Artan Cuku do të mbetet një yll më shumë në panteonin e policisë shqiptare


Ai iku që ne të reflektojmë për misionin që kreu në funksion të Shtetit e shoqërisë!

Telefonata e orës 20.12 minuta të datës 8 prill 2017, do ngelet e pashlyer deri në cakun e fundit të memorjes e të grahmës së mbrame të frymës sime. Ishte nje miku im, oficer policie që më dha lajmin se kanë vrarë Artan Cukun. Ky ishte njoftimi-gjëmë më tronditës, më i çmendur që mpiu e atrofizoi të gjithë qënien time. Në atë moment hutimi, nga burimi i informacionit, nuk mund të mos besoja atë që më njoftuan. U luta që të ketë akoma jetë, sadopak frymë, se pastaj Zoti mund të bëjë mrekullinë! Se pastaj… Vetëm kjo shpresë më ngushëllonte në ato momente kataklizme. Me sytë e mendjes të mbërthyer në aparatin e celularit, flakur për dreq në një anë si ogurziu më i mbrapshtë i asaj nate, prisja me ankth, me shpresë, me gjithë forcën e meitit të mbetur, lajmin e kundërt të një zhgjëndrre! Por çdo gjë, si një ortek, kishte marrë udhën e pakthyeshme të një tragjedie marramendëse, të pabesueshme. Nuk zgjati shumë as kjo shpresë. U venit, u këput e ra menjëherë…
Njoftimi i dytë më paralizoi, më shokoi. Miku ynë i shtrenjtë, Tani, nuk jetonte më. Ai ishte vrarë nëpër natë nga plumba mizorë dhe të pabesë, derdhur nga dorë gjakatare, në pusi fantazma shkriminale të shpërfytyruara nga nata. Ja prenë hovin, hapin, zemrekun e dashurisë, mallin, ndodhinë, surprizën, befasinë, qeshjen dhe gjithçka tjetër, që me ngut kërkonte t’ua tregonte përmes gurgullimës të një shpirti të pastër plot dritë, me një përqafim disi qortues për djalin, me një puthje gjithë dashuri për vajzën, me një përkujdesje gjithë merak për të shoqen…Mbetën aty të gjitha nën krismat e një nate, mes një pangopje plumbash, mllefi dhe pellgu gjaku, pra, aty në pragun e jetës dhe pavdeksisë!
…Në ato momente të rënda ndodhesha në Laprakë dhe nuk dija ç’të bëja më parë, nga të nxitoja më shpejt. Ka momente që njeriu ndodhet hepuar midis reales dhe ireales, midis të mundurës dhe të pamundurës, midis gazit dhe vrerit, midis pikës së vesës e pikës së lotit, midis vdekjes dhe jetës, midis tokësores dhe qiellores… Tashmë realiteti sado i hidhur duhej pranuar; dora vrasëse kishte goditur përsëri në trupin e Policisë së Shtetit, në zemrën e saj!
Ishte vrarë një ish drejtues i lartë policie, që për shumë vite kishte dhënë shpirtin dhe gjithçka tjetër për punën e organizatës,që aq shumë e deshi me vetëdije dhe vetëmohim.
Drejtuesi i Parë, Artan Cuku, u largua nga detyra pas një vendimi absurd dhe diskriminues (siç edhe ka vlerësuar gjykata), por asnjëherë nuk u nda nga kontributi për sigurinë dhe antikrimin në vend. Jo vetëm shpirti i tij, por edhe lidhjet e shumta me kolegët e Policisë së Shtetit e mbanin atë në korrent dhe të angazhuar shpirtërisht me çdo ngjarje dhe, me besim tek drejtësia ai po priste rikthimin në detyrë dhe vazhdimin e karrierës së lënë përgjysmë. Por këtë herë, padrejtësia e krimit, la në udhëkryq edhe këtë hap prej profesionisti të zotit Cuku.
Artan Cukun, deri ne vitin 2007 e njihja si një djalë nga Lura, nga një zonë me shumë tradita dhe histori, nga një familje shumë e mirë e asaj treve. Dija që kishte mbaruar Akademinë e Policisë me medalje ari, dija që kishte punuar ne Malësinë e Madhe, Shkodër, Durrës, Tropojë dhe informacionet për punën e tij i kisha të spikatura nga kolegë, që kishin punuar nga afër me të.
Pas vitit 2007, për shkak të detyrës që kisha arrita ta njoh më nga afër e të kem kontakte më të shpeshta me të. Deri ne fund të vitit 2009, Tani shërbeu në Vlorë, Fier, Berat dhe Tiranë si Zv.Drejtor Policie, e më pas do të rikthehej sërish në Vlorë si Drejtor i Policisë së Qarkut. Edhe në periudhën kur unë nuk punoja më në polici, Tanin e ndiqja nëpërmjet lajmeve që lexoja për rezultatet e tij spektakolare e profesionale. Nuk mund ta fsheh, që Artan Cuku ishte në grupin e drejtuesve më profesional dhe rezultativ të Policisë së Shtetit.
