin në të cilin unë gjendem. Arritjet e mia sado që të jenë, në fund përkufizohen si gjetje të mundësive reale në bazë të nevojave që ne kemi në shoqërinë ku ne ndodhemi. Shpeshherë gjërat e mëdha nuk maten me vite, por me aftësinë për të bërë gjërat në mënyrë sa më efektive dhe produktive. Nuk kam parë si diçka të pamundur. Fjala e pamundur është në fjalorin e të paditurit. Mendoj se njeriu me vullnet dhe përkushtim mund t’ja arrijë çfarë do që të jetë, por varet se çfarë qëllimi individi i ka vendosur vetes në jetën e tij.
Qëllimi i suksesit tim nuk është të nxjerr në treg produktin, por të nxjerr vlerën e saj në jetën tonë. Nuk duhet menduar shumë suksesi sepse nëse ndodh kjo, në anën tjetër mendon dhe dështimin. Nëse ti mendon se rrethanat që ti ndodhesh janë faktor i dështimit tënd, ato janë duke të kontrolluar ty. Qëllimi është të sfidosh dhe zotërosh atë që quhet e pamundur. Por ajo që me intereson në të tanishmen dhe të ardhmen është progresi, dhe të parit gjërat në një perspektivë tjetër. Çdo gjë është e mundur kur ke pasion.

– Çfarë përfaqëson Erduani larg profesionit të tij? Kush është ai?
Më pëlqen të lexoj jashtë profesionit libra të ndryshëm, romane, sidomos nga fusha e biznesit. E kam pasion udhëtimin dhe shpesh praktikoj turizmin malor. Di të them se çfarë jam i aftë të bëj. Se kush jam nuk di të të them saktësisht, jeta jonë është një proces ndryshimi. Çdo moment që kalon ndërton fatin tënd, ndërton karakterin tënd. Jeta është transformim, kalim nga një gjendje tek një gjendje tjetër. “Se kush jam”, definohet me gjendjen se sa mirë ndjehesh me veten tënde, se sa mirë të tjerët ndjehen me ty. Ne kemi polaritete në veten tonë. Shfaqemi ndryshe në rrethana të ndryshme. Nuk mund ta përcaktoj fatin tim thjeshtë nga një moment apo rrethanë të caktuar. Jam akoma në kërkim të vetes…

– Gjatë gjithë kësaj rruge normalisht që ke pasur dhe pengesa apo vështirësi. Cilat kanë qenë disa nga ato?
– Normalisht se dështimet janë ato që faktorizojnë suksesin tënd. Por në rastin tim, dua të them se nuk ekzistojnë dështimet, por mësime dhe leksione nga to. Më shumë se sa dështimet në profesionin e psikologut, ka të bëj me aplikueshmërinë e saj në shoqërinë tonë. Vetëdijësimi është në ngritje e sipër, por akoma do kohë që të arrihet një kuptim i duhur në shoqërinë tonë për këtë profesion.

– Cila ka qenë puna qe të falte më shume emocion.
– Të qenurit një pedagog është një “luks” intelektual dhe ti jepet dikujt në moshë të hershme është një përvojë e pazëvendësueshme. Në përvojën time rol parësor luan individi, si i tillë edhe studenti për mua ka luajtur një rol të rëndësishëm.

– Një pjesë e madhe të rinjve kanë perspektivë të studiojnë për psikologji. Çfarë do t’u sugjeroje ti dhe sa vlerësohet figura e psikologut në shoqërinë tonë?
– Profili i psikologut nuk është sikurse rrëfimi tek prifti apo hoxha. Ajo është shkencë dhe në të njëjtën kohë është dhe art. Sa i përket këtij profili nuk duhet të jetë zgjedhja e fundit. Ajo determinon fatin tënd dhe të të tjerëve. Profili i psikologut nuk është nga ato profesione që të pasurojnë financiarisht, por të bën të vlerësosh potencialet e tua dhe të vlerësosh drejtë jetën tënde dhe të të tjerëve. Së fundmi me urdhrin e psikologut, profesioni jonë tashmë ka kush ta përfaqësoj dhe kemi vendin tonë në shoqëri si profesionist.

– Jeni lindur në Dibër të Madhe dhe pothuajse jeton ne Peshkopi. Cilat janë disa nga ndryshimet mes dy Dibrave?
– Dibra dhe Peshkopia dikur kanë qenë të njëjta. Për mua vazhdon akoma.

– Ke do falënderoje për suksesin tënd?
– Familjen dhe gruan time.

– Të rinjtë sot janë disi si të mpirë nga situatat që po kalon vendi jonë. Si psikolog cilat do ishin disa nga këshillat tuaja për ta?
– Është e vërtetë se faktori ekonomik luan një rol të rëndësishëm në jetën tonë, por jo çdo herë ajo është determinues. Të gjithë të rinjtë duhet të fokusohet dhe pyetja se “çfarë dua unë”, duhet fokusuar tek mundësitë reale që ato kanë. Kurrë nuk duhet lejuar që të tjerët tu definojnë se çfarë ju mund të bëni, por gjeni pasionin tuaj dhe bëhuni ndryshimi i vërtete së pari për veten dhe familjen tuaj, pastaj shoqëria di të bëj vlersimin e vet.