Për Tanin, kam një peng në zemër, i cili e kaplon qënien time edhe tani kur hedh këto radhë e, për më tepër, Tani nuk është më. Pas mortit gjërat e pathëna dhe brengat shprehen natyrshëm, më shkoqur, për të larguar merakun, dertin, gurin e pengut, për t’ja thënë atë që nuk ja the dot atij që iku në përjetësi. Ndonjëherë, Tanin e kam kritikuar pa të drejtë, e kam rënduar në punë e sipër…Më pas e kuptoja se heshtja e tij, autokritika e tij ishte për të respektuar autoritetin e eprorit, ndonëse në shumicën e rasteve vërtetohej se e drejta kishte qenë me të dhe jo me mua, eprorin e tij. Ky bilanc drejtësie mbeti pa u definuar mes nesh dhe, kjo brengë e imja, mbase gjen lehtësim në këtë homazh. Puna e tij tregonte përkushtimin, profesionalizmin dhe aftësitë e rralla menaxhuese e drejtuese të strukturave të Policisë së Shtetit. Por as këto nuk ja thashë dot Tanit. Shumë refleksione thuhen edhe pas vdekjes, me shpresën që shpirti i tij i lexon në një farë mënyre. Isha mësuar ta shikoj gjithmonë në alarm për punën, në ngutje e sipër, dinamik e gjithnjë në emergjencën e ngjarjes, në emergjencën e kohës. Artani ecte shpejt, më shumë se kushdo, ndaj e jetonte dyfish çastin, minutin, orën; dita e tij zbardhte më herët e nata ngrysej më vonë. Ndrrimet e ditënatës, të stinëve, të moteve kishin mekanizëm tjetër tek Tani. Zgjohej më herët, flinte më pak. Ai ishte në garë me kohën. Kur e takoja lexoja menjëherë në tiparet e fytyrës së tij se diçka nuk shkonte si e sa duhet. E dalloja së pari tek kërcitja e nofullës së tij. Ndodhte kur kishte shqetësim, ankth, angazhim ende të pakryer, një hetim ende të mjegullt, një “ngecje” apo dekonspirim aksioni…Pas largimit nga policia kjo kërcitje nofulle gradualisht u bë më e rrallë aq sa nuk më kujtohet kur dhe në çfarë situate e kam ndjerë për herë të fundit.
Cuku, tashmë është në botën e përtejme dhe në kujtesën time, në trurin tim, në frymën time do të mbetet buzëqeshja e tij, ekpresivitetiti dhe kreativiteti i tij, që do të më ndjekin nga të gjitha anët, nga të gjitha vështrimet, sa të jem gjallë! Në pasionin dhe këmbënguljen e pakufi për punën, shpesh zinte vend ironia pikante, karakteristikë e zonës nga vinte. I thoja shpesh, kur përhumbesha në telashet e hamendjes sime: Cuk, përsërite dhe një here, se duhet të kuptoj nënteksin tënd, filozofinë tënde, sepse unë nuk jam tamam nga Lura… Qeshte kolegu dhe miku im i mire, e ajo qeshje e tij edhe sot më ushëton në veshë si gurgullimat e përrenjve të fryra me ujë bjeshke.
Tanin e kisha takuar një ditë më parëse të ndodhë tragjedia. Shakatë e zakonshme, thumbimet e zakonshme, kafeja dhe uji i zakonshëm, e qeshura e tij me gjithë shpirt po e zakonshme, energjia e tij po ajo e përditshmja, gjithë nerv, gjithë ekpresivitet, si një katarakt, si një ortek, si një sumum që çlirojnë energji pafund drejt njerëzve, për njerëzit. Si ngahera, edhë atë natë ndenjëm së bashku deri nga ora 22 e 30, kur ai u ngrit. Më parë drejt zyrës, drejt ngjarjes, drejt punës. Gjithnjë i përkushtuar, deri në sakrifikim për të dhënë gjithçka për sigurinë dhe qetësinë e komunitetit. Shumë pak kohë i kushtonte familjes, të afërmeve, shokëve…
Tani e kishte ndryshuar pak “protokollin” e tij, qëkur e larguan në mënyrë krejt inatçore dhe partiake nga radhët e policisë. Kishte disa muaj, që Tani do të shkonte në shtëpi më herët, pasi fëmijët nuk flinin pa praninë dhe fjalën e tij.
Atë natë, asnjë lloj fantazie nuk mund të më përmendte se kjo do të ishte hera e fundit që do të rrija me mikun tim të shtrenjtë Tanin, ish-zyrtarin shembullor të policisë. Si zakonisht, ndoqa deri në padukje silueten e tij tek largohej dhe, pres në çdo udhëkryq shfaqjen e tij të beftë…!
Tek e shihja kur largohej prej nesh më vinte mirë që Tani kishte një“emergjencë” tjetër njerëzore, natyrore ngutjen për të qenë pranë familjes…Sa mirë!
Por jeta pranë familjes dhe veprimtaria e tij u këput shpejt, papritur, pakujtuar, duke lënë pas një mal me dhimbje.
Ishte ora njëzetë e dymbëdhjetë minuta…Pas disa minutash isha tek vendi tragjik, aty ku krimi kishte marrë jetën e Tanit. Nuk munda ta shikoja trupin e tij të pajetë. Madje nuk munda të bëj as përpjekjen me të vogël, për arsye se thellë në shpirt, brenda qenies time doja të mbaja si foto Tanin e gjallë dhe dinamik, plot jetë e energji, Tanin hokatar, gjithë nerv e vlagë pune, me atë qeshje gurgullimë.
Në të tretat, që në mëngjes isha tek varri i Tanit së bashku me një mikun tim, mikun tonë të përbashkët. Qëndrova e bisedova nën zë, me zërin e shpirtit. Në varre flet me shpirt me miqtë e shtrenjtë; flet dhe me sy, me zemër, me asht e me ligjerime. Një tufë me lule! Tani i kishte për zemër lulet. Në vendlindjen e tij, në Lurë kishte livadhe pafund me lule, kishte bahçe plot ngjyra, kishte e ka dhe një liqen mahnitës, Liqeni i Luleve!Por as që e kisha menduar që një ditë do të vendosja një tufë me lule në kreun e një pirgu me dhe ku shkruhej emri i Tanit. Aty me sytë e mendjes isha ngulur thellë poshtë dheut dhe përfytyroja prehjen e tij, gjumin e tij, matanë jetën e tij.
Ai iku që ne si shoqëri të reflektojmë për misionin që kreu në funksion të Shtetit e shoqërisë!
Artani la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjel, në dhimbje e trishtim të thellë, në një ëndërr të tmerrshme, të pabesueshme, të paimagjinueshme; la vëllezërit e mirë dhe qytetarë të urtë në dhimbjen më të thellë, la kolegët që punuan nga afër me të në kujtim të hidhur, në ankth për punën e misionin e tyre. Do e kujtojnë Tanin se si festonte aksionet e suksesshme të strukturave të policisë se shtetit që ai drejtonte nën drejtimin e tij, nën shembullin e tij. Suksesit i gëzohej si fëmijë e mendonte, punonte për suksesin e aksionit tjetër të rradhës. Kush ka punuar së afërmi me Tanin do t’a kujtojnë siç kujton dhe vëllai i tij Rakipi, se Tani shpesh herëdo të shpenzonte të ardhurat e familjes së tij për karburantin e makinave të policisë… Nuk ankohej, nuk pretendonte e as nuk krenohej.
Vrasja e Drejtuesit të Parë, Artan Cuku, mbi të gjitha është goditje kundër shtetit, kundër sigurisë publike dhe kundër ligjit. Ajo vrasje ishte një plagosje tronditëse për policinë! Janë rreth 260 punonjës policie të vrarë në 26 vjet trazicion. Ky është një bilanc lufte, është kosto që bijtë më të mirë të këtij vendi e paguan për këtë shoqëri për ta bërë më të sigurtë, më të paqtë. Për çdo punonjës policie të ndershëm i çdo niveli qoftë, një koleg i vrarë është një përmendore në shpirtin e tij, një kushtrim për të vijuar përballjen me krimin. Kemi parë në çdo ceremoni mortore të tyre të gjithë politikanët e të gjitha ngjyrave të përbetohen për drejtësi, por çuditërisht, këtë herë Kryeministri nuk e tha dot një fjalë, as në homazhe nuk ishte. Mungoi edhe inkurajimi për organizatën e policisë, e cila ka ndërruar dhe do të ndërrojë dhjetëra kryeministra! Kjo është policia që nuk duhet të ketë parti, partia e saj është Shqipëria dhe, kësaj policie i përkiste Artan Cuku!
Cuku do të mbetet një yll më shumë në panteonin e policisë shqiptare, së bashku me qindra të tjerë si, Arben Zylyftari, Adem Tahiri, Fatos Xhani, Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari, Dritan Lame, Gani Malushi etj. etj.
Ne duhet t’i kujtojmë dhe t’i nderojmë gjithmonë këta heronj. Kujtesa është thesari dhe gardiani i çdo gjëje, ka thënë Ciceroni. Nëse duam të shohim monumentin e këtyre që dhanë jetën, këtë e gjejmë gjithandej përreth, në sytë e zemrat e të gjithëve, në punën e sakrificat e paprera të punonjësve të Policisë së Shtetit. Secili prej nesh është një libër i hapur kujtimesh prej nga marrim krah frymëzimet, motivet, vizionet dhe mësimet për jetën dhe në emër të jetës.
Kolegët në detyrë dhe të gjithë ata që janë angazhuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, kanë detyrimin moral dhe ligjor për të gjetur dhe dërguar para drejtësisë autorët e këtij krimi të rëndë.

*Ahmet Prençi, Ish-Drejtor i Policisë së Shtetit